Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 6 prill 1911 Ded Gjo Luli ngriti flamurin e Gjergj Kastriotit
E shtune, 06.04.2019, 04:10 PM
6 PRILL 1911 DED GJO’ LULI NGRITI FLAMURIN E GJERGJ KASTRIOTIT
Nga Fritz RADOVANI
Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”... Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund...ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”...e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.
Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme...Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm e të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut...Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmane kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme n’ sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk ju tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave” ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin. Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret me të cilat lindin, pagëzohen dhe në shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!
Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!
Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën...Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut ju patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi. Si një thikë i pat ngulë në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj... Asgja s’ e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!
Kur Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar...
Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?
Ai u pergjegjë sikur të kishte përballë një turk: – “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej...Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash...
Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.
Me 6 Prill 1911 Flamuri i Kastriotit u valvit në Deçiq, i ngritun nga Ded Gjo’ Luli.
Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut. Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët tanë, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë.
Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim...
(Shenim nga F.Radovani) Kjo pjesë asht marrë nga Libri im “Ded Gjo’ Luli” 2011.
Melbourne, 6 Prill 2019.