Kulturë
Viron Kona: Humor fëmijësh
E hene, 30.03.2020, 11:16 AM
Viron Kona
Humor fëmijësh
Gjysh, pse
po rri vetëm?
Mbesa e vogël kur pa gjyshin
që po rrinte vetëm në kuzhinë i erdhi keq dhe e
pyeti:
-Gjysh, pse po ri vetëm?
-Po shikoj një film në
televizor.
-Ku janë gjyshja dhe halla?
-Kanë shkuar nga dhoma
tjetër po bëjnë punët e shtëpisë.
Mbesa heshti një çast e
keqardhur, pastaj i tha:
-Gjysh, të të sjellë
arrushin tim, që të mos rrish vetëm?
Njërën ta
mora unë, sa kokrra të mbetën ty?
-Bubulino,- i tha shoferi i
furgonit,-të të bëj një pyetje?
-Bëje,-i tha vogëlushi.
-Ta zëmë se ti
vogëlush ke dy kokrra mollë. Njërën
nga ato ta mora unë. Sa kokrra të mbetën ty?
Bubulinoja e pa një çast në
sy shoferin e furgonit, pastaj kushedi pse nisi të vërenjtej. Vetullat iu
mblodhën hark dhe iu kthye shoferit të furgonit me zemërim:
-Ore, xhaxhi, po ti pse ma
more kokrrën e mollës?
Gëzimi i
shkurtër
Në mëngjes Bubulinoja
ngrihej vonë nga gjumi dhe, sa herë që ai mbrrinte në shkollë, mësimi kishte
filluar.
Por, atë mëngjes ai u ngrit
shumë herrët. Gjyshja u gëzua që vogëlushi po bënte kthesë dhe nisi ta ndihmojë
që ai të bëhej gati sa më shpejt. Më në fund i zgjati çantën e mbushur plot me
libra.
-Po unë nuk kam mësim sot, o
gjyshe, kam ekskursion! - i tha Bubulinoja dhe vrapoi poshtë shkallëve.
Hunda e
Pinokut
-O babi, përse e ka hundën aq të gjatë Pinoku? – e pyeti
Bubulinoja.
-Sepse gënjen. Sa më shumë gënjen, aq më shumë i rritet
hunda.
-Edhe hunda ime po rritet dhe po bëhet e gjatë, o ba?
O babi,
mos u mërzit!
Babin e Bubulinos e
kritikuan në një gazetë sepse nuk kishte shkuar disa herë radhazi në mbledhjet
e prindërve të shkollës ku mësonte i
biri. Ai u dëshpërua pa masë dhe u kthye vonë në shtëpi, ngaqë i vinte turp që
ishte bërë aq shumë problem sa ta nxirrnin edhe në gazetë.
U vesh me rrobat që mbante
në shtëpi dhe u ulë në divan pa guxuar t`i shihte në sy ata të shtëpisë.
Bubulinoja sapo e pa të
atin, u sul drejt tij duke mbajtur gazetën në dorë dhe i tha:
-O babi, mos u mërzit që të
kishin nxjerrë në gazetë, se unë gjeta një laps të zi dhe e prisha emrin tënd. Nuk duket fare, o ba, ja
shikoje edhe vet po deshe!
E shtuna
dhe e diela janë pushim 1)
Vini po i shpjegonte shokut
të tij, Bubulinos:
- 7 ditët e javës, kanë
emrat e 7 planeteve, që njiheshin në kohët e lashta. E hëna, ka emrin e Hënës;
e marta, ka emrin e Marsit; e mërkura, ka emrin e Mërkurit; e enjtja, ka emrin
e Jupiterit; e premtja, ka emrin e Venusit. Kurse, të shtunën dhe të dielën do
të m’i thuash ti, - i tha Vini Bubulinos.
- E shtuna dhe e diela janë pushim!, - iu përgjigj Bubulinoja.
--------------------------------
1) E
shtuna ka emrin e planetit Saturn (në anglisht: e shtunë-Saturday). E diela ka
emrin e Diellit. Kurse dita e enjte dhe e premte dallohen në gjuhën frënge: e
enjte: jeudi (nga Jupiteri); e premte: vendredi (nga Venusi)