Editorial
Engjëll Koliqi: Përtej syzave
E hene, 28.07.2008, 07:16 PM
Përtej syzave
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Jo vetëm për të thënë, por janë shumë e shumë argumente që sheshojnë të gjitha dukuritë e kësaj bote – me të gjitha të bërat e të pabërat, me të gjitha të larat e të palarat. Që të gjitha – kudo – andej e këndej, historia i mbledh dhe i shkruan në faqet e saj. Dhe, kurdoherë gjithçka mund të shihet e të hetohet. Mirëpo, ajo që duam ta shqyrtojmë këtu bashkë, është një fakt paksa i çuditshëm, por gjithnjë i vërtetë: botën me të gjitha dukuritë e saj, nuk i shohim gjithnjë me sytë tanë. Në të shumtën e rasteve gjërat dhe dukuritë e kësaj bote mund t'i shohim vetëm me syza. Dhe, kur shohim me syza të caktuara – tjera gjëra e dukuri shohim këndej syzave dhe krejtësisht të tjera na dalin andej syzave. Duke dashur të jem sa më konkret lidhur me këto fakte, jam munduar të bëj prova dhe të vij në mesin tuaj me disa prova konkrete.
1. Këndej syzave shoh grupe njerëzish me rekuizite përafërsisht të njëjta – kryesisht me ngjyra varfërie. Lëvizjet e grupeve janë shumë të ngadalshme dhe në të gjitha rastet kanë një lider, një që ia bën ligjet grupit dhe e udhëheq në të gjitha lëvizjet. Pothuajse gjithmonë ato grupe janë të njëjta dhe sillen e pështillen në të njëjtin qark. Garë kryesore ndërmjet tyre – medet, ende vazhdon të jetë mashtrimi. Me shumicë ndërmjet grupeve dëgjohen e sheshohen edhe përralla ndër më naivet, madje edhe shumë shpifje.
Në ndërkohë, andej syzave shihen grupe më të vogla dhe individë, gjithnjë në lëvizje. Secili grup dhe secili individ, gjithnjë e më shumë i shpejtojnë lëvizjet – gjithëherë me formulën e punës dhe me motive pune. Garat ndërmjet grupeve dhe ndërmjet individëve, andej janë të një natyre tjetër – kush po punon më shumë dhe kush po radhitë më shumë suksese profesionale.
2. Këndej syzave ende shoh mbeturina mesjetare. Njerëz të tjetërsuar sillen e pështillen, pa gjetur rrugëdalje, sepse – mjerisht, kanë shitur gjithçka nga vetja e tyre përfshirë edhe identitetin, për një grusht para, duke u vënë kështu në shërbim të atyre që i kanë tjetërsuar. Duke iu shërbyer padronëve, që as nuk i njohin, të humbur nga identiteti dhe origjinaliteti i tyre, bëhen gjithnjë e më agresivë, sa që herë-herë duken me pamje terroristike. Mjerisht, duke u shërbyer padronëve të largët, që kurrë nuk i kanë parë as nuk i shohin dot, përfundojnë aq keq, sa që nuk e njohin më as veten e tyre.
Në ndërkohë, andej syzave shoh një pamje krejt tjetër. Njerëz që ecin rrugës së identitetit të tyre të vëretetë, me fytyra gjithnjë të qeshura. Shohim njerëz, që duke kryer detyrat dhe punët e veta, njëkohësisht ndihmojnë edhe të tjerët. Njerëzit andej e mbajnë dhe e ruajnë të paprekshëm identitetin e tyre, duke respektuar e nderuar njëkohësisht edhe identitetin e të tjerëve. Ajo që është më kryesorja dhe më e vlefshmja, njerëzit që shoh andej syzave, në çastet kur mund të ndihmojnë njeriun nevojtar, gjithmonë ndjehen të gëzuar dhe shumë të kënaqur.
3. Këndej syzave shoh grupe të mëdha njerëzish, të kapur dorëpërdore, duke u sjellur e pështjellur në vargje të gjata, në të ashtuquajturat valle festive, pa ditur saktësisht se pse vallëzojnë e çka festojnë. Sillen e pështillen grupe njerëzish në vallet e tyre, me një ritëm të huajin, që kurrë s'e kuptojnë as nuk mund ta mbajnë. Gjatë vallëzimit, ata mundohen edhe të këndojnë, e duke shqiptuar – me gjysmë zëri – fjalë e fraza, të cilat as vetë nuk i kuptojnë. Madje, ata që prodhojnë tinguj dhe ritmet e huaja, me të cilat vallëzojnë – njerëzit e shkretë, që më duken edhe të varfër në kokë, edhe i paguajnë – vetëm e vetëm për t'ua përmendue emrin, që në të shumtën e rasteve – në të vërtetë – nuk është emri i tyre origjinal. Kur absurdi kalon çdo kufi, ata fillojnë t'u këndojnë lavdi atyre festave dhe të mburren që vallëzojnë e këndojnë me tinguj e me ritme të huaja, sipas një të ashtuquajture muzikë, që nuk është asgjë tjetër, pos një zhurmë që shkakton kokëdhembje dhe telashe. Në çaste të tilla më vjen në mendje fjala popullore: "Mos u bëfsh të të qajë Stambolli"!
Ndërkohë, andej syzave seç shihen festat e vërteta. Plot festa. Një gëzim i papërshkrueshëm. Valle të kënduara, shumëngjyrëshe. Gjatë rrjedhjes së valleve, më bëhej se po vijnë e po shkojnë ylberë të bukur, pandërprerë. Andej syzave, madje shihen edhe plot festa të përziera – me këngë e valle të përbashkëta. Sa e këndshme harmonia e ngjyrave dhe e këngëve festive. Kudo fytyra të qeshura e të gëzuara. Andej shoh vlera të mirëfillta kulturore, që përcaktojnë identitete dhe origjinalitete të njerëzve dhe të kombeve.
Për një çast i hoqa syzat, i mbylla sytë dhe fillova të mendoj e të meditoj shumë seriozisht. Vetëmevete thashë: - Pse o Zot – këndej syzave ende terr dhe njerëz të humbur, që ende vazhdojnë të sillen e të pështillen labirintheve të kohës, pa ditur kah shkojnë, as çka duan dhe pa e njohur ende vetëveten e tyre, pa ditur se çfarë identiteti në të vërtetë kanë?! Pse – thashë – o Zot, këndej syzave ende më sillen njerëz të tjetësuar, që mjerisht ende kanë mbetur jashtë identitetit të tyre origjinal?! Pse – thashë – o Zot, andej gjithçka duket ndryshe?! Gjithandej njerëzit në lëvizje të koordimuara – rrugëve mirë të përcaktuara.
Në fund fare, pa i humbur shpresat, as optimizmin, e bëj një lutje vendimtare: - O Zot na e rikthe origjinalitetin dhe identitetin tonë të vërtetë! Na i rikthe këngët dhe vallet tona origjinale dhe na ndihmo ta marrim e ta mbajmë, të sigurtë, udhën andej – përtej syzave, bashkë me të gjithë njerëzit e botës e të kyçemi në festimet e përbashkëta, pa e humbur kurrë origjinalitetin e identitetin tonë! Ashtu qoftë!