Editorial
Engjëll Koliqi: Megjithë mesjetën tuaj...
E shtune, 12.07.2008, 07:00 PM
Megjithë
Engjëll Koliqi
mesjetën tuaj...
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Si zakonisht në shekullin tonë, edhe kjo verë na erdhi dhe po shkon me shumë oscilime – me zhurma deri në tronditje, me vapë deri në përvëlim, por çuditërisht edhe me të ftohtë deri në acar. Si një verë ballkanike më – herë të djeg e të përvëlon, herë të ngrin e të shtangon. Gjithandej udhëve tuaja çeta ushtrishë të tërbuara në lëvizje. Gjithandej relievit tuaj plane e projekte sulmuese. Gjithëkëndej udhëve tona bllokada me barrikada. Gjithëkëndej relievit tonë emisarë e misionarë të botës suaj – udhëhumbur. Para se t'i paraqes argumentet nga kronikat tuaja të zeza, po ta kumtoj vendimin e prerë: Do thyeni qafën gjithëkëndej e do humbeni gjithandej, megjithë mesjetën tuaj të përjashtuar nga njerëzia dhe nga historia!
1. Stërgjyshërit tuaj, me dekrete të pafatësishë, kishin humbur udhën dhe silleshin e pështilleshin gjithandej relievit të kotësive, pa ditur ç'duan as pa ditur ku të shkojnë. N'atë gjendje të mjerueshme, kishin harruar edhe të flasin, kështuqë kishin mbetur krejtësisht jashtë botës së civilizuar dhe më në fund, nga njerëzia dhe nga historia të përjashtuar.
2. Gjyshërit tuaj, si mbeturina të të përjashtuarve nga historia, poashtu gjë nuk kuptonin. Të habitur e të lodhur udhëkryqeve t'intereseve, edhe ata tashmë nuk dinin ku të shkonin, madje as pse jetonin. Të papërcaktuar, siç kishin mbetur gjyshërit tuaj të mjerë, megjithë stinën e shterpë të tyre, i kishte përzënë shekulli dhe kishin mbetur jashtë historisë. As ata – të tillë, nuk i donte më as nuk i pranonte njerëzia.
3. Prindërit tuaj ishin munduar të ndryshojnë diçka, mirëpo, të përjashtuar nga historia, ende pa parë dritën e kësaj bote, nuk e kishin lehtë t'i gjenin udhët. Sidoqoftë, ata ishin munduar dhe kishin kërkuar udhën e drejtë, sepse nuk duronin dot gjendjen e mjerueshme, as statusin e të përjashtuarit nga njerëzia e të mbeturit jashtë historisë. Gjatë gjithë jetës së tyre, të gjorët prindërit tuaj, kishin bërë orvatjet maksimale për të gjetur udhën e drejtë, shtegun dhe derën e sigurtë, për t'u rikthyer në histori dhe për t'u bërë pjesëtarë të barabartë të njerëzisë, në botën e civilizuar. Gjithashtu kishin kërkuar të mësojnë dhe të dijnë origjinalitetin e vërtetë dhe vlerat e vërteta të njerëzisë. Në këto orvatje ishin lodhur shumë dhe kishin vuajtur, por kurrë nuk kishin hequr dorë nga shpresat, duke besuar se një ditë të bekuar fara e tyre do e zëj vendin e merituar në historinë njerëzore.
4. Mu në kohën e ndërrimit të shekujve, kur shekulli i dashurisë po i merrte pushtetin shekullit të mizerisë e të urrejtjes, atëherë kur prindërit tuaj ishin shumë afër derës së lumtur të historisë, erdhët ju në këtë botë dhe i larguat ata nga skena e veprimtarive. Erdhët ju, të mashtruar mbas intereseve të fëlliqta dhe humbët rrugën drejt civilizimit. Tashmë nuk po dihet se ç'po ndodh. Herë shiheni kinse duke kërkuar udhën e vërtetë drejt historisë, herë shiheni të kthyer prapa dhe të humbur nëpër relievet e intereseve të fëlliqta, që nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzinë, as me civilizimin e kësaj bote. Të zhytur në zhurmat e ahengjeve, për fatin tuaj të zi, jeni mashtruar për pak para ose për pak interese të fëlliqta dhe më as që mendoni për udhën e civilizimit e të historisë, që prindërit tuaj ishin gati për ta marrë. Me këto interese të fëlliqta, tashmë mjerisht keni mbetur të harruar mes luftërave – flurudhëve, ku kryqëzohen flakë të armëve vrastare. Të mashtuar e të joshur mbas intereseve të fëlliqta, tashmë nuk dini ku të shkoni, nuk e keni sigurinë që të jetoni e madje nuk dini më as si quheni. Më vjen keq, por nuk mund të ju ndihmoj tash kur as emrin tuaj më nuk e dini. Të vetmën gjë që mund ta bëj për ju është kjo – t'u fal unë dhe ta lus Zotin, më sa vijon: - O Zot, fali se nuk dijnë kush janë e nuk dijnë më se ç'bëjnë!
5. Tash mund të ndryshojë situata, sepse bijt tuaj nuk e shohin botën si ju – me sy interesesh të fëlliqta, por e shohin realitetin në sy. Duke e parë realitetin në sy, ata veç kanë filluar ta kërkojnë identitetin e vërtetë dhe origjinalitetin, aty ku e kanë lënë gjyshërit e tyre – prindërit tuaj që ju i bllokuat me interese te fëlliqta e të pavlera. Janë bijt tuaj, që tashmë po ju nxjerrin nga labirinthet e intereseve që ju kanë zhytur në relieve të marrëzirave dhe të turpeve, deri në pikën e harrimit të emrit dhe të identitetit tuaj. Nuk ju ka mbetur tjetër, veç të thyeni qafën, megjithë kokëfortësinë tuaj të mesjetës dhe ta lini rehat njerëzinë e historinë tonë të lavdishme. Ikni kësaj bote e lërini bijt tuaj, që të vazhdojnë nga aty ku e kanë lënë gjyshërit e tyre dhe të marrin udhën e vërtetë, sepse ata do ngjiten në fron dhe do e rikthejnë identitetin me emrin e vërtetë iliriko-arbëror. Lërini rehat, sepse ata bashkë me ne do ia rikthejnë nderin këtij kombi fisnik, që ishte gjithmonë e deri në amshim do të jetë gjenerator dhe motor i civilizimit të dashurisë, në botën tonë. Megjithë mesjetën tuaj, që gjithnjë ka mbjellur sherr e tmerr, ka përfunduar epoka e mjerimit dhe e urrejtjes dhe me shekullin tonë ka marrë udhë epoka e dashurisë, që na e ka garantuar amshimin.