Kulturë
Blerim Rrecaj: Ura udhëtimi
E marte, 01.10.2019, 05:14 PM
Ura udhëtimi
Nga
Blerim Rrecaj
Edhe
e diela ditë pushimi. Vendosim t'i drejtohemi një agjencie udhëtimi. Marrim
biletat dhe në mëngjesin e orës tetë nisemi me njërin nga autobusët që mban
emrin e njërit prej maleve të njohura. Autobusi ecën nëpër autostradë-foshnjen
disa muajshe me emrin "Arbën Xhaferi". Dikush largon sytë nga gazeta
e dikush nga telefoni kur kalojmë nëpër udhën lakadredhëse disa kilometërshe.
"Sharremi" duket si një dinosaur në pleqëri të thellë e që mezi merr
frymë, ndërsa dy pikëkalimet kufitare na sjellin ndërmend ndryshimet politike,
njëri republikën tonë e tjetri republikën fqinje me emër të ri, me bisht.
Sidoqoftë, vazhdojmë. Për në Kanionin e Matkës. Bukuritë natyrore gjithmonë
tërheqin e të këndellin pasi që në to I Lartmadhërishmi ka vënë dorë. Ngjitemi
rrjedhës së lumit Treska, shtratit të saj të gjerë, ujëshumë, të pastër,
valbardhë, që bart me vete gjethet e verdha të drunjëve, sidomos të këtyre skaj
brigjeve që vazhdojnë të hidhen si farë kërcimtarësh prej urash të shenjta. Një
flutur e bardhë ka zgjedhur degën e një fijeje bari të zgjatur e të lakuar si
urë thuajse po kundron, dëgjon e mediton dhe më pas fillon rrugëtimin fluturak.
E vazhdojmë të ecim shtegut ku me mbrojtëse mbajtëse e ku pa to mbështetur prej
faqeve të mëdha e të thepisura shkëmbore. Rrugës dikush vazhdon duke kafshuar
një shtalb të verdhë e të ëmbël sheqer. Nga lart shohim dhe varkat lundëruese
me vizitorë që lundrojnë mespërmes ujit të qetë të liqenit. Dikush u jep duarve
me ndihmën e lopatave lundruese shijojnë ujin e rrezet e diellit të një dite që
duket se s'ka si të jetë më e mirë. E këtej më së shumti vërehen ca lule
vjollce kryepërpjetë të një të jargovante të lehtë, shihet dominimi i tyre,
ndërsa një lloj luleje ngjyrë kaltër e lehtë duket që mbin për shkëmbinjësh dhe
rri përqafuar me ta. Ecim e ecim e vazhdojmë të kthehemi duke u ndeshur edhe ca
grupe të organizuara turistësh, shumë prej vizitorëve flasin shqip, më rrallë
maqedonishtja. Na duhet të kthehemi dhe kthehemi duke parë një patë të kaftë e
pupëlqëndisur me mozaik ngjyrash ku e pranishme është dhe e hirta. Me sqepin e
saj të verdhë bash ashtu si një grusht gjethesh të verdha rreth saj, ajo çukit
boçen e një shtalbi të hedhur. Dikush mbërrin atëherë kur autobusi niset bashkë
me ne për t'u larguar nga ky kanjon. Më pas ca kohë e kaluar në një qendër
tregtare, një orë ndejë te hapësira e admirueshme me drunj e gjelbërim të ca
banesave të një pjese të njërës prej lagjeve. Më pas në qendër të Shkupit
mbushur me statuja gjigande e më pak të tilla si përpjekje për përvetësim e
kërkim identiteti, por mirë e tha dikush më shumë vjet ka ky i moshuari
plisbardhë se identiteti i formuar në funksion të një krijese artificiale. Lëmë
Shkupin, lëmë lumin dhe një lejlek këmbëgjatë të bardhë me shputa në ujë, lëmë
Vardarin me shumë ura, në brigjet e tij bijnë, rrijnë e fluturojnë pëllumba...