| E diele, 15.03.2020, 02:15 PM |
Korça
Nga
Edison Ypi
Korça
është një Zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. Motrat e Korçës janë Vjena,
Roma, Londra, Praga. Vëllezërit e Korçës janë Parisi, Berlini, Milanua,
Budapesti. Korça ka dhe plot kushurinj e kushurira, kunata, nipër, mbesa;
Tiranën, Ersekën, Selanikun, Bukureshtin, Athinën, Stambollin, Zagrebin,
Prishtinën, Shkupin.
Mpleksja
e mesdhetarizmit me kontinentalizmin, e bën Korçën një qytet absolutisht
magjik, dhe udhëtimin drejt Saj definitivisht magjepsës, të tillë që nuk të
mërzitet kurrë, edhe gjithë jetën të shkosh e të vish.
Si
xhevahirët që ngado ti’ shohësh janë ndryshe të bukur, edhe hijeshia e Korçës
varet nga cili drejtim i afrohesh.
Që
udhëtimin drejt Korçës ta shijosh të tërin, në Korçë duhet vajtur i pa
kushtëzuar nga kthesat e asnjë rruge, ngushticat e asnjë shtegu, vështirësitë e
asnjë pengese. Pra e mira është në Korçë të shkosh si Zog.
Në
pamundësi për të vajtur në Korçë si Zog, variantet e tjera janë këto;
T’i
afrohesh nga perëndimi. Kur ndodhesh mbi majë të Qafës së Thanës, ndërkohë që
ndjen se nga pas mesdhetarizmi i ngrohtë po jep shpirt, përpara po lind një
fllad i ri, një magji e re, kontinenti.
Po
t’i afrohesh Korçës nga lindja, pra nga Devolli, provon ndjesinë e kundërt. Nga
pas le freskinë kontinentale, ndërsa përpara të pret ngrohtësia mesdhetare,
Korça e butë dhe e ngrohtë.
Ardhja
në Korçë nga jugu është me zarar. Nga Gryka e Këlcyrës, Lugina e Vjosës,
Laskoviku, Kolonja, ke bërë mbi 100 kilometra mes bukurive më tronditëse të
planetit gjatë të cilave je prekur nga “Sindroma Stendal”, pra nga bukuria që
lodh dhe sëmur. Pra po erdhe në Korçë nga jugu mund të çmendesh ose të vdesësh.
Udhëtarët
me shije estetike më të sofistikuara mund t’i aviten Korçës edhe nga drejtime
te tjera.
Nga
Gramshi nëpër rrjedhën e Devollit për të dalë në Maliq, pastaj në Korçë. Kalimi
nëpër këtë kanion me humnera dhe ujvara frymëndalëse nëpër këtë rrugë të cilën
pak janë ata që e dinë se ekziston, është udhëtim që mbetet përgjithmonë në
kujtesë.
Nga
Skrapari, përmes maleve. Ky variant, përveç sofistikimit të shijeve, kërkon
edhe guxim, muskuj, si dhe përvojë, kushte këto që i plotësojnë fare pak
fatlumë për tu patur zili.
Nga
rrëzë Malit të Thatë, Podgorie, Zvezdë, Plasë, Korçë, është variant për të
ngeshmit në kërkim të rrënqethjeve estetike sa më të forta. Ky itinerar
preferohet sidomos nga lasgushianë të krisur që shkojnë me shpresë se duke
udhëtuar andejpari do shohin "një shqiponjë të arratisur që fluturon mbi
Mal’ të Thatë”.
Kolonja,
Poradeci, Devolli, Prespa, Voskopoja, janë 5 xhevahirët e gjerdanit të artë që
zbukuron gushën e Zonjës Korçë.
Vendet
ku magjepsja Korçare bëhet aq e papërballueshme sa mund të ikësh nga fiqiri
janë dy; Prespa dhe Voskopoja. Njëra më magjike se tjetra janë që të dyja
“Vende të Mira” si Jeruzalemi dhe Meka, ku po të jesh’ i sëmurë, shërohesh, po
të jesh i shëndetshëm, nuk sëmuresh. Voskopja dhe Prespa janë të dyja vende të
shenjta të pandotura nga kallaballëku. Kur ndodhesh në këto dy vende, tek
bërtet dhe dëgjon jehonat, ke ndjesinë se po llafosesh me Zotin.
Po
të flesh një natë në Prespë apo Voskopojë dhe nuk sheh asnjë ëndërr, testi i
idotit të ka dalë me sukses. Vuan nga pamjaftueshmëri shpirtërore dhe
cerebrale. Je qënie inferiore. Leri udhëtimet dhe leximet. Ik shit rraqe mbi
ndonjë tezgë.
Nëse
idiot nuk je, dhe shtrihesh të flesh një natë në Voskopojë ose Prespë, kujdesu
që gjatë asaj nate të mos të zerë gjumi. Lere atë natë të bardhë. Po fjete, do
shohësh ëndërr, në ëndërr do shohësh Shenjtor, Kishë, afreske, varre të vjetër,
Manastir me myshk, që do të çfaqen nat’ për nat’ 20 vjet rrjesht.
I
vetmi qytet i Shqipërisë ku, secili kryelartë në dinjitetin e vet, qyteti është
qytet dhe fshati është fshat, është Korça.
Po
Korça njërëzore, Korça nga brenda, si është vallë Korça nga brenda ?
Qytet
europian me kisha dhe kumbanore, me Zonja dhe Zotërinj si gjithë Europa, Korça
ka një butësi të brendëshme të ruajtur me një vendosmëri të pashoqe që nuk kanë
arritur ta prekin dot as luftrat dhe asgjë. Ta prekësh butësinë njerëzore
korçare është më vështirë se të gërricësh diamantin. Korçës nuk guxoj t’i
afrohem më tepër. Po të kuturisja, do dukesha si elefanti brenda dyqanit të
qelqurinave. Më merren mentë nga sofistikimi i saj. Më mirë më jep penel dhe
ngjyra të bëj një Monaliza më mahnitëse se të Leonardos sesa të më shtjesh në
mëkat të “vizatoj” Korçën. Do ishte njësoj sikur t’i thuash kovaçit të
Sovjanit; Daltat dhe çekiçat i ke, mermerin ik merre në Strelcë, gdhëndmë
Davidin.
Të
llafosesh për Korçën pa thënë dy fjalë për magjepsjen e saj më të hatashme,
periferinë e saj në mbrëmje, zëre se s’ke thënë asgjë;
Shkëlqar
Voskopoja. Rrezar Shën Prodhomi. Vizllin Liqeri. Ngrysur Mal' i Thatë. Vrënjtur
Ivani. Zgjuar Gora. Fle Opari. Rrjedhin kruajt e Gorës. Paqe Prespa. Rrjedh
Devolli. Raki' heq Sovjani. Dehet Plasa. Aheng Zvirina. Fresk Dardha. Zheg
Pirgu. Dasmë Lubonja, Krisëm Korita. S'pipëtin Dvorani. Ulëret Ormani. Qan
Qarri. Zjarr e flak’ Starja. Zymtohet Valamara. Vrënjtet Helmësi. Urtë
Nizhaveci. Gjurulldi Kapështica. Prush nën kazana Boboshtica. Llaç e tulla
Pojani. Valle hedh Bulgareci. Afër, fusha. Larg, fshatra. Më tutje, zjarre
çobenjsh. Edhe më larg, horizonti, qielli. Akoma më larg, s’dihet se çfarë.
Thonë
se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeri i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje
dhe Mali i Thatë sa një kokërr arrë. Domethënë kurrë.
__________
Ju
s'patët frikë kur luftuat dhe fituat mbi pushtuesit më të egër, thurët këngë e
balada, i ratë daulles dhe lahutës për trimërira e heroizma inekzistente,
sajuat heronj imagjinarë, mposhtët turq e italianë e gjermanë, u vutë rrugëve
dhe shesheve emra vrasësish, ngritët në piedestal katilat dhe bushtrat,
budallenjtë i shpallët dijetarë, e rrethuat vendin me tela me gjëmba, prishët
kishat e xhamiat, spiunuat dhe burgosët nënën, babain, motrën, vëllain, ja
dhuruat paret Sudes dhe Xhaferrit, paskeni frikë tani nga një cop virus.
__________
Vendi
im është i tëri një makth tronditës pafundsisht i bukur. Është e mërkurë, por
të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna
dhe e djela mungojnë me vite ose nuk çfaqen kurrë. Kodrat i bien flautit.
Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti
nuk është shpikur. Selfie nuk bëhen. Televizor nuk ka. Qiellin e prek me dorë.
Peshqit e liqereve kullosin nëpër korije. Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri
mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një muzg me dy hëna. Gjermania përtej
gardhit. Italia prapa derës. Amerika duke bërë muhabet me ca si vetja në
kafene. Elbasani po ha tavë dheje. Skrapari po ja lyp Kolonjës. Rrëzë një
gardhi Përmeti po bën qef me Tepelenën. Shkodra me pantallona të shkurtra dhe
gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç. Lezha topless
po lan Benzin me ujë pusi. Puka me flokët që ja merr era kah Mirdita ka ndalur
anës rrugës se i është çpuar goma. Në qiell kullosin re si dele të bardha që i
ruan një bari sa Shpiragu me kërrabë sa Tomorri, gunë sa Myzeqeja, fyell sa
Devolli.
___________
Nëse
Virusi e ka da menien për me vra një numur shqiptarësh, ti thuhet Virusit se
mund t'i çojë nga kanë ardhur aq sa shqiptarë ka planifikuar, po deshi edhe
dyfishin ose shumfishin e tyre, madje sa të dojë të tjerë, por me kushtin që
shqiptarët që do hedhi në halen e gomerëve të jenë të gjithë nga ata pa të
cilët Shqipëria rehatohet. Po qe se Virusi nuk bindet, t'i premtohet se po e
bëri këtë, spiunat e Sigurimit që sot mbahen për artista, për nder të tij do
bëjnë pesë soc-filma, do shkruajnë dhjetë libra-këllira, do thurin njëqint
poema-spirra, do ti ngrenë edhe një shtatore. Po ndodhi që edhe para kësaj
oferte Virusi nuk dorzohet, ti lutemi të bëjë atë që meritojmë, të na çojë të
gjithëve aty ku e kemi vendin, në Sharrë pranë kurvit.