Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rruga e Aliut
E shtune, 28.03.2020, 10:36 AM
Rruga e Aliut
Nga
Edison Ypi
Në
një kohë djajsh të udhëtosh në një vend shenjtorësh.
Pak
janë ata që e dinë se ekziston rruga Çorovodë-Përmet ku ka kaluar Abas Aliu.
Pa
arritur në Çorovodë, pranë një kroi ku ndala për t'u freskuar, një mesoburrë
mbështetur mbi krrabë me një shprehje fytyre sikur kishte vite që më kishte
zënë pusi' për të më pyetu;
-Hë
mo, si thua, do fitojmë ne të Partisë Socialiste ?
I
hodha një vështrim gjysëm kërcënues, freskova surratin dhe u largova.
Te
ajo kthesa kur sapo çfaqet Çorovoda, dy policë rrugorë të qeshur. I pyeta
policët gazmorë sa kohë duhet për të kapur prej aty Përmetin. Më dhanë një kohë
e cila në mbarim të udhëtimit rezultoi nja pesë herë me vogël. Më gënjyen
policët, për të mos ma ndalur hovin drejt Përmetit, apo se ashtu u tha rakia,
një Zot e di.
Çorovoda
ka zbrazje por ka dhe gjallëri. Hyjnë e dalin nëpër lokale dhe dyqane njerëz me
hap dhe pamje të sigurtë. Aty-këtu, nga dy e nga tre, ata që s'mungojnë kurrë
në asnjë qoshe të provincës; të moshuar me kasketë dhe gazetë të palosur në
duar. Mbi ish-Komitetin Ekzekutiv, si diçka e harruar, si diçka pa rëndësi, pa
ndonjë ndikim, nuk e kanë hequr parrullën PUSHTETI BURON NGA POPULLI DHE I
TAKON POPULLIT.
Të
flasësh për bukurinë e Kanioneve të Osumit, nis e s'mbaron kurrë. Ec tutje, e
hiç mos e zgjat.
Më
shoqëron në këtë udhëtim Aresi, djali i vëllait. Nipit tim gjatë udhëtimeve
nëpër Shqipëri nuk i duhen kamerat dhe dylbitë. Ai gjithçka që sheh me sy dhe
dëgjon me veshë e ruan përgjithmonë në tru. Këtu në Skrapar duke hedhur sytë
rrotull këndon këngë të vjetra. Kolonjari dy metrosh di gjithçka; Emrat e
fshatrave, toponimet, etimologjitë, zakonet, besimet, dialektet, eventet
historike, ndërlikimet politike të vjetra dhe të reja, të gjitha. Tek Gjurma e
Abas Aliut, pasi jep paraprakisht disa të dhëna mbi Shenjtorin, udhëtimin e Tij
në Tomorr dhe historinë e kësaj gjurme, gjunjëzohet dhe puth solemnisht
gjurmën.
Shkollarë
çorovodarë shoqëruar nga mësueset kanë dalë shëtitje anës Osumit.
Skraparllinjtë e rinj nuk dallojnë aspak nga moshatarët e tyre europianë e
amerikanë; Zemra Tomorr.
Nja
20 kilometra mbi rrugën që shoqëron lumin, freskia malore nis depërton këndshëm
nëpër trup. Pakngapak, madhështinë humnerore të vetes, kanionet j'a përcjellin
bujarisht një bimësie të lartë. Para kësaj freskie dehëse rakia duket shpikje e
kotë, e tepërt.
Një
Benz po vjen përballë. I them shoferit të Benzit; Hë mo, kush do fitojë ? Ma
kthen me vendosmëri; Ay atje, Baba Tomorri. Të lumtë skraparlli. Po a s'më
thua, ku ishe, nga cila humbëtirë u nise, në cilën guxhuvërrë po vete ? Thotë;
"Po vij nga Mulliri".
Pak
më tutje, ku rruga e lë Osumin më të majtë dhe ngjitet përpjetë duke kaluar mbi
një urë, ka vërtet një Mulli. Krejt i shkretë ai mulli, bjeri sa të duash
borisë, askush s'përgjigjet. Sa duket, si kudo nëpër Shqipëri, të zotët e
mullirit kënaqen duke kundruar pas dritareve vuajtjet e udhëtarëve.
Aty
pranë tjetër mulli, krejt i braktisur, kthyer në stan.
Malindi,
Çepani, Muzhëncka, Koprëncka, dhe të tjerë katunde, janë aty rrotull, por nuk
duken se pengon gjelbërimi i dendur dhe i lartë. Le dëshpërimi që s'duken
Çepani e Koprëncka, por të gjen belaja dhe me nipin. Aresi nuk të lejon të
mbash shënime për orët dhe kilometrat e përshkruara. Sipas tij, gjatë një
udhëtimi të tillë, nuk është mirë të llogaritet koha dhe kilometrat sepse në
këtë mënyrë udhëtimit i ikën magjia. S'e ka keq nipi. Të depërtosh mes këtyre
bukurive duke marrë shënime, është njëlloj sikur të pish raki duke vizatuar
skica.
Duke
u ngjitur rruga keqësohet. Gurë rënë nga mali, rrëshqitje dheu dhe gropa. S'do
ment përderisa nuk është bulevard bythpambukësh rehatlinj, por rrugë
Shenjtorësh vuajtës.
Skrapari,
Tomorri, Ostrovica, Kolonja, prej aty duken si në hartë. Kilometra të tëra,
xhan-xhin, asnjë frymë. Ujqër, arinj, kunadhe, dhelpra, me siguri na ndjekin të
habitur pas aheve, pishave, gëmushave. Në lartësi, paksa mënjanë më të djathtë,
dy-tre kilometra nga rruga, fshati Hambull. Një hambulliot ka lënë Benzin me
targë italiane anës rrugës dhe vet' se ku ka vajtur. Njëra më e bukur se
tjetra, qafat, përrenjtë, rrëpirat, të ftojnë të fotografosh.
Në
një nga qafat e gjata dhe të larta nxjerr kryet me dëborë madhështorja
Nëmërçka.
Në
Kashisht ka Teqe' të zbukuruar, por asnjë shtëpi të re.
Nënë
e bijë, secila mbi nga një kalë. Jo kuaj brinjë-dalë, kuaj rrace.
Nëna
thotë se rruga deri në Përmet prej aty e tutje është e mirë, dhe nis të
qartësojë diçka mbi përkatësinë administrative të Kashishtit, Përmet apo
Skrapar.
Atje
tej, Frashëri. S'ta kam ngenë tani o madhështori Frashër, hërën tjetër, se kjo
nuk është e fundit.
Rruga
e Aliut Çorovodë-Përmet ka pothuaj të njëjtën strukturë planimetrike si edhe
Rruga e Kadriut, ajo Kukës-Milot. Nga Çorovoda tek Ura e Hambullit Rruga e
Aliut shkon buzë Osumit njëlloj si Rruga e Kadriut buzë Fanit. Në vazhdim të
analogjisë simetrike, prej Mullirit e deri në Përmet rrugës i del përpara një
masiv malor i ngjajshëm me atë të Kalimashit. Nëse Çorovodë-Përmet do bëhet një
ditë autostradë, nga Ura e Hambullit e deri tek Teqeja e Alipostivanit, do
çpohet një tunel.
Në
Raban, përmetar i mosbuar mbi gomar. Bëj ta fotografoj, s'mundem. Thotë
përmetari; Për Hasan Dedè mos më fotografo mbi gomar.
Pak
më tutje dy të rinj vendalinj. Njëri është polic në Tiranë. Tjetri banon në
Përmet. Që të dy kanë ardhur këtu për qef, për hava'. Pamja e tyre s'të jep
asnjë shpresë se mund të marrësh ndonjë përgjigje po t'i pyesësh për zgjedhje
dhe partira.
Më
të majtë në luginë, Rruga e Frashërit. Më të djathtë-lart Teqeja madhështore e
Alipostivanit.
Edhe
pak kilometra deri në Piskovë ku kjo rrugë prek rrugën e asfaltuar buzë Vjosës.
Prej Piskovës, pak kilometra më të majtë, ndodhet Përmeti, më të djathtë, pak
më larg, Këlcyra.
Pa
zbritur në luginë, nga lart duket sikur, po ashtu si nga përplasja e Indisë me
kontinentin u ngritën Himalajat, përplasja e Kolonjës me Përmetin ka ngritur
lart Nëmërçkën.
Tek
kalon mes gjithatyre bukurirave të kujtohen vetvetiu fjalët e Lutjes që fillon
me,
Sa
fije bar ka përmbi dhe'
Sa
gjethe gjënden nëpër drurë
Sa
thërrime kum ka në çdo det
Sa
shkëmbinj edhe sa gurë
N'danë
një vreshte dy qën të mëdhenj mbledhur kutullaç. Gëzofat e qënve mbuluar me
gjethe hardhie të pengojnë të dallosh cili prej tyre është larua e cili balua.
Një
vigan përmetar ish-kulak po korr bar. Ish-Kulaku vjeç që mban me vete raki'
Përmeti nga ajo më e mira, se raki të keqe Përmeti s'ka, ka një tru aq të
kthjellët dhe aq të shkathët sa mund të krahasohet vetëm me të Ainshtainit ose
me një kompjuter që ende nuk është shpikur. Ish-kulaku është i pa kënaqur nga
Sali Berisha që sipas tij nuk është antikomunist sa duhet. Ama Kulaku i
këndshëm e ka një çupë në Tiranë të punësuar në një televizion të majtë.
Vigani
i vujtjeve mban ment gjithçka. Deri edhe meselerat me teqera dhe turqira të
gjyshit t'im qefli Rushan Bej Pacomitit që në luginën e Vjosës la pas kopila të
panumurt.
Pacomiti
është një fshat që ndodhet paksa më të djathtë te disa shtëpi që duken majë një
kodre. Në më të madhen e atyre shtëpive nga qefi i Rushanit vendali dhe me
aprovimin e gruas së vet gjyshes time, Zyrasë nga Veleshnja, është ngjizur Nëna
ime, Hasia.
Nga
Çorovoda, deri buzë Vjosës, jo më pak se nja tre orë. Kohë kjo e matur me
pozicionin e Diellit në qiell, se ta vrasësh s'të lë Aresi t'i hedhësh sytë
orës.
Dy
bejlerët kolonjarë mbi Suzuki, pasi bien në asfalt, s'kanë arsye të kthehen në
Tiranë nga Mallakastra. Të gjitha arsyet tërheqin më të majtë nga Kolonja.
Bejlerët duhet tu hedhin një sy çifligjeve të tyre imagjinarë. Nga Kolonja pra.
Sado e gjatë të jetë udha. Sado të shpeshta të jenë kthesat. Sado e madhe të
jetë lodhja. Për më tepër që në Helmës pret Agron Nazarko. Agroni para nja një
muaji ishte në Tiranë. Më telefonoi tek vërtitej rrotull Ministrisë së
Drejtësisë si gurët e Mullirit të Hambullit buzë Osumit. Djali i ikur në Greqi,
pas disa vitesh ishte kthyer në shtëpi në Helmës. Pasi u ç'mall desh' të
kthehej përsëri në Greqi. Se ku e zuri Policia i kapi një gërmë të emrit që nuk
kombinonte me emrin në pasaportë, dhe ja mori pasaportën. Bëri si bëri iku
përsëri në Greqi. Por këtej, në Shqipëri, u hap një proces. Për atë të shkretë
gërmë e dënuan 2 vite burg në mungesë. Në prezencë të Agronit telefonova një të
njohur në ministri. I thashë, zgjidhja hallin Agronit, se s'është mirë
shqiptari të bëjë 2 vite burg për 1 gërmë në Pasaportë. Miku më dëgjoi dhe
premtoi. Ndërkohë Agroni, i cili kur halli mori rrugën e zgjidhjes, do duhej të
qeshte, nisi të qante. Ç'ke Agron që po qan ? i thashë. S'mu përgjigj. Vetëm
qante me lotë të heshtur që i udhëtonin ngadalë teposhtë rrudhave të fytyrës.
Dhe ashtu u ndamë, unë duke ikur i habitur, Agroni duke qarë i mekur.
Tani,
me Ares erudit në bord, mezi pres të vete ta takoj Agronin në Helmës ta pyes si
vajti puna e pasaportës së djalit, dhe pse qau.
Bukuritë
e Çarshovës, Leskovikut, Gërmenjit, hallall 10 milionë Euro në dorë atij që di
t'i përshkruaj.
Ama
e gjelbëra e pishave si e vrarë. S'e kanë marrë ende veten pishat nga zjarret e
beharit që shkoi.
Mbi
një livadh të madh të blertë rrethuar me pisha hallakatet si në jerm një turist
i huaj.
Aresi
seç thotë për inginieringun e çuditshëm njerëzor që vendet e zakonshme, pyje,
pllaja, korije, gjatë shekujve i shndërron në vende të shenjta, vakëfe.
Nëpër
faqe malesh gjarpërojnë rrugë katundesh.
Pranë
një përroi kolonjare te të dyzetat me shkarpa nën sqetull.
-Dukesh
që do votosh për demokratiken.
Ma
pret kolonjarka me shkarpa;
-Jo-jo,
s'durohet Sali Berisha, na la kërrusur me shkarpa mbi kurriz.
-Shkarpat
nuk i ke mbi kurriz, i ke në sqetull, dhe nuk je e kërrusur. Bëre shaka për
Sali Berishën ?
-Buk
bëra shaka. Ta thashë se më dukesh si i yni, si socialist.
-Po
moj Zonjëzë po, e gjete. Me gjith' lecka i juaji jam. I juaji këtu në Kolonjë,
dhe i tyre atje në Skrapar. Se jo vetëm sipas teje, por edhe sipas meje, të
gjithë ata që mbathin këpucë socialista janë. Por a s'më thua, a të kujtohet se
si kurvi ua mori të gjitha, edhe leckat, edhe morrat, edhe shkarpat ?
-Po,
është e vërtetë, na i mori të gjitha, por ama na dha...
-Çfarë
j'u dha ?
Përgjigja
ishte e pa besueshme .
-Mëntë.
-Epo
mir' moj kolonjarkë me mënt në vënd. A do ta dish se për kë do votoj unë, se
s'po më rrihet pa ta thënë ?
-Po
.
-A
e do të ta jap me shkrim ?
-Po.
Rrëmbeva
një fletë letër nga blloku me shënime të munguara orësh dhe kilometrash për
shkak të embargos së nipit estetizant, dhe j'a shpalla kolonjarkës votën; Ja
ç'i shkrojta;
Ju
nostalgjikët shqiptarë, ju shejtan-budallenjtë e pa ndreqshëm, jeni zhgani
kriminal më i ndyrë, jeni bërllogu antishqiptar më i qelbët që Historia e këtij
trualli ka njohur. Ju duhet të zhdukeni nga faqja e dheut. Sytë j'u dalçin juve
o ndyrësira. Keqmbetsh o kolonjare budallaqe me shkarpa nën sqetull. Edison Bej
Ypi. (Firma, data)
E
mori shushka letrën dhe nisi ta lexojë. Tek lexonte nisën t'i bien shkarpat një
nga një në tokë. Dhe nisi të gulçonte. Në fillim nga pak. Pastaj gulçet j'u
përzjenë me një të vaje amanozot. Pasi e mbaroi, priti pak çaste, shkundi
kokën, fshiu disi lotët, erdhi pak në vete, nisi ta tundë letrën në erë. Ashtu
e xhindosur duke tundur letrën u zhduk brenda pyllit me pisha me një hap krenar
me kokën lart sikur po e çonte letrën diku për të më denoncuar në ndonjë polici
a komitet. U trëmbe moj kolonjare ? Pse u trembe ? Komunistat janë trima nëpër
filma me prita dhe atentate. Ik o kolonjare ik, ik dhe kurrë mos ardhsh.
Diku
më zunë rrugën ca dhën. Pas tyre vijnë dy barinj shtatlartë. Njëri prej tyre me
njeh nga televizori. Kishte parë një reportazh t'imin të quajtur "Fshati
për karshi" kushtuar Bezhanit të boshatisur. Pasi përshëndoshem me të dy,
qefliu i reportazheve më thotë;
-Ku
po vete o lako ?
-Në
Helmës. Tek Agron Nazarko. Mezi pres ta takoj. Edhe ay si ty, qefli i
televizionit. Televizionit si e bëj unë, jo si e bëjnë të shiturit. Për atë
reportazhin që mbajtke mënt ti, Agroni më dërgoi me postë një letër të gjatë ku
thoshte se Helmësit i kisha borxh dy dit e dy net pa gjumë, dhe shumë lotë.
-Agron
Nazarko vdiq para tre ditësh. J'u ndal qarkullimi i gjakut në njërën këmbë.
Doktorët s'i bënë dot derman. Vdiq në spital në Tiranë.
Paska
ikur Agron Nazarko.
Tani,
pas Skraparit të Rrugës së Aliut, pas Pacomitit të Nënës, pas Kolonjës së
Aresit dhe pas Agron Nazarkos së Helmësit, po iki edhe unë.
Dhe
ika në Tiranë. I cfilitur. Pas plot 553 kilometrash rrugë dhe 16 orë mbi timon
brenda një dite. Tani do çlodhem duke fjetur një gjumë të thellë. Po më zuri.