Mendime
Prend Buzhala: Rikujtesë e përjetshme
E shtune, 18.01.2020, 11:39 AM
RIKUJTESË E PËRJETSHME
Nga
Prend Buzhala
Ka,
janari shqiptar, tragjikën dhe heroikën e tij. Për çdo janar, nëpër vitet e
acarta të dhunës dhe në kohë më të qeta, jemi përkulur para emrit të madh të
Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Janari i kapërcen kufijtë kalendarikë me
heroikën e tij, me martirët e mëdhenj të kombit e me demiurgët e fjalës shqipe,
me ngjarjet e kryengritjet që kanë ndodhur nëpër janarët e historisë. Janë
kryeidetë, kryemrat, kryengjarjet e kryefjalët e shpirtit tonë. Dhe vjen Adem
Jashari, ky kryeemër i lavdisë shqiptare, për t’i dhënë shenjë historisë më të
re. Sa shumë tragjedi e sa shumë krenari është derdhur në këta emra e në këto
ngjarje, që e lartësojnë racën shqiptare. Dhe që përcollën mesazhe lirie, afrie
e qytetarie drejt Evropës. Janari është kryeformula e tragjedive të mëdha, po
edhe e ringjalljeve të mëdha, që e shquajnë Kujtesën e Kombit në përvjetorët e
lavdisë. “Kjo tokë ka prodhuar më shumë heroizma se sa grurë”, ka kënduar një
poet shqiptar.
Kur
para 38 vjetësh përgjakej një qytet gjerman në zemër të Evropës me gjakun e tre
burrave të shquar të Kosovës, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri
Zekës, vetëm njerëzit e rrallë të rezistencës shqiptare do të besonin në fjalët
profetike të Jusufit, i cili në flakën e madhe të demonstratave shqiptare të
vitit 198l thoshte:
"Doli
sheshazi mospajtimi i shqiptarëve me armikun e egër qeverinë shoviniste të
Beogradit; bota që sot po e bën veshin shurdh e syrin qorr për çështjen
shqiptare, në mos sot nesër do të detyrohet patjetër të ballafaqohet në mënyrën
më serioze me këtë çështje deri në fitoren tonë përfundimtare".