Kulturë
Zymer Mehani: Drita Kosumi-Syla - Diell jete
E enjte, 26.09.2019, 06:13 PM
Përmbledhja poetike “Diell jete” e poetes Drita Kosumi-Syla”
Shkruan
Zymer Mehani
Në
poezinë për fëmijë të poetes Drita Kosumi-Syla shohim se mundësitë e saj për të
krijuar art të mirëfilltë janë të mëdha dhe tanimë kjo autore është duke
hapëruar rrugës së përmbajtjeve dhe të trajtave të vërteta artistike edhe në
fushën e poezisë për fëmijë. Këtë më së miri e dëshmon libri i saj i radhës,
dedikuar fëmijëve “Diell jete”, që këtyre ditëve doli nga shtypi.
T’ua
rikujtojmë lexuesve se Drita Kosumi-Syla deri më tani ka botuar tri vëllime
poetike: “Falma këngën, varg”(Prishtinë, 2015), “Mos ma kërko ikjen”
(Prishtinë, 2016), “Gjethet do t’i pres
në dorë”, e vëllimi poetic “Diell jete”
është i katërti me radhë prej kësaj autoreje.
Drita
Kosumi-Sylai në poezinë e tij, ka manifestuar vullnetin e madh dhe aftësinë
krijuese, talentin dhe origjinalitetin e saj, gjëra këto që dëshmojnë nivelin e
kënaqshëm të kësaj autoreje në fushën e poezisë për fëmijë. Poezia për fëmijë e
kësaj autoreje është e mbarështruar dhe e pasur me tema dhe motive të dashura
për fëmijët, siç është atmosfera e shkollës (poezitë “Diell jete”, “Fëmijët e
lagjes sime”, Ëndrra ime nëpër shkronja”, “Mësueses sime” etj.,), pastaj
dashuria për prindërit dhe gjyshërit (poezitë “Nëna ime”, “Shkronjat dhe
përrallat e nënës Adile”, “Gjyshes Hyrë”, “Gjyshit tim” etj), tiparet e
dukuritë natyrore në stinët e vitit (poezitë “Katër stinët”, “Ku fshihet
ylberi”, “Në këtë janar”, “Kënaqësi dimërore”, “Bora thërret fëmijët”,
“Vjeshta” etj.) “ që i japin ngjyrim dhe vlerë të shprehurit poetik të saj.
Në
pikëpamje të formës poezia për fëmijë e Drita Kosumit shpesh është precize dhe
e ndërtuar mirë, por herë-herë edhe e çekuilibrueme dhe në disporpocion me
ritmin dhe rimën, e këtë e ka bërë fare me qëllim, sepse ajo pareshtur kërkon
forma dhe trajta të reja të të shprehurit.
Shprehim
bindjen tonë se poezia e autores Drita Kosumi-Syla ruan trajtat thelbësore dhe
ka elemente pozitive të pranueshme për fëmijët dhe dëshmon për vlerat e
saj. Reagimet e veta ndaj dukurive dhe
fenomeneve të ndryshme të natyrës dhe në
jetë autorja i ka shprehur nëpërmjet trajtave poetike të nivelizuara,
interesante dhe të pranueshme për fëmijët. Ndonjëherë është tepër i e butë,
pasi që ajo futet në botën e fëmijëve, duke lozur rolin “e fëmijës së rritur”,
prandaj vargjet e kësaj poeteshe janë melodike dhe të larmishme, të shprehura
me një gjuhë krejt të thjeshtë dhe të kuptueshme për fëmijët, duke i pasuruar
edhe me figuracion të mjaftueshëm poetik. Mjaft dendur janë përdorur metaforat,
krahasimet, hiperbolat etj.etj. Prandaj, Drita Kosumi-Syla në vëllimin poetik
“Diell jete” na paraqitet edhe si poete që di për t’u thelluar edhe më shumë në
valët e jetës të botës fëmijërore dhe s’heziton për t’u ballafaquar me
peripecitë e saj me aftësi krijuese dhe gjeturi artistike, kur është fjala për
krijimet poetike dedikuar fëmijëve. Të gjitha këto fakte na bëjnë të
konstatojmë se poezia e zonjës Kosumi
është realizim i dukshëm dhe e arritur e këndshme, por parasegjithash e mbi të
gjitha është premtuese në letrat shqipe, e sidomos në poezinë për fëmijë.
Përkah porositë dhe fuqia e ndjenjës, përkah qartësia dhe porositë edukative,
poezitë e Drita Kosumit pas leximit të tyre, motivet dhe mesazhi që përçojnë,
fëmijëve do t’u mbeten gjatë në kujtesë.
Në
vëllimin poetik për fëmijë “Diell jete” të Drita Kosumit do të gjejmë fuqi e
bukuri fjale, ngazëllim e ngrohtësi lirike, ndjenjë e përjetim të sinqertë dhe
rrjedhshmëri të vargut e të mendimit të pranueshme nga lexuesit tanë të vegjël,
të cilat do t’i gjejmë në poezitë: “Mëngjes alfabeti”, “Kur lind një fëmijë”,
“Kappa ylberin” etj. Të bukura dhe të përshkuara me elemente të mjaftueshme që
i kërkon një lirikë e vërtetë për moshën e fëmijëve, janë edhe poezitë “7 Marsi”, “Pionieri”, “Pasqyra” e ndonjë
tjetër, të thurura me fjalorin e përditshëm të fëmijëve dhe si të tilla, poezitë
e poetes Drita Kosumi-Syla arrijnë të
depërtojnë në ndjenjat e fëmijëve dhe prore mbeten impresive, me ngjyrime
vërtet artistike e me bukuri shtjellimi.