Editorial
Mërgim Korça: Hapja e dosjeve. Dekomunistizimi. Gjuha e njësuar shqipe.
E merkure, 27.08.2008, 08:12 PM
![]() |
Mërgim Korça |
Shkruar nga: Mërgim Korça
Kush i lexon dy temat e para, (herë, herë të trajtuara shumë bukur e me logjikë rigoroze, herë të keqtrajtuara apo edhe të vulgarizuara në faqet e shtypit të përditshëm), natyrshëm mendon se bashkëshoqërimi i temës së tretë me dy të parat është një lajthitje kompjuteri, ose ç’është më e keqja, mbase një lajthitje e autorit të shkrimit.
Jo, i nderuar lexues, nuk është ashtu siç duket në pamje të parë. Ju lutem ndiqmëni përgjatë vijës arsyetimit tim.
- Hapja e dosjeve - Mbas shkërmoqjes së sistemit të diktaturës në Shqipëri, (se tek ne ajo nuk u përmbys), nuk u bë asnjë proces si ai i Nürenberg-ut, i cili t’i dënonte përgjegjësit kryesorë akoma të gjallë të krimeve të pashëmbullt përgjatë diktaturës, pa le të dënoheshin së paku moralisht, qoftë edhe pas vdekjes, pjesa tjetër e arkitektëve dhe zbatuesve të atyre krimeve ! Prandaj si rrjedhojë, sa e pabesueshme sot e gjithë kjo zhurmë për bashkëpunëtorët e Sigurimit famëkeq të Shtetit, kur, (sa për të sjellë ndonjë shëmbull), ish prokurori i tmerrshëm e në vazhdim edhe Kryetar i Gjykatës së Lartë që për dyzet’e shtatë vite veç torturoi, dënoi me vdekje edhe pushkatoi, pret t’i vijë ora e vdekjes nga Perëndía, por ama pa i pasë hyrë ferrë në këmbë lidhur me krimet çnjerëzorë të bërë prej tij ! Ose kur, (sa për një shëmbull tjetër), ministër i Brendshëm e pra shefi i atyre që me dhunë të jashtëzakonëshme i detyronin fatzinjtë nënëshkrues të deklaratave të bëheshin agjentë sigurimi, e pastaj me urdhër të tij u asgjësuan dosjet e agjentëve si t’i vinte mbarë atij dhe vijës partisë tij të dikurëshme, edhe sot e kësaj dite vazhdon e predikon moral si edhe patriotizëm nga tribuna e Parlamentit Shqiptar! Prandaj kërkesa lidhur me hapje dosjesh sot, 18 vite mbasi diktatura u shkërmoq, më ngjan se është hakmarrja e fundit e hetuesve të sigurimit ndaj asaj kategorie të dhunuar e të zvetënuar informatorësh, të cilëve jetën u a bënë asokohe vdekje ! Pa hyrë këtu fare e të analizojmë se si filan hetues, kur viktima e tij nuk i dorëzohej, i a mori firmën si bashkëpunëtor me sigurimin duke qenë ai i lidhur duar e këmbë e duke i sjellë të bijën 19 vjeçare përpara e duke i dhënë urdhër një bishe me fytyrë njeriu e maskara t’a përdhunonte në syt’e t’et ! Dhe mjerani që u kishte qëndruar torturave çnjerëzore pa u thyer, atëbotë u thye ! U bë agjent sigurimi ! Këtij t’i hapet dosja ? Përse ? Veç po qe për t’a kënaqur deri në fund atë hetuesin e tij shtazarak, në qoft’akoma gjallë ! Megjithatë, le të hapen dosjet sepse ka 18 vite që i hapim apo nuk i hapim e veç për shantazh politik është përdorur ky kërcënim dhe akoma vazhdon e përdoret edhe sot ! Le të hapen e të marrë fund kjo loj’e ndyrë e prirë nga interesa vetiake të ngushta dhe shantazhe të pafund. Por ama nuk duhet harruar edhe fakti që çdo bashkëpunëtori sigurimi, në çastin që ai hynte në radhët e P.P.Sh.-së si anëtar i saj, dosja e tij asgjësohej. Pse ? Sepse secili komunist duhej të ishte një informator i partisë ! Pra penalizimi eventual është shumë më i shtrirë nga ç’mund të mendohet, që nga maja e piramidës e poshtë ! Doemos pastaj me penalizimin lidhet edhe shkalla e përgjegjësisë për secilin ish agjent të sigurimit, simbas aktivitetit edhe dëmeve të shkaktuara. Kurse për ish komunistët, nxjerrja e përgjegjësisë ndërlikohet akoma më shumë sepse ka patur daç komunistë, tejet aktivë me sigurimin, por ka patur edhe nga ata që e përbuznin atë bashkëpunim.
- Dekomunistizimi - Sa është spekulluar edhe vazhdohet e spekullohet e ne e dëgjojmë këtë folje të zgjedhuar në të gjitha mënyrat, kohët si edhe vetat e ndryshëme. Po konkretisht, ç’është bërë për dekomunistizimin deri më sot ? Edhe këtu, sa për të sjellë një shëmbull, tek shtrohet parimisht që kush ka qenë me dosje nuk duhet të mbulojë post shtetëror, akademik apo as edhe drejtues në sistemin arësimor, ka thuajse dy dhjetvjeçarë që ish ministër i Arësimit përgjatë diktaturës Enver Hoxhës dhe zv/Kryeministër e Kryetar Parlamenti mbas 1991-shit në vazhdim, nga foltorja e Parlamentit akoma sot vazhdon e na predikon e përgjërohet për demokracínë e themeltë pa le jep mëndje e bën edhe intriga për koalicione partiake ! A ka farsë më të turpëshme se kjo në një kohë që flitet për dekomunistizim të vëndit ? Ky vetëm një shëmbull paradoksal që të bën të buzëqeshësh se lotët rreth mynxyrave komuniste tashmë janë tharë !
Në vazhdim, ësht’e qartë se njëra nga pikat nevralgjike lidhur me dekomunistizimin e vëndit është rishkruarja e historisë kombëtare larg binarëve të interpretimit të fakteve historike simbas marksizëm-leninizmit. Ky rishkrim duhet mbështetur në faktet si edhe rrethanat historike që duhet të qëmtohen në arkiva, të plota dhe jo të cunguara sikurse i janë paraqitur popullit për 47 vite përgjatë diktaturës së egër komuniste nga ana e atyre profesorëve që i shfytyruan ato për t’ia përshtatur historinë vijës së partisë ! Fryma e profesoratit që e shkroi historinë sipas interesave jugosllave më 1947-tën, e që e rishkroi atë mbas prishjes me Jugosllavinë, e korrigjoi mbas daljes nga Kampi Socialist e nuk pushoi së shfytyruari atë mbas prerjes së lidhjeve me Kinën e Mao-s, sot e bartur nga disa prej atyre vetë akoma të gjallë ose nga pinjojt e asaj plejade mashtruesish e shfytyruesish të historisë që vazhdojn’edhe i bien këmbanës historisë nga po ai këndvështrim, vazhdon dhe është fryma zyrtare sot ! Kjo metodikë çdo gjë mund të quhet por jo dekomunistizim, përkundrazi !
Përgjatë brazdës së dekomunistizimit vijmë tashti e trajtojmë temën kryesore të kësaj analize, atë që sipërfaqshëm dukej si e pakuptimtë e radhitur krahas dy të tjerave, e konkretisht :
- Gjuha e njësuar - Që me shkërmoqjen e diktaturës, në një farë mase është shkruar rreth problemit të gjuhës njësuar, pro edhe kundra. E qartë se ithtarët e saj, herë ish hartuesit e Fjalorit të Gjuhës të Sotme Shqipe (botim i vitit 1980 – M.K.) dhe mbështetësit e Kongresit famëkeq të Drejtshkrimit të vitit 1972, ose edhe letrarë me emër, tashmë jo duke e mbrojtur vijën e partisë si edhe direktivat e saja të asokohëshme zyrtarisht, por e kanë futur diskutimin krejtësisht në mënyrë pragmatike, në një shteg të mbiemëruar patriotik ! Shëmbull ata sjellin kosovarët që e përkrahën si edhe që gjuha e njësuar është njësuar me të folmen e çdo kosovari. Dakord, por unë problemin e kam tejet larg kësaj vije arsyetimi. Banalizimi i dytë krejtësisht dhe artificialisht naiv që i bëhet problemit, është thjeshtësimi deri në farsë kur shtrojnë argumentimin se veçse një formë e së folmes dialektore veriore është lënë jashtë trungut të Gjuhës së Sotme Shqipe. As këtij aspekti të mbrojtjes së tezës komuniste nuk do t’i kundërvihem sot sepse jashtë interesave të problemit që në vazhdim do të trajtoj. Por, e gjithënjë ka një por, sikur qindra artikuj e analiza të shkruheshin rreth kësaj pike, të gjithë së bashku nuk do të kishin as fare skajshëm peshën specifike shkencore që paraqet, (ai vetë pa folur fare), fjalori i studjuesit Mehmet Elezi. Fruti i punës së gjuhëtarit në fjalë, i barazuar për nga vëllimi i punës përballuar nga ekipi me në krye Prof.Androkli Kostallarin, ësht’i barazpeshë sepse kemi Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (i vitit 1980) që është sinteza e të gjithë arritjeve të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, që trajton rreth 41000 fjalë dhe mënyra të shprehuri, po aq sa trajton edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe me autor Mehmet Elezin por, me të vetmin ndryshim se ky i fundit nuk përmban asnjë fjalë q’e ka trajtuar fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe i Profesor A.Kostallarit me shokë. Përfundimi logjik të shpije në pohimin se studjuesi Mehmet Elezi ka vërtetuar, e zezë mbi të bardhë, se fjalori kostallarian nuk ka lënë jashtë gjuhës së njësuar një të folme krahinore shqipe, por ka lënë jashtë saj një gjuhë të dytë shqipe ! Me që sa dhe si dua të vërtetoj sot nuk ka lidhje as edhe me këtë pamje të diskutueshme të gjuhës njësuar, po e le tashti këtë argument për herë tjetër dhe po futem në thelbin e problemit të sotëm.
Në hyrjen e shkrimit i trajtova dy problemet rreth të cilëve aq zhurmë po bëhet sot e doemos edhe e vura në dukje pikëpamjen time se të dy problemet, si çështja e hapjes së dosjeve e gjithashtu edhe problemi i dekomunistizimit janë vetëm butaforí për perëndimorët !
Në vijim dua të rikujtoj edhe t’a theksoj se tekstet e historisë, endé të hartuar sipas frymës komuniste, vazhdojnë edhe e bëjnë punën e tyre intoksikuese (helmonjëse) në brezat e rinj. Kjo një dukurí e njohur.
Kurse në vazhdim dua t’a trajtojmë së bashku me lexuesin, hap pas hapi, problemin që un’e quaj më i rrezikëshmi në drejtimin e vazhdimit të infektimit të rinisë me virusin e komunizmit sepse që nga viti tashmë i largët 1991 e deri në vitin 2002, krahas entuziazmit edhe euforisë së politikanëve të ashtuquajtur të djathtë se ishte përmbysur komunizmi e se po bëhej dekomunstizimi i vëndit, ideologjia komuniste vazhdonte dhe në trajtën e një solucioni intravenoz u injektohej brezave të rinj dhe studjuesve të rinj të fushës së gjuhësisë minutë mbas minute, ditë mbas dite edhe vit mbas viti ! E kërkush nuk e vinte në dukje. Formalisht artilieria e dekomunistizimit godiste tekstet e historisë. Po vetë historianët në ç’ujra notonin ? Ata vazhdonin dhe e bënin punën e tyre çiltas, zyrtarisht dhe ... vazhdonin e botonin tekstet e rinj me ideologji të vjetër ! Por, me që paralelizma e ime këtë herë ka si objektiv armikun e maskuar, unë do të merrem me ideologjinë komuniste e cila bartej nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (botim i vitit 1980).
Në Parathënien e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe botim i vitit 1980, pa u ndalur fare në propagandën e hapur partiake që bëhet atje, ndalemi tek një nocion që jepet e përsëritet ... " Duke u mbështetur në konceptin materialist e historik për gjuhën si dukurí shoqërore dhe duke e parë fjalën si njësi themelore të saj, ky fjalor niset e përshkohet nga një vlerësim i ri teorik i normës gjuhësore". Më tej vazhdon e theksohet se " Shpjegimet e vlerësimet e fjalëve e të shprehjeve mbështeten në ideologjinë proletare, marksiste-leniniste, në pozitat e shoqërisë sonë socialiste ". E për t’a mbyllur me parathënien nuk rri dot pa e vënë në dukje pohimin ... " do të jetë një (fjalori-shënim i M.K.) mjet i ri me rreze të gjerë veprimi ... për të thelluar punën me gjuhën në shkollën tonë ... ". Është krejtë i dukshëm qëllimi se si fjalori në fjalë do t’a përçonte ideologjinë e partisë në shkolla pra, gjuhë sido që e cunguar, por ideologji ... e plotë !
Mbështetur në këto konsiderata, marrim tashti e analizojmë terma të veçantë ose njësi frazeologjike të fjalorit që kundrojmë krahasuar me fjalorë shpjegues dhe me autoritet shkencor të huaj, krahasim i cili do të na bëjë pastaj të deduktojmë edhe përfundimet logjike shkencore.
E fillojmë me si e shpjegon Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i vitit 1980 (F.Gj.S.Sh.-‘80) termin KOMUNIZËM – 1 Rendi ekonomiko-shoqëror më i lartë, që vjen pas kapitalizmit, pas fitores së revolucionit proletar dhe vendosjes së diktaturës së proletariatit, ku sundon plotësisht prona e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe ku është zhdukur shfrytëzimi i njeriut prej njeriut dhe shtypja kombëtare; faza e dytë, faza më e lartë e këtij rendi (pas ndërtimit të plotë të socializmit), ku nuk ka më klasa e ku sundon tërësisht prona e gjithë popullit mbi mjetet e prodhimit, ku marrëdhënjet në prodhim, forcat prodhuese e ndërgjegja e njerëzve arrin një zhvillim shumë të lartë, ku sigurohet barazia e plotë shoqërore e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, zhduken dallimet thelbësore ndërmjet qytetit e fshatit, ndërmjet punës fizike e punës mendore dhe ku vepron parimi "secili sipas aftësive, secilit sipas nevojave. Ndërtuesit e komunizmit. Faza e parë e komunizmit është socializmi. Shkojmë drejt komunizmit.
Sipas Websters New Dictionary (W.N.D.) nocioni komunizëm shpjegohet si vijon : communism – Rendi shoqëror në të cilin prona private është zhdukur dhe të gjitha sendet janë të përbashkëta.
Ndërsa Longman Dictionary of American English (L.D.A.E.) jep shpjegimin : communism – Një sistem politik në të cilin qeveria kontrollon të gjithë prodhimin e ushqimeve dhe të mirave materiale në mungesën e pronës private.
Kurse sipas Scribner-Bantam English Dictionary (S.B.E.D.) përcaktimi bëhet : communism – 1 Teori ose sistem ku e gjithë prona përfshirë industria është pronë e gjithë popullit dhe kontrollohet në emrin e tij nga një sistem qeverisje totalitar nëpërmjet një partie të vetme. 2 Lëvizje politike për vendosjen e komunizmit.
A ka nevojë për koment krahasimi i përcaktimeve që i bën nga njera anë nocionit komunizëm F.Gj.S.SH.-‘80 e nga ana tjetër si e përcaktojnë të njejtin nocion tre fjalorë autoritarë të gjuhës angleze ? F.Gj.S.SH.-‘80 del nga kuadri i shpjegimit leksikologjik të termit komunizëm dhe bëhet një propagandist skajshmërisht tendencioz dhe i politizuar. Kurse që të tre fjalorët perëndimorë, duke qëndruar brënda kufinjëve rigorozisht shkencorë leksikologjikë, japin përkufizimin e termit komunizëm pa as më të voglën prirje propagande politike.
E vazhdojmë me si e shpjegon F.Gj.S.SH.-80 fjalën FILANTROPÍ - Ndihma materiale që u jepet në vëndet borgjeze të varfërve nga të pasurit sa për sy e faqe; mirëbërësí borgjeze që ul e poshtëron dinjitetin e njeriut.
Kurse (W.N.D.) fjalën philanthropy e shpjegon – Dashuri për njerëzimin, posaçërisht siç manifestohet në shërbimet e agjensive që shpërndajnë ndihma për të skamurit.
Ndërsa tek (L.D.A.E.) fjala philanthropy përcaktohet – Praktika e dhënjes parave si edhe ndihme njerëzve nevojtarë.
Vazhdojmë me (S.B.E.D.) i cili e përkufizon fjalën philanthropy – Dashuri për njerëzimin; dëshirë për të ndihmuar njerëzit, veçanërisht me akte bamirësíe; 2 akte filantropike.
Edhe kësaj radhe është për të ardhur keq sa tendencioz është shpjegimi që jep F.Gj.S.SH.-‘80 Duket qartë se si ky fjalor del nga kuadri i përcaktimit normativ të detyrës së tij dhe kthehet në një zëdhënës i drejtorisë të agjit-propit të K.Q.të Partisë.
Pa dashur t’a mërzis lexuesin, përkundrazi, por me të vetmin qëllim që ai të më kuptojë drejtë e të më ndjekë në vazhdim me bindje të plotë në deduksionet që do të bëj, jam i detyruar të argumentoj se shëmbujt e sjellë më sipër nuk janë rastësí por metodë e ndjekur përgjatë hartimit të fjalorit nga gjuhëtarët bashkëpunëtorë të Profesor Androkli Kostallarit.
Në vijim po ndalemi se si e shpjegon F.Gj.S.SH.-‘80 termin ELITË – Pjesa më e lartë dhe e privilegjuar e klasave, e shtresave, a e grupeve shoqërore sunduese në vendet borgjeze e revizioniste përkundrejt klasave e shtresave të shtypura dhe njerëzve të thjeshtë; pjesa më e mirë e më e zgjedhur e një tërësie.
Shqyrtojmë tashti si e përkufizojnë termin ELITË fjalorët shkencorë perëndimorë :
W.N.D. shprehet ... Pjesë e zgjedhur; grup parësor.
L.D.A.E. e përkufizon ... Grup i kufizuar njerëzish të plotfuqishëm ose të rëndësishëm sepse janë të pasur, kanë njohuri, dhuntí të veçanta, etj.
S.B.E.D. prononcohet ... Pjesa më e mirë ose më e zgjedhur e shoqërisë ose e profesionit.
Duke bërë krahasimet përkatëse besoj se lexuesi dora dorës po e shikon qartë se Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i vitit 1980 nga një vepër e cila duhej të kishte peshën e një vepre të themeltë shkencore në fushën e gjuhësisë tonë kombëtare, përkundrazi ka qenë ndërtuar si një mjet ordiner bartës ideologjije !
Vazhdojmë edhe me ndonjë shëmbull tjetër e pastaj paraqesim konsideratat dhe vlerësimet tona.
Marrim në vazhdim në analizë termin FEJA, fillimisht sipas F.Gj.S.SH.-‘80 : Besimi i verbër se gjithçka në botë përcaktohet e drejtohet gjoja nga forca të mbinatyrshme, hyjnore, i cili ka lindur qysh në kohë shumë të hershme dhe është i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor, materialist; tërësi dogmash që japin një botëkuptim fund e krye idealisht e reaksionar, i cili është armik i betuar i përparimit e i shkencës, dhe përdoret nga klasat sunduese për të mashtruar e për të nënshtruar masat punonjëse.
Shikojmë tashti se si trajtohet ky term nga fjalorët e tjerë :
W.N.D. shprehet : Besim në Zot, pranim i Zotit ose Zotërve, lidhur me ndjenjat dhe moralitetin ndaj tyre; ceremoni ose adhurime.
Sipas L.D.A.E. Besim në një ose më shumë Zota si edhe veprimtaritë e lidhura me këtë besim, ose një sistem i posaçëm besimi : studimi i fesë / feja Muslimane.
Kurse S.B.E.D. jep përkufizimin 1 Çdo sistem besimi dhe adhurimi i mbështetur në Apokalipsin dhe besimin; 2 çfaqja e jashtme e veprimtarive të jetës me të cilat njerëzit tregojnë njohjen nga ana e tyre e besimit në Zotin ose Zotërit; 3 konformimi ndaj mësimeve të besimit fetar – sinonim me përvuejtshmërinë, besimin, mëshirën, adhurimin.
Besoj se ësht’e tepërt të analizojmë krahasimisht përkufizimin politik ateist (mosbesues në Zotin – M.K.) të F.Gj.S.SH.-‘80 si edhe propagandën q’e përshkon atë përkufizim, krahasuar me asnjanësinë me të cilën jepet nga fjalorët e tjerë përkufizimi leksikologjik i të njejtit term. Fryma partiake e përkufizimeve tek F.Gj.S.SH.-‘80 është aq e dukëshme sa që çdo krahasim i shkruar nuk do t’a forconte këtë realitet !
Për kategorin’e lexuesve që do të mjaftohen me kaq thellim sa është paraqitur, po u jap fund qëmtimeve krahasuese ndërmjet F.Gj.S.SH.-‘80 si edhe tre fjalorëve të tjerë. Për ata që do të dëshironin t’a thellonim qëmtimin krahasues, do t’u rekomandoja jo vetëm fjalorët e cituar nga unë, por t’u referoheshin edhe fjalorëve të tjerë autoritarë, me të cilët unë jam konsultuar por, për të mos t’a futur këtë analizë karakteri publicistik në hullín’e një studimi të mirëfilltë, i kam anashkaluar si p.sh. Il Nuovo Zingarelli, Vocabolario della Lingua Italiana, Langenscheidt Grosswörtebücher si edhe Oxford English Dictionary.
Mbështetur në të dhënat e qëmtuara si edhe të analizuara krahasimisht, logjika racionale na çon në përfundimin se që nga viti 1991 e deri në vitin 1997, kur ajo e djathtë, aq e djathtë sa ishte, u përmbys me dhunë, nuk ka patur dekomunistizim të shoqërisë shqiptare. Jo. Jo vetëm kjo, por nga ana tjetër themeli i gjuhës së njësuar, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, botim i vitit 1980, vazhdonte dhe e bënte punën e tij përçuese të ideologjisë komuniste krejtë në mënyrë të padukëshme ! Me këtë rast i a rikujtoj lexuesit një kalim nga parathënja e F.Gj.S.Sh.-’80 ku për vetë fjalorin thuhet : ... " do të jetë një mjet i ri me rreze të gjerë veprimi ... për të thelluar punën me gjuhën në shkollën tonë ... ". Dhe në fakt ky fjalor vazhdonte dhe e bënte punën e tij intoksikuese – helmuese siç i ka pasë qenë ngarkuar nga partia edhe nëpërmjet ish atij ministrit të Arësimit të kohës diktaturës të cilit, i u dha mundësia të punonte akoma më me kompetenca të gjera mbas vitit 1991 !
Mirëpo përgjatë periudhës 1991–1997 thirrjet dekomunistizuese ishin më të besueshme sepse edhe vetë shumica e popullit besonte në to. Me ardhjen e së majtës në krye të pushtetit, udhëheqja duhej të vazhdonte e të propagandonte dekomunistizimin e vëndit, por ishte e vetëdijëshme se nuk e gëzonte më aq bindshëm besimin popullor në këtë veprim dhe prandaj duhej t’i merrte masat që t’i zbuste këndet e mprehtë. Si të vepronte? Bartësi i ideologjisë komuniste ishte vetë F.Gj.S.Sh.-’80, prandaj ky duhej ripunuar së paku nga ana formale. Mirëpo ky ripunim duhej bërë patjetër nga njerëz të besuar të vetë ideologjisë që ai fjalor mbarte. Si u gjet zgjidhja ? Njësoj si zgjidhjet në udhëheqjen politike ! Partia kishte qenë dikur Parti Komuniste Shqiptare e në vazhdim, për interesa propagandistike të diktatorit, ajo u ripagëzua Partia e Punës e Shqipërisë. Në vazhdim, me shkërmoqjen e diktaturës veç kur po kjo parti, me po atë efektiv dhe me po ata deputetë në Parlament, u ripagëzua Partia Socialiste Shqiptare dhe deputetët u vetëquajtën deputetë socialistë ! E të gjitha këto veprime jashtëkushtetuese u bënë pa u kërkuar që ministria e Punëve të Brëndëshme t’a njihte një kërkesë eventuale nga një numur i caktuar deputetësh për të krijuar një parti të re, pa le më që për këtë parti zgjedhja e deputetëve duhej të bëhej kur të bëheshin zgjedhjet e reja !
Po kjo taktikë u ndoq edhe në hartimin e F.Gj.S.Sh. të vitit 2002. Në hartimin e F.Gj.S.Sh.-’80 bashkëpunëtorët më të ngushtë të A.Kostallarit kishin qenë profesorët Jani Thomai, Miço Samara, Emil Lafe e të tjerë. Në hartimin e këtij fjalori. (F.Gj.S.SH.-’02) prap në krye të grupit udhëhoqën shokët Jani Thomai e Miço Samara, ndërsa shoku Emil Lafe nga ekranet televizive vazhdonte dhe propagandonte Gjuhën e Njësuar si kulmi i arritjeve shkencore në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë !(?)
Po në parathënjen e këtij botimi të dytë çfarë bije dukshëm në sy ? Ndiqmëni, ju lutem : "Ky ripunim është bërë duke u mbështetur në po ato parime e kritere themelore që kanë shërbyer për hartimin e tij në botimin e parë " (F.Gj.S.Sh.-’80 – M.K.). Pra, themeli i fjalorit të botimit të parë deklarohet se nuk është prekur. Në vazhdim, me gjuhë dy tehesh prerëse, pohohet edhe : "Janë përmirësuar shpjegime ose përkufizime fjalësh e termash duke i shkarkuar ato nga ngarkesa të panevojshme ose me karakter politizues etj., ndërsa leksiku fetar është rivlerësuar e trajtuar në përputhje me të drejtën dhe lirinë e besimit që egziston sot në vëndin tonë ... Janë harruar një pjesë e vogël njësish leksiko – semantike e frazeologjike ".
Me pak fjalë, në botimin e fjalorit të ripunuar, metodë themelore është përdorur po ajo e përdorur gjatë hartimit të fjalorit të vitit 1980, (e theksojnë vetë ripunuesit, po ata hartues të fjalorit të parë). Ka se si të shprehet më qartë vijueshmëria e përçimit të ideologjisë komuniste bartur nga fjalori i botimit të parë në atë të botimit të dytë ? Kjo vërteton edhe një herë se, trungu i gjuhës shqipe që sëpata politike e partisë e ndau më dysh, do të vazhdonte t’a ruante atë trajtë : nuk kishte diskutim : trung i cunguar ! Mirëpo me daljen e fjalorit të gjuhëtarit Mehmet Elezi shpresojmë se ai dhunim do të ristudjohet dhe Gjuha Shqipe aq e bukur dhe aq e pasur do t’a rimarrë pamjen e saj të vërtetë. I nderuar lexues, besoj se çdo koment do t’a zbehte vërtetësínë e cila vezullon krejt’e qartë nga vetë pohimet e hartuesve !
Përfundimi që dua të nxjerr ? Periudha që nga shkërmoqja e diktaturës e deri më sot, e cila vazhdon e quhet periudhë tranzicioni, është m’e gjata e krahasuar me instaurimin, lulëzimin si edhe rënjen e secilës prej diktaturave qoft’ajo hitleriane apo mussoliniane ! Pse kjo pamje ? Sepse daç në Gjermani e gjithashtu edhe në Itali, u zbatuan metoda thelbësisht të drejta për denazifikimin si edhe defashistizimin e vëndeve përkatëse. Në asnjerin prej këtyre shteteve nuk pati vazhdimësí të përçimit, në gjakun e brezave të rinj të ideologjive, regjimet politike të të cilëve tashmë ishin përmbysur përfundimisht ! Kurse në Shqipërin’e mbas 1990-ës vihet re se, së paku deri më sot :
Çelja e dosjeve, është përdorur veç si trysní psikologjike e shantazh politik.
Dekomunistizimi, s’është asgjë tjetër veçse propagandë e hi syve perëndimit.
Gjuha e njësuar si edhe mënyra e trajtimit të historisë, mjete përçuese të një ideologjie tashmë të dështuar.
Në përmbyllje – Shikuar kalimthi problemet e gërshetuar përgjatë kësaj analize, duket sikur janë shirë në të njëjtën lëmë dhe njëkohësisht, tre prodhime të ndryshëm. Jo, i nderuar lexues. Në fakt asnjeri problem nuk është trajtuar as në gjerësinë e shtrirjes pa le në thellësinë që i takon. Ata probleme janë trajtuar aq sa të dalim tek emëruesi i përbashkët se problem themelor dhe i vetëm që Shqipëria të dalë tashmë nga ky tranzicion i tejzgjatur është dekomunistizimi thelbësor i vëndit ! Kjo pak, por e sigurtë !
Ne sot po flirtojmë me vëndet që ishin radhitur në bllokun antikomunist të NATO-s dhe po duam me këmbëngulje të krahas-radhitemi me ta, por ... duke vazhduar të udhëhiqemi nga nënvetëdija e jonë ish komuniste ! Edhe kjo pak, por e sigurtë !
Prandaj, që të marrë fund një her’e mirë ky tranzicion i pambarim, guri i themelit është dekomunistizimi real dhe jo butaforik i politikës shqiptare si edhe i gjithë vëndit ! Për t’a realizuar këtë pikësynim duhet jo vetëm folur e folur pa fund por edhe vepruar. Po aq rëndësi sa ka heqja e politikanëve me dosje nga politika, ka edhe zëvëndësimi i politikanëve, tashmë objekte muzeale në udhëheqje, me gjak të ri. E po kaq rëndësi ka edhe përzgjedhja e kandidatëve për drejtues të administratave lokale. E ne kemi 18 vite që veç këto parime demokratike nuk po i zbatojmë ! Ka thuajse dy dhjetvjeçarë që sipas ngjyrës së kreut të dikasterit ... ashtu ndërrohet e zëvëndësohet edhe stafi që nga kreu e deri tek portieri !
Tashti vijmë edhe tek pika përse u trajtua krahas dosjeve të sigurimit e dekomunistizimit edhe Gjuha e Njësuar. Përgjatë 47 viteve të diktaturës, tekstet shkollore kanë qenë hartuar nga njerëz të udhëhequr nga parimi politik i ideologjisë partisë. E pra nuk ka absolutisht të ngjarë që të bëhet dekomunistizimi i vëndit nga një rini e cila vazhdon e mëkohet me materialet e teksteve të hartuara, daç nga historianë e gjithashtu nga gjuhëtarë, që hartuan tekstet e kohës diktaturës ! Edhe kjo pak, por e sigurtë ! Prandaj, hartimi i teksteve të reja shkollore duhet t’u besohet autorëve shkencërisht të përgatitur dhe të edukuar me norma demokratike të mirëfillta ndër universitetet perëndimore. Këta do të jenë njerëzit që do t’a sjellin frymën e atyre institucioneve, me tradita të lashta demokratike, në vëndin tonë ! E këta njerëz tashmë nuk numërohen më as me gishtat e njerës apo të dyja duarve. Por këta duhen afruar e jo të lihen në fatin e tyre ku një pjes’e tyre po tregohen personalitete shkencore në shtetet ku punojnë ! Mbajtja larg atdheut e kësaj kategorie nga ana e politikanëve tanë, mes radhëve të të cilëve ka të diplomuar në shkenca politike, administratë shtetërore, jurisprudencë, etj. etj., e shtyn në kalendat greke dekomunistizimin e vëndit. Edhe kjo pak, por e sigurtë !