Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Papa Gjon Pali II
E marte, 15.10.2019, 07:39 PM
Nga Fritz RADOVANI:
PAPA GJON
PALI II
PORTRETI I TIJ
REFLEKTOI GJITHKUND DRITEN !
Tue fillue që në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e
deri në ate moderne, ku çdo çast diskutohej kenja ose moskenja e tansisë
sonë toksore si Shtet, roli i Vatikanit ka kenë gjithmonë vendimtar për fatin
tonë. Unë nuk kam në mend me ba përsëritjen e atyne fakteve historike në lidhje
me këte që thashë, as përsëritjen e atyne ngjarjeve ku diskutohej se kujt i
përket Korça apo Gjinokastra, Kosova apo Çamëria, Hoti apo Gruda, Himara apo
Vorio Epiri, por do të cilësoj se rishikimi dhe rivlersimi i të gjitha
momenteve kyçe për fatin e Shqiptarve dhe i Tokës së Tyne që thirret Shqipni,
asht i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, gjithmonë besnik ndaj
Papës dhe Vatikanit që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të
Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në
Shqipni asht vlersue dhe vlersohet nga të gjithë Papët e Kishës Katolike.
Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo
qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo të gurit
palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise.
Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh
të kenjes italian. Ardhja Tij me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan nga Polonia
kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai tha
se, karrshi tokave të lame me gjak Shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku
u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, “asht prap sot një popull i
vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër, asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë.”
Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë
vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore:
Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, asht
një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija. Ai vjen në
Selinë Botnore të Katoliçizmit Dymijvjeçar në Romë kur komunizmit totalitar “Ai i zbuloi
anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i
Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën
shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar e, me i zhbërthye prangat e
tiranisë komuniste barbare me tri fjalë të vetme:
“NON
ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, Ai njeh parimin
filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA
!” dhe, mbas takimit me Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin
ateist me Kristjanizëm… pra, pa gjakderdhje dhe vetem me paqë, por jo me paqë
nën kamxhik dhe kallashnikov…
Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe
Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset
apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II,
në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të shndritëshme
siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer…që porsa lidheshin
Burrnisht njena me tjetrën: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashnije të pakufi
për mbarë Njerzimin!”Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!
Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin
Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve…” Ky ishte Ai Burrë që do
të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt
gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga
krejt Bota Europjane Përparimtare!”…. Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi
Sovjetik kërcënoi Poloninë për këto lëvizje demokratike atje, Ky deklaroi:
“Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si
Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!”
Ai dinte me çmue Lirinë dhe Pavarësinë e Popujve të
gjithë Botës e, jo, pa qellim tha në Kathedralën e Shkodres së dhunueme: “Historia endè nuk e
ka njohë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej
duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan! Asht e domosdoshme që Europa
mos të harrojë!”…
Asnjëherë fjalët e Vojtilës nuk do të quhen kujtesë, as
në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Europës, por asht një vërejtje e
randë që Papa i bani Europës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e
ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet
me kaq, mbasi Ai e di se Europa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun
për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën
e “një
pjesës” së Europës, po “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit
Europjan!”, pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht e jo
mundësi, që mundet ose jo, po, prap ma e percaktueme “Asht domosdoshmeni që
Europa mos të harrojë!”…
***
E, çka mos të
harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen, sëpse,
këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Europë nga invazioni turk,
po, që Ajo, shtihet se “ka harrue”.., ose ma mirë me thanë se
ban sikur e ka harrue…
Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe
Demokratike!
E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë
Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse
Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:
?”Shqipni
qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”…
“Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër
nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta
Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me
ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije
dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia
komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue
“Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin,
forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.
Në të vërtetë kjo
forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e
treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja
nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
Ajo që ka ngja në
Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e
njerëzimit. Asht e
vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të
Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj
pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit.
Kurse këtu, Shteti
asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të
mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.
E gjithë kjo ndodhte
në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e
njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria
e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë
Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë.
Dhe në fakt ky duhët
të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka
ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht
e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në
kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen...
Në emnin tand Popull
Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë
vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. ?Vetëm
kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga
konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”
***
Europa pra, duhet ta dijë o sot, ose kurr: Pikrisht, kur
Shqipnia edhe i perket Asaj…
?Vetëm kështu,
mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet
vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”
Mendoj se, Bashkimi
Europjan sot i kujton mirë Fjalët e Papës Gjon Pali i II..!
Melbourne, 15 Tetor 2019.