Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kush ishte trim si ky?!
E enjte, 18.07.2019, 08:31 PM
Nga Fritz RADOVANI:
KUSH
ISHTE TRIM SI KY
?!
AT PJETER MESHKALLA S.J.
(1901 – 1988)
Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.:
Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e
klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit
të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim
gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes
dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët
t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht:
Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës
s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të
vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të
madhe.
Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në
përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në
mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e
popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që nji gja që asht falun
njiherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit
si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo
vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin
e fesë së vet.
Nji hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u
mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në
lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta
të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme
diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si
përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë
ka atëherë qendrimi i nji pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj
lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione,
premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga
kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata
që po bahet synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste,
servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane
frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E
kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve,
dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk
mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e
forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon
rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe
po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë
dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë
u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte
Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë
armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit
s’ka muejtë me u ba nji propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba
vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as
urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e
mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me
nderime
Mehmet Shehu
Pjetër Mëshkalla
në Kryeministri – Tiranë
meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prill 1967.
***
Shënim: Letra asht kopjue nga origjinali në Arkivin
e Ministrisë së Mbrendëshme në Tiranë (1998),
pa asnjë ndryshim nga autori i artikullit F. Radovani.
PASUES BESNIK
I GJERGJ KASTRIOTIT !
“Na
nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”
At Pjeter Mëshkalla S.J.,
Ju pergjegj kriminelit Mehmet Shehu, i pranguem
ndër hekurat e Burgut të Burrelit rreth vitit 1950...
Bashkvuejtësi i Tij në atë burg, z. Xhemal
Alimehmeti, tregonte: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun, Njazi Tunxhi, po
u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë... At Mëshkalla, nga rreshti, i kërkon me
hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: - Të qanë zemra ty
për rininë, ké për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! At Mëshkalla qeshet. Ai nervozohet dhe i thotë: -
Ç’e ké atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?.. At Mëshkalla i tha: - “Unë po qeshi me ty!
Ende nuk e keni kuptue, se unë do të isha i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti em, Jezu Krishti! Ende nuk e keni kuptue? E
çka ké me më ba ti ma shumë se aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”...
Ja si e ka percaktue At Mëshkallen i nderuemi Prof.
Arshi Pipa:
“Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”
Prof. Pipa shkruen“ ...në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i
Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Mëshkalla
e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.”
1967 PRILL: Pak ditë para arrestimit të dytë i ka
tregue Nanës s’eme se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër
kriminelit Mehmet Shehu për “Revolucionin Kultural” në Shqipni... Mbasandej, “...edhe
ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush
prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar,
mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe
vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania jonë
aty...”
19 Korrik 1967, ora 14.00 Në fjalen e fundit në gjyq At Pjetri
tha:
“Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka
më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi
shoshojnë keni me hanger e, aty asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron
kurr!”
(Dishmi e fotografit
Augustin Kiçi, i pranishem tek shtepia e Dr. Kadukut.)
Don Mikel Koliqi, mbasi
firmoi peticionin për dekorimin e At Mëshkallës, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne,
por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin,
gja të cilën na të tjerët nuk e kemi
ba.”
?Mbas dënimit parë 15
vjetë burg, u dënue edhe 10 vjetë tjera. Bani 25 vjet...
Melbourne, 18 Korrik 2019.