E shtune, 27.04.2024, 01:21 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Katharsisi i pritur…

E marte, 02.09.2008, 08:00 PM


Dorian Koçi
Dorian Koçi
Katharsisi i pritur…

 

Nga Dorian Koçi

 

Në kujtimet e patriotit Bajo Topulli, lexojmë se në kohët e vështira të përhapjes së gjuhës dhe alfabetit shqip një nga nxënësit e tij në Manastir u arrestua dhe bëri pesë vjet burg sepse iu gjendën libra dhe abetare shqip. Studenti i shkollës së mesme u spiunua nga “një student tjetër shqiptar, një bej nga të Zavalanit”, i cili duke kujtuar se gjeti një komplot të vërtetë ndaj qeverisë dëshironte të takohej vetë me Sulltanin dhe të “shpëtonte” në këtë mënyrë shtetin otoman. Ironia e historisë që lexojmë në kujtimet e patriotit nuk mbaron këtu. Bajo Topulli thotë në kujtimet e tij se studenti për shkak të burgut nuk mundi të diplomohej dhe në kohën e mbretërisë shqiptare ishte një mësues i thjeshtë në një shkollë fshati në Delvinë, kurse “tradhëtori ...pa pasur diplomë as nga shkolla primare, i mbrojtur dhe i përkrahur nga njerëz me influencë, lulëzon të jetë nënprefekt i asaj Shqipërie, të cilën e kish tradhtuar poshtërisht”

          Përshkrimi i mësipërm mund të ilustrojë shumë mirë, duke hequr datat, vendet dhe emrat një situatë të ngjashme që mund të ketë ndodhur në Shqipërinë e socializmit real kësaj radhe jo më për përhapjen e gjuhës shqipe por për të drejtën  e fjalës së lirë, dhe viktima sërish në kohët e sotme mund t’i njihet kontributi për lirinë e mendimit kurse hafija mund të ketë një post të lartë në administratë dhe të shes moral për demokracinë. Akoma më i komplikuar mund të jetë problemi kur ndonjë nga pasardhësit e ‘beut të Zavalanit” mund të jetë persekutuar në vitet e diktaturës komuniste si përfaqësues i “klasave të përmbysura” dhe pasardhësi i mësuesit të fshatit mund të ketë qenë në organet famëkeqe të sigurimit të shtetit. Siç shikohet tabloja e shoqërisë shqiptare është shumë më e “larmishme” se e çdo vendi tjetër të lindjes komuniste pasi këtu asnjëherë dhe për asnjë rast ne nuk kemi bërë një katharsis të plotë, gjë më se e nevojshme sa herë që regjimet politike shtypëse ndërrohen.

          Në të kundërt, kemi parapëlqyer të mbajmë “situata të ngrira” ku sërish figura të dyshimta që i kanë shërbyer regjimeve të mëparshëm shtypës janë ricikluar në politikë jo vetëm “të përkrahur nga njerëzit e tyre  me influencë” por dhe për tu përdorur për qëllime të mbrapshta. Mjaftojmë të përmendim  këtu politikanët e tipit të  “beut të Zavalanit” që në vitet 20-30 pengonin reformat, fuqizonin pushtetin personal të Zogut dhe ndaj të cilëve Noli shpërthente në panegjirikë zemërimi duke i quajtur “bejlurçina” .

Edhe regjimi komunist i cili konsiderohej si më i ashpri ndaj atyre që kishin “bashkëpunuar me armikun”, përdori shumë nga  ish-xhandarët , njerëz me precedentë penalë apo dhe ish-anëtarë të Këshillit të lartë Fashist për të zbatuar politikat e tij të “reja” ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Flagrant mbetet këtu rasti i  të pushkatuarve pa gjyq i 22 personave të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike më 1951,ku brenda natës u miratua dekreti që lejonte dënimet pa u bërë më parë gjykimet.

Një nga nënshkruesit e këtij dekreti të zi dhe të pashembullt në drejtësinë botërore kish qenë anëtar i Këshillit të Lartë Fashist, dhe ndërsa ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen për të mos e firmosur,ky i pari e dekretoi në funksionin e Kryetarit të  Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

Por në qoftë se regjimet e mëparshme duke mos qenë demokratike kanë një justifikim për metodat që kanë përdorur nuk mund të kuptohet se përse në demokracinë që ne kemi ndërtuar për 17 vjet kemi kopjuar riciklimin e figurave të dyshimta në politike  nga këto sisteme të kaluara apo akoma më keq ua kemi kaluar atyre në keqpërdorimin e elementëve të tillë në drejtimin e shtetit. Sot nuk janë të pakta  rastet ku viktimat takohen me xhelatët në administratën e shtetit dhe kur këta të fundit pretendojnë se kanë kryer vetëm detyrën kur kanë dhënë vendime që kanë shkatërruar jetë njerëzish.

 Shqipëria si asnjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste nuk ka  bërë dekomunstifikimin e shoqërisë së vet por nëpërmjet formulave të tipit “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” ka toleruar infiltrimin në politikë dhe në jetën shoqërore të njerëzve të kompromentuar me ancient regime. Kanë mjaftuar vetëm disa deklarata të egra se e dënojnë komunizmin dhe praktikat e tij dhe brenda natës demonët e jetës shoqërore janë kthyer në engjëj. Hapja përfundimtare e dosjeve pa mbrojtjen më të vogël për personat që janë në politikë do ta rreshtonte Shqipërinë në vendet që respekton qytetarët e vet dhe të ardhmen e tyre. Rezoluta e Këshillit të Evropës është shumë e qartë në këtë drejtim dhe është e pakonceptueshme që ajo nuk po fillon të zbatohet në Shqipëri.

Në historinë shtet-formuese shqiptare gjithnjë është tentuar që të mbyllen plagë të së kaluarës, një veprim sa human aq dhe domethënës për të nisur rrugën e pajtimit kombëtar. Gjithsesi kjo tendencë mirësie fatkeqësisht është shoqëruar dhe me arrivizmin e pa principtë të njerëzve që kishin shkaktuar këto plagë duke shkaktuar me prezencën e tyre në administratën e shtetit plagë të reja. Në tragjeditë e vjetra greke heronjtë kryesorë edhe pse janë njerëz të mirë vdesin për të dhënë një purifikim të shpirtit njerëzor. Në mënyrë analoge këta njerëz të lidhur me ancient regime edhe pse nuk kanë përmasat e heronjve tragjikë duhet të dalin nga skena politike për të lejuar katharsisin e shumëpritur në shoqërinë shqiptare. “Askush nuk mund ta blejë të kaluarën e vet” thotë Oskar Wilde, përfshi këtu dhe pelihvanët e politikës shqiptare që brenda një nate nga demonë dhe bashkëpunëtorë të djallit u kthyen në engjëj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora