Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rruga e Duçes
E diele, 29.03.2020, 10:38 AM
Rruga e Duçes
Nga
Edison Ypi
Rrugët
tona janë rrugë ushtarake, rrugë lufte, rrugë të ndërtuar nga pushtuesit. Njëra
nga këto rrugë lufte është e jashtzakonshme.
Janë
të njohura pamjet filmike që tregojnë rropatjet e ushtrisë italiane nëpër
dimër, dëborë, baltë dhe suferinë, me mushka dhe topa gjatë përpjekjeve me
ushtrinë greke në jug dimër-pranverë 1940-1941.
Pse
Italia e sulmoi Greqinë nga malet dhe jo nga bregdeti apo nga ndonjë fushë a
luginë ?!
Rruga
Berat-Këlcyrë ekziston dhe është e kalueshme. Është konceptuar në fillim të
shekullit të kaluar si rrugë qerresh. E zgjeroi e ndreqi dhe e shtroi me
kalldrëm Duçja në vigjilje të luftës me Greqinë.
Kjo
rrugë nis në lagjen Goricë të Beratit dhe merr menjëherë drejt jugut mbi
shpatullën lindore të malit. Prej aty e pothuaj deri në Këlcyrë dominohet e
tëra nga pamja e Babait të jugut të Shqipërisë, Tomorrit. Kilometrat e para
janë të shtruara me një ish-asfalt, të cilit i kanë mbetur vetëm gjurmët. Më
tutje, rruga nuk është e keqe, por duke ndjekur me besnikëri relievin edhe pas
çdo bregu apo gunge mali sado të vogël, ka shumë dredha. Gjatë kilometrave të
para majtas e djathtas dhe në thellësi ka plantacione qershish. Shtëpi të
rralla nga dy nga tre aty këtu. Nuk ka biznese, as furnizues me karburant,
asgjë. Madje s'ka as nga të kudondodhurat kafene. Një furgon me targë italiane,
megjithëse i bëj shenjë nuk ndalon. Pak pas tij ndalon një Land Rover. Gjermani
i Roverit me një anglishte me më tepër gropa se rruga, thotë se ka qenë jo më
larg se nja dhjetë kilometra prej aty, dhe shton se kjo rrugë nuk është veçse
një "Third hand road", pra, sipas tij, një rrugë pa rrugë, çka nuk
rezultoi fort e vërtetë. Gjermani përshëndet me një shkelje të padeshifrueshme
të syrit dhe ikën. Ndërkohë, janë shpeshtuar shenjat e kalldrëmit me gurë të
zinj mbi të cilin kanë kaluar mushkat dhe topat e Duçes për të mësyrë Greqinë.
Pas nja njëzet kilometrash qershitë rrallohen. Por shenjat e kalldrëmit
fashist, një herë e një kohë të rregullt, me breza gurësh të mëdhenj anash dhe
në mes të rrugës, janë prezente kudo. Në një qafë të lartë, Teqe. Nuk e mësova
dot si quhej ajo Teqe. Mbi derën e mbyllur të Teqesë, rrethuar me një kornizë
të praruar, portreti dhe një thënie e urtë e Haxhi Bektash Veli mbi dijen dhe
dashurinë. Rretherrotull asnjë pipëtimë, xhan-xhin. Në oborrin e Teqesë, varre
dhe gjurmë zjarri nga pjekja e kurbanëve. Rrëzat e varreve janë ndotur nga të
pëgërat e kurbanëve nga frika e therjes. Dy të moshuar burrë e grua, që siç
thanë ishin banorë të një fshati të largët që mezi dukej teposhtë në luginë,
presin makinë për të zbritur në Berat. Nuk e kuptova cilën makinë prisnin. Prej
aty e deri në Ballaban afër Këlcyrës, e vetmja makinë që erdhi përballë ishte
një furgon policie me nja katër a pesë policë brenda, shefi i të cilëve guxoi
të më tallte duke më thënë se në këtë rrugë nuk udhëtohet vetëm por me një
femër.
Lapidar.
Lapidari ka pllakë me mbishkrim të zhgarravitur pothuaj të palexueshëm.
Megjithatë me vështirësi lexohet se: "Në këto qafa (ku pikërisht ? se këtu
qafat janë të panumurta) partizanët e brigadës së shtatë dhe populli luftuan
trimërisht dhe shpartalluan disa herë (sa herë?) forcat gjermano balliste (po
ballistët a ishin popull?). Po këtu më 23 dhjetor 1945 ra heroi i popullit Ajet
Xhindole". Mirë tërë këto heroizma dhe shpartallime, por si quhet qafa ?!
Për këtë duhet pritur një çoban pa kope' që po kalon andejpari. Bariu thotë se
qafa quhet "Qafa e kumbullave" megjithse s'duket kumbull me sy.
Mbi
rrugë bokërima malore sa të ha syri. Poshtë në luginë, fshatra një këtu një
atje. Baba Tomorri dhe mbeturinat e kalldrëmit të Duçes nuk i ndahen rrugës për
asnjë çast. Teposhtë nën rrugë, megjithëse më pak, ka ende qershi. Frymë
njeriu. Rruga shkon rrëzë një monopati të pafund. Kope' dhish me këmborë dhe
cjepër me brirë të mëdhenj. Ja dhe çobani. Ku e ke gunën, festen, fyellin ? e
pyes. Qesh bariu. Hedhur mbi sup mban një çantë të vogël me zinxhir. Fshati i
këtij bariu është ndanë një përroi, atje tej, atje larg, atje ku mezi duket. Ka
qenë në Greqi, por u mërzit dhe u kthye. Janë bektashinj. Rrojnë me blegtori
dhe pak bujqësi. Bariu është i qeshur por di pak. Nuk di as si quhet teqeja që
lashë pas. Për më tepër, është në merak mos i ikin nga sytë dhitë. Kërkon leje
të hipë në makinë. Nja dy kilometra më tutje anës rrugës ka lënë motoçikletën.
Thotë se do marrë motorin do zbresë në luginë me motor për të pritur dhitë që
kanë zbritur teposhtë. Mirëmbetsh o kauboj me motor, je i mrekullueshëm. Kurrë
mos u kthe më në Greqi.
Rruga
kalon mes fshatit Tërpan. Në Tërpan, ku sipas bariut të dhive duhej të kishte
ujë për t’u freskuar dhe ndonjë fasule a pilaf, asnjë frymë njeriu. Mbase aty
ishin por nuk u bënë të gjallë. Qëndra Shëndetësore, disa shtëpi, nja dy si
dyqane, bosh të gjitha. Ama në Tërpan ka një pyll me pisha. Pishat e Tërpanit
kanë një aromë dehëse që s'do ta rrëfente dot me fjalë as vetë Naimi. Mendja të
vete të rrish aty nja njëqind vjet pastaj të shohësh e të bësh, të kthehesh në
tymrat e qyteteve apo aty ta ngrysësh të gjithë jallanen.
Diku
anës rrugës një burim i ndrequr me ujë që edhe mund të pihet kur je tejet i
etur.
Rruga
ngjitet nëpër kthesa të shumta. Në një nga kthesat, pamje rrënqethëse epike.
Plakë jugu Shqipërie veshur me të zeza, shamia në kokë lidhur me atë nyjën
karakteristike. E rreshkur, e drejtë, e fortë, me gojën mbyllur, kokën paksa
lart, me siguri dikur e bukur, plaka sheh makinën dhe ngadalëson hapat. Si
quhet ky vend ? Çorogjaf ! Si të quajnë ? Oiiiiiiiiiiii unë jam nënë pa djem !
Ngre kokën nga qielli, dhe vazhdon: M'i vranë të dy djemtë në Vlorë më 1997.
M'i lanë nuset kallogre dhe fëmijët e tyre jetimë. Plakun e kam qorr në qoshe prej
pesëmbëdhjetë vitesh. Po iki or bir të gjej lopën se nuk e di nga më iku. Pak
më lart fshati Çorogjaf. Aty, mbi një si shesh të blertë ndodhi diçka e pa
spjegueshme. Një Golf me njerëz brenda. U thërras. Ata hiç. U afrohem. Golfi
largohet. Pas pak një djalë i ri del nga Golfi. Nuk e pyes për misterin e
mospërgjigjes dhe zhvendosjeve simetrike. Bëj pak muhabet. I them që nusja e
dajos tim është nga ky fshat. Dajua quhej Xhaferr, nusja e tij Selime. Çudia e
çudirave në Çorrogjaf. Djali më pak se 30 vjeç që takova rastësisht di gjithçka
për Selimenë po se po, por edhe për Xhaferrin dhe dajon tjetër Seferin, madje
dhe për fshatin e tyre Pacomitin, dhe për gjyshin tim Beun e Pacomitit, Rushan
Beun, namin e tij, autoritetin e tij, qefet e tij, kopilat që mbolli përgjatë
Vjosës dhe Shqipërisë.
"Tre
avgatë" greqisht, apo shqip "tre vezët", janë tre male jo fort
të vegjël afër njëri-tjetrit që dalin si vezë mbi dhe'. Po kaloj nën njërën nga
këto tre vezë, atë më të lartën me ca antena sipër. Këtu gjelbërimi shtohet befas.
Rruga kalon mes fshatit. Nën një thanë tre fëmijë. Dy prej tyre mbajnë në duar
nga një misër të pjekur. Si quhet ky fshat o fëmijë? Gllavë! Sa vjeç jeni ?
Përgjigjen me radhë; 9, 9, 10. Jeni të Edi Ramës apo të Sali Berishës ?
Menjëherë ngrenë duar dhe gishta përpjetë, dhe në një gojë; jemi të Sali
Berishës ! Pse jeni të Sali Berishës ? Sepse Sali Berisha bën rrugë ! Ku i bën
rrugët Sali Berisha ? Këtu ku ka vetëm copa kalldrëmi Duçeje ? Këtu ku asfalti
më i afërt prej kësaj humbëtire është jo më pak se 50 kilometra. Këtu ku
s'arrin asnjë propagandë, asnjë gazetë, asnjë televizor, këtu ku kënaqësia e të
pasurit rrugë mund të shijohet vetëm nëpër ëndrra ?!
Fshati
Buz.
Katër
a pesë makina të shkatërruara, nja dy a tre të ndalura. Edhe këtu si kudo, lapidar
i zhgarravitur që lexohet me vështirësi; Më 22 qershor 1943 partizanët trima të
çetës Verikoll dhe populli patriot i krahinës së Buzit dogjën
komunën...dërr-dërr-dërr.
Pronarët
e nja tre a katër restoranteve modeste të ftojnë njëkohësisht të hash. Futem në
njërin prej tyre. Uji me muslluk. Ka patate të skuqura, mish, birra, madje dhe
një "Bocca di Rosa" mbështetur te banaku. Ha dhe dal. Në rrugë një
italian me një makinë të ulët me gruan dhe dy fëmijë brenda. Vjen nga Berati.
Pa dalë nga makina pyet me ngut në Italisht sa kilometra larg është
Gjirokastra. I them: "O italiano, L'Albania e' piccola, non si misura con
chilometri ma col numero delle meraviglie da un paese al altro". Qesh dhe
ikën. Ishte ndoshta një turist, një trafikant hashashi, ose një dishepull i
Duçes që erdhi t'i hidhte një sy kalldrëmit që prej këtu, përgjatë luginës së
Vjosës, e deri te Ura e Peratit, i mbushi me kufoma.
Në
të dalë të Buzit rruga kthen djathtas për Memaliaj. S'kam punë më të djathtë !
Duçja, kalldrëmi i tij, kufomat, qershitë, vazhdojnë më të majtë.
Qafa
e Kiçokut ku janë ndeshur në dimër grekë e italianë duket atje tej. Po ec e
arrije. Kthesat janë me qindra dhe rruga është e tëra një hukubet me gropa.
Megjithatë
pamja është mahnitëse. Poshtë në luginë në një liqen malor kridhen ca fëmijë që
s'kuptohet nga kanë ardhur se ngado të hedhësh sytë s'duket asnjë fshat.
Drejt
Qafës së Kiçokut një degë e zgjatur më theu pasqyrën e makinës nga ana e
pasagjerit.
Pllakën
e Lapidarit tek Qafa e Kiçokut ku u vranë me mijra dhe ende dëgjohen rënkimet e
kanë shkulur. Cila Nënë e ka shkulur pllakën soc-realiste ?
"Hiqe
atë pllakë varri,
Të
më vijë djali që s'e tret dheri".
Pak
më tutje për qime sa s'u futa gabimisht në një kthesë më të majtë, e cila, si
mora vesh më vonë, do të më nxirrte tjetër për tjetër tek Uji i Zi në Skrapar,
afër Çorovodës, pak para rrugës që kthen për Therepel. Më ndihmoi nuhatja.
Vazhdova drejt.
Mbi
dhjetë kilometra prej aty rruga zbret pjerrtas rrëzë një mali drejt fshatit
Ballaban. Në atë tatëpjetë plot me gropa dhe gunga s'ke ç’bën tjetër veçse të
mallkosh Duçen; O Duçe ta djegsha varrin. Ç'deshe nëpër këto gërxhe. Si ta mori
mendja ta sulmosh e pushtosh Greqinë me divizione me emra femrash duke kaluar
nëpër këtë rrugë kaq të ngushtë majtas e djathtas me qershi.
Ku
më së fundi mbaron kalldrëmi i shkatërruar i Duçes së fashizmit dhe nis asfalti
me mballoma i partisë së punës, një Ifa ngarkuar me dru ngjitet përpjetë. Nuk i
ka marrë drutë lart t'i shpjerë poshtë, por se ku i ka prerë poshtë për t'i
ngjitur lart ! Shoferi i IFA-s trembet nga Suzuku me pasqyrë të thyer që zbret
nga mali. Kushedi cilin pyll ka masakruar për të marrë ato dru. Zbres e
qetësoj. I them se nuk jam i policisë pyjore dhe e pyes për vendet përqark.
Përgjigjet me qef.
Prej
aty kalldrëm Duçeje s'ka më. Por ka qershi. Dhe rruga mes luginës së gjelbër ka
njerëz.
Ballabani
plot jeshillëk, plot përmetarë, plot shtëpi të reja. Në një çesëm ka ndalur një
Suzuk si i imi. E ka një përmetar që e quajnë Kaman. Më kujtohet Naimi;
"Ish Kamani q'ishte burrë, trim mbi gjithë të parët, që s'i trembej syri
kurrë, ndaj e donin shqipëtarët". Kamani thotë se më njeh ! Dhe shton; Të
kam parë në televizor kur isha në burg për hashash.
Kalojnë
makina emigrantësh me targa greke që i ngasin me shpejtësi nëpër kthesa për tu
mburrur.
E
njëjta gjë në Sukë.
Tek
ura e Dragotit piva ujë të ftohtë dhe u çlodha pak. Në Tepelenë, kalaja "e
shkretë ish' bedenat pa njeri, as zjarre sipër kullash, as kuaj, as llambadha
mbi xhami, as roje, as shtiza, as emri Ali Pashë (Duçe jo e jo), më nuk kumbon,
por heshtje qetësi". Në qendër të Tepelenës, Pashain e bronxtë e gjeta dhe
e lashë, si gjithmonë e gjej dhe gjithmonë e lë, shtrirë duke thithur
nargjile'. Më tej një pyll kishte marrë zjarr. Më tutje u mahnita me
autostradën, pa kalldrëm, pa ushtri, pa mushka, pa topa, pa kufoma me mijëra,
pa qershi anës udhës. Përsëri emigrantë me makina të shpejta, vila të reja,
kafenera, restorante, kroje anës rrugës, fusha të mbjella, lumë me ujë shumë,
male të blertë, fllad i freskët, qiell blu, dhe shumë Shqipëri.