E diele, 13.10.2024, 12:05 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Rruga e Fijes

E marte, 31.03.2020, 05:55 PM


Rruga e Fijes

Nga Edison Ypi

Rruga e Fijes nuk është thjeshtë e bukur, e gjatë, e shkurtër, e gjerë apo e ngushtë. Rrugën e Fijes që nis në Tiranë e mbaron në Vaksincë afër Kumanovës, dhe gjithçka që lidhet me të, është aq e jashtëzakonëshme sa nuk e kap asnjë definicion, nuk e rrok asnjë figuracion. Fija dhe Rruga e Fijes japin e marrin me njëri-tjetrin në një marrëdhënie sublime gjithaq të padefinueshme. Fija udhëton mbi atë rrugë por nuk e sheh. Fija atë rrugë e di por nuk e njeh. Rruga e Fijes ka fillim por nuk ka mbarim. Ka mbarim por nuk ka fillim. Ka fillim dhe mbarim por nuk ka mes. Ka mes por nuk ka as fillim as mbarim. Rruga e Fijes, si Drini i Zi që kalon “mespërmes për Shqipëri”, me mbi 700 kilometrat nga Tirana në Vaksincë dhe kthim nuk mund të bëhen ndryshe veçse si i bëra unë; Me një frymë për 16 orë pa u ndalur kurrkund. Se Rruga e Fijes nuk është si rakia, të cilën, për t’a provuar mjafton një gllënkë. Rruga e Fijes është një oqean me verë që po nuk e pive të gjithin nuk të bën asnjë efekt. Kur Fija udhëton mbi Rrugën e Tij, domethënë mbi Rrugën Fijes, nuk e di ku ndodhet, nuk e di ku po kalon, a po vjen, a po shkon, a po ndal, a po fluturon. Duke zbritur nga Qaf' Thana në Strugë sheh një tabele ku shkruhet; “Shes Arën”. Bujku shqiptar i Maqedonisë shet "arën" e vet modeste. Bujku shqiptar i Shqipërisë mbi tabelë nuk shkruan "Shes Arën" por "Shes tokën", domethënë shet krejt planetin. Pasi merr rrugën e Shkupit, anës rrugës, me drejtim kah perëndimi ku prej gjithmonë ka vetëm fshatra dhe vise shqiptare, një tabelë e shkruar bullgarisht të njofton se në atë drejtim nuk ndodhen ata që aty ndodhen prejkur ekziston bota, pra Korabi dhe Jabllanica, por, sipas tabelës, hiç më pak se; “Malet Sllave”. O shka, o kokëderra, o kokbosha, o kokmuta; Provoni t'i quani edhe Uralet Gramoz, Ukrainën Myzeqe, Kamçatkën Karaburun, të shohim sa sukses do keni.

Shtëpitë, oborret, arat, rrugët, dyqanet, minimarketet, sjellja e njerëzve, dhe gjithçka tjetër andejpari dëshmojnë se jeta maqedone, ka ngecur në një lloj begatie titiste të viteve ’80, fort të lakmueshme prej Shqipërisë Perëndimore aso kohe. Në këtë pikëpamje, sot Shqipëria është disa herë më lart.

Nga Shkupi deri në Kumanovë e deri në Vaksincë peisazhi është me kodra të buta të rrudhura si tru njeriu.

Vaksincë, është fshat i hatashëm.

Tek i afrohesh Vaksincës, fshatit magjik që sheh nga e mistershmja Lindja, nuk të vete mëndja për gjëra të vogla, për shembull të shpresosh se ndonjë i njohur do të thërresi në celular apo ndonjë banalitet tjetër i tillë, por për gjëra të larta, për lavdi kombëtare, luftra që janë bërë ose duhen bërë, për heronj që kanë rënë ose duhet të bien.

Vaksinca ndodhet rrëzë një mali të zhveshur. Vaksinca ka rreth 1 mijë shtëpi. Shtëpitë janë të gjitha të mëdha. Me mure të trasha. Me oborre të mëdha. Xhami e madhe me dy kazana. Pranë Xhamisë, bibliotekë. Bibliotekën e Vaksincës e kanë vizituar goxha emra; Kim Mehmeti, Ali Aliu, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu.

Vaksincalinjtë nuk e durojnë dot zgjedhën. Ata gjakun e kanë tek flamuri, zemrën tek shkaba. Më 2001 në Vaksincë u bë luftë. Krejt televizionet e botes Vaksincën e kishin lajmin e parë kur helikopterët e shkaut si korba të zinj fluturuan mbi të.

Në sheshin e fshatit ngrihet madhështor monumenti në kujtim të “Tigrit”, Komandantit Fadil Nimani, rënë këtu për Liri, për Atdhe.

Shkolla është rindërtuar me ndihmë niponike. Në oborrin e shkollës luajnë vaksincalinjtë e vegjël, moshatarët e urtë të shkollave tona fillore, ata të cilëve po u hyre në oborrin e shkollës të turren si maçokë.

Kroin e fshatit e ka ndrequr një emigrant vaksincali.

Nga Vaksinca drejt fushës në lindje mundesh me pa vetëm rrënqethje;

Yrtin e shkretë ku Makbethit i dolën magjistricat.

Urën me tre harqe nga kalonin ngarkuar karvanët drejt Stambollit dhe Venecias.

Kryqtarë mbi kuaj me heshta dhe parzmore.

Borodinon ku u kry lufta e famëshme dhe u mund Napoleoni.

Lëndinat mbi të cilat nga dritarja flakte trishtimin Madam Bovaria.

Liqerin që frymoi Lasgushin.

Korijet e mardhura mbi të cilat Balzaku iku nëpër dimër drejt dashurisë imagjinare.

Grykat e maleve ku rendnin duke lënë pas pluhur karrocat e Kadaresë që shpinin në Stamboll koka të prera në arka me akull.

Po të vësh vesh mund të dëgjosh buçimat e Beethovenit a ëmbëlsitë e Mozartit ose të Shopenit me pllanga gjaku mbi tasierë.

Në Vaksincën magjike të kohës së pafundme dhe të ndalur nuk është çudi të dëgjosh dikend që i thotë dikujt tjetër; Për çfarë më pyete pasnesër do të përgjigjem dje.

Fija thotë se sa kohë rruga Tiranë-Vaksincë, pra Rruga e Fijes, nuk është e tëra Shqipëri, nuk i intereson të udhëtojë nëpër botë as me vizë as pa vizë. Pra deri atëhere, për Fijen, Rruga e Fijes nuk është Rruga e Fijes por Rruga e hijes, Rruga e hijes së Fijes, Rruga e hijes së hijes.

Gjatë kthimit bie një rrebesh i dendur që mbulon makinën dhe gjithçka.

Nuk kuptoj nëse u nisa a s'u nisa, isha a s'isha, vajta a s'vajta, u sëmura a s'u sëmura, në vendlindjen e Fijes, Krishtit tonë të heshtur, Profetit tonë të duruar, Poetit Hamzi Nevzadi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora