Mendime
Fahri Dahri: Gjenocidi ortodoks grek dhe pasojat gjeo-etnike
E enjte, 16.01.2020, 08:44 PM
GJENOCIDI ORTODOKS GREK DHE PASOJAT GJEO-ETNIKE
E shkuara e familjes dhe e komunitetit tim, më kërkuan ta
shkruaj që të njihet nga e ardhmja, sepse kujtesat historike të njerëzimi janë
të ndryshme, ato dallojnë sipas qytetërimeve dhe niveleve të zhvillimeve të
popujve. Përvojat historike dhe realitetet e kohës tonë tregojë se kur
ndërmerren veprime masakruese ndaj një njeriu, familjeje, komuniteti deri tek
shteti, dëmtuesi i çdo njësie organizative shoqërore, duhet ta ndjejë se
pasojat e veprimeve nuk ndalen vetëm në realizimin e atij aksioni politik,
ekonomik, social, fetar apo ushtarak.
Në brendinë e çdo veprimtari keqbërës, në rastin e
trajtimit të temës tonë, përkatësisht shtetet, kisha apo xhamia, sigurisht u
nisën nga një synim shfarosës rrjedhojë e mentalitetit të cektësisë së tyre
ndaj të kuptuarit se gjithçka që lind, zhvillohet dhe shumohet mbi bazat e
rregullave mbinjerëzore.
Sigurisht veprimet e “pamatura” dhe ç’njerëzore ndikojnë,
krijojnë vështirësi, sjellin çoroditje, por të gjitha pengesat mbeten brenda
një mase individësh, grupnjerëzish, komunitetesh, apo etnish, racash që pësojnë
tronditje, kohë relativisht të gjatë (e matur me jetën mesatare të njeriut). Më
pas në kohë "shuhet" ai synim ç’njerëzor dhe vjen përsëri rindërtimi
i vlerësimit të individit, familjes, grupnjerëzve, komunitetit, dhe shoqërisë
në tërësi brenda këtij apo atij shteti.
(Qafë Botë Tetor 2019)
Për të kuptuar këto të vërteta, të cilat i përkasin
rregullshmërisë universale, do ndalemi tek masakrat e shtetit dhe kishës greke,
të cilat prej mbi 100 vitesh ndjekin rrugën e "Antikrishtit", të
keqbërjes ndaj pakicave etnike dhe fetare, që u përfshinë padrejtësisht në atë
shtet nga vendimmarrjet antidemokratike të Fuqive të Mëdha që nga viti 1913 e
në vazhdim.
a).-
Shtjellim përmbledhës i raprezaljeve greke ndaj çamëve.
Në analizën tonë, subjekti “Gjenocidi ortodoks grek ndaj
banorëve të rajonit të Çamërisë”, nuk do trajtohet në detaje, sepse për ’të kam
shkruar dhe botuar shumë artikuj dhe 12 libra. Subjekti i mësipërmë do të
trajtohet në përgjithësi, me ndalesa tek veprimet makabre, shifrat, pasojat dhe
këto për të mos u “harruar” masakrat e shumta dhe të vazhdueshme që janë pasojë
e atij “gjenocidi”. Po ashtu nuk do ndalemi tek shpërngulja me dhunë e mbi
35,000 banorëve të rajonit etnik shqiptar të banuar në territorin e
prefekturave të Artës dhe Prevezës të rajonit të Çamërisë, hapësira
përafërsisht mes lumit Acheron dhe lumenjëve Araktus dhe Luros, mbasi ata, fati
i keq i “zaptoi” gjatë viteve 1922-1925, të cilët u bënë pré e spastrimit
etno-fetar me djallëzitë greko-turke për futjen në vathë (mone) popujt sipas
besimeve fetare dhe jo sipas gjuhës, traditave dhe vendeve të tyre autoktone.
Analiza jonë përqëndrohet tek gjenocidi grek, i ndodhur
në vitin 1944 deri në mars 1945. Një popullsi autoktone, mijëra vjeçare, me
kufi fort mirë të përcaktuar nga lashtësia e deri sot, e pastër etnikisht e
fisit thesprot të pellazgjisë. Ajo popullsi u ndodh përpara egërsisë ortodokse
greke, e cila në përmbushjen e ideve irredentiste “megalloidheiste”, gjatë
vitit 1944 deri në mars 1945 vrau, preu, internoi, shpronësoi, poshtëroi,
përdhunoi, dhe u mohoi identitetin. Veprime këto të cilat u përmbyllën
me plotësimin, pa asnjë mëdyshje të kritereve që përmbushën
përcaktimin:”Gjenocid i pastër”, me dëbimin e dhunshëm dhe tërësor prej vendit
të saj autokton.
Një popullsi 28,081 veta, e besimit mysliman, 29.6%, ose
8,332 veta, i u nënështruan masakrave vdekjeprurëse ortodokse greke,
përndjekjeve, plumbave, sëmundjeve, të ftohtit dhe urisë, dëbimit të dhunshëm
jashtë kufijve të Greqisë (Rajonit të tyre autokton të Çamërisë). Rajoni i
Çamërisë prej 1,515 km/² (bëhet fjalë
vetëm për prefekturën e sotme të Thesprotisë, territori ku u krye gjenocidi
1944-1945) është grabitur tërësisht nga shteti Grek. Të gjitha pasuritë e
paluajtshme të këtij rajoni kanë mbetur nën administrimin kryesisht të kishës
ortodokse greke, rajon i cili vazhdon të grabitet prej tyre.
Nga 27 qershor 1944 deri më 13 mars 1945 janë masakruar
2,777 persona, ndërsa 500 veta vdiqën nga torturat në kampet e
internimit gjatë muajve nëntor, dhjetor 1940 dhe janar-maj 1941. Gjithësej
të vrarë, të vdekur, të masakruar 3,277; prej të cilëve 1,237 gra e fëmijë (nga
këta 128 fëmijë, prej të cilëve 32 fëmijë nën 3 vjeç). 745 ngra dhe vajza u
përdhunuan, prej tyre 76 gra u rrëmbyen. Gjatë periudhës së gjenocidit
numurohen 2,300 persona të zhdukur dhe të humbur në rrethet Paramëthi, Pargë,
Margëlliç dhe Filat. Si rrjedhojë e spastrimit etnik, 2,755 njerëz vdiqën nga
uria, sëmundjet dhe nga të ftohtit.
Nga fundi i muajit
nëntor dhe muajit dhjetor të vitit 1940, si rrjedhojë e mentalitetit ortodoks
grek, ajo popullsi u paragjykua si bastion i pushtuesit italian dhe nga ky
paragjykim mbi 6.000 djem e burra nga 16 deri në 70 vjeç u grumbulluan dhe u
internuan mbi 6 muaj në ishujt e Detit Egje. Prej tyre, nga vrasjet, torturat,
uria dhe nga mungesa tërësore e kushteve higjeno-sanitare, vdiqën dhe u vranë
nga ushtarët grekë 500 veta. Egërsia ortodokse greke shkatërroi 68
fshatra dhe qytete; 6,500 shtëpi u dogjën; 102 objekte kulti u shkatërruan. U
vodhën e u përvehtësuan 127,000 krerë bagëti të imta; 24,000 bagëti të trasha;
625 gjedhë; drithra buke 250,000 kv.; 80.000 okë vaj ulliri; të gjitha
prodhimet bujqësore e blegtorale (zairetë), gjendje nëpër shtëpitë e çamëve; të
mbjellat në tokat arë dhe të pa korrura, prodhimet e ullinjve dhe pemëve të
tjera të pa vjelura, agrumet si portokallet, limonat, mandarinat, vreshtat etj.
Ardhacakët (ortodoksët turq) dhe andartët zervistë u
pasuruan me bagëtitë e të gjitha llojeve, të cilat mbetën pa zot staneve,
vathave (moneve) dhe kullotave. U përvehtësuan pa asnjë lloj pagese fabrika
vaji, bloje, ndërrtesa që shërbenin për industrinë, artizanatin, vegla pune për
përdorim në bujqësi. Po ashtu ndërtesat e banimit, të bujqësisë, blegtorisë,
tregtisë, dyqane të shumta me manifaturë e mallra të ndryshme. Në mënyrë të
përmbledhur, që nga viti i gjenocidit e në vazhdim, shteti dhe kisha ortodokse
greke po grabisin dhe shfrytëzojnë padrejtësisht të gjitha të mirat materiale
që ka dhe jep rajoni tërësor i Çamërisë.
Edhe sot shteti grek vazhdon të shkelë Ligjet
Ndërkombëtare për të drejtat e Njeriut, siç janë: Ligji i Luftës Nr. 2636/1940
me Republikën e Shqipërisë. Në parantesë, ai ligj nuk ka lidhje me popullsinë e
shqiptarëve të Çamërisë dhe as me rajonin e tyre, por shteti grek e përdor për
propagandë në mënyrë spekulative. Ligj tjetër që shkelet është ai me Nr. 4506/
1966 për sekuestrimin e pronave; ligji me numër 2664/1998 "Mbi Kadastrën
kombetare” së bashku me rregullat dhe udhëzimet si dhe shumë ligje e konventa
të tjera ndërkombëtare që mbështesin të drejtat e banorëve të atij rajoni.
Shënim:
Shifrat e mësipërme nuk paraqesin të dhëna të plota, mbasi në intervistim u
mundësuan rreth 70% e deklarimeve, kjo në vartësi të kushteve të mundshme të
asaj periudhe (F.D.).
Tiranë, më
15/01/2020.
Studjues
i “Çështjes Çame”: Fahri Dahri
Vijon…