Kulturë
Resmi Osmani: Atdheu dhe atdhedashuria në poezinë e Ndre Mjedës
E marte, 31.03.2020, 06:48 PM
ATDHEU DHE ATDHEDASHURIA NË POEZINË E NDRE MJEDËS
Sprovë nga Prof. Dr. Resmi Osmani
Krijimtaria
poetike e Ndre Mjedës, e nisur në fundin e shekullit XIX, krahas rilindasve te
tjere te shquar, përmbushi dhe tejkaloi një shekull. I mbijetoi kohës dhe mbeti
e freskët, e bukur, tingëlluese, e dashur ngazëllyese dhe e pëlqyer për
lexuesit.Shunë syresh, duke qenë atologjike, janë mësuar përmenç dhe janë
recituar. Sido që e pakët, vetëm e përfshirë në një libër,”Juvenilja”,që
vlerësohet si ndër librat e vyer të poezisë shqipe, ajo ze vend nderi dhe vetë
poeti rreshtohet në panteonin e poetëve të shquar shqiptarë të të gjitha
kohëve. Për artin e vjershërimit mjeshtëror të Mjedës, në gjithë aspektet,
është folur e shkruar nga shumë studjues, ndaj në këtë sprovë nuk do të ndalem
te arti poetik i Mjedës, pasi siç e kam vënë në dukje në një shkrim tjetër dhe
si e thekson stdjuesi dhe poeti Agim Vinca: “Mjeda nuk shkruan me laps, por
gdhend me daltë”, por në një aspekt tjetër,në tematikën e saj e veçanërisht te
dashuria për atdheun, e cila ka frymëzuar
lexuesit e kohës kur u shkruan por edhe brezat e mëpasmë. Ato mbeten
aktuale edhe ne ditet tona, për shkak te rrethanave historike të krijuara, që
pasoi mërgatën e shqiptarëve në vende të huaj.
Ndre
Mjeda lindi në shkodër më 20 nëntor 1866. I ati vdes dhe i lë të vegjël Ndreun
dhe të vëllanë Lazrin. I rriti e ëma, me të keq, duke punuar si rrobalarëse në
dyer të botës.Fëmijëri e palumtur dhe në varfëri. E marrin nën kujdes etërit
jezuit dhe gjejnë në të mençuri, zgjuarsi dhe vullnet të spikatur për të nxënë,
që e bëjnë të dallohet mes shokësh dhe
të arrijë përvetësimin e shpejtë të dijeve.
Më
1879, pa i mbushur trembëdhjetë vjeç, thuajse ende fëmijë, ai ndahet nga gjiri
i familjes, nga njerëzit e dashur, nga qyteti i lindjes,nga viset ku hodhi
shtat. Atë e dërgojnë në një kurs privat për pedagogji në Spanjë. Që nga ai vit, deri më 1899, për afro njëzet
vjet, kur u kthye në Shqipëri, kaloi një sërë shkollash, kursesh dhe
universitetesh në Spanjë, Poloni, Kroaci, Itali, ku përvetesoi dije dhe tetë
gjuhë të huaja.Një pasuri e tërë diturore që për kohën, edhe pse klerik, e
renditën ndër intelektualët më të ditur të Shqipërisë. Gjithsesi, edhe pse jo i
detyruar, ky ishte një mërgim, larg Atdheut, larg njerëzve të dashur, në vende
të huaj. Natyrë e qetë, i heshtur dhe i përmbajtur, disi ëmdërrimtar, ai mba
brenda vetes një mall e dashuri përvëluese për Atdheun,që rënkon nën robërinë
turke. Një flakë që nuk shuhet asnjëherë, edhe pse jeton në vende të lira, të
zhvilluara e të pasura të Europës së atëhershme, Ndreu nuk bëhet një qytetar
kozmopolit, as atdhemohues, kur i duhej të krahasonte Shqipërinë me bukuritë
dhe zhvillimin e vendeve të tjera,do marrëzisht Shqipërinë. I shfaqet vezullia
e vargmaleve që duket sikur zbresin nga qielli, e shqipes që e lirë fluturon
mbi to, fushat, lumenjtë burrat trima e gratë si zana. Ai mbetet shqiptar deri
në palcë të eshtrave dhe pikën e fundit të gjakut.
E
kanë thënë dhe të tjerë,ndaj nuk them gjë të re, se vepra është vetë njeriu,
krijuesi i saj. Në ‘të gjejmë të kyçur ndjenjat,shqetsimet, brengat, dëshirat,
kumtet. Dhe nëse do të dish atë që ka në shpirt poeti, merakun dhe shqetsimet e
poetit shih se cilat fjalë janë ato që përsëriten dhe përsillen më shpesh në
poezitë e tij.Te poezitë e Mjedës, fjalët që hasen dhe përsëriten më shumë
janë: Atdhe, Atme, shqype,male,zana, pyje e ograja, shqyptaria, ilirët dhe
iliria, gjithëçka ngërthen brenda vetes, dhe shpreh poetikisht,si një dashuri
të përjetshme, atë që quhet Atdhe, Shqipëri.
Është me interes të shihet se me çfarë emrash e quan Mjeda hapsirën e banuar nga Shqiptarët bashkëkombasit e vet. Më të shpeshtë janë Atdhe, më rrall Atme, po asnjeherë Mëmëdhe, pra tokë e atit, tokë e burrave. Ndersa në aspektin hapsinor gjeografik Shqipni, kurse atdhetarizmin dhe përpjekjet për atdheun e quan shqyptari. Mjeda i njeh mirë përcaktimet moderne të Atdheut, kombësisë dhe kombit. Në poezitë e tij, brenda gjeohapsirës perandorake turke, Mjeda ve caqet e territorit të kombësisë shqiptare, nga Tivari në Prevezë, nga alpet e Namuna në Vardar, nga Malsia në Jalli. Të katër vilajetet,sipas kërkesave dhe percaktimeve të Lidhjes së Prizrenit. Këto toka janë shqiptare,historikisht, që së lashti se atje kanë jetuar Ilirit, se atje jetojnë shqiptarët,pasardhës të tyre dhe flitet shqip. E kësaj gjuhe,veç që edhe është studjues i saj, ai i thur vargje të mrekullueshme, jo vetëm për bukurinë dhe tingëllimin si kënga e bilbilit, lashtësinë e saj, por edhe si njësi bashkuese e kombit. “Prej Tivarit në Prevezë/Nji a gjuha e kombi nji/Ku lshon dielli njato rreze/Qi veç toka jote I di.” Dhe më tej”Gegë e Toskë, Malci, jallija/Jan nji komb, m’u da s’duron/Fund e majë nji a Shqypnia/ E një gjuhë t’gjithë n’a bashkon”. Këto vargje janë edhe për të sotmen, edhe pse ende shqiptarët jetojnë në trojet e veta të shpërndarë në gjashtë shtete, gjuha mbetet njeri nga faktorët bashkues.Por, veç kësaj, ajo është edhe e bukur: E këndshme si vera…/Përmallshëm si era, /Që napin zymylat,/Nder lule ma s’parit,/A g juha e Shqyptarit.
Ndryshe
nga rilindasit e tjerë,Naimi Çajupi etj. dhe poet të mëvonshëm e të sotëm, që i
kushtojnë poezi të veçanta Atdheut, te Mjeda, vrejmë se Atdheu, atdhedashuria,
shqiptaria, brengosja për fatet dhe lëngimin nën zgjedhën e huaj të tokës
arbërore dhe bashkvendësve të vet,e përshkon si
fill i kuq gjithë poezinë e tij, është gjymtyra, ashti poetik, mbi të
cilën lartohet ngrehina e poezisë mjediane. E gjejmë te poemthi “Vaji I
Bylbilit”, “Shtegtari”,te “I tretuni”, me atë lamtumirë elegjiake që i jep
Shkodrës. Do të ndalem te poezia “Malli për Atdhe” U shkrua më 1888 në Kremona
të Italisë. Poeti është i mërguar.Të bukura qytetet e huaja, por ai e ndjen
veten si në shkretëtirë, rri duke rënkuar(gjëmue), nga gjithë të mirat e
atyshme nuk gjen ngushëllim e prehje, zemra i shkrihet për Atdhe. Edhe kënga e
bilbilit i përngjason me ankimet e tij të përvajshme. Shkrihet në vaj për
vendin e tij. Heroi lirik pyet erën dhe kroin, për fusha e malet, për bjeshkët,
malet, fushat e bekuara të vendlindjes, ku ka kaluar djalëria, por ato
heshtin.Mendja shkon në Shkodër,Cukal. Maranaj, në Bunë e në Drin. Kur ka për
tu gëzuar vallë në ato kasolle? Ku jeta i duket më e paqtë dhe e këndshme, pasi
ai në dherat e huaja ka gjetur veç trishtim. Dhe në mbyllje: ”Larg teje ,o
shqype,/Kush lyp gjallimin/ Po do mallkue”. Atdheu asnjë herë nuk duhet
braktisur, për çdo arsye.
Atdhedashuria,
kalohet nga brezi në brez, nga nëna te biri, porosia e nanës:Nji nanë
tjetër,thoshe ke/Bir n’kët dhe/ Nana jote a Shqypnia …..Dhe plotësimi i
amanetit nga biri:Mbas fjalësh t’tua përher shkova/ E t’ndigjova/Shqyptarin nuk
e korita. Atdheu, Shqipëria, i trazojnë gjumin, i shfaqen në ëndërr , me
bukurin e një vashe-ëngjëll dhe kur ai pyet se kush është, vjen përgjigja
befasuese: ”Motër e nanë, tha, m’ke-jam shqyptaria”.Brengosëse është vdekja në
vend të huaj, larg atdheut, në dhera të huaj dhe, në çastet e shpirtfluturimit,
për në amshim,mendja shkon te atdheu, dhe fjala e mbrame që mëmërin është
Shqypni(Në dekë të shoqit tim Gj.S.)
Atdheu
ka histori, ku nuk mungojnë lavdia, trimëria, guximi, lufta për mbrojtjen e
trojeve nga armiqtë, ku janë shquar burrat trima të Ilirisë, me prijës
Bardhylin, Gentin, Me Skënderbeun e lavdishëm ,Aranitin dhe Topian, në
qëndresën çerek shekullore. E gjitha kjo për të ngjallur te bashkatdhetarët
ndjenjën e krenarisë për Atdheun, trojet e të parëve, shqipërinë dhe
Shqyptarinë, atëhere kur për atë epokë historike, Pashko Vasa shkruante: “Ti ke
pas kenë i zojë e randë/Burrat e dheut të qujshin nanë”. Në kushtet e robërisë
së urryer të gjysmëhënës, poeti u kujton
se kush kemi qenë, duke ua vendosur përpara si një pasqyrë, ku shqiptari duhet
të shohij veten. Më së shumti dhe më së miri, kjo evidentohet në sonetet e
poemthave “Lisus”,”Skodra” dhe “Liria”.
Liria,
nuk dhurohet, ajo fitohet dhe, fitohet me luftë, me sakrifica me jetë dhe gjak.
Poeti, i nxitur nga kryengritjet kundraturke të malsis së veriut më 1909, i
lind shpresa e çlirimit nga zgjedha e robërisë. Jep kushtrimin e luftës.”Lirim,
lirim bërtet gjithkah Malcija” dhe bën pyetjen, si në një kuvend burrash:”A ka
lirim ky dhe që na shklet kamba/ A veç t’mjerin e mblon anë mb’anë robnija?”
Mbi zhgunin e klerikut, ai hedh në krah pushkën, në tjetrën shpatën dhe
flamurin me shqypen dykrenore, kthehet në këngaëtar i lirisë dhe rebel,
luftëtar kryengritës. Në poezitë “Lirija”, “Bashkonju”, ”Vorri i Skanderbegut”,
”Mahmud Pasha në Mal të Zi”,”Shqypes arbnore”, vargjet ushtojnë nga thirrjet e
luftës. Ato ftojnë shqiptarët që të bashkohen:për rrëketë egjakut të derdhur, kujen e nënave për bijtë e rënë, për
nderin e vashave shqiptare, për tokat e lëna shkretë,për eshtrat e dhunuara të
Skënderbeut, për gjithë këto dhe lirinë , bëhet thirrja e bashkimit nën
flamurin e shqipërisë, për unitetin kombëtar, pasi “prej nji gjaku, nji
gjinis/A shqyptari kand e kand” dhe se “Nji gjuhë shejte t’gjith kuvesim/Nji istori, nji atdhe ne kemi/Geg e Toskë nji
zemre jemi”. Janë vargje aktuale edhe në ditët tona, kur shqiptarët jetojnë të
ndarë në gjashtë shtete dhe kur pas pavarsimit të Kosovës, ka lindur si kërkesë
aspirata e bashkimit kombëtar, e Shqipërisë natyrore.
Mjeda, me
metafora, epitete dhe krahasime brilante,si: djelmnia, kulshedr e malcive,si
stuhi e përmnershme, rrufe bubullore, me xhixha ndër sy si shqypojet majë
bjeshkve,kelmendasit e rreshtuar majë bjeshkëve. E tjera kësodore, që
shkrepëtijnë e venë në dukje trimërinë, atdhedashurinë dhe burrërinë, u bën
thirrje krahinave të malësisë: Lekëve(Malsorëve) Hotit, Grudës, Kastratit,
Shkrelit, Kelmendit, të lënë mënjanë dasmat, pendët në hulli të arës, tufën e
bagëtive në kullotë,të ndërpresin vadën në të mihurat, ngaqë pushkë e shpatë ,
janë parmendë e janë kosë. Të rrëmbejnë armët dhe të turren në luftë kundra
halldupit otoman. Është për t’u vënë në dukje, se Mjeda, shpresën e kryengritjes së armatosur
dhe çlirimin e Shqipërisë, forcën lëvizëse të kësaj lufte e sheh në shtresat e
gjera të fshatarsisë, qofshin ata malsorë apo fusharakë, pa patur besim te
shtresa e feudalëve, te ata që flejnë mbi thaës florinjsh, ndaj të cilëve zbraz
mllefin te poezia Mustafa Pasha në Babunë.
Edhe
pse gjendja e vendit nën sundimin e të huajit është e rëndë, Mjeda nuk e humbet
shpresën se Shqipëria do të çlirohet dhe mëvetësohet.Këtë e shpreh më së miri
në sonetin VI të poemthit Liria: Po nuk u shuejti edhe,jo, shqyptaria:/Lodhun
prej hekrash qi mizori i njiti/lodhun prej territ ku robnimi e qiti/Shpreson me
e zgjue fluturim mënia. Në vargje sillet ngjallja e frymës së lirisë, se ndër
male përhapet shkëndija e lirimit të Atdheut, se ndër kasolle fshehtas shëtit
hija e Skënderbeut, e se nënat në gji u shtjenë bijve urrejtjen për armikun,
dhe, se, ndër male, bukuri mbretnore, hap flatrat e mnershme që përshndrisin,
me thonj të harkuar Shqipja arbërore. Ca më shumë, shpresa e çlirimit shpërthen
plot mllef kundër sulltanit otoman, por edhe shpresë për shqiptarët, në nbyllje
të poezis ”Për një shkollë shqype mbyllun prej qeveris otomane” më1902.
Në
figurën e Mjedës, krijimtaria atdhetare, është e pandarë nga veprimtaria e tij
në lëvizjen patriotike dhe jetën politike si dhe atë publicistike e
studimore.Më 1908, pjeëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, në komisionin që
caktoi alfabetin.në vitet 1916-17, Mjeda qe një ndër veprimtarët më të shquar
të Komisisë letrare të Shkodrës. I përfshirë në lëvizjen politike në krahun
demokratik,1920-1924 qe deputet i opozitës në Kuvendin Kombëtar dhe Asamblenë
Kushtetuese.Me kthimin e Zogut, ai u tërhoq nga jeta politike dhe në vitet
1930-37, shërbeu si mësonjës I gjuhës dhe letërsisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër.
U
nda nga jeta më 1 gusht 1937, duke na lënë trashëgim krijimtarinë e tij të
pamort.
Tiranë, më 30.03.2020