E marte, 03.12.2024, 03:18 AM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Vraga e verbër që la nga pas diktatura...

E enjte, 10.07.2008, 07:00 PM


Mërgim Korça
Vraga e verbër që la nga pas diktatura,

si edhe disa konsiderata rreth Prof. Arben Putos.
 
(Thjeshtë nisur nga si mendon edhe shprehet publikisht profesori)

Shkruar nga: Mërgim Korça

Lexova me vëmëndje të madhe dy shkrime të profesor Arben Putos, botuar në shtypin shqiptar, me shënimin se ishin pjesë të marra nga vëllimi i tij i ri me studime historike që pritet të dalë nga shtypi. Nisur nga fakti se autori i tyre ka qenë një personalitet me emër mes plejadës historianëve që lavdín’ e tyre shkencore e patën përgjatë diktaturës komuniste, doemos jo pa kërshërí nxitova të lexoja se si do të pozicionohej prof. Putua sot, kur në mes të menduarit dhe të paraqitjes së mendimit, nuk ka përse të ketë mospërputhje. E theksoj këtë moment sepse përgjatë diktaturës, mbase edhe profesori në fjalë e dyzonte personalitetin e tij mes të menduarit edhe të shkruarit, e kësisoji, duke mos i ditur rezervat e tija, studentët e tij si edhe publiku i gjerë kanë pasë marrë vesh vetëm ato që, sipas shkallës karakterit edhe personalitetit të tij, profesor Putua i deklamonte ose publikonte. Për këtë, deri në një farë mase, edhe mund të justifikohet. Mirëpo për fat të keq, edhe në kushtet bashkëkohore, kur brezat e rinj të studjuesve e kanë lirinë t’i qëmtojnë faktet mes dokumentash që përgjatë diktaturës mbaheshin të kyçur në fonde të ndaluar arkivash ku lejoheshin vetëm profesor Putua me ndonjë tjetër besnik të partisë të kishin akses, vemë re se profesori në fjalë vazhdon dhe ecën përgjatë brazdës të interpretimit të fakteve njëzëshëm me të dikurëshmen vijë të partisë. Kjo na detyron të ndalemi se kështu tërhiqen nga pas edhe studjuesit e rinj ! Pikërisht ky moment na bën të dëshprohem e doemos edhe t’a ndjej me vënd edhe t’a analizojmë.

Sa për një paralelizëm mes dy shkencave, asaj historike si edhe asaj të drejtësisë, fusha këto të specialitetit të profesor Putos, të cilat sa kohë që qëndrojnë në brazdat e tyre shkencore janë shumë sinkrone kurse sapo fillon e trazohet politika me historinë dalim tek thënja madhore por djallëzore e Andrey Vyshinsky-t i cili, duke i'u referuar një maksime të Mark Twain-it e citonte dëndur dhe me mburrje si sukses të politikës sovjetike : … Më së pari duhen mbledhur faktet e këta pastaj i paraqesim dhe i shfytyrojmë si të duam ! Dhe e ndjej kënaqësinë t’ia bëj të ditur lexuesit i cili nuk e ka këtë informacion, (ndërsa profesor Putua e di shumë mirë), se Vyshinsky ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik në vitet e krimeve të mëdha staliniane 1936 – 1938, e në vazhdim pastaj edhe ministër i Punëve të Jashtme të B.S.

E ndjej për detyrë t’a theksoj që në krye se etika e analizës së pa asnjë mllef, përkundrazi skajshëm objektive, më bën që me keqardhje të madhe të detyrohem të ve në dukje se shtysa e këtyre radhëve është keqardhja që ndjej se si studjuesve të rinj të fushës së historisë nuk po u shërbehen metodat shkencore objektive dhe të mbështetura në drejtësi dhe pa asnjë ndikim pikëpamjesh politike, por profesorët si A.Puto me shokë po ndikojnë negativisht në këtë drejtim. Me që sot mora vetëm shkas nga dy shkrimet e profesor Putos dhe nuk do të ndalem rreth tyre e t’i analizoj, gjë që mbase në të ardhmen do të kem rastin t’a bëj kur të kem në dorë veprën e tij të plotë të botuar, por thjeshtë nga këndvështrimi i etikës si edhe drejtësisë rigorozisht shkencore, dua të ve në dukje se profesor A.Putua na fut sot, mbas thuajse dy dhjetëvjeçarësh shkundje nga metodologjía marksiste-leniniste, së rishmi në atë hullí ku vetë guri i themelit ishte një tallje e trishtë me popullin ! Sistemi i atëhershëm, nga vetë udhëheqja e vëndit, qe emërtuar DIKTATURA E PROLETARIATIT. Po profesorati ç’qëndrim mbante ? Në veprat e tyre e konsideronin si kulmin e demokracisë !? Dhe unë shtroj pyetjen legjitime : A ka non sens më të madh se sa të vesh shënjën e barazimit mes termit DIKTATURË si edhe atij DEMOKRACI ? Veç dhuna e skajëshme e sistemit komunist ishte në gjëndje t’a përligjte, brënda kufinjëve gjeografikë të minuar e të rrethuar me tela me gjëmba, këtë barazim paradoksal ! Megjithatë, pa as më të voglën shtirje, sinqerisht këtë pozicionim nuk i a marr për bazë profesorit dhe mundohem t’i a justifikoj me ... konformizmin e tij ndaj vijës së partisë për hir të mirëqënjes edhe privilegjeve që i sillte ky konformizëm. Ndokush mund t’a quajë dobësí karakteri. Unë nuk i a kam vënë vetes detyrën që analizën, së pakut hë për hë, t’a shtrij në atë fushë. Jo, as fare. Problemin e kam tek ndikimi i kësaj kategorie profesorësh ndaj studjuesve të rinj dhe shembulli që ata u japin këtyre studjuesve.

Pikërisht në këtë çast, përpara se t’a filloj analizën, dua që lexuesin t’a informoj se bëj të pamundurën që të mos ndikohem e t’a paragjykoj profesor Arben Puton nga si edhe çfarë kanë shkruar ish shokët e tij, studentë të Gjimnazit të Tiranës, rreth qëndrimeve të tija skajshmërisht komuniste dhe të egra ndaj tyre veç të tregohej revolucionar i flaktë. Gjithashtu nga ana tjetër nuk i a lejoj vetes të ndikohem nga fryma se si i ka shkruar veprat e tija profesor Putua përgjatë diktaturës. Gjithashtu mundohem as mos t’a kujtoj dëshprimin e tij madhor tek u shpreh në ekranet televizive me rastin e vdekjes diktatorit Enver Hoxha. I saktësova këto që lexuesi të më kuptojë drejtë e gjithashtu edhe vetë profesor Arben Putua : Të kaluarën e tij as që dua t’a marr parasysh. Po t’a merrja parasysh, (e për këtë e kam plotësisht të drejtën), dua apo nuk dua unë, do të përdorja metoda të së kaluarës së turpëshme komuniste. Unë dua që jo vetëm lexuesin, por edhe vetë profesorin t’i bind se kriteret shkencore në analizat historike duhet të mbështeten në të vërtetat dhe vetëm të vërtetat. E këto të vërteta kurrë nuk mund të analizohen pa i njohur imtësisht e pastaj edhe të paraqiten rrethanat dhe situatat e kohës që merret në analizë !

Prandaj sot, në agun e shekullit të XXI-të, teksa profesori shprehet e zezë mbi të bardhë : Mund të merren me mend pasojat fatale që do të kishte e ardhmja e vendit sikur Shqipëria të kishte dalë nga lufta në krah të Fuqive fashiste. Argumentimi për "gjëndjen e luftës" me Shqipërinë ia dhanë Greqisë pikërisht "kuislingët" shqiptarë, ndjehem tejet i dëshpruar dhe marr shkas të ndërhyj.

E ftoj tashti lexuesin si edhe vetë profesorin e nderuar, t’a analizojmë së bashku këtë pohim dhe këtij pohimi t’ia bëjmë diseksjonin anatomik në përbërësit e tij.

a- Vetë Gjermania, humbësja e Luftës së Dytë Botërore, mos ishte nga krahu i fituesve të luftës ? Si shpjegohet atëbotë që mbas viteve 60-të, vetëm 15 vite që nga përfundimi i Luftës së II-të Botërore, (kur Gjermanisë më 9 maj 1945 nuk i kishte ngelur gur mbi gur e kur popullata aktive për punë ishte e grup-moshave deri 15 vjeçarë, se 15 e lart ishin mobilizuar në frontet e betejave, si edhe 60 vjeçarë e lart, që nuk merreshin më nën armë), nuk merrej më vesht se cilët kishin qenë fituesit e cilët humbësit e asaj lufte, lidhur me mirëqenjen si edhe përparimin ekonomik të vëndit ? Mos qenë ekonomitë e Britanisë së Madhe apo të Francës ato që filluan të shkëlqejnë të krahasuara me atë gjermanen, apo ndodhi e kundërta ?

b- Logjika e thjeshtë na çon atëhere t’a thellojmë pyetjen dhe pa as më të voglën insinuatë keqdashëse dhe shumë sinqerisht, të shtrojmë pyetjen tjetër se cila Gjermani pati përparim ekonomik të madh, të pakrahasueshëm, ajo që ishte vetë e radhitur me Fuqitë Fashiste, apo ajo që deshi s’deshi e lidhën pas lufte mbas qerres së Kampit Socialist ? E me këtë rast nuk qëndroj dot pa i a kujtuar lexuesit se Gjermania (e ashtuquajtur) Lindore, ishte vëndi të cilit Kampi Socialist i a krijonte përparësitë më të mëdha, doemos kjo për qëllime propagandistike !

c- E doemos pastaj për koherencë mendimi si edhe racionalitet gjykimi, natyrshëm na del përpara pyetja së cilës kërshërisht do të donim t’ia dëgjonim sqarimin, se nga nxirret përfundimi, i mbështetur ky në kritere shkencore se, të kishte dalë Shqipëria nga lufta në krah të Fuqive Fashiste, vëndi ynë do të kishte patur pasoja fatale ! Sa për t’i a kujtuar lexuesit si edhe vetë profesor Arbenit një zhvillim historik, unë shtroj retorikisht pyetjen se, mbas shkërmoqjes së diktaturës, për nga u drejtuan qindramijëra të ikurit nga ish parajsa socialiste ? Mos vallë prirja qe drejtë lindjes apo vendeve perëndimore ?

d- E tashti që kemi arritur deri në këtë pikë, nuk e kam të qartë edhe një zhvillim të fundit i cili ka të bëjë me pjesën e parë të pohimit të profesor Putos e që ka lidhje se me kë duhej të ishte lidhur Shqipëria për të mirën e saj ! Ata që u bënë kolaboracionistë, (sipas cilësorit që u mveshi partia komuniste), kjo e fundit nuk u mëdysh por pjesën më të madhe i pushkatoi si tradhëtarë, apo jo ? Kjo për pasojat fatale që do të kishte pësuar Shqipëria, sipas drejtimit që u kishin dhënë aleancave këta t’ashtuquajturit kolaboracionistë. Dakord, e pranojmë për një çast se përzgjedhja e tyre ishte në dëmin e vëndit e kësisoji që nga Fejzi Alizoti, Bahri Omari, Kol Tromara, gjeneral Aqif Përmeti, Beqir Valteri e Javer Hurshiti me shokë, e paguan përzgjedhjen e gabuar me kokat e tyre ! E theksoj këtë moment sepse jo vetëm atëhere, në vitet e para të marrjes pushtetit, por edhe sot profesor Putua ata vazhdon dhe i quan kolaboracionistë me kuptimin e keq të fjalës. Dhe unë shtoj, po për palën tjetër, me që konsiderohet fatlume përzgjedhja e aleancës kundra Fuqive Fashiste, ata që u bënë kok’e këmbë me idetë antifashiste duke filluar që nga ideologët e atij pozicionimi Zaj Fundua me gjithë Zef Malën, Sejfulla Malëshovën e Koço Tashkon me shokë, e duke vazhduar pastaj me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Dali Ndreun, Nexhip Vinçanin, Bedri Spahiun, Koçi Xoxin, Islam Radovickën, Kadri Hazbiun, Petrit Dumen, Riza Danin, Shefqet Bejën, Islam Radovickën, Sheh Karbunarën, profesor Gjergj Kokoshin e të gjithë vargun e pambarim të atyre që në vijim partia i quajti edhe ata tradhëtarë, ata pra që na orientuan me mish e me shpirt në kampin kundërshtar të Fuqive Fashiste, e pyes profesor Arbenin, ishin nisur ata t’i bënin mirë apo keq Shqipërisë ? E me që në fund ngeli vetëm diktatori Enver Hoxha i rrethuar ose nga më të papërfillëshmit e kohës së Luftës ose me kukulla – marioneta të reja, a kemi se ku t’a gjejmë përgjigjen se cilët e kishin më të drejtë pozicionimin e tyre politik në të mirën e Atdheut ? Po, këtu ka edhe një variant të tretë : po të mbrojë profesor Putua vijën politike të Enver Hoxhës e të pranojë se qe ajo q’e shpëtoi Shqipërinë nga pasojat fatale !(?)

e- Vazhdojmë dhe e mbyllim analizën me pohimin tjetër që na hedh dritë rreth faktit historik se Greqia gjëndjen e luftës me Shqipërinë e ka të mbështetur në argumentimin, shkakun e të cilit, sipas profesor Putos, i a dhanë kuislingët shqiptarë. Gjëja më e vogël që pritej normalisht nga profesor Putua sot, në kushtet e çfaqjes së mendimit të lirë, duhej të ishte që, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ai të hidhte dritë mbi të drejtën ose jo lidhur me qëndrimin e qeverisë greke në rastin konkret. Por profesori a priori e quan faj të kuislingëve shqiptarë pozicionimin grek ! Ky fakt nënkupton se nga ana historiko – juridike, gjithmonë sipas profesor Putos, se Greqia ka të drejtë ligjore të mbajë qëndrim lufte ndaj Shqipërisë e prandaj unë detyrohem të shtroj pyetjen : mbështetur në cilin kriter shkencor, një kategori politikanësh shqiptarë të cilësuar si kuislingë nga historiografia e periudhës diktaturës, vazhdon dhe cilësohet e tillë edhe sot pa asnjë analizë të mbështetur në kritere shkencore ? A nuk do të qe më bindëse në se profesori i nderuar të na e paraqiste pikëpamjen e tij se ku i gjen ai pikat e përbashkëta të takimit në mes vetë Quisling-ut edhe atyre që profesori i quan kuislingët shqiptarë, doemos duke i analizuar pozicionimet, bëmat si edhe rezultatet e arritura në mënyrë të ndërsjellë si nga Vidkun Quislingu e doemos edhe nga shqiptarët e akuzuar njëlloj si norvegjezi ! I gjen tek krimet ndaj hebrenjëve të bëra nga Quislingu, të ballafaquara këto me shpëtimin që i u bë hebrenjëve në Shqipëri nga drejtuesit e Shtetit Shqiptar ? Apo i gjen tek nënshtrimi i plotë i Quislingut ndaj udhëheqjes ushtarake gjermane, i krahasuar ky me personalitetin e plotë të ruajtur nga udhëheqësit shqiptarë ku edhe marrëveshja shqiptaro – gjermane qe krejtë specifike edhe gjithë dinjitet nga ana e palës shqiptare ku Shqipëria u quajt vetëm rrugë kalimi e ushtrisë gjermane drejtë Greqisë me të gjitha përparësitë që sillte me vete kjo përzgjedhje1 ?

Përmbyllje - Me që kemi të bëjmë me një personalitet të fushës së historisë i cili të gjithë veprimtarín’e tij shkencore përgjatë periudhës kohore e ka zhvilluar në sintoní të plotë me vijën marksiste – leniniste të partisë, pa deviacione dhe besnikërisht konform saj, dhe sot vazhdon edhe na e paraqet leitmotivin e kahershëm së rishmi si linja shkencore për t’u ndjekur në vlerësimin e fakteve historike, dua të sjell para lexuesit disa paralelizma. Një shtetár i madh, i njohur në shkallë botërore për aforizmat e tija, ka pasë pohuar : Aftësí politike është aftësía e parashikimit se çdo të ngjasë nesër, javën e ardhëshme, muajin e ardhëshëm si edhe vitin që vjen dhe të jesh kësisoji aq i aftë, më vonë, sa të shpjegosh përse nuk ka ngjarë. Duke marrë shkas nga ky pohim madhor i Winston Churchill-it, si edhe nga pohimi q’e zura në gojë më lart i Andrei Vyshinsky-t, krejtë natyrshëm më vjen në mëndje aforizma e Jule – Henry Poincaré-së sipas të cilit : Shkenca historike përbëhet nga të dhëna faktike sikundër përbërësit e një shtëpie janë gurët e gdhëndur. Por, një grumbull i pasistemuar të dhënash e faktesh nuk është hiç shkencë, më shumë se sa një grumbull gurësh të latuar ... të jetë një shtëpi.

Duke i u rikthyer tashti sa cituam, si e analizuam e doemos duke bërë edhe lidhjet e duhura, i mbyll këto radhë me shpresën që studjuesit e ardhëshëm :

- Për aq sa u analizua, t’a kenë si shëmbull që faktet të mundohen e t’i vjelin sa më të vërteta, duke hedhur dritë të plotë rreth tyre e mundësisht duke i marrë informatat nga sa më shumë burime drejtimesh nga sa më të ndryshëmet.

- Analizën e tyre t’a bëjnë duke e vendosur logjikën e gjykimit në rrethanat si edhe kohën kur u zhvilluan faktet.

- Dhe së fundi t’a kuptojnë drejtë se, po u prirën të ndikohen nga përfundime të nxjerra prej studjuesish pararendës që faktet i kanë kqyrur nëpërmjet lentesh deformuese politike, ata as janë marrë me shkencë e aq më pak pasardhësit e tyre do t’i gjykojnë me respekt.

Ndërsa profesor Arben Putos përvojën e të cilit të pandikuar nga vizioni politik komunist i kqyrjes dhe interpretimit të ngjarjeve dhe fenomeneve, do të doja ai t’ua kalonte studjuesve të rinj, po i rikujtoj një maksimë të famëshme e cila thotë :

I ndershëm ësht’ai që i ndryshon mendimet e tija për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm ësht’ai i cili i transformon të vërtetat për t’i njësuar me mendimet e tija ! (Proverb Arab – siç ma ka pasë cituar Hirësía e Tij Baba Rexheb-i).

Përzgjedhjen për t’u kujtuar në vite me respekt apo jo, profesor Arben Putua e ka në dorë vetë. Por gjithashtu sinqerisht i a kujtoj profesorit t’a ketë parasysh se kurrë nuk është vonë për t’i pranuar të vërtetat e për t’u konformuar me to.

1 Tek vëllimi i të nënëshkruarit me titull " Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike ", problemet kolaboracionizëm si edhe kompromis trajtohen në mënyrë mjaft të fundme në analizën e titulluar : Dekorimi i pesë personaliteteve me urdhërin e Skënderbeut si dhe reagimet keqdashëse.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora