Mendime
Alfred Papuçiu: Meditim për shqiptarët dhe Europën
E hene, 13.01.2020, 09:05 PM
Meditim për shqiptarët dhe Europën
Nga
Alfred Papuçiu
Herë
pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më
shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që
edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej
tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili
para do kohësh më shkruante: “Lexova ciklin e shkrimeve - mbrojtje e shkëlqyer
e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë
kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe
politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e
një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej.
Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me
retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj
kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit,
por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë
një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë . Ju përgëzoj edhe për
stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u
servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe
argumente të pakundërshtueshme. Me respekt të veçantë, Hamiti”
Ndërsa
një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:
“Përshëndetje
nga Tirana ,Alfred! Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po
"ktheheni" here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon
se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari...E lexova edhe shkrimin për
Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua
për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të
OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me
shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe
jam duke lexuar librin "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e
Bashkuara", i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve
që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon
tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe
urime! Luani”
Këto
mendime të shprehura janë pasqyrimi i një qëndrimi origjinal dhe të lirë. Ai
lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i
përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë
edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe
një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë
stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që tashmë është krijuar? Këtë do ta
tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar
baballarët e Europës disa dekada më parë,
do të bëhet më në fund realitet.
Studimi
i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit,
lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë
e demokracisë. Nuk i kemi njohur më
parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që
shkrinë energjitë për Europën, si Viktor
Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri
de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Çurçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi,
Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont, Alfred Borel. Monumenti "Homazh për
Etërit Themelues të Europës", përpara shtëpisë së Robert Schumanit, në
Scy-Chazelles nga artisti Zurab
Tsereteli, zbuluar në 20 tetor 2012, përfaqëson katër themeluesit e Evropës -
Alcide de Gasperi , Robert Schuman, Jean Monnet dhe Konrad Adenauer.
Kontinenti
europian kufizohet në perëndim me Oqeanin Atlantik, në veri me Arktikun dhe në
jug me ngushticën e Gjibraltarit, Detin Mesdhe, Detin Egje, ngushticën e
Dardaneleve, Detin e Marmarasë dhe ngushticën e Bosforit. Kufijtë e Europës në lindje
janë më pak të dukshme, sepse nuk ka pengesa kryesore natyrore. Në mitologjinë
Greke, Europa është një princeshë fenikase. Në veprat e Homerit, Europa është
një mbretëreshë mitologjike e Kretës dhe jo një term gjeografik. Më vonë, fjala
nënkuptonte Greqinë kontinentale që nga viti 500 para Krishtit. Pas Krishtit,
kuptimi i saj përmban gjithë tokën në veri.
Bashkimi
Europian (BE) është një shoqatë e shteteve europiane, të bashkuara rreth
fushave ekonomike dhe politike, për të siguruar ruajtjen e paqes në Europë dhe
për të promovuar përparimin ekonomik dhe shoqëror.
Ndërsa
në perëndim të kontinentit, shtete relativisht të fuqishme u zhvilluan rreth
vitit 1000, në lindje kombet e lindura shpejt u gjendën nën mbikqyrjen
ekonomike, kulturore dhe mbi të gjitha fetare: Perandoria Bizantine dhe më pas
Perandoria Osmane. Ky është veçanërisht rasti në Ballkan, ku popuj të tillë si
bullgarët, serbët dhe rumunët përgjatë mesjetës deri në fund të shekullit XIX
ishin në pozitën e vasalëve. Kjo do të shpjegonte pjesërisht dobësinë e
institucioneve demokratike në shtetet e Ballkanit, që nuk kanë shumë kohë që
janë krijuar. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të
thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat.
Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete - kombe, shpesh në luftë me
njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve
europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në
institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në
Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin
në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve
të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur
kërkesën për integrim në Bashkimin Europian.
Qasjet
gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh
ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004
-2007. BE e 27 - 29 në 2012 - e ka
vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent.
Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në
tërësi, vërejmë se BE përmbledh "vetëm" 27 shtete nga 49 që përbëjnë
kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete
anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht
Kosovën). Në vitin 2010, mbi një
sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE kishte 500.3 milion europianë, ose 42.1% të
zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion
banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij
konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët? Europa jashtë - BE
mbledh kështu 22 shtete - një numër që ka rënë në vite - të cilat janë shpërndarë
shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë
ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe
intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për
një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e
anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat
pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët
për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis
Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë)
dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është
e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin
një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey,
Guernsey), Man, ose Faroe, si dhe
bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d'Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto
mikro-territore kanë gati 250,000 banorë.
Natyra
dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e
shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të
qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të
ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i
tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet
vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim
të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda
elektoratit dhe grupeve politike kombëtare! Ne mund të identifikojmë disa grupe
shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës
Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të
veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete
gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar.
Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke
nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin.
Nën
shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo
kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma
pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera
europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në
kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të
prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit. A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur
përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës
si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë?
Shqiptarët nuk kërkojnë ndrime kufinjsh
me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete
europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas
Shqipërisë dhe Kosovës. Ishin këto padrejtësi historike, siç dëshmojnë
analistët largpamës, që do të sillnin ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri
në fillimin e shekullit të XXI, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzoj:
“Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht
sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”. Në fundin e shekullit të XX,
situata gjeopolitike e Europës Juglindore ka ndryshuar. Demokratizimi i kësaj
pjesë të Europës ka mundësuar jo vetëm çlirimin e Shqipërisë nga diktatura
komuniste, por është krijuar një entitet i ri në Ballkan. Republika e Kosovës,
vend sovran, i lirë dhe i demokratizuar, në cilin shqiptarëve ua lanë jashtë në
Londrën e vitit 1913, po përpiqen aktualisht të përparojnë në liri,
demokratizim dhe evropianizim. Problemi çam nga “tabu” është kthyer në temë e
ditës në bisedimet ndërkombëtare.. Sot pas mbi 100 viteve ndarjeje, shqiptarët
janë një faktor i pranuar nga Europa, në procesin e njohjes së vlerave
perëndimore të lirisë, demokratizimit . Kombit i janë hapur mundësitë për të
shfrytëzuar këtë rast për ta bashkuar atdheun e tyre në një Europë të të
njëjtave vlera. Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë
dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë
të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në
Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në
Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën
e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet
e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët
ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i
dorëzuar tek nazistët gjermanë, mijra
italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas
mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma
nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të
këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet
në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të
serbomëdhenjve, apo italianë, si edhe
çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët
nazistë) të ngrejnë zërin e tyre për të
vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar
lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e
atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve
të Greqisë, Italisë dhe Europës!? Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe
shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo
i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë
për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në «
Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një
mënyrë e përkohshme jetese, në të përditshmen e një qytetari europian, për të
cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me
njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm
kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të
njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit
në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të
njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta.
Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ».
Kam
një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit
Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur
mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me
fqinjët që janë në Europ?n e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien
mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për
atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, sidomos
ata të stafit të ri, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një
popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo
herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo
udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që
shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë.
Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë
shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti,
Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në
fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e
nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë
profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato
ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës.
Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara
në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u
mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët
karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës,
në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj
Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe
bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante
“Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po
në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të
lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga
argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të
plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni.
Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm
për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time.
Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë,
historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga
paraardhësit. « Arbanasit » kur u larguan
nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin
emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të
ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe.
Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Nxisim edhe
fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe
gjysheve. Bëri mirë Zografë Kokthi që na
dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure, Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë
brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se
gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por
historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike
sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas,
bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe
zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të
ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar në vendimarrjen famëkeqe të deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë
Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Komuniteti Europian është
një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta
të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në
mënyrë të vërtetë, vetëm në sajë të
solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një
fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij
europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë
Tereza, Isa Boletini, Adem Jashari,
Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.