Mendime
Alfred Papuçiu : Labirinthet diplomatike dhe çështja e Kosovës
E hene, 06.01.2020, 02:27 PM
Labirinthet diplomatike dhe çështja e Kosovës
Përgatitur
nga Alfred Papuçiu
Nuk
ka shumë kohë që Profesor Ksenofon Krisafi, një prej profesorëve më të njohur
të së Drejtës Ndërkombëtare, Dekanit të
Fakultetit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH ka botuar dy
librat e rinj : “Lufta e Kosovës në
Labirintet Diplomatike" dhe “Në Gjenevë për Kosovën-Fjalime në
institucionet ndërkombëtare”. Këto janë dy librat të cilat janë shkruar duke iu
referuar kohës, kur Prof. Krisafi, ishte në krye të misionit diplomatik të
Shqipërisë në OKB. “Janë libra që kanë nisur kur në Kosovë bëhej luftë dhe në
qarqet diplomatikë ku kam bërë pjesë në atë kohë, punohej për ta ndalur atë.
Janë vitë të mbushura me veprimtari mjaft intensive e përkushtim për një kauzë
të madhe mbarë kombëtare, shprehet prof. Krisafi. Ndjehem vërtet me fat që isha
pjesë e atij grupi njerëzve që punuan sinqerisht dhe pa u lodhur duke
kontribuar modestisht për Kosovën”.
Në
këto libra tregohet qartazi se çfarë mund të bëjë një diplomat i një vendi të
vogël, për një kauzë të madhe siç ishte pavarësia e Kosovës. Ato janë dokumenta
mjaft të rëndësishëm, të cilat do të mbeten gur themeli në historinë e
marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht me shtetin e Kosovës. “Kam pasur fatin
apo rastin që u ndodha në shërbimin diplomatik, atëherë kur kriza e Kosovës
mori proporcione të dukshme e duke u shndërruar shumë shpejt në një luftë të
armatosur me një prapavijë të sigurisë diplomatike e politike”, është shprehur
Krisafi. Në librat e tij, Ksenofon Krisafi kujton lidhjen me Kosovën, të nisura
qysh në rini në Gjirokastër, gjatë kohës kur ishte student e dëgjonte nga
pedagogët apo kur mbante ligjërata si pedagog i ri në Universitetin e
Prishtinës e më pas në Gjenevë gjatë misionit, ku siç thotë ai gjeti edhe një
Dardani të dytë, një fshat që mbante këtë emër, sepse banorët e tij kishin
ardhur qysh herët nga Dardania e dikurshme, Kosova e sotme. Libra të mbushur me
ngjarje, konceptet e forta politike dhe juridike të artikuluara prej
ish-diplomatit, kur fliste kundrejt regjimit të Beogradit, terrorit ndaj
shqiptarëve, masakrat, shkeljen e të drejtave të njeriut, të Drejtës
Ndërkombëtare humanitare, tentativat e regjimit serb për të shuar identitetin
kombëtar në Kosovë apo kur akuzonte Millosheviçin për krime të luftës, krime
kundër njerëzimit, për spastrim etnik dhe gjenocid të programuar kundër
shqiptarëve. Çështje që jo vetëm rrezikonin ekzistencën e një populli, por
gjithashtu paralajmëronin destabilizim të Ballkanit e më gjerë. Qysh më 1 prill
të 1999-ës, përfaqësuesi i Shqipërisë njoftonte vendimin e qeverisë shqiptare
për denoncimin e krerëve të regjimit të Beogradit dhe ushtarakët e lartë serbë
në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, gjë që ndodhi më
vonë. Mbledhjen e fakteve dhe hetimet të vërtetuar me prova e dëshmi autentike
krimet serbe e më 6 prill të atij viti artikulonte që popullit të Kosovës t’i
jepej e drejta për vetëvendosje.
Ksenofon
Krisafi e mori detyrën si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i
Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në vitin 1998. Ndërsa
në Shqipërinë zyrtare mundohej të
rimëkëmbej shteti pas luftës civile, në veri të trojeve etnike, kishte ngritur
kryet një tjetër luftë. Çdo ditë, ushtria serbe dhe grupe paramilitare
masakronin, dhunonin, nxirrnin nga shtëpitë mijëra shqiptarë të Kosovës.
Opinioni publik botëror kishte çdo ditë para sysh pamje të servirura nga mediat
ndërkombëtare të pozicionuara në vijën e parë, por sa e ndërgjegjësuar ishte
diplomacia e huaj në zemër të Gjenevës për tragjedinë që po ndodhte pas derës?!
Si përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar i duhej të trokiste në çdo derë,
përfaqësi, organizatë ndërkombëtare për t’i dhënë zë çështjes së Kosovës, që
siç e kujton ai kish marrë përmasat e luftës dhe kudo ishte kthyer në çështjen
e diskutimeve të ditës.
Sot,
pas 20 vjetësh, periudha 1998-1999, duken vite të një tjetër epoke dhe për një
përfaqësues të Shqipërisë ishte pamundur të ruhej ftohtësia, tipar i
diplomatit, ndërkohë që masakrohej një pjesë e popullit shqiptar. Ky zjarr e
pasion, veç erudicionit, kompetencës juridike e diplomatike, ka qenë pjesë e
recetës origjinale që i bënte fjalimet e profesor Krisafit të hynin deri në
ndërgjegjet më të ftohta të përfaqësuesve të huaj. Gjuha e drejtpërdrejtë
përcillte sigurinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë dhe urgjencën për ta
parandaluar këtë tragjedi.
«
Nuk luftohej vetëm në Kosovë nga personalitetet e shquara të vendit, nuk
luftonin vetëm pjesëtarët e UÇK por luftohej edhe nga diplomacia, shqiptare” –
kujton ish-diplomati, themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë,
Profesor e Akademik, Anastas Angjeli. Ai është shprehur se këto dy vepra kanë
në thelb një komb, vijnë pas përvjetorit
të dhjetë të pavarësisë së Kosovës. “Janë dy vepra për një çështje, gjatë
luftës për pavarësinë e Kosovës, natyrisht të gjithë e njohim këtë luftë, por
ka edhe një luftë tjetër të një karakteri të veçantë , lufta diplomatike e cila ka nisur dekada më
parë dhe me veçoritë e saj e me vlerat
është sjellë ashtu siç duhet nga prof. Ksenofon Krisafi,falë përvojës së tij ,
falë veprimtarisë konkrete dhe praktikë në fushën historike e diplomatike , të
drejtën ndërkombëtare ».
Librat
janë prova e dokumente me rëndësi për kohën e Luftës dhe për vetë historinë e
Kosovës, e në veçanti, të diplomacisë së saj, krahas diplomacisë europiane dhe
ndërkombëtare, si një faktor me rolin e
njohur historik si në fushën e betejës,
jo me armë , por me fakte, drejtësi, e vullnetin për një zgjidhje
demokratike të problemit të Kosovës dhe për ndërprerjen e luftës e të
gjakderdhjes në vend. Një homazh të veçantë për atë pjesë të atdheut që ka
vuajtur shumë, ka luftuar pareshtur e pas një shekulli arriti të shkëputej nga
zgjedha e serbëve si një entitet më vete.
Prof.
Dr. Ksenofon Krisafi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të
Universitetit të Tiranës. Është lauruar Doctor honoris causa, nga Universiteti
Sancti Cyrilli i Valetës. Ka qenë Dekan i Fakulteteve Juridike të Universitetit
të Tiranës, “Luarasi” dhe UET. Aktualisht është Dekan i Fakultetit të Shkencave
Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin Mesdhetar të
Shqipërisë. Ai ka qenë drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasador në
OKB dhe në OBT, në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave
dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës
së Shqipërisë. Është lektor i së drejtës publike, të drejtës ndërkombëtare,
organizatave ndërkombëtare etj.
Ka
mbajtur leksione në një numër universitetesh të huaja dhe ka marrë pjesë në
dhjetra konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar monografi,
tekste universitare, si dhe artikuj shkencorë e publicistikë. Ndër librat duhen
përmendur sidomos, Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë,
1998-2002), Në Gjenevë për Kosovën - Fjalime në institucionet ndërkombëtare, E
drejta e organizatave ndërkombëtare, Organizimi politik ne trojet shqiptare,
Për tokën dhe detin e Shqipërisë, Diplomaci pas lufte, Në kërkim të arit, E
drejta e organizatave ndërkombëtare, Paradigma e tranzicionit demokratik: -
“Fundi” i tranzicionit apo një tranzicion “pa fund” (bashkëautor), Epiri i
Jugut, Çamëria, (bashkëautor), Historiku i Bankave në Shqipëri, (bashkëautor),
Çështje të historisë së shtetit dhe të drejtës, (bashkëautor), Historia e
shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri (bashkëautor), Kushtetuta e re shqiptare
sfida e së ardhmes euroatlantike të Shqipërisë, (bashkëautor), At Giuseppe
(Zef) Valentini, Vepra 1,2,3, Publicistikë, studime dhe tekste, (bashkëautor),
Emigrimi i elitës intelektuale nga Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit
(bashkëautor), etj.
Për
kontributet e shquara në veprimtarinë diplomatike, shkencore dhe në mësimdhënie
në fushën e së drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin e spikatur në çështje me
rëndësi të veçantë në politikën e jashtme të vendit, si dhe për kontributin për
lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai mban dekoratat e larta “Kalorës i Urdhërit
të Skënderbeut” dhe “Medaljen presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së
Kosovës”, akorduar përkatësisht nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës.