Mendime
Florim Zeqa: Kush janë shkaktarët e prishjes së marrëveshjes LVV-LDK!?
E diele, 19.01.2020, 10:26 AM
Kush janë shkaktarët e prishjes së marrëveshjes LVV-LDK!?
Shkruan:
Florim Zeqa
Tanimë,
kur koalicionit LVV-LDK i ka "vdekur nëna", në skenë kanë filluar të
dalin një nga një shkaktarët e pengimit të marrëveshjes, e cila deri dje
konsiderohej historike për të ardhmen e vendit.
Ata
që deri dje vepruan në prapaskenë kundër arritjes së marrëveshjes për
koalicionin qeverisës LVV-LDK, kanë filluar të dalin në sipërfaqe duke akuzuar
të tjerët si "shkaktar" të pengimit të marrëveshjes.
E
tillë ishte edhe deklaratata e Rexhep Selimit, ish Ministrit të parë të Punëve
të Brendshme në 'Qeverinë e Përkohshme' të Hashim Thaçit, e cila të kujton atë
thënjen famoze "Aty ku ka tym, ka edhe flakë", duke vërtetuar kështu
ndikimin e jashtëzakonshëm të Hashim Thaçit në LDK dhe LVV.
(Pa) vërtetësia e
deklaratave hipotetike
Për
aq sa janë të vërteta ato që i thotë Rexhep Selimi se "Thaçi ndoshta edhe
e dirigjon LDK-në", mund të jenë të vërteta edhe ato që fliten në opinion,
se Rexhep Selimi dhe të tjerët si ai, e kanë penguar në prapaskenë lidhjen e
koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke e dëshmuar kështu miqësinë e vjetër me
Hashim Thaçin dhe përcaktimin e përbetuar kundër filozofisë politike rugoviane.
Edhe
po të dojë, Hashim Thaçi nuk mund të jetë më pengues brenda LVV-së sesa Rexhep
Selimi në pengimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Kur jemi në këtë segment,
Rexhep Selimi para se të merret me deklaratat qofshin hipotetike apo të vërteta
ndaj Thaçit, bën mirë t'i tregoj opinionit publik, se ku e kanë burimin
pakënaqësitë me ish shefin e tij, presidentin aktual të Kosovës!?
Deklaratat
e Selimit për Thaçin, kinse ai ka thënë se; "Për sa kohë do të jem në këtë
zyre të presidencës, ky koalicion nuk do të ndodhë kurrë..., ai ndoshta e
dikton edhe agjendën e takimeve, e dirigjon LDK-në” (përfundon citati), për
qëllim kanë fshehjen e ndikimit të Thaçit ndaj LVV-së dhe fshehjen e ndikimit
të tij personal ndaj Albin Kurtit.
Përderisa
në strukturat drejtuese të LVV janë të instaluar ish ministra dhe deputet të
PDK-së, vartës të Hashim Thaçit, në LDK numri i vartësve të Hashim Thaçit është
akoma më i madh dhe i pambarim, filluar nga drejtuesit e partisë e deri tek ish
ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë dhe lokal të LDK-së, që janë të lidhur
ngusht me Hashim Thaçin përmes bizneseve dhe veprimtarive tjera afariste.
E
dhimbshme, por shumë e vërtetë, që eksponent të caktuar të LDK-së, më shumë i
kanë frikën Hashim Thaçit sesa 'zotit në qiell', ashtu sikurse që ka individ
brenda VV-së që punojnë më shumë për llogari të Hashim Thaçit sesa të Albin
Kurtit.
Sikur
të ishte ndryshe, marrëveshja për bashkëqeverisje në mes LVV-së dhe LDK-së do
të ishte arritur që moti, do të thoja menjëherë pas çertifikimit të rezultatit
zgjedhor, ashtu siq kishin premtuar liderët e këtyre dy partive.
Për aq sa Hashim Thaçi e
dirigjon LDK-në, për aq Rexhep Selimi e kontrollon LVV-në
Ditëve
të fundit janë duke çarkulluar zëra brenda LDK, se "e kanë të pamundur
të hyjnë në bashkëqeverisje me LVV-në,
shkaku i përfshirjes së disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie në afera
korruptive dhe kriminale,...dhe se insistimi i LDK-së në marrjen me çdo kusht
të Ministrisë së Punëve të Brendshme konsiston në supozimet e
sipërpërmendura".
Nga
konstatimet e mësipërme po vërtetohet se Hashim Thaçi ende e dirigjon çdo gjë
në Kosovë, mbi dhe nën tokë, përfshirë edhe LVV-në dhe LDK-në, të cilat po
sillen si shpërfillësit më të pa përgjegjshëm
dhe tërësisht jo serioz të votës së qytetarit të mashtruar të Kosovës
posa përfunduan zgjedhjet dhe tash po bëjnë
tregti për pozita në kapjen e
institucioneve të shtetit.
Ndikimi
i bazuar i Hashim Thaçit mbi LDK-në dhe LVV-në, përveq fuqisë politike e
dëshmon edhe shkathtësinë e tij politike për të ndikuar në vendimarrjen e
këtyre dy subjekteve.
Përderisa
të gjithë në Kosovë e kanë kuptuar, se e preferuara e elektoratit të LDK-së,
zonja Vjosa Osmani është penge e Isa Mustafës, Agim Veliut e Lutfi Hazirit, pak
njerëz në Kosovë e dinë se Albin Kurti është peng i Rexhep Selimit dhe klanit
të tij brenda dhe jashtë LVV-së.
Paradoksalisht,
dy personaliteteve më të votuara në vend, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit po ju
mungon forca e veprimit, përkatësisht e marrja vendimeve në emër të partisë,
shkaku i ndikimeve të fuqishme të klaneve të fortifikuara brenda këtyre dy
partive.
Mos
arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisje, përveq humbjes së rastit historik
për ndryshimin e kursit qeverisës, ka shkaktuar humbjen e të gjitha shpresave
të qytetarëve për jetë të dinjitetshme në Kosovë.
Si
pasojë e kësaj situate, ka filluar një valë e re e "eksodit të
heshtur" dhe zbrazjes masive e Kosovës nga qytetarët e saj!