Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rruga e Kadriut
E hene, 30.03.2020, 05:34 PM
Rruga e Kadriut
Nga
Edison Ypi
"Kur
të nisen nipat mbi kuaj dhe mushka nga Podujeva, mal më mal e kodër më kodër,
ndal këtu e ndal atje, të hani një kafe', të qafa me pisha një sy gjumë, dhe të
arrijnë shëndoshë e mirë te dajat e tyre në Prevezë, atëhere po, atëhere do
bindem se shqiptaria u bashkua. Dhe do pi' një lumë me verë nga kënaqësia. Dhe
do ha një mal me mish. Do këndoj këngë të vjetra e do ulëras budallallëqe të reja
sa dheu të tundet.
Kështu
e ëndërron bashkimin e shqiptarisë Orakulli Kadri Bala nga Theranda plot me
vreshta dhe çika të bukura.
Mirë
Kadri. E bëjmë kështu; Ti me nipat nisuni nga Podujeva drejt Jugut mbi kuaj dhe
mushka. Unë po nisem nga Tirana drejt Veriut me makinë. Takohemi tek tuneli i
Kalimashit. Ti me nipat me mushka andej, unë me Suzuki këndej. Aty ta nisim
bashkimin e shqiptarisë. Të mblidhemi në një kafene me Bujarin, Arbenin, Gazin,
Nexhmedinin. Të llafosemi duke bërtitur për Shqipërinë. As atë të Veriut, as
atë të Jugut, as të madhe, as të vogël. Të tërën, ashtu si është, aq sa është.
Ndërkohë, nipat mbi mushka, lëri të vazhdojnë për në Prevezë, andej nga erdha
unë me makinë, pra nga autostrada. Ka për të qënë fantastik karvani me mushka i
nipave të tu. Të gjithë televizionet e Botës do ta japin marrshimin madhështor
me mushka mbi autostradë.
Un
po nisem...
Tek
Ura e Fanit një mirditor me sy të kaltër të ujshëm;
-
O mirditor, o malësor, o ti që me malin aq fort ngjan. Nga t'ia ther që autostradën
sa më mirë ta kqyr ?
-
Ku po don me shkue ?
-
Po due me shkue, me pae, me shijue Rrugën e Kombit. Dhe me kyt rast ta provoj
at' që thot' Shkrimi i Shenjt; "O njeri', ndalu në rrugën e re, pyet për
shtigjet e vjetra, dhe aty gjej' prehjen e shpirtit".
Rruga
e re i ka të gjitha të gjëra, rënkimet e freskëta të burgjeve të sapo mbyllura,
beton dhe asfalt me miliona tonelata, vinça që kapin Qiellin, kamiona si dragoj
përrallash. Dhe po aty, shtigje të tërthorta të ngushta të shenjta, zgafella
shkëmbore me mbishkrime, Kulla ku me shekuj brenda gurit të fortë asht ndry
mishi i butë i shqiptarit, dhe shumë Kisha të shenjta.
Ngjitem
si gjarpër mbi mal kah rruga e vjetër. Nga lart, autostrada që i bën shoqëri
Fanit, duket e zhduket nga kthesa në kthesë si me klika nga Google Earth-i.
Lart
në Shpal, tjetër malësor.
-
O malsor i mir', ç'a asht ai Piton gjigand që kullufit malet atje posht' ?!
Rug' a ur' ?!
-
Ça je tu m'pytun o i ardhun ?!
-
Jam tu t'pytun sepse po du me ditun. Urat janë edhe rrugë. Por ka rrugë që janë
edhe urë, madje më tepër urë se rrugë. Si ajo atje poshtë që lidh dy brigjet e
shqiptarisë. Shife rrugën-urë si dridhet e tëra.
Mirditor
mesoburrë, kreko me xhaketë dhe kravatë me ngjyra të ndezura dhe këpucë të
bardha.
-
Mirdita o mirditor që po m'dukesh si mësues letërsie. A po ma tregon nji shteg
të vjetër të ngushtë...
-
Ça je tu m'thanun o i urum ?
-
Jam tu t'thanun se m'duhet me shkue tek një krue që quhet "Kroi i
Bushtrës". Ishte zheg. Nënë e bir po ngjiteshin në mal me thasë me misër
mbi shpinë. I kishte kap etja që s'durohet. Diku u del para ujë i freskët që
buçet nga shkëmbi. U sul piu e para nëna. Pasi piu ktheu kokën pa se i biri
kishte vdek nga etja. O mësues malësor, kjo në Shqipëri nuk mund të ketë
ndodhur. Pse legjenda ka mbijetue ?! Cilin Kumt përcjell kjo legjendë ?! Cilën
porosi jep ?! Cili është kuptimi, cili është zbërthimi, i kësaj legjende
makabre. Atë dua unë të di. Që shpirtin sadopak ta preh, në këtë ngushticë
kuptimore dua unë të hy.
Rruga
kalon në disa vende të bukura sa s'i rrok mëndja. Majtas e djathtas, një këtu
një atje, Kulla. Brenda Kullave, lahuta. Brenda lahutave, Epe, legjenda. Brenda
Epeve dhe legjendave, shqiptarë trima. Brenda trimave zemra të buta. Brenda
zemrave të buta, gjak i nxehtë, rrahje të shpeshta.
Mirditor
që hapat i hedh nga shkrepi në shkrep.
-
O njeri bjeshkësh, a s'më thue...
-
Ça po don me ditun ?
-
Po du me ditun për fatin e Koçiut, argjendarit kolonjar i cili para treqint
vitesh vrau dy komita që i zunë rrugën Për tu mbrojtur nga shpagimi u arratis erdhi
u ngul këtu në Mirditë. Pse kolonjari erdhi pikërisht këtu ?! A të jetë e
vërtetë historia me komitë të vrarë ? A të ketë lidhje kjo histori me bakrin
dhe arin e nëntokës së këtushme. Nëse po, pse fshihet ky fakt. Nëse jo, pse kaq
e ngatërruar kjo mesele ?
Në
një grykë atje përtej si hangarë avionësh ca depo drithi që mbanin gjallë të
uriturit e Diktaturës.
Tjetër
malësor puntor i rrugës me xhaketë fosforeshente dhe kaskë në kokë.
-
O mirditor proletar modern, a s'më thue..
-
‡ý£¶¼ âä¼ ?!
-
Ah s'qënke shqiptar. Hi "Nature Boy", ardhur nga "very far, over
land and sea", ku ka vetëm "fools and kings", për ta provuar se
në Mirditë; "The greatest thing you'll ever learn / Is just to love and be
loved in return", obobo s'qënke as amerikan as anglez, qënke turk,
erhamdylyla, ciao o turk.
-
Ti malësor atje, mirdita, si je ?
-
Ku je tuj shkue o njeri ?
-
Jom tue shkue n'Bisak. Për me pae i kull n'kep t'Bargjanës. Kepin po e shoh.
Por atë Kullën përmbi, syri s'po ma zë. Ku është kulla ?! Ku është kulla po
t'them ?! Dua Kullën. Të vras për Kullën ? Erdh' Kadri Bala këtu e s'gjeti
Kullën, t'a ngul thikën në fyt, ta çan barkun si bostan.
-
Kulla asht rrafshue. E shembi turku për me i bo ven autostradës. T'zotve u dha
20 milionë lekë.
-
Mos he burr'. Mirditori në shekuj turkut ia ka dhën haraçin n'maj t'shpatës.
Tani turku që s'e mposhti dot Mirditën me shpatë, vjen j'a rrafshon kullën me
lekë. Dëgjo malsor, Kulla asht Historia që s'blehet as me krejt paret e Botës.
Prandaj, me urë mbi kullë, a me tunel nën kullë, a s'di se si, autostrada mund
të kushtonte sa të donte, por jo Kulla të shembej.
Bar
alpin mbi lëndina. Aty rrotull duhet të jetë një katund me emrin më të
çuditshëm në Botë; "Kthellë e Epërme". Pra, edhe thellë, madje shumë
thellë, sepse jo "thellë" por "kthellë", edhe në lartësi.
Mirditor
i moçëm te kthesa duke pritur makinë.
-
Eja bujar. Eja m'kallxo diçka.
-
Ça po don me dit o jabanxhi ?
-
Po du me hek një maraz. Qarkullon ktej pari një histori e vjetër. Ishin dy
shqiptarë. Njëri e theri tjetrin me thikë. I vdekuri ra mbi të gjallin. E
shtrëngoi fort në fyt, i mori frymën, e vdiq, i mori hakun. Unë këtë nuk e
kuptoj. Kjo ngushticë kuptimore është aq turbulluese sa s'besoj se brenda saj
mund të ketë hapësirë për sadopak prehje shpirtërore. Nuk guxoj t'i hy. Po ta
prek më duket se do bëj mëkatin e...nënës bushtër tek kroi. Pse i duhet
hakmarrja të vdekurit përderisa vet' nuk do jetë më gjallë ?! Çfarë ndreq apo
ekuilibron kjo hakmarrje ?! Pse aktorë të vdekur në një teatër të gjallësh ?! A
vlen hakmarrja e të vdekurit ?!
Skarpatat
nga është marrë zhavorri për të mbushur autostradën duken si të gërryera me
thonj nga dinosaur të tërbuar që iu është prishur qetësia.
Mirditor
i ri në qoshe të urës me kaskë, xhaketë, radio në dorë.
-
Dëgjo o malësor i ri ta kallxoj një mesele të vjetër. Në nji fshat në Prizren
kishte plas sherri. Gjashtë vëllezër deshen me u nda. Por s'po dinin si. I
kërkun ndihmë Bajraktarit të Mirditës. Bajraktari dërgoi tek 'ta një të Urtë. I
urti, pasi udhëtoi nëpër shtigje të vjetra, erdhi i mblodhi vllaznit kosovarë
dhe u tha; Dëgjoni këtu; Betohuni se do bëni si do j'u them un'. U betuat ?
Faleminderit. Tani ikni nëpër shtëpia. Thoini nuseve t'i nxjerrin nga sëndyqet
të gjitha stolirat. Sillini stolirat këtu. I sollët ? Po. Domethënë benë e
mbajtët. Shumë mirë. Gjithçka, me toka, kullota, shtëpi, stolira, janë këto që
janë, që ju të gjithë para syve i kini. Lejomëni t'ua ndaj. Ti aq, ti kaq, dhe
u kry. Tani që mes jush s'ka asnjë të fshehtë, s'do ketë edhe asnjë sherr.
Mirupafshim vëllezër kosovarë, unë po kthehem në Mirditë.
Kjo
o mirditor i ri, mua ma djeg fare trurin. Sepse del pyetja; Mirdita e vogël, e
mbyllur, dhe e varfër, më e squt se Prizreni i madh dhe i hapur, i pasur dhe i
famshëm ?!
Nga
Repsi, e vetmja qëndër urbane anës autostradës është Klosi. Në Klos, ka për të
pirë, ujë, kafe, raki'. Por s'ka për të ngrënë. As fasule, as turli, as dhallë,
as kos, asgjë. Vetëm dy-tre kafene të shtrembëra për ibret. Mbi portën e
drunjtë të një garazhi myllur me lloz dhe siguruar me dryn shkruhet;
"Zbukurojm makina nusesh". Mbi një llamarinë të ndryshkur është
shkruar "Floktore". Në këtë floktore mirditore bëhen edhe
"Prerje dhe stilim fustana nusesh". Krëhër mbi gërshërë në po atë
tabelë. Gërshëra me gojën e hapur i është vërsulur fustanit të nuses për ta
kullufitur. Krëhëri plastik duket sikur po kërcënon ta shqyej me dhëmbë
gërshërën prej çeliku që ndodhet nën të. Në qoshen e djathtë të po asaj tabele
është vizatuar maestralisht një pëllumb i bardhë që mban në sqep një zarf.
Cilës zanë mali ja ka marrë, cilit trim bjeshkësh po ja shpje zarfin lumturues
plot me zjarr dashurie pëllumbi i bardhë, çfarë shkruhet në zarf, a fillon ai
tekst me; "Ti mue shpirtin ma more....", këto i di piktori i Klosit.
"Zyra postare Fan", ka tre dritare fantazmagorike. Të treja me xhama
të thyer, dritaret janë mbuluar me plastmasa të grisura dhe siguruar me zgara
hekuri. Një kuti e kuqe që quhet "Poste" qëndron varur me dy gozhda
në murin e jashtëm ku shkruhet "Hapet ora 15". Pranë derës prej
hekuri të mbyllur të Zyrës Postare të Fanit një karrike e zbrazët. Zbrazëtirën
kafkiane të karrikes bosh pritet ta mbushi një nëpunës poste province çehoviane
që s'dihet kur dhe ku ka ikur, por dihet kur do vijë, pas nja një mijë vjetësh.
Pamjen surreale nuk mundet me e interpretu kurrkush tjetër përpos Leonardos së
floktores që ka nuhatur se atje ku nipat qarkullojnë me mushka, mënyra më
sigurtë për të dërguar letra dashurie është me pëllumb paqeje me zarf ndër
dhëmbë.
Aadoleshentë
të krehur, të veshur dhe mbathur. Asnjë prej tyre nuk quhet Fran, Gjin, Frrok,
Ndue, por Dritan, Fatbardh, Gëzim etj.
-
O malsor, a s'm'thue...
-
Ça po don me msue ?!
-
Po du me ditun ç'at kuptimin e asaj meseles për at' malsorin që desh me u
martue. Por baba i nuses s'ja jepke çikën. I kërkote paret, 12 napolona. Që
malsori s'i kish. Dhe malsori ç'bani ? Duke i hedhur sytë, herë Munellës së
lartë, herë Zebës së egër e herë Lurës së bukur, duke ecur dredha - dredha,
meqënëse e dinte se rruga më e gjatë për në varr është rruga e Dashurisë, iku
në Shkodër pare për nuse me kërkue. Pasunari i Shkodrës i qiti nji hesapçiun e
vet për me i maru punë. Hesapçiu j'a dha 12 napolonat. Malsori nusen e mori,
domethënë e bleu. Pastaj pakngapak malsori u përkëmb. Mbodhi paret dhe ja solli
mirbërësit shkodran. Hesapçiu i Shkodrës u betu për t'tana Xhamiat e Allahut që
nuk mund t'ia merrte sepse ishin pare të falura. Malsori i Mirditës u betu për
t'tana Kishat e Krishtit se nuk shkulej paret pa j'a dhënë. Atëherë hesapçiu
shkodran i tha mirditorit; Meqënëse me be' t'vërtetë nuk merremi vesh, hajt
t'merremi vesh me be' t'rreme; 6 napolona ti, 6 napolona unë. Dhe ja ku u
rregullu.
Në
një shteg që zbret nga mali, një bari delesh'. Mbi bluzën që bariu ka veshur
lexohet "Versace". Versacia me shkop në shteg komandon modelet e
paradës së modës si në pasarelë.
Mirditor
i moshuar ka një fytyrë nga ato që gjithë kohën dhe gjithë jetën mbeten të
habitur.
-
A e di...
-
Jo, s'e di. Ça po thue bre burr' se hiç s'jom tue t'morun vesh ?
-
Mos u mërzit o malësor për ato që s'di. Kujdes ato që di. Si i ke parë të
burgosurit e Spaçit dhe familiarët e tyre që vinin me i pa ? Me urrejtje,
indiferencë, mëshirë, apo dashuri ?
-.....
Nuk
po din me mu përgjigj. S'ka problem. Përgjigjen do mundohem ta gjej vet. Kur të
kthehem në Tiranë, të mbyllem në një dhomë ku të mos më vijnë zhurmat e
modernitetit, të mos i dëgjoj piskamat e trendyt, të mos më bezdisin
llomotitjet e hajdutëve, të mos më arrijnë gënjeshtrat e gazetarëve, të mos ma
ndalin hovin hilerat e politikanëve, të mos më hutojnë dredhirat e horrave.
Ja
tunelet.
Por
as Kadri konservator, as nipa me mushka.
Kadri
Bala dhe nipat kan prit sa kan prit dhe iu ka shterr durimi e jan nis. Jo nga
autostrada. Shteg më shteg e breg më breg, han më han e krua më krua, duke
lidhur miqësira e duke projektuar fejesa, duke mbushur gjoksin me ajrin e
pastër të bjeshkëve.
Kadrin
Bala, ti vet' më ke thënë se Shqipëria është vendi më i bukur i Botës. Se për
ta ruajtur këtë bukuri duhet punuar luftuar, dhe për shijuar, duhet udhëtuar.
Se kush nuk udhëton, nuk është burrë por kërrmill. Se shqiptarët më idiota,
meshkuj e femra, janë ata që flenë në makinë duke udhëtuar. Se ti nuk je nga
ata që udhëtojnë kot dhe kur ndodhen diku të habitur thonë "M'ra
rruga". Edhe ty Kadri "të bie rruga". Por jo kot. Ty rruga dhe
rrugët e Shqipërisë dhe të Kosovës të bien mbi krye si rakia. Për ty Kadri nuk
ka dy udhëtime njësoj nëpër Shqipëri. As dy kthesa njëlloj. Madje edhe e njëjta
kthesë ty nuk të duket kurrë njëlloj e bukur. Ti kur dëgjon ndonjërin të
llafoset kështu i thua; Hiqmu se nuk je burrë por kaçamill.
O
Kadri Bala, o pionier i vjetër i rrugës së re. Rruga jote Podujeve-Prevezë me
kuaj dhe mushka është një prehje shpirti e tëra. Përrallë, magji', mrekulli,
inxhinieri', matematikë, gjeometri, muzikë, simfoni, Art që mahnit ata që e
shkelin, sallë koncerti e hapur në natyrë, galeri arti me përmasa të pa para.
Tablotë jenë shpatet e malit. Kornizat, kurorat e drurëve mbi male. Kush nuk e
kupton, nuk e beson, nuk e ndjen se Rruga e Kadriut është të tillë, nuk është
njeri por një derr, një bastard, një shpirqen, një i mjerë pa atdhe.