Mendime
Enver Bytyçi: Diplomacia amerikane shans i fundit për krijimin e qeverisë VV-LDK!
E marte, 14.01.2020, 08:23 PM
Diplomacia amerikane shans i fundit për krijimin e qeverisë VV-LDK!
Nga
Enver Bytyçi
Dje
ka patur zhvillime të reja në Kosovë. Edhe një dritë shprese është shfaq dhe
mesa duket për pak kohë vendi do të ketë qeverinë, të cilën qytetarët e kanë
votuar. Ambasadori amerikan Kosnett ishte në zyrat e Lidhjes Demokratike të
Kosovës. Nëse shohim fotografinë e shfaqur duket qartë se Isa Mustafa dhe Agim
Veliu janë hallka e zgjidhjes së konfliktit dhe e formësimit të koalicionit
qeverisës në këtë subjekt politik. Vjosa Osmani nuk është problemi.
Po
ashtu ambasadori Wolker ka zbritur në Prishtinë. Ai njihet si fans dhe avokat i
Albin Kurtit në SHBA. Kjo do të thotë se Wolker ka ardhur nw Kosovë me një
mesazh për mikun e tij në krye të Vetëvendosjes. Kësisoj amerikanët edhe kësaj
radhe i ndanë rolet dhe bënë për Kosovën atë që nuk duan e nuk dinë ta bëjnë
politikanët e saj. Uashingtoni pa dyshim mbështet një qeveri të përbashkët të
Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike. Çdo përpjekje për ta dëmtuar këtë
koalicion shkon kundër interesave amerikane në Kosovë. Dhe interesat e kundërta
me amerikanët kanë bekimin e Serbisë e të Rusisë më së pari.
Zhvillimet
e djeshme janë pa dyshim një hap i rëndësishëm në arritjen e një marrëveshjeje
midis dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Por jo vetëm kaq. Këto
zhvillime ishin paralajmërim për presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Ky i
fundit prej ditësh i bën presion Albin Kurtit sa i përket mandatimit të tij në
krye të ekzekutivit. Aq shumë e frynë mediat proserbe të Kosovës “ultimatumin”
e Thaçit, sa u duk sikur për qeverinë vendos presidenti dhe jo sovrani. Në fakt
Hashimit i duket vetja sovran, ose sulltan i Kosovës. Njeriu, përfshirë dhe
presidentët dhe kryeministrat, shpesh herë bëjnë atë që ua merr mendja të
bëjnë. Nuk bëjnë atë që kërkon kushtetuta dhe ligji.
Por
kreu i Vetëvendosjes po dje iu përgjigj zotit Thaçi me një letër publike dhe e
paralajmëroi atë që të heqë dorë nga presioni dhe ultimatumet e tipit
Milosheviç! Sepse afatet kushtetuese fillojnë pas mandatimit të kandidatit për
kryeministër e jo kur t’i dojë qejfi presidentit. Pra, kemi të bëjmë me lëvizje
të diplomacisë amerikane edhe si paralajmërim për rolin destruktiv të Hashim
Thaçit në lojën politike. Ky rol duhej demantuar. Më mirë se diplomacia
amerikane nuk mund ta bënte askush tjetër. Vizita e Kosnett në LDK dhe ardhja
në Prishtinë e Wolker është një paralajmërim jo vetëm për forcat regresive në
LDK e VV, por edhe për rolin negativ të presidentit të vendit, i cili në vend
që të ndihmojë për zgjidhjen e krizës, i fryn zjarrit të përçarjes, me qëllim
moskrijimin e qeverisë.
Veç
kësaj Albin Kurti, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani duhet ta lexojnë mirë lëvizjen
e fundit të amerikanëve. Ata duhet t’i lënë menjanë interesat vetjake e të
partive që përfaqësojnë dhe t’i japin fund konfliktit për ndarjen e
përgjegjësive. Eshtë momenti që të realizohet marrëveshja e koalicionit dhe të
krijohet qeveria e re e Kosovës. Kostoja e moskrijimit të kësaj qeverie është
tashmë e lartë, shumë e shtrenjtë. Dëmet që i shkaktohen vendit nga kriza e
mosbesimit midis VV dhe LDK-së janë të mëdha.
Nëse
këto dy subjekte nuk do të merren vesh dhe nuk do të bëjnë kompromis edhe në
këtë rast, kur diplomatët dhe miqtë amerikanë po japin mesazhe të qarta,
atëherë koston do ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Por kosto elektorale do të
ketë edhe për Vetëvendosjen dhe LDK-në. Çdo interpretim tjetër i lëvizjeve të
fundit është e duhet konsideruar i gabuar.
Është
momenti i fundit për ta krijuar qeverinë e re. Eshtë koha kur tashmë shteti do
të duhet të kishte institucionet e veta. Duhet medomosdo të parandalohet ardhja
e PAN në pushtet. Duhet një qeveri e cila të realizojë aspiratën e shqiptarëve
për drejtësi dhe shtetësi të plotë.
Edhe
në këtë rast shpëtimi i fatit, imazhit dhe shtetësisë së Kosovës duket se është
ndihma amerikane. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Por së paku ta
ndihmojmë diplomacinë amerikane dhe lehtësojmë ndihmën e saj ndaj nesh!