Kulturë
Viron Kona: Trokitje në dyert e dijes
E merkure, 01.04.2020, 10:44 AM
Trokitje
në dyert e dijes
Ese nga Viron KONA
Dikur
ishin “gazetat” e murit që afishoheshin
në klasa apo në holle të shkollave. Në to mësuesit e letërsisë vendosnin
krijime të zgjedhura të nxënësve, poezi,
prozë, hartimet më të realizuara, kurse mësuesit e shkencave natyrore probleme apo ushtrime të zgjidhura të një
vështirësie disi të lartë. Afishoheshin edhe thënie, fabula, poezi, anekdota,
vargje poetike nga njerëz të shquar, portrete, fotografi të ndryshme etj. Por,
shpejt, ato zbardheshin dhe griseshin nga
koha, apo, mbase ndonjë mësues i kujdesshëm edhe i ruante në dosje të veçantë. Tashmë, që kohët kanë
ndryshuar, sigurisht që edhe për
nxënësit e mësuesit, mundësitë, mjetet dhe format për t`u shprehur janë shumë herë
më të mëdha, madje të pakrahasueshme, ata
shfaqin lirshëm idetë, mendimet dhe ndjenjat që u vlojnë deri në
skutat më të thella të shpirtit. Për
këtë bindesh shpejt, mjafton t`u hedhësh një sy
punëve të tyre me shkrim,
krijimeve në fusha të ndryshme të dijes, shoqërore dhe shkencore, në
kulturë, në letërsi, pikturë, muzikë... Nuk janë më “gazetat” e dikurshme të
murit, por gazetat e vërteta, në shkolla, e deri edhe në klasa, sikurse, janë edhe
shumëllojshmëria e botimeve nga mjaft
nxënës, almanakët, albumet me punime në
pikturë, tryezat e rrumbullakëta, bashkëbisedimet në “qeveritë e nxënësve”,
shfaqja e ideve dhe mendimeve në facebook, në revista dhe gazeta, në radio e
stacionet e shumta televizive, në faqet e internetit dhe në portale të ndryshme
dhe të pafundme... E, ndërkohë, shmangen dhe mënjanohen për herë e më shumë tabutë,
inferioriteti, paternalizmi, mendimet e mykura, patriarkale e konservatore.
Nxënësit dhe të rinjtë e sotëm jetojnë fare natyrshëm krahas me botën moderne,
ata marrin nga bota dhe japin, madje disa herë spikatin shumë suksesshëm.
Nga
përvoja ime, kur para disa vitesh kryeja detyrën drejtor i gjimnazit “Ismail
Qemali”, Tiranë, nga 11 klasa të vitit
të parë, 8 klasa nisën të botonin gazetat e tyre. Sigurisht që
dukej e tepruar, madje kjo dukuri u
kthye deri në mahni dhe garë për të
nxjerrë sa më shumë gazeta. Por, një gjë ishte fare e qartë, madje e bukur:
nxënësit dëshironin, kërkonin vetveten, kërkonin forma dhe mënyra të ndryshme
për t`i shprehur idetë, ambiciet dhe mendimet ashtu siç i ndjenin, ashtu siç e
kuptonin jetën. Ata dëshironin të hidhnin në letër dhe të botonin pjesë në
prozë apo vargjet e tyre poetike, por edhe donin të provonin, të konkurronin se, edhe ata mund të
bëheshin gazetarë, të zbulonin lajmin, të
jepnin informacionin, të debatonin dhe të hidhnin në tavolinë ide dhe alternativa,
ta provonin veten “sa vlenin” si poetë, shkrimtarë, piktorë e skulptorë, si
historianë e gjeografë, të thellonin dijet e tyre në kimi, biologji, fizikë…,
të dinin sa më shumë për kozmosin, të nxiteshin nga dëshira për aventura për të
zbuluar enigmat dhe misteret e gjithësisë, pra, u pëlqente të shpreheshin me
kurajë dhe pa komplekse inferioriteti, duke u dhënë krahë ëndrrave, fantazisë, imagjinatës, dëshirës
për të formuar personalitetin, për t`u bërë edhe ata dikush në jetë, të tregonin prirjet e tyre progresive
në rrugët e gjëra të dijes.
Mundësitë
janë të jashtëzakonshme, ato vijnë sot duke u shtuar, sepse hapja me botën,
kontaktet apo shkollimi deri dhe në shkollat dhe universitetet më të dëgjuara
të Francës, Anglisë, Italisë, Skandinavisë, Amerikës..., vijnë duke u bërë
gjithnjë e më të natyrshme, teksa interneti, gjuhët e huaja dhe elektronika ua
kanë afruar dhe sjellë nxënësve botën
dhe zhvillimet e saj në tavolinat e tyre
të punës, në celularët – internet, që ata i mbajnë në duar ngado që shkojnë.
Shkak
për t`u shprehur sa thashë më sipër, u bë edhe një almanak i shkollës së mesme të bashkuar “Mehmet Bajraktari”,
Shalës, Elbasan. Më ra në dorë fare rastësisht dhe nisa ta shfletojë. Më
tërhoqi vëmendjen që në hyrje parathënia e mësuesit redaktor Rakip Zhguni, i cili duke u shprehur
për krijimtarinë e përfshirë në almanak,
vlerësonte shumë punën e kolegut të tij,
mësuesit të talentuar Spiro Basha, i cili ishte kujdesur dhe ishte përkushtuar për përgatitjen e këtij
almanaku së bashku me nxënësit e tij. Spiroja
kishte ditur të nxiste dhe të organizonte dëshirën dhe mendimet poetike dhe ato në prozë të nxënësve, i kishte mbledhur së bashku me ta, siç
mblidhen nga kopshti lulet e bukura dhe të freskëta në një buqetë dhe, së
bashku me ndihmesën e nxënësve dhe të z. Ali Lleshi, asokohe kryetar i shoqatës
“Dumreja”, ishin kujdesur që ato të botoheshin në një libër të veçantë.
Deri
këtu mbase këto që them janë mëse të zakonshme, sa raste të tilla ka shumë
nëpër shkollat tona. Por, mua më duhet të pohoj se krijimet në poezi e prozë të atij
botimi, shpërndajnë në ajër freski dhe
aromë të këndshme edhe sot pas kaq shumë vitesh. Nga faqja në faqe, në to gjen
shpërthime ndjenjash dhe emocionesh poetike për jetën, për të ardhmen, për shkencat, për atdheun,
për demokracinë, për gjithçka që ata,
fëmijë dhe adoleshentë, mendojnë se
janë në natyrën, në shpirtin e tyre
krijues, që i entuziazmon, apo i mundon e i turbullon, ndonjëherë mbase
edhe i shqetëson. Ata e duan jetën
dhe kujdesen që ajo të bëhet për herë e
më e mirë, më e bukur, sepse tashmë ata e dinë
se jeta jepet vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar, ky shans nuk duhet
humbur. Prandaj, në krijimet poetike apo në prozë, ata shfaqin dëshirën të marrin mbi supet e tyre të njomë detyra dhe
përgjegjësi. Ato krijime nuk janë thjesht ide të çastit që vijnë nga frymëzime
spontane, por ato janë rreze që projektojnë të ardhmen, që ngrejnë përpara tyre
rrugë me shumë korsi, por edhe shtigje të panjohura, të pa aksploruara. Ata
shpalosin në krijimet e tyre gjëra të
mëdha e të rëndësishme, që nuk i thonë dhe nuk i shprehin dot në monotoninë e
zakonshme, shfaqin figurativisht ato gjëra që i kanë mbajtur të mbyllura dhe,
kësisoj i nxjerrin me ngazëllim dhe
bukuri artistike. E, si të tilla, ato bashkohen në vërshimin pranveror të
jetës, e pasurojnë atë me llojshmëri dhe freski, me origjinalitet, duke u bërë
edhe shembull e nxitje edhe për mijëra nxënës dhe adoleshentë të tjerë.
Askush
nuk ka dhe s`mund të ketë monopolin e diçkaje. Edhe në krijimet e adoleshentëve
mund të zbulosh talente, mund të gjesh mendime të mëdha e të mençura. Mjafton
të shfletosh almanakun në fjalë dhe nxitesh nga dëshira për t`i lexuar krijimet
e botuara atje gjer në fund, madje, pse jo edhe për të mbajtur edhe ndonjë
shënim. Në krijime, shprehet dëshira se
ata nxënës duan diçka ndryshe, duan të
dinë se ku shkojnë, të njohin botën dhe karakteret e njerëzore, veçoritë,
prirjet dhe cilësitë e shoqërisë, ata kërkojnë të futen me zell e trimërisht në
detin e madh të dijeve, të përballin dhe të kapërcejnë me krahët e tyre të
njomë dallgët, lartësitë dhe sfidat e
jetës.
Ata
u bien kambanave të alarmit poetik, kundër përdorimit të drogës nga të rinjtë,
kundër dhunës në shkollë, në mjediset publike, në familje. Krijimet e tyre
tronditin shfaqjet e pesimizmit, ato dukuri që shfaqjen tek disa
adoleshentë, që herë - herë humbasin besimin në të ardhmen, që ditët,
vitet dhe e gjithë jeta u duket
monotone, e mërzitshme, e trishtueshme: “Oh, prapë e njëjta gjë, përsëri
detyra, mësime, çohu në tabelë, ik, ulu, katër, sill prindin, je i
paralajmëruar, je i përjashtuar…uf!”
Natyrisht që edhe këto janë pjesë
të jetës shkollore, por, problemi është se këta fëmijë e adoleshentë ndjejnë nevojën të përfshihen gjithnjë e pa
sforco në natyrshmërinë e jetës, të nxiten të
notojnë në valët e saj, edhe kur ato janë të trazuara apo dallgëzojnë
fortë; ata duan ta motivojnë jetën e tyre dhe t`i japin asaj bukuri, vlerë,
origjinalitet dhe kuptim në hapësira të gjera dhe pa kufizime.
Dhe,
këto hapësira dhe mundësi, këta çelësa të dyerve të jetës dhe të dijeve, ua
japin fëmijëve dhe nxënësve adoleshentë
mësuesit e tyre, më të mirët, më të dashurit për ta, që i duan dhe i
ndihmojnë, sesi t`ua bëjnë më të lehta gjërat më të vështira, se si ata të
motivojnë sa më mirë vetveten, sesi t`u ngjallen shpresat dhe besimin se jeta
është e bukur, por për ta jetuar atë, duhet punuar e luftuar vazhdimisht, duhet
guxuar.
Në
dorë mbaj almanakun dhe vijoj ta shfletojë. Buqeta poetike pasurohet nga faqja
në faqe me emra krijuesish adoleshentë: E. Sollaku, E. Sallja, S. Meçja, G.
Mukja, S. Meta, E. Liçi, E. Liçi, E. Xhika, F. Kurti, K. Çala, E. Sallja, Xh.
Sadushi…Dhe, të kapur fortë për dore, së
bashku me mësuesin e tyre Spiro Basha,
ata vijojnë të shprehen me pjekuri dhe
bukuri poetike. Mund të ndalesh në shumë
nga këto krijime poetike, por zgjodha të
citoj vargje nga E. Meçja: “Në s`çan malin, hap një tunel,/Nëse anija t`u
përmbys nga dallga,/Ec, se udha e nisur diku del,/Mos e kthe më kokën prapa!”
Dhe
më tej, vargje të D. Allkjas për nënën:
“Çdo fjalë që më thoshe/Të lehtë ma bënte jetën”. Teksa, S. Kuqi, hedh me një
frymë, siluetën e një peizazhi: “Heshtja mbretëron në natyrën e qetë/Hëna lozonjare më fshihet te retë./Ëndrrat nëpër gjumë,
shpirtin ma ndezin,/E gëzuar pres, si
lulja mëngjesin”.
Kurse
në pjesën “Stuhia”, G. Mukja përshkruan: “Qielli i mbushur me yje të
shndritshëm, në një çast u duk fare i shkretë. I kishin humbur yjet. Pikat e
para të shiut u ndjenë sikur të ishin gurë. Më pas një erë e tmerrshme...Dukej
sikur nga toka ishte ngritur një përbindësh dhe donte të shkatërronte
gjithçka.”
Shfletoj
dhe lexoj krijimet e almanakut dhe trazoj
hirin e kujtesës. Sjellë ndërmend
mësuesin tim të matematikës në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë Avdurahman
Meçaj, i cili me talentin e tij na bënte që ta donim shumë matematikën, jo
vetëm sepse ai zgjidhte mjeshtërisht
ushtrimet dhe problemet, por dinte të na
tregonte sekretin, bukurinë e zgjidhjes, befasinë, por ai dinte edhe të kujdesej që ne të vizitonin edhe një
muze, edhe rrënojat arkeologjike të
qytetit tonë, por dinte edhe të shprehej mjaft
bukur dhe në mënyrë poetike për Evarist Galuanë, që jetoi vetëm 21 vjeç,
por që i la njerëzimit monumente të mëdha matematikore. Sjellë ndërmend mësuesin e letërsisë Harrilla Koçuli, që
recitonte si një aktor i rrallë Homerin,
Gëten, Bajronin, Pushkinin… dhe, më tej ai ia arrinte mjaft bukur që të
fuste në bisedë letrare jetën dhe veprën e madhe shkencore të
Anshtajnit, duke krijuar një ndërthurje
midis lëndëve dhe fushave të dijes. Sjell ndërmend Gani Mezinin, mësuesin që na
jepte lëndën e historisë, kaq bukur, saqë ne harroheshim teksa, ai, me mënyrën
e qetë shpjeguese, na sillte përpara
syve si në një film episode,ngjarje, njerëz të thjeshtë e personalitete të kohërave,
beteja luftarake dhe zhvillime social-kulturore dhe shkencore, duke na tërhequr
mjeshtërisht në thellësitë e kohëve dhe të historisë, ndërsa kuptonim se jeta nuk kishte filluar kur
kishim lindur ne, por shumë shekuj e mijëvjeçarë përpara nesh. Ngazëlleheshim
me bukurinë e fjalës së bukur dhe tërheqëse të mësues Ganiut dhe ndjenim një
respekt e simpati edhe më të madhe për të kur merrnim vesh se ai ishte dhe një
nga gjimnastët më të shkëlqyer të vendit, që përfaqësonte Shqipërinë në
olimpiada dhe kampionate ndërkombëtare. Kurse, mësuesi i muzikës, Pirro
Cakrani, një kompozitor dhe këngëtar i
rrallë, na i bënte të këndshme orën e
mësimit sidomos kur këndonte arje, finale apo pjesë të zgjedhura nga operat më
të bukura të Moxartit, Verdit, Rosinit, Jakovës…Por, edhe në vitet e tanishme
sjellë në kujtesë mësuesen e pasionuar të fizikës Liljana Dhima e shkollës “Ismail
Qemali”, që i bënte nxënësit ta donin aq shumë fizikën dhe astronominë, të
zbulonin të fshehtat e natyrës dhe të kozmosit, të ishin vëzhgues dhe
interpret, të diskutonin e debatonin shkencërisht si të ishin shkencëtarë të
vërtetë, e, bashkë me nxënësit ajo botoi edhe një libër mjaft interesant për
fizikanët më të mëdhenj të kohërave; mësues Xhezair Abazin, që ndonëse me
kulturë shumë të gjerë, i kushtonte vëmendje dhe rëndësi të madhe përgatitjes
së tij për orën e mësimit, pasi, siç thoshte: “Nxënësit e sotëm, janë shumë të
zhvilluar, sepse edhe mundësitë ata i
kanë shumë herë më të mëdha. Shfrytëzimi i internetit dhe i literaturës në gjuhë
të huaj, u krijon kushte që të jenë
shumë të përgatitur. Kur unë u jap atyre një shembull nga historia e artit dhe
e letërsisë botërore, ata më japin edhe dy apo tre shembuj të tjerë.”
Raste
të tilla janë të panumërta në shkolla dhe tek mësues të pasionuar. Ata dinë
mirë sekretin se si t`i tërheqin nxënësit në fushat e dijes, t`u ngjallin atyre
shpresën dhe besimin në të ardhmen shkencore, shoqërore, kulturore, letrare,
artistike, sportive, por ata dinë edhe t`u besojnë talentit dhe aftësive të
fëmijëve dhe adoleshentëve.
“-
Organizimin e ceremonisë së diplomave,
do t`jua besoj juve, -iu drejtova atëherë “Qeverisë së nxënësve”. Dhe, duke
parë fantazinë dhe bukurinë e organizimit të asaj ceremonie, besoja akoma më shumë në talentin dhe aftësitë e tyre. “-Hë, si thoni, do ta merrni përsipër edhe
organizimin e konkurrimit artistik,
folklorik, teatral midis shkollave, apo edhe atë të gjimnastikës dhe të ndeshjeve sportive...? Por, ne mund të
marrim edhe nismën kundër pirjes së duhanit, ta bëjmë shkollën tonë
institucionin e parë në Shqipëri pa duhan.” Dhe, ia dolëm. Një mëngjes,
tiranasit panë një kortezh prej 1500 nxënësish gjimnazistë, që ecnin heshturazi
njëri pas tjetrit, nga gjimnazi “Ismail Qemali” tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ku do të kryeshin rritet e
“funeralit” të shkatërrimit të një cigareje 7 metra të gjatë. Ajo nismë, u bë
shkak që Parlamenti i Shqipërisë të nxirrte atëherë ligje të forta për të
ndaluar pirjen e duhanit në mjedise
publike.
Të
gjithë e dimë se, aty, në bankat e shkollës, në ato orë mësimi të fushave të
dijes, në veprimtaritë që
zhvillohen, aty, në stenda dhe gazeta të
vogla të shkollave, në ato konkurse dhe
olimpiada, nisin dhe projektohen gjëra të mëdha, ku përfshihen gjithnjë e më shumë nxënës, fëmijë
adoleshentë. Ata nuk e kanë hallin që të
mburren se bëjnë një gazetë, se botojnë një cikël vjershash, apo libër të
veçantë, që fitojnë një konkurs apo olimpiadë,
por ata kërkojnë fushën, prirjen, drejtimin për të shprehur e shpalosur
ndjenjat, mendimet, ëndrrat, ambiciet
dhe pasionet e tyre. Dhe, për të gjitha këto, fëmijët dhe nxënësit
adoleshentë duhen nxitur e ndihmuar.
Mjeshtërisht
e zhvillon Stavri Llambiri idenë e
“braktisjes së fshehtë” në njërin prej librave
të tij, kur krahas të tjerave,
shkruan për ata mësues që, gjatë
orës së mësimit merren vetëm me disa nxënës që janë më aktivë dhe, lënë në
gjendje përgjumje dhe ndonjëherë në harresë të plotë mjaft të tjerë, që
potencialisht mund të jenë shumë të zotë, madje ndonjëri edhe më i aftë se ata
që flasin çdo orë dhe çdo çast, por që kanë nevojën e një nxitje, të një
tronditje që të zgjohen dhe të marrin pjesë aktive në temat mësimore, në
ushtrimet dhe problemat, të nxiten në sprovat vetjake të krijimtarisë dhe të
inteligjencies së tyre.
Është
mësuesi që zbulon tek ata mendimin e fshehtë, misterioz dhe të pashprehur. Ai,
duke trokitur thyen heshtjen dhe druajtjen e tyre, u zgjon ëndrra, dëshira dhe pasione, vë në
lëvizje inteligjencien e tyre, u nxit më tej fantazinë dhe imagjinatën. Por, e
kundërta ndodh kur ai tregohet indiferent dhe moskokëçarës. Nëse do të bënim
një krahasim, (krahasimet asnjëherë nuk janë të përkryera) puna e mësuesit ngjason me punën atij bujku, i
cili kur është punëtor dhe i ditur, e shndërron një tokë djerrë në një tokë
pjellore dhe të begatë, kurse, kur është dembel dhe i paditur, edhe tokën më
pjellore e shndërron në tokë djerrë, në tokë shterpë, ku rriten vetëm hithra
dhe barëra të këqija.
Potencialisht
mund të themi se tek shumica e njerëzve
ekzistojnë prirje të veçanta, ndonjëherë
ato janë të jashtëzakonshme dhe gjeniale, çështja është që ato të
zbulohen, të nxiten dhe të vihen në lëvizje. Le të sjellim ndërmend se Homeri
krijoi “Iliadën” duke qenë i verbër, dhe, madje, duke qenë i atillë, ai arriti
të shohë më shumë se askush tjetër;
Bethoveni krijoi sinfoninë e tij më të bukur kur nuk dëgjonte; Ciceroni,
oratori më i madh i kohërave, kur ishte fëmijë,
belbëzonte; Galuaji, matematicieni, më i riu ndër më të mëdhenjtë, “mbeti” në klasë në vitin dytë të shkollës së
mesme dhe, pikërisht në… matematikë; Komisioni e pranoi me vështirësi Edisonin
që të hynte në klasën e parë të shkollës fillore, sepse e konsideronin me
zhvillim të vonuar, teksa Aleksandri i Madh mund të themi se u bë i tillë, edhe
sepse pati si mësues, mësuesin dhe filozofin më të madh të botës, Aristotelin.
Nuk
e di pse në këto çaste më vjen ndërmend
thënia e një njeriu të mençur se
“ në botë, kanë kaluar pa u ndjerë dhe pa mundur të tregojnë talentin e
tyre miliona njerëz”, që do të thotë se
shumë prej tyre mund të ishin bërë si Fidia dhe Mikelanxhelo, si Sokrati
dhe Platoni, si Bethoveni dhe Moxarti, si Arkimedi dhe Gausi, si Kolombi dhe
Magelani, si Galileo dhe Koperniku, si Njutoni dhe Ajnshtajni, si Mendelejevi
dhe Pjer e Mari Kyri, si Darvini dhe Linne, si Hipokrati dhe Flemingu, si Skoti
dhe Amundseni, si Shekspiri dhe Verni,
si Rembrandti dhe Pikaso, si Shlimani dhe Evansi, si Mecena dhe Nobeli, si
Hillari dhe Norgej, si Gagarini dhe Armstrongu…, por, edhe si Gjergj Kastrioti
Skënderbeu dhe Nënë Tereza, si Naimi dhe Ismail Qemali, të cilët, si dhe qindra
dhe mijëra të tjerë përkrah tyre, i kanë
qëndruar historisë, e kanë ndihmuar dukshëm shoqërinë njerëzore
apo kombet me kontributet e tyre të vyera. Dhe, në kontekst të përmbajtjes së
këtij shkrimi, e dimë të gjithë se edhe ata,
kishin qenë dikur në bankat e shkollës, se mjaft prej tyre si çdo fëmijë
e adoleshentë, ishin mbase çapkën apo të druajtur, mbase shembullor që vinin
çdo ditë me detyra apo problematikë,
duke u hapur edhe ca telashe shkollës, mësuesve apo prindërve të tyre, por, që
u bënë të mëdhenj, jo vetëm në saj të talentit, por edhe sepse patën kujdesin,
vëmendjen e duhur nga mësuesit e tyre,
të cilët, u hapën horizonte të reja, i mësuan dhe i nxitën që ata të trokisnin
me këmbëngulje në dyert e dijes, të
shpërthenin dhe të shfaqnin talentin dhe gjenialitetin e tyre.
Dhe,
në mbyllje të këtij shkrimi, i rikthehem edhe një herë almanakut të thjeshtë të
shkollës së mesme të Shalësit në Elbasan dhe, pikërisht mbylljes që i bënë
mësues Spiroja, duke paraqitur në mënyrë figurative shprehjet e syve të
nxënësve të tij të dashur: “E shikon mësues? Lexo në sytë tanë dëshirën dhe
pasionin e madh për poezinë, merr me vete shpirtin tonë poetik...”. Dhe,
mësuesi vijon: “Kaq mjafton për mua, që të vazhdoj të punoj me pasionin e
mësuesit..., të shoqëroj me sy fluturimin e tyre.”