E shtune, 12.10.2024, 01:20 PM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Në pritje të ditëbardhës shqiptare

E hene, 22.09.2008, 09:00 PM


Engjëll Koliqi
Engjëll Koliqi
Në pritje të ditëbardhës shqiptare

Shkruan: Engjëll KOLIQI 

Megjithëse jemi kombi më i vjetër në Ballkan dhe ndër më të vjetrit n'Europë, megjithëse jemi themeluesit e civilizimit europiano-perëndimor, megjithëse kësaj bote dhe njerëzimit i kemi dhënë personalitetet më të mëdha në histori, sot jemi populli me problemet më të mëdha të pazgjidhura, në kontinentin e vjetër. Edhe mbas vargut të gjatë të luftërave mbrojtëse dhe çlirimtare, që – mjerisht – na janë imponuar në shekuj, edhe sot kombi ynë – në trojet tona të trashëguara nga të parët – jetojmë nën regjime të ndryshme të gjashtë shteteve ballkanike (Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia). Jemi i vetmi popull në botë, në këtë pozitë kaq të ndërlikuar të (mos)zgjidhjes së çështjes kombëtare, sepse mbi 60% të shqiptarëve jetojmë jashtë shtetit shqiptar, që quhet Shqipëri. Mbas mijëra peripecive, që na kanë çuar deri në gjenocid, bashkësia ndërkombëtare – përfundimisht – u detyrua të merret me çështjen tonë, por edhepse u formua edhe një shtet tjetër mbi trojet shqiptare – Republika e Kosovës – megjithatë ende jemi shumë larg zgjidhjes së çështjes kombëtare. Ende jemi në pritje të kësaj zgjidhjeje, që megjithë vështirësitë e shumta dhe ndërlikimet udhëkryqeve t'intereseve, besojmë se një ditë të bardhë do e thotë fjalën vendimtare drejtësia. Në shtetet tjera, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh (në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi) ende vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një formule të demokracisë, që po hasë në shumë vështirësi, ndërkaq në Greqi as që po mund të fillohet një lëvizje e tillë, sepse atje pushteti shovinist – kriminal i Athinës, me lëvizjet e dhunshme të popullsisë çame, ka çrregulluar ballansin e popullsisë në tokat e aneksuara nga Shqipëria (në Çamëri).

Duke pasur parasysh problemet strategjike dhe politike ndërkombëtare, që sipas disa rregulla globale, po shkaktohen gjithnjë e më shumë mvartësi të njërës palë nga tjetra, gjithnjë e më vështirë po na bëhet lëvizja drejt zgjidhjes së mirëfilltë të çështjes sonë kombëtare. Të gjitha këto mvartësi janë kryekëput të natyrës ekonomike, që mund të shpjegohet edhe me shprehjen – luftë për pushtet global ekonomik. Kemi shumë shembuj të kësaj mvartësie në historinë bashkëkohëse, por këtu po përmendim vetëm lëvizjet e dy muajve të fundit: lufta e Rusisë për pushtimin e Gjorgjisë dhe tendencat e Moskës për rimarrjen e vendeve të tjera të dala nga ish BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) – në njërën anë dhe kriza financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e falimentimit të bankave gjigante, me reflektim në mbarë botën – në anën tjetër, që nuk ishte një krizë krejt e rastësishme. Duke pasur parasysh këto dhe shumë rrethana të tjera, që lidhen me globalizmin, mund të kuptojmë se edhe problemet tona, pra edhe zgjidhja e çështjes sonë kombëtare – të gjitha varen nga lëvizjet globale dhe të gjitha vendosen nga qendra të arbitrazhit ndërkombëtar, që gjithnjë duhet t'u përgjigjen këresave që dalin nga globalizmi. Pra, duke "respektuar" - domosdo - këto rregulla globale, ne që e dijmë se është vetëm një zgjidhje (bashkimi kombëtar), në pamundësi të veprimeve konkrete, në këtë drejtim, vazhdojmë të jemi në pritje të Ditëbardhës Shqiptare. Në këtë pritje, të ndodhur n'udhëkryqin e intereseve globale në mes palëve, jemi detyruar të pranojmë edhe zgjidhjet e përkohshme – absurde, për statusin e Kosovës, që sipas pakos së Ahtisaarit, është shpallur si shtet multietnik (edhepse me mbi 92% të popullsisë – shtiptarë), me të drejta dhe privilegje të trepruara për serbët, me një flamur pa simbole kombëtare, me një hymn muzikor pa tekst, si dhe pa stemë shtetërore (në vend të stemës përdoret pamja e flamurit), me decentralizimin në realizim, që vlen vetëm për vendbanimet serbe dhe me shumë marifetllëqe të tjera të përçudshme.

Kur po zhvillohej lufta çlirimtare në Kosovë, pra kur serbët kishin filluar ushtrimin e haptë të gjenocidit mbi popullatën shqiptare atje – në korrik të vitit 1998, një politikan i elitës italiane (atëherë zëvendësministër i punëve të jashtme, i ngarkaur për diplomacinë në Ballkan), duke bisedusar për Kosovën dhe përgjithësisht për çështjen shqiptare, ndër të tjera më tha se i kupton shqetësimet tona, por nuk e arsyeton mosbesimin e shqiptarëve në diplomacinë europiane dhe përgjithësisht në atë botërore, sepse bashkësia ndërkombëtare – tha - nuk e ka lehtë ta gjej një zgjidhje të përshtatshme atje. I pyetur se pse nuk është lehtë të gjendet zgjidhja – Ai (duke kërkuar të mbetet anonim) më tha se populli rus po vuan edhe i kapluar me uri, por – mjerisht, Rusia ka shumë centrale bërthamore dhe mjafton që gishti i një të krisuri ta shtyp një sustë, për të shkaktuar shkatërrimin e Europës së tërë. Ai më tha se bashkësia ndërkombëtare e di shumë mirë, se zgjidhja e çështjeve kombëtare në Ballkan është vetëm një: formimi i shteteve etnike. Në këtë kontekst, zgjidhja e çështjes shqiptare është vetëm Shqipëria Etnike, por për këtë na kërkohet që të presim edhe më – ta presim çastin e përshtatshëm, sepse rreziqet janë të mëdha. Ai më ka thënë se bashkësia ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme në Ballkan dhe përgjithësisht në botë, po vazhdon ta përkëdhelë Moskën zyrtare. Duehet të vazhdojmë – tha – me këto përkëdhelje diplomatike Moskës, sepse rreziqet më të mëdha kësaj bote – tashpërtash – i vijnë nga andej. Në kuadër të aleancës lindore kundër civilizimit euro-perëndimor dhe kundër superfuqisë amerikane – më tha Ai – Moska zyrtare po e ushqen me urrejtje dhe po e përkrah dukshëm dhe në masë gjithnjë e më të madhe terrorizmin islamik, duke më shpjeguar për lëvizjet dhe qëllimet destruktive të bandave të organizatës terroriste "Al Qaeda" në Afganistan dhe gjithandej, përmes atentateve me kamikazë, si dhe investimet e Rusisë në përhapjen e centraleve bërthamore në vendet arabe. I pyetur, se kur mund të zbatohet formula e shteteve etnike në Ballkan – si zgjidhje përfundimtare e çështjeve kombëtare atje, Ai m'u përgjigj, duke më garantuar se Shqipëria Etnike – si zgjidhje e vetme e çështjes kombëtare shqiptare, do të bëhet – nëse jo mbas dy, pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh – nuk do të shkojë më larg se njëzet vjet. Nëse mund t'i besojmë atij politikani të madh italian, i cili më vonë ka ushtruar edhe post ministri, atëherë na mbetet që të lëvizim aq sa mundemi dhe aq sa na lejohet, në kërkim të zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, ta bëjmë strategjinë afatgjatë dhe të patjetërsueshme të zhvillimit kombëtar, dhe të presim. Nëse vërtetë mund t'i besohet atij, për më tepër të drejtës sonë të ligjshme dhe të natyrshme, atëherë gjysma e njëzetvjetëshit të përmendur nga politikani italian ka kaluar, prandaj të presim edhe ndoj vit – më së shumti edhe dhjetë vjet dhe TA GËZOJMË DITËBARDHËN SHQIPTARE NË SHQIPËRINË ETNIKE. Ne po presim pa i humbur shpresat!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora