Mendime
Alfred Papuçiu: Pjesë nga ditari i një ish diplomati për Kosovën dhe Shqipërinë
E shtune, 18.01.2020, 04:33 PM
Pjesë nga ditari i një ish diplomati për Kosovën dhe Shqipërinë
Nga
Alfred Papuçiu
Ditari
është mbajtur gjatë viteve, dhjetë vjet, njëzetë vjet, tridhjetë e më tepër
vite më parë. Tashmë, me kalimin e moshës, kujtimet sikur ecin shumë më shpejt
se koha. Shpesh herë u rikthehem atyre dhe ndjej një kënaqësi të veçantë, por
edhe brengë, për diçka që nuk është bërë si duhet. Megjithatë, e ngushëlloj
veten dhe them se për të folur me Zotin
e Plotfuqishëm duhet të jemi të pastër shpirtërisht, pa asnjë
gabim.
Lexuesve
po u paraqis vetëm një pjesë të vogël të këtij Ditari, pasi këto shënime nuk
kanë ndonjë gjë të veçantë. Ato janë kujtime të një qytetari të thjeshtë që ka
patur fatin, siç mund ta kishin edhe shumë bashkëkohas të tij, të merrte pjesë
në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, apo në
konferenca të tjera ndërkombëtare, për çarmatimin, problemet sociale dhe
ekonomike, politike, të të drejtave të njeriut, të gruas, të sindikatave, etj.,
sidomos në Gjenevë e gjetiu. Nuk besoj se këto faqe do t’u interesojnë shumë
njerëzve. Në fakt, ato i kam shkruar sidomos për miqtë e mij, të cilëve doja t‘u lija një lloj testamenti
moral krejt të sinqertë. Duke lexuar këto radhë, ata do kuptojnë se jeta ime
nuk ka qënë e lehtë, por plot sakrifica, dhe më është dashur të përtyp për hir
të së ardhmes së tyre, edhe ndonjë rromuz, por kurrë nuk i jam bërë urë dikujt
që është treguar meskin, apo i panjerëzishëm me mua. Edhe atë „qoftëlargun“ ja
kam lënë Zotit ta gjykojë, këtë ja u kërkoj edhe atyre që ai mundohet përsëri
t‘u bëjë keq, apo të hedhë gurë dhe të fshehë dorën, të shpërndajë „fletushka“
si tinzar dhe të futet edhe në banesat e bashkëatdhetarëve, pa qënë i ftuar, pa
menduar se një ditë edhe ai do të përfundojë si gjithë të tjerët atje në
varrezat e Sharrës, Shtish-Tufinës, Gjenevës, Parisit, Vjenës, Nju Jorkut apo
gjetiu ku vegjeton akoma në botën moderne. Një njeri që ka përqafuar rrugën e
intrigës qoftë edhe për një çast, e ka të vështirë të largohet prej saj ;
çdo mënyrë tjetër jetese për të është pa kuptim…
Sot
lexova në shtypin shqiptar një artikull të një gazetari për problemet
ndërkombëtare ku ai thekson se në Parkun Qëndror të Nju Jorkut nuk mund të
shëtisësh, pasi ke frikë nga banditët dhe dritat janë të thyera. U çudita me
këtë shkrim dhe e mora në telefon gazetarin. Pyetjen e parë që i bëra ishte:” A
ke qënë ndonjëherë në Parkun Qëndror të Nju Jorkut”. M’u përgjigj “Jo”. Më
theksoi se kishte parë diçka tek një shtyp i një vendi të Lindjes që kishte
shkruar, lidhur me këto që ai i kishte rimarrë në shkrimin e tij. I thashë
gazetarit se para se të shkruajë tjetër here, për një vend apo edhe një rajon të caktuar,
mirë është të shohë disa burime, për të qënë më i besueshëm. I theksova se
Parku i Nju Jorkut është frymëmarrja e këtij qyteti të madh kozmopolit, ku
njujorkezët, por edhe vizitorët e shumtë kalojnë orë të këndshme, edhe me
fëmijët e tyre, në mjediset e rregulluar aq bukur për ta, me ato liqene artificiale,
apo me pemë dhe bimësi nga më të ndryshmet. M’u kujtua tregimi i dikurshëm i
kolegut tim Sulo, i cili kur vite më parë pas çlirimit kishte vajtur njëherë në
Kajro, ishte frikësuar. Një punonjës i ambasadës po e shëtiste nëpër qytet me
makinë, por i kishte thënë se sapo kishte pirë një Koka-kola. Në vitet 60-të
shtypi ynë e cilësonte Koka-kolën, si pije borgjeze, që të drogonte….Hajde
pastaj të kishe besim tek ai që i jepte veturës, pasi të kishte pirë një
Koka-kola?!
Gazetari
i çuditshëm që shkroi negativisht për Parkun e Madh– frymëmarrjen e Nju Jorkut,
më duket se ka bërë kthesë dhe shkruan më objektivisht tani në shtyp.
Tetor .Rastësisht në darkë takova në
katin përdhes të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, një grua që m‘u duk si
shqiptare. Ju afrova. I fola shqip. Ngeli e shtangur. Më pyeti nga jeni. I
thashë. Më tha se edhe ajo ishte nga Shqipëria, nga Veriu, por kur ishte
mbyllur kufiri kishte ngelur matanë në Jugosllavi. Një vëlla duhet ta kishte
akoma atje diku në Veri, por nuk kishte asnjë njoftim për të. M‘u dhimb, pasi
kishte dhe një vajzë që e kishte të humbur dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Aty
bënte çdo darkë pastrimin e koridoreve të OKB-së. Nuk e pashë më atë grua, e
cila ishte e urtë, por tepër e trishtuar.
Tetor . Në Nju Jork ka restorante
shumë të mira dhe një pjesë e tyre janë pronë e shqiptarëve që janë vendosur
aty prej kohësh. Shyqyri Selimaj, ose Bruno siç i thërresin ka dy restorante në
rrugën 59-të dhe na fton për të ngrënë darkë. Ai ka rreth vetes dhe një staf të
përbërë sidomos nga njerëz të familjes së tij. E ka zakon njëherë të na ulë tek
bari, pastaj në tavolinë. Restoranti i tij është gjithmonë plot me njerëz që
rezervojnë qysh më parë. Bruno punon që nga ora 9-të e mëngjezit deri natën
vonë, një e natës zakonisht, për të mbajtur e ushqyer familjen e tij. Një punë
e rëndë dhe e vështirë por që atij i jep kënaqësi. Ashtu me atë kostumin e tij
„shik“ dhe me buzëqeshjen karakteristike ai të ngjall respekt të veçantë. Nuk e
di por e ndjej veten si në shtëpinë time tek Shyqyriu, Gjysteja dhe Gjergj
Kalaj, plaku Paparisto, Petro Papanikolla, xha Hulusi Kavo, në familjen Selaj,
tek Pustina e shumë të tjerë që na ftojnë herë pas here. C‘mallemi me njeri
tjetrin, pasi shumë prej tyre kanë kohë që s‘i kanë parë të afërmit. Brengë e
kanë se shumë nga fëmijët e tyre nuk dijnë fare shqip, pasi kanë lindur në
Amerikë. Disa kanë filluar t‘i shpien në verë në Shqipëri dhe janë të kënaqur
për përparimet që kanë bërë fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Ata kanë marrë me
vete edhe libra shqip për t‘i lexuar. Agimi nga Kosova, shpesh na sjell
videokaseta me filma apo muzikë shqiptare që i përgatit vetë. Njëherë na solli
një të shtunë edhe një peshk të madh që e kishte mbartur nga Kanadaja enkas për
ne. Sa shqiptarë të tillë të admirueshëm dhe njerëzorë tashmë nuk janë midis
nesh dhe për ta nuk është folur asnjë fjalë! Sa jetojnë akoma për të cilët nuk
flitet aspak dhe ndoshta nuk do të flitet kurrë! Ata janë me mijra në Amerikë e
gjetiu dhe çdonjerit i dhemb zemra dhe jeton me ritmin e tokës mëmë.
Joseph Diogardi, kongresmen amerikan, me origjinë
shqiptare, më pret tek hotel “Interkontinental”. Shkoj tek suita e tij. Ai
shpreh dëshirën për të shkuar në Tiranë. Është interesant fakti se i jati i tij,
Xhuzepe u largua nga fshati arbëresh i
Grecit, për t’u vendosur në Bronks, pranë Nju Jorkut. I biri, Joseph kujtonte
se ishte italian, megjithëse i jati e kishte zakon që të fliste me motrat e
veta dhe me prindërit e tij në një gjuhë të çuditshme që djaloshi kujtonte se
ishte dialekt italian. Pasi u zgjodh në Kongresin amerikan, ai e zbuloi të
kaluarën e familjes së tij. Si mijra të krishterë shqiptarë në shekullin e XV,
paraardhësit e tij kishin kapërcyer Adriatikun dhe ishin vendosur në fshatrat
italiane ku mbajtën të paprekura ritet dhe gjuhën e tyre amtare.
Lidhem me Sokratin, pasi ka qënë në Amerikë dhe e njeh
atë. Më thotë se po të ketë dëshirë le të vijë. Sidoqoftë, më theksoi se për
çfarë arsye don të vijë në Tiranë, kështu papritur. Më vonë Diogardi shkoi atje.
Siç duket dikush nga ata që e shoqëronin kishte dhënë një mendim pozitiv për
një vizitë të tillë. Si Kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ai ka
bërë mjaft për çështjen shqiptare. Ai është shprehur mëse njëherë duke i bërë
thirrje SHBA që të ngrihen në mbrojtje të parimeve të veta dhe të kërkojnë
përmbushjen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sidomos për
çështjen e Kosovës. Kjo i ka dhënë atij mundësi dhe atyre që ndjekin rrugën e
tij, të tërheqin votat e elektoratit amerikan, me origjinë shqiptare, që nuk
është i pakët nga numri në Amerikë. Gjithashtu, kam përshtypjen se në Amerikë,
shqiptarët janë më të bashkuar me njeri tjetrin se këtu në Europë. A mos
ndoshta ndikimi i serbëve është më i pakët atje?! Sidoqoftë, ka ardhur koha që
Europa dhe SHBA të bëjnë diçka t’i bërë presion Milosheviçit dhe atyre që e
pasojnë që të ndalin dorën dhe të mos ndërmarrin masakra dhe spastrim etnik në
Kosovë.
Gazeta “Journal de Genève” ka botuar një shkrim timin, ku
mbahet një qëndrim mbi ngjarjet në Kosovë. Kur shkoj tek zyra e pasqyrave të
shtypit, një gazetar i huaj po i thoshte kolegut të tij: “Nuk i lejohet
përfaqësuesit shqiptar të flasë para sheshit të Pallatit të Kombeve për
Kosovën”. E pashë mirë në sy dhe ju drejtova: “Zotëri, ju nuk e keni kuptuar
shkrimin. Ai është një përmbledhje e një pasqyre shtypi lidhur me qëndrimin tim
si shqiptar për ngjarjet në Kosovë. Unë nuk kam folur aspak nga sheshi para
Pallatit të Kombeve, por kam shprehur mendimin tim si anëtar me të drejta të
barabarta në këtë bashkësi kombesh, për masakrat dhe arrestimet ndaj popullit
kosovar. Ashtu besoj do të bënit edhe ju qoftë edhe si gazetar i një gazete të
vendit tuaj, nëse do të cënohej dinjiteti i bashkëkombasve tuaj”. E pashë se
nuk foli më dhe u skuq. Kur e shihja më vonë në korridoret e Pallatit të
Kombeve përpiqej të më përshëndeste me përzemërsi.
U dha një shfaqje madhështore tek “Noga Hilton”, në
Gjenevë nga Ansambli shqiptar. Nismëtari i ardhjes së atij ansambli ishte Imeri,
një intelektual patriot dhe i ndershëm. Këngët dhe vallet u pëlqyen shumë.
Kishin ardhur shumë shqiptarë edhe nga rajone të tjera të Zvicrës, por edhe
diplomatë dhe funksionarë të lartë të Kombeve të Bashkuara. Salla ngrihej peshë
nga brohoritjet e të pranishmëve. E pashë atë funksionarin e lartë të atij
organizmi ndërkombëtar, me të cilin kisha qënë për vizitë edhe në Shqipëri, që
u skuq kur pas çdo kënge filluan thirrjet “Kosova Republikë”. Në pjesën e dytë
i propozova, për të mos e vënë në pozitë të vështirë, ndaj ndonjerit që nuk i
shkonte për hosh ajo thirrje, që të shkonte po të kishte dëshirë. Por duke
buzëqeshur më tha: “Alfred, qëndro i qetë, pasi këto janë ndjenja të një
populli të vuajtur dhe krenar”...
Shqipëria po i kushton rëndësi të
veçantë marrëdhënieve me vendet ballkanike dhe veçanërisht Jugosllavisë që
është akoma teorikisht e bashkuar. Qysh nga fillimi i manifestimeve që kërkonin
pavarësinë e Kosovës, rajon zyrtarisht autonom i Republikës së Serbisë, ku
popullsia është përafërsisht 90 për qind me origjinë shqiptare, u duk reagimi i
qeverisë shqiptare. Në shumë artikuj dhe fjalime u fol për mbështetjen e
domosdoshme për vëllezërit e Kosovës fqinje, të persekutuar nga serbët dhe
është kërkuar e drejta për vetvendosje nën formën e krijimit të një Republike
të Kosovës, një kërkesë e papranueshme për qeverinë jugosllave. Në shtator
1991, Shqipëria njohu “pavarësinë” e Kosovës, e shpallur nga pjesa më e madhe e
banorëve të saj, me rastin e organizimit të një konsulte, të deklaruar të
paligjshme nga ana e autoriteteve federale të Beogradit. Në këto çaste të
shpërbërjes së Jugosllavisë, po shihet se tensionet midis Shqipërisë dhe
fqinjit të saj verior po rriten. Natyrisht këtu as bëhet fjalë që Shqipëria të
ndërmarrë ndonjë “sulm” veprues për të “pushtuar” Kosovën. Shqipëria, është në
një gjendje shqetësuese për veten e saj, sikur ka dalë nga një luftë dhe nuk ka
mundësi tani për tani të japë një ndihmë më të madhe vëllezërve kosovarë.
Gjithashtu, edhe opinioni në Shqipëri nuk është aspak për një “bashkim” me
Kosovën, por si vëllezër të një gjaku dhe një gjuhe, edhe ata duhet të gëzojnë
të drejtat e tyre të ligjshme për të qënë të lire në tokën e tyre amë, të
trashëguar brez pas brezi.
Ftohem të marr pjesë në konferencën
dy ditore “Sigurimi europian në vitet 90-të: problemet e Europës Juglindore”.
Konferenca zhvillohet në Rhodes të Greqisë. Ftesa m’u bë nga drejtori i
UNIDIR-it, Jayantha Dhanapala. Me mua vjen dhe ambasadori bullgar, Teodor
Ditcev që është një mik i imi dhe me tepër përvojë. Tashmë unë jam funksionar
ndërkombëtar dhe ai vazhdon të jetë ambasador ku përfaqëson vendin e tij në
Kombet e Bashkuara. Bëjmë një ndalesë në Athinë, ku na pret miku im Kastriot
Robo, sekretar i parë i ambasadës. Na shëtit nëpër Athinën e bukur dhe pastaj
nisemi me aeroplan për në Rhodes. Sa
zbresin më bën përshtypje ai vend i bukur. Vendosemi në hotel. Papritur përpara
më del ish-ambasadori ynë në Nju Jork, Abdi Baleta. Bisedojmë miqësisht. Darka
kaloi me tingujt e buzuqeve karakteristike greke dhe me mezetë e shumta. Të
nesërmen filloi konferenca. Nuk kisha menduar të flisja, por duke parë se
shumica e pjesëmarrësve e mirrnin fjalën, përgatita një fjalim të shkurtër, që
më vonë u përfshi në botimin e Kombeve të Bashkuara për konferencën e Rhodesit.
Tanimë në këtë konferencë isha tepër i çliruar, pasi kisha ardhur si një i
ftuar i pavarur. Gjithashtu, kisha pranë mikun tim bullgar që çdo herë kishe
qef ta dëgjoje. Ai
ishte erudit dhe me shumë finesë. Fat i keq për të. E
shoqja ishte tepër e sëmurë. Kjo e mundonte shumë. Kur u kthyem përsëri në
Athinë, për të Gjenevë, i bleva një dhuratë simbolike për të shoqen një grua e
thjeshtë ballkanase. Nuk e dij por kam një respekt të veçantë për të gjithë
popujt e Ballkanit,ata që nuk i kanë ndyer duart me gjakun e kosovarëve; apo
edhe për popullin boshnjak që ka vuajtur, për atë kroat, slloven ku im atë ka
patur kujtime shumë të bukura të rinisë; për popullin grek, turk, bullgar,
maqedonas dhe gjithë popujt evropianë.
Sot kur po i jepja dorën e fundit
këtij libri, më telefonoi nga Parisi mjekja pediatre me origjinë shqiptare,
Solange d’Angely. Kishte lexuar disa nga shkrimet e mija dhe shprehu dëshirën
të takohemi. I jati i saj, Robert d’Angely ja kushtoi jetën mbrojtjes së gjuhës
shqipe. Librat e tij « Gramatika shqipe e krahasuar »,
« Pellazgët », « Etruskët në Perandorinë Bizantine »,
« Për Perandorinë Otomane. Shqiptarët », « Sekreti i
Epitafeve », « Enigma », krahas librave të tjerë dëshmojnë për
pasionin e tij për gjuhët. Robert d’Angely ishte një poliglot pasi njihte
greqishten e vjetër, greqishten e re, latinishten, sanskrishten, frëngjishten,
gjermanishten, italishten, turqishten, arabishten dhe natyrisht shqipen. Ai u
mësonte shqipen studentëve në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale në
Paris. Ai e donte aq shumë shqipen dhe vepra e tij madhore u jep përgjigje
shumë pyetjeve që bëhen lidhur me lindjen dhe formimin e gjuhës shqipe…
Ndërkohë Solange më foli për një
projekt të madh për Shqipërinë lidhur me diagnozën prenatale, si dhe
hemoglobinopatitë. Biseduam për rrugët që duhen ndjekur dhe për mundësitë që duhen
shfrytëzuar për gjetjen e fondeve për realizimin e projektit. Sidomos dua të
bëj diçka për ata mijra e mijra shqiptarë vocrakë që vuajnë nga një sëmundje
gjenetike, që quhet Talasemi, pa e ditur as ata as prindërit e tyre që mbartin
diçka të trashëguar nga paraardhësit, apo nga vendndodhja në një zonë
ish-malarike. Mjekimi i kësaj sëmundje sot ka arritur stade të larta dhe
fëmijët apo brezat që kanë trashëguar atë bëjnë një jetë normale, si dhe kanë
shpresë që një ditë të afërme do të gjehet një kurë për të. Mesazhe që jepen
edhe nga mjekët dhe profesorët e shumtë në botë si Bernadette Modell në Angli,
Alan Cohen dhe James Humbert në SHBA, Robert Girot në Francë, Radhika Sawn dhe
Eva Chin tek „Cooley’s Anemia Foundation“, presidenti i Federatës Ndërkombëtare
të Talasemisë (TIF) Panos Englezias, drejtoresha shkencore e TIF, doktoreshë
Androulla Eleftheriou, Dr. Nanci Oliveri
nga Toronto, e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të ri pa permendur profesorin e
nderuar Selaudin Bekteshi, Enis Boletini, Profesor Aleko Vesho, Afërdita
Gusho, Albert Zhuzhuni Pali Xhumari,
Lena Anastasi, e shumë e shumë të tjerë.
Mesazh miqësie nga
Profesori Jean_Philippe Assal
Alfredit tim të
dashur,
Jeta nuk është si në këtë libër
« një vitrinë kënaqësish… » por ajo që ne mund të bëjmë bashkërisht,
është që ta shndrojmë ashpërsinë e jetës në më të gëzuar.Me mirënjohjen më të
thellë për aq episode të bukura të kaluara sëbashku, Jean-Philippe (Assal)
Këta miq më kujtojnë gjithmonë
thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër
janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin
ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne
dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim
apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye
të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës
sonë, pas çdo zënke me një mik”.