E merkure, 11.12.2024, 08:52 AM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Tej kufinjëve të stinës

E enjte, 03.07.2008, 07:35 PM


Engjëll Koliqi
Tej kufinjëve të stinës

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Me porosinë e trashëguar nga gjyshërit kam mbajtur gjithmonë hapin me kohën. "Koha ime nuk guxon të kohosh pa mua" – thoshte Babëgjyshi. "Koha jonë nuk guxon të kohosh pa ne" – thoshte Babëloku. Le të mbahen këto porosi, si moto e rend jete – gjeneratë mbas gjenerate – në të gjithë shekujt, deri në amshim  - na thanë gjyshërit, edhe në çastet e fundit të pranisë së tyre fizike në këtë botë.

Për këtë e kam dëshmitar edhe më të madhin poet – Azem Shkrelin, i cili shumë herët iku nga kjo botë, për t'iu bashkuar korit të gjyshërve, me këto porosi jetike, në botën e amshuar. Edhe Azemi ynë, kudo dhe kurdo që mundej, si me kushtrim bërtiste: "Koha ime nuk guxon të kalosh pa mua"! Ishim bashkë,  njëherë moti, në Tempullin e Shkollës së Parë Shqipe të Kosovës – në Stubllën Time Krenare, kur i Madhi Azem Shkreli ia tërhiqte vërejtjen kohës sonë, që të mos kohojë pa ne, respektivisht kohës së Tij, që të mos kohojë pa te. Mbas britmës së Tij – kushtrim, si me shaka e pyeta:

- Baca Azem, po nëse ne plakemi e s'e mbajmë dot hapin dhe koha jonë na parakalon e ikën, ç'duhet të bëjmë?

Siç reagonte pothuajse gjithmonë, kryepoeti kosovar, buzagaz, m'u përgjigj:

"Jo biri im, pleqëria nuk na pengon dot ta mbajmë hapin me kohën. Ritmi i kohës sonë është konform ritmit të jetës dhe respekton gjithmonë – edhe moshën, edhe fuqinë intelektuale, edhe rrethanat që na imponohen. Ne duhet ta mbajmë hapin konform rrethanave dhe dukurive që na imponohen e të mos e lejojmë kohën tonë të ikën pa ne, respektivisht të mos e lejojmë kohën tonë të kohojë pa ne. Nëse koha, me rrethanat historike e jetësore na imponon ne – edhe në pleqëri duhet përshpejtuar hapat, sepse kohimi i kohës sonë pa ne, respektivisht ikja e kohës sonë pa ne, do të ishte fundi ynë dhe fshirja e historisë sonë nga kjo botë interesesh, që ndërron nëpër minuta, e madje edhe nëpër sekonda. Pra biri im, sidoqoftë dhe kudo qofshim ne – në të gjitha stinët – hapin dhe ritmin e jetës duhet t'ia përshtatsim kohës dhe dinamizmit të rrethanave jetësore, nëpër periudhat historike që na përcjellin. Nuk guxojmë të kufizohemi brenda stinëve, respektivisht brenda moshave. Si i riu, si plaku duhet mbajtur hapin në dinamizmin e ngjarjeve dhe të rrethanave të kohës. Si në pranverë e verë, poashtu edhe në vjeshtë e në dimër, ne duhet mbajtur hapin konform marshimit të kohës sonë në histori dhe duhet luajtur mirë e pastër në vallen e rrethanave dhe të dukurive jetësore, që na imponohen dhe na përcjellin në histori, gjatë gjithë jetës".

I bindur se në një masë të madhe e kuptova porosinë e Bacës Azem, që në të vërtetë është edhe porosia e gjyshërve tanë, që atëherë fillova të jem shumë i kujdesshëm në mbajtjen e hapit me kohën tonë dhe të ritmit të valles, konform rrethanave e dukurive në periudha të ndryshme të historisë sonë.

Me gjuhën e gjyshërve dhe me zërin e thekshëm, si të Bacë Azemit, çdo ditë bërtas e thërras: - Koha ime nuk guxoin të kohosh pa mua, respektivisht – koha jonë nuk guxon të kohosh pa ne! E mbaj edhe vetë hapin. Duke nderuar këtë porosi të gjyshërve, i thërras të gjithë arbërorët dhe mbarë farën njerëzore, që të mos e lejojnë ikjen e kohës kot dhe që të jenë gjithmonë në funksion të jetës, me të gjtha vlerat njerëzore, pa u shmangur kurrë nga normat e dashurisë. I thërras të gjithë, të jenë të pranishëm dhe funksionalë në vallen e dashurisë, që me fuqi mrekullie do e ndërrojë këtë botë. Le të jemi të gjithë në valle, të gjithë në lëvizje, të gjithë në funksion të detyrës historike – të ndërrimit të botës me dashuri, pa dallime në moshë, në farë, në racë, as në kohë. Nuk do njohim kurrëfarë kufinjsh as kufizimesh, në kohë as në stinë. Fëmijë e të rinj, moshatarë të pjekur e pleq – të gjithë tok – femra e mëshkuj, ta mbajmë hapin në marshim me kohën tonë dhe ritmin e dashurisë, në vallen e mrekullueshme që do ta ndërrojë këtë botë. Kurrë, akush nuk mund të na ndalojë as të na disorientojë në udhëtimin tonë historik, madje as udhëkryqeve t'intereseve. Interesi ynë është i përbashkët dhe tashpërtash një i vetëm: interesi i dashurisë së mirëfilltë njerëzore. Le ta mbajmë dhe ta realizojmë bashkërisht, sepse tjetër rrugëdalje nuk kemi, për t'i parë të kurorëzuara sukseset tona jetësore. Kështu e kemi të garantuar: jemi ne  drejtues në fronin mbretëror univerzal, zbatues të kushtetutës së dashurisë, në të gjitha stinët dhe në të gjitha botërat – në mbarë gjithësinë – pa kufizime. Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora