Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Maj 1950 – foto e gjimnazit ‘’29 Nëntori’’ Shkodër
E merkure, 12.06.2019, 09:28 PM
Nga Fritz RADOVANI:
MAJI 1950: FOTO
E GJIMNAZIT “29 NENTORI” SHKODER
Një foto shumë e zbehtë e atij Gjimnazi, ashtu si sot
jeta dhe Vepra e Herojve të Tij…
Ngjyrat e bukra dhe të gjalla të një brezi studentash të
pakrahasueshem në të gjithë Ate Shqipni t’ uritun e të gjakosun, do të mbesin
perjetsisht të gjalla e të freskëta si Rozafa! Jam tue folë per Ju vajza e
djelmë t’ Asaj Shkodres Martire, ku siluetat tua shndrisin bash si rrezet e
atij dielli që Shkodres dhe Zallit të Kirit i dhane shkelqim e lavdi t’
perjetshme!
Jam tue shkrue per Ju Vllazen e Motra, që vetem koha
provoi mosnjohjen e fanatizmit...
E këte Permendore të Shenjtë të Gjimnazit t’ Shkodres e
ngritën të parët nen shelqet e bregut Bunës, në Samrish të vjeter, Djalmët e Shtrenjtë
Bardhosh Dani me Mark Cacaj e Brahim Dergutin, t’ Organizatës “Perpjekja
Shqiptare”, e Shkodra u mblue në zi...
Pak muej ma vonë, nga
fundi i 1948 aktiviteti i kësaj organizatë do të rifillohet me disa mbledhje që
bahën në shtëpi të Alfons Radovanit dhe Viktor Lukës. Asht ajo kohë kur
arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha, të gjithë antarë
grupi.
Ishin 26 hetuesi e burgje në Shkodren e lashtë që
mbusheshin me Rininë Heroike të Saj.
E këtyne skutave të Gjenocidit do ti sherbente kryetari i
deges së mbrendshme Hilmi Seiti, drejtori i Gjimnazit, ish hetuesi i sigurimit
Korçës, Skender Villa e antarët e njohun të dy komiteteve të BRPSh, atij të
Gjimnazit e shkollës Pedagogjike, të rinjë të zgjedhun konviktor të sjellun nga
Jugu, me kerkesë që Hilmia i drejtoi Ministrisë së Mbrendshme:
“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste,
na dërgoni sa më parë 100 (njëqint)
konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë, 1998). Edhe gjakbasit erdhën...
Me datën 10 maji 1950 arrëstohen studentët maturantë:
Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip
Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoji. Me datën 11 maji
përjashtohen nga shkolla (mbas arrëstimit) në një mbledhje të të gjithë
studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me datën 12 maji vazhdon lista e
përjashtimëve me 78 studentë të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit, me
motivacionin: “Nxënësi... me nr. Amëze... Është përjashtuar përgjithmonë nga
të gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën revolucionare të
shkollës sonë të re...” Drejtori: (Skënder Villa) d.v... Me këte grup
studentash perjashtohet edhe vllau tjeter Tonin Radovani, ndonse ishte nxanës i
shkelqyeshem i klasës së dytë Pedagogjike. E po mos t’ ishte dashamirsia e
argjentarve Gjon Koja dhe Nush Radovani, as nuk mund të merrej me mend fundi i
dy vllazenve të mij nen shpaten e “luftës së kllasave”... Vetem kujtimet e
shkrueme nga shkrimtaria zj. Fatbardha Mulleti, ndoshta, na bajnë sot me kalue
nder mend vitet e mnershme të Nanës sime nder dyert e kampeve shfarosëse të
Asaj Shqipnije që s’po i ndahen asnjëherë vuejtjet e mjerimi i “rilindjes”
komuniste. Bani me lotët e Nanave tona një shatrivan në oborrin e Atij
Gjimnazi. Ato vazhdojnë me lotue!
Melbourne, Qershor 2019.