Editorial
Anton Çefa: Sevasti Qiriazi, sfida me Stambollin për Shkollën e Vashave
E marte, 08.07.2008, 07:00 PM
Historia e familjes patriotike Qiriazi
Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949)
Pershendetje!
Eshte e natyrshme qe cdo komb te nderoje dhe te respektoje figurat e veta kombetare. Fatkeqesisht, ne jemi akoma mbrapa ne kete drejtim. Nje shembull qe ilustron kete ,eshte qendrimi i shtetit shqiptar te asaj kohe ndaj Sevasti Qiriazit dhe familjes se saj.Mesuesja trimereshe qe e kemi pare tek filmi "Mesonjetorja",mesuesja qe nuk perfilli as kercenimet e shetit turk dhe kishes greke,por me guxim te papare hapi shkollen e pare shqipe te vajzave ne Korce ,do te persekutohet dhe perndiqet ne fund te jetes se saj jo nga shteti grek apo turk,por nga sheti shqiptar.Do te persekutohet ne ate mase saqe edhe nje varrim donjitoz nuk ju be,por do te varroset sikur te ishte armike e Shqiperise.Kjo gje nuk duhet te ndodhe me dhe duhet te na behet mesim per te ardhmen, ne menyre qe keto figura me karakter kombetar te nderohen dhe te zene vendin e duhur ne historine tone.
Me poshte eshte historia e familjes patriotike Qiriazi.
Mirel Sharxhi,
Boston, SHBA
Sevasti Qiriazi, sfida me Stambollin për Shkollën e Vashave
Nga Anton Çefa
Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia; cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.
Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lndjes.
Lindën dhe u rritën në një mjedis thjesht shqiptar, një djep vërtet i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar: "Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë apo heronjve shqiptarë. . . . Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit dhe na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë".
Në Manastir
Prindërit e Sevastisë, Dhimitri e Maria – edhe kjo vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës, - patën dhjetë fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga pak më vonë kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj me ndjenja e ideale atdhetare. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte personalitetet e shquara të Rilindjes si Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj. Në këtë shtëpi u bënë, në vitin 1908, mbledhjet e Komisionit të Alfabetit.
Sevasti Qiriazi – Dako, fama në Stamboll
Kristo Dako (1876 – 1941) |
Mbas luftrave ballkanike
Parashqevi Qiriazi (1887-1971) |
Dhuna e diktaturës komuniste mbi familjen e Sevasti Qiriazit
Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe, së bashku me Parashqevinë, që kishte ardhur nga Parisi mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias, një institut me karakter hollësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme mësimore-edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahinash e besimesh. Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjetësh shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias. Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, dhunimeve, burgosjeve, torturarave, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dako, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq, në vitin 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën. Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël, Viktoria, dhe kuzhinierja e Institutit Kyrias. Për opurtunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë, asaj i dhanë titullin "Mësuese e Popullit". Siç duket, "u përmendën" ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.