Editorial
Albert Zholi: Çamët kërkojnë… po realiteti si është?
E marte, 30.09.2008, 11:07 PM
Çamët kërkojnë… po realiteti si është?
Albert Zholi
Nga Albert Zholi
Po bëhen më shumë se tre vjet që komuniteti çam po bëhet për çdo ditë dhe më i organizuar për të kërkuar pranë organizmave ndërkombëtarë, shtetit grek, shtetit shqiptar, të drejtat e tyre të mohuara për mëse gjysmë shekulli. Dhe pse ende numri i atyre që kanë marrë pjesë në manifestime (si ai i Konispolit), demonstrata, protesta, në kërkim të të drejtave të mohuara nuk ka qenë në përmasat e menduara nga organizatorët, sërishmi për çdo vit numri i tyre është rritur deri në atë masë sa të sensibilizojë opinionin brenda vendit, një pjesë të politikës shqiptare dhe organizmave ndërkombëtarë në Tiranë (pse jo dhe jashtë vendit). Ekzistenca e shoqatës “Çamëria”, Institutit të Studimeve për Çamërinë dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim duket se kanë konturuar qartë spektrin çam për kërkesat e këtij komuniteti specifik. Dhe pse të tria këto formacione nuk kanë ende një platformë të përbashkët, duket sikur ato edhe pse me iniciativa shumë herë individuale apo sporadike, po zgjojnë ndjenjat e komunitetit për të kërkuar të drejtat, organizua, sensibilizuar jashtë kufijve gjeografik këtë çështje. Heshtja mëse 68-vjeçare e problemit çam në kohën e sistemit monist, dukej sikur do të mbyste përfundimisht çdo shpesë të këtij komuniteti për të zbuluar hirin e harresës dhe për të nxjerrë në tregun mediatik dhe më pas në atë diplomatik çështjen më të rëndësishme të kombit shqiptar pas çështjes së Kosovës. Kërkesa e datës 23/09/2008 (e dyta pas kërkesës së 6 Tetorit 2007), e këtyre tre organizmave (njëri formacion politik), drejtuar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për dijeni Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Ndërtimi në Paramithi, Greqi të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë; Ndërtimi i një Varreze përkujtimore pranë Urës së lumit Kalama, në Greqi aty ku prehen të rënët e pafajshëm, që mbetën të vrarë dhe nuk mundën të kalonin këtë urë, gjatë gjenocidit mbi popullatën çame), duket se është kërkesa më e avancuar diplomatike dhe më konkrete e këtij komuniteti dhe pse mund të duket si kundërpeshë e kërkesës së qeverisë greke për ngritjen e disa memorialeve në Jug të Shqipërisë në kujtim të ushtarëve grek të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në luftën italo-greke. Ngritja e memorialeve të tilla në vendin e shqiponjave nuk kaloi lehtë dhe pa debat. Bile diçka më shumë se kaq. Për shumë muaj ngritja e memorialeve të tilla u bë çështja e ditës në tregun mediatik, por edhe atë politik. Ngjarja e varrezave të Kosinës në vitin 2006, ende vazhdon të diskutohet dhe qëndron si një çështje e pambyllur ku nuk ngeli pa u përfshirë dhe Kisha Autoqefale Shqiptare. Por, parë në këndvështrimin e të drejtave historike, duket se kërkesat e fundit e komunitetit shqiptar çam (më të nëpërkëmbur në historinë shqiptare), hapin siparin e mënyrave dhe formave të reja, diplomatike, të cilat në opinion po lenë gjurmë dhe bëjnë jehonë jo vetëm mediatike ( e theksoj këtë). Lind pyetja:
Përderisa qeveria greke kërkon memoriale në tokën tonë për ushtarët e vrarë në luftën italo-greke, po çamët e kanë të drejtën e ligjshme të ngrejnë një memorial në tokën e tyre për vëllezërit, motrat, baballarët, që mbetën të vrarë dhe nuk mundën të kalonin urën e lumit Kalama, gjatë gjenocidit të pashembullt mbi popullatën martire çame?
Kjo kërkesë ndoshta është më delikatja për diplomacinë shqiptare (jo se qeverinë e drejton PD, por e tillë do të ishte për çdo qeveri të çdo kahu politik).Tashmë kjo përgjigje së pari i takon Ministrisë sonë të Jashtme. Kërkesa kërkon zgjidhje diplomatike, duke qëndruar e zezë mbi të bardhë mbi tryezën e z. Basha. Ecuria e zgjidhjes së këtij problemi delikat, do të varet sa në impenjimin serioz të Ministrisë së Jashtme shqiptare, po aq dhe në seriozitetin, dëshirën apo interesimin e Ministrisë së Jashtme greke.. Por sipas mendimit tim, kjo do të jetë kërkesa e radhës, si ajo e një viti më parë, për shumë arsye ndër të cilat do të veçoj (mendimi im):
-Aktualisht jemi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe qeveria shqiptare ka shumë probleme serioze të cilat kërkon ti zgjidhë për një performancë më transparente dhe ballafaqim rezultatesh përpara elektoratit (dhe kjo çështje mund ti hapë shumë punë dhe kohë) për të fituar zgjedhjet.
-Ekonomia shqiptare është shumë e ndërvarur nga investimet dhe ekzistenca e firmave të ndryshme greke (që operojnë në tregun shqiptar), të cilat kanë pjesën e luanit në raport me vendet e tjera të rajonit apo të Evropës dhe paraqitja e kësaj kërkese në rrugë diplomatike nuk do të kalojë pa gjurmë në ekonominë e vendit tonë.
Nga ana tjetër pala greke:
1-Kryesorja është se, marrja parasysh e kësaj kërkese nga pala greke do të thotë se “De facto”, ekziston çështja çame, ajo çështje që po i hap shumë punë çdo qeverie greke vitet e fundit, çështje për të cilën krerët e partive si dhe Presidenti aktual Papulias e quajnë inekzistente. Këtu ngjyrimet e kësaj çështjeje duken të errëta, pasi Papulias mbetej si politikani i vetëm grek proshqiptar që mund të mbështeste këtë çështje (jo vetëm se është me origjinë nga fshatrat shqiptarë të banuar me minoritarë grek), pasi në një deklarim të vitit 1994 ai e ka quajtur “Vorio-Epirin” , thjesht një shprehje gjeografike, deklaratë e cila ngjalli reagimin e ultranacionalistëve.
2-Marrja parasysh e kësaj kërkese do të vendosë “De facto”, rrugë të reja lidhjeje midis komunitetit çam shqiptar dhe tokës çame në Greqi, hyrje dalje të vazhdueshme (ku deri më sot çamët kanë frikë të shkojnë në tokat e tyre), të cilat nuk do të jenë në interes të shtetasve grekë që kanë marrë me qira tokat e kësaj krahine nga shteti grek (pas shpalljes së pasurisë së shqiptarëve Sekuestro Konservative, në bazë të Dekretit Mbretëror grek të vitit 1940), por njëkohësisht do të jetë një sinjal për ndërkombëtarët se, me të vërtetë ekziston një çështje serioze, misterioze (më shumë) që historia e ka lënë padrejtësisht në harresë.
Në këtë kontekst (sipas mendimi tim), kërkesa shumë shprehëse e komunitetit çam (por dhe imediate) do të mbetet një kërkesë thjesht e radhës, e cila mund të dalë nga sirtarët diplomatike shqiptare rastësisht me ndërrimet e kolltuqeve ministrore (apo me evoluimin e ngjarjeve për njohjen) apo ndërgjegjësimin, zgjimin e organizmave ndërkombëtarë (sidomos SHBA-të), se me të vërtetë ekziston një çështje çame, po aq e rëndësishme, sikundër ka ekzistuar çështja e Kosovës. Koha punon për Çamërinë, por edhe diplomacia shqiptare duhet të punojë për të.
KËRKESË
Drejtuar: Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë;
Për Dijeni: Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
Kërkues:
1. Shoqëria “ÇAMËRIA”
2. Instituti i Studimeve për Çamërinë
3. Partia për Drejtësi dhe Integrim
Shoqëria “ÇAMËRIA”, Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim nëpërmjet kësaj kërkese ripërsërisin bashkarisht një kërkesë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë edhe më 06 Tetor 2007.
Nëpërmjet kësaj kërkese risjellim në vëmendje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë se i qëndrojmë kërkesës së bërë tek Ju nga Shoqëria “ÇAMËRIA”.
Ne kërkojmë që MPJ e Shqipërisë ti paraqesë palës respektive të Republikës së Greqisë kërkesën tonë për:
1. Ndërtimi në Paramithi, Greqi të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë;
2. Ndërtimi i një Varreze përkujtimore pranë Urës së lumit Kalama, në Greqi aty ku prehen të rënët e pafajshëm, që mbetën të vrarë dhe nuk mundën të kalonin këtë urë, gjatë gjenocidit mbi popullatën Çame.
Shoqëria “ÇAMËRIA”, Instituti i Studimeve për Çamërinë, Partia për Drejtësi dhe Integrim shprehin bindjen se Popujt i lidhin urat e tyre të miqësisë duke ndërtuar së pari ‘Faljen’, duke respektuar ata që ranë për një kauzë të ndershme.
Ne jemi të bindur se të rënët Çamë, rreth 2800 të tillë, u masakruan në kauzën e tyre të shenjtë për të lindur fëmijët e tyre në tokë të baballarëve.
Ne jemi të bindur se të masakruarit, rreth 400 të tillë vetëm gjatë një dite në Paramithi, ranë në tokë të tyre, pa u gjykuar, u vranë.
Ne duam të ndërtohet miqësi. Ne jemi të bindur se miqësitë ngrihen mbi faljen, para së gjithash u kërkohet falje të rënëve, nderohen ata.
1. Shoqëria “ÇAMËRIA”
Kryetari
Ardian TANA
2. Instituti i Studimeve për Çamërinë
Drejtori Ekzekutiv
Ahmet MEHMETI
3. Partia për Drejtësi dhe Integrim
Kryetari
Tahir MUHEDINI