Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Themeluesit e Akademisë Françeskane në Shqipni
E shtune, 11.01.2020, 11:56 AM
Vllazen e Motra Shqiptarë!
Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u
punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At
Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.
Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e
Shqipni…
Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen
gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit
të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë
pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të
Perjetëshme tue i kushtue:
“VITIN 2020
VITI I AT
GJERGJ FISHTES”
Melbourne,
20 Nandor 2019. Me respekt, Fritz RADOVANI
THËMELUESIT E AKADEMISË FRANÇESKANE ...
NË SHQIPNI...
Në çdo fushë ku veproi Ai, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj
edhe mundi t’u dilte mbanë sa e sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej
artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit te
muzika, prej humorit tek politika...
Tashma
në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej
figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë
se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime
orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me
tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po
fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë
hedhë prej vullkanit fuqishëm të shpirtit shqiptar.
Ishin
nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë
veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në
impenjimin e Tij politik.
Lahuta
ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë,
por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për
daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të
papërsëritshme, aq edhe brilante.
I gjithë universi intelektual i Fishtës ka pasë si yll
polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij
ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.
“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por
për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”
Ja
pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të
ashprin, vargun e lahutës, që ata të
shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte
flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për
dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa
Herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’
kan shka bajn? Po a thue të desin?
T’desin
pra, nuk kan shka presin!
Apo:
P’r
‘i grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos
korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos
korisim na sot Hotin…
E
ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një
intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë
dhime sa janë bjeshkët tona.”
Si
mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane
pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun
prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën
Martire Serbi e vjetër?!...
Atyne
po, u thotë:
T’i
mësojnë fëmijtë mbas sotit
mos
t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,
se
u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!
At
Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e
la këte dhé të coptuem, prandaj:
Me
gjith këta, por larg nuk shkon
e
me i vra ka rr’feja e Zotit
t’
shtat mbledhë si janë n’London.
Gjuha
e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një
vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe
shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët
në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin
kombëtar, kur ky mungonte.”
Por
që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi
Poeti.
Në
këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij
ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.
At
Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së
gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë
të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju,
burra! Ku veni!
Pashi
Zotin, lëshoni hutat,
se
mjaft gjak asht derdhë!…
Në
prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë
thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç
kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që
dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në
letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë
Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e
jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para
dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari
i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat
tona shqipe.
Por
edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat,
përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi... me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën,
porositë:
Edhe
me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:
“Unë
këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,
E
këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?
Fati
i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar.
Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në
Korçë, Gjirokastër e ma përtej...
As
në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për
mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën
revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë
me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të
Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i
dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun,
deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna dhe e nëpërkambuna Shqiptari.
Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të
dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët
në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!
Frati
me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la
pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti
atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike? ...Asht rast i rrallë, ndoshta
i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë
fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa
Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku,
mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:
Por
n’Shqipni pse nji meshtar
Posë
se prift do t’jetë Shqiptar,
Shqiptar,
po pa dredha.
Unë
rektor e profesorë
Sakristan
e baçeva
T’gjithë
shqiptarë i zgjodha.
Kur
lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq
mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të
banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë,
batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i
pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të
gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin
nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte
jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte
humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O
perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët
na lan pa Atdhe
e
ti rrin e gjuen n’errfe
lisat
n’per male kot.
Ishin
kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,
“tash
qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”
E
për me ba Shqiptarët Ai ishte që:
Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën
“Hylli i Dritës.”
Melbourne 10 Janar 2020.
Vazhdon...