E marte, 03.12.2024, 03:10 AM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Ndërmjet këngëve

E premte, 25.07.2008, 07:00 PM


Engjëll Koliqi
Ndërmjet këngëve

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Lufta – zyrtarisht kishte mbaruar. Në mënyra të ndryshme, shumë nga aktorët ende kishin mbetur në gjendje lufte. Edhe ëndërrat e tyre vazhdonin të ishin të trishtuara dhe trishtuese. Në këtë përshkrim do të sillemi rreth ndodhive dhe përjetimeve të njërit nga protagonistët, me emrin Rrotëllokum.

Rrotëllokumi, një nga protagonistët më tipikë të shekullit që e lamë pas, sikur të ishte i lindur për ndodhi të ndryshme – ndër më të ndryshmet, që edhe shekulli edhe bota i kishin harruar. Disi, si me venom, në secilën ndodhi Rrotëllokumi ishte jo vetëm i pranishëm, por ishte edhe njëri ndër protagonistët e parë. Edhepse kishte shumë raste të vështira, bile edhe të padurueshme, Rrotëllokumi i botës sonë nuk mungonte në asnjë ndodhi të shekullit të kaluar. Ai, madje kishte aq shumë përjetime - edhe ndër më të hidhurat – sa që nuk e kishte lehtë t'i regjistronte të gjitha në histori. Shumica e ndodhive, me të bërat dhe të pabërat – me të larat dhe të palarat e Rrotëllokumit të botës sonë, në histori kishin hyrë përmes tregimeve dhe rrëfimeve të dëshmitarëve okularë të kohës, me përshkrime ndër më të çuditshmet, sa që shpesh duken dhe përjetohen si përralla. Në shumë nga ndodhitë dhe përjetimet e Rrotëllokumit jam dëshmitar edhe unë, por këtu do të gjeni përshkrime të dëshmive të atij vetë, me tërë origjinalitetin e shqiptimit nga gojë e tij, madje jo vetëm para meje, por në praninë e mijëra pjesëmarrësve të botës sonë, mu në kulmin festiv të Ditës së Madhe të fillimit të realizimit të ëndërrave dhe aspiratave tona kombëtare. Shumica e ndodhive që do të përshkruhen këtu, janë rrëfime dhe tregime të vetë Rrotëllokum Rroçkodellit, të bëra ndërmjet këngëve, që gjithashtu janë pjesë e një historie shumë të ngarkuar me ngjarje mbi botën tonë, mu në kulmin festiv. Do të jenë katër paraqitje publike të tij, të përshkruara këtu, që mjaftojnë ta njohim atë dhe shumë ndjekës e bashkëpunëtorë të tij, që ende mundohen të shkaktojnë tollovi...

1. Sapo kishte mbaruar një këngë mitologjike, me ngjarje nga shekujt e antikës. Bota jonë ishte në pritje të këngës tjetër, që do të pasqyronte disa nga ngjarjet mesjetare, një këngë që gjithashtu ishte sajuar nga mite e rrëfime përrallore. Përnjëherësh me zënien e diellit ndodhi një tërmet i fuqishëm, siç askush nuk kishte pritur.

 Nga ky lëmsh i ngjarjeve që me këngë befasuan botën tonë, duke fshirë sytë, del Rrotëllokumi, me një veshje siç di vetëm ai ta kombinojë. Herë dukej si protagonist i oborrit mbretëror, herë dukej tagrambledhës, herë si zyrtar administrate e herë dukej si palaço, që di vetëm të dëfrejë fëmijë dhe të rinj. Binin në sy edhe mimikat e fytyrës së tij, që ndërronin më shumë se një herë në minutë. Kur të gjithë ishin të hamendur – të qëndronin aty ku ishin, nën ethe frike nga tërmeti, apo të iknin furishëm nga ajo arenë që ndërronte shpesh – Rrotëllokumi, tashmë i pashëm mirë nën rrezet e diellit që po i riktheheshin mbas zënies disaminutëshe, mori fjalën dhe me një zë bukur të vendosur tha, më sa vijon: "Zonja e zotërinj e shoqe dhe shokë – të gjithë ju që jeni këtu dhe të gjithë të tjerët që nuk janë këtu! Të mos keni asnjë fije frikë, se siç po shihni edhe ju vetë, tashmë ia riktheva të bekuarat dhe të vezullueshmet rreze diellit të kësaj bote. Edhe këtë truall që po dridhej, e stabilizova unë vetë. Ishin jehonat e këngës mitologjike që sapo dëgjuam, që ia morën dritën diellit dhe e dridhën fuqishëm tokën. Ishin ato jehona, që përmes asaj kënge na sollën këtu plot ngjarje e mbretër të rrëzuar. Ishin ato jehona që iu futën brenda historisë së stërngarkuar dhe e lodhën bukur shumë. Ishin ato jehona që me këngë na sollën shumë luftëra dhe shumë tmerr të shekujve të antikës. Ishin ato jehona që na e sollën të gjatën këngë mitologjike. Mos keni frikë e mos u merakosni. Jam unë këtu dhe nuk ju lë vetëm".

Mbase do të vazhdonte edhe më Rrotëllokumi, por filloi kënga tjetër, që ishte shumë më e gjatë se e para. Edhe kjo, gjithashtu ishte sajuar nga tregimet mitologjike e përrallore. Dashtë e padashtë, edhepse tashmë të lodhur, të gjithë e përcollën këtë këngë të gjatë, që sillej e pështillej nëpër shumë ngjarje të përgjakshme mesjetare. Edhe nga kjo këngë seç dilnin shumë heronj e dëshmorë në njërën anë, dhe shumë tradhtarë e armiq në anën tjetër.

2. Edhepse nuk u pa gjatë ekzekutimit të këngës së gjatë mesjetare, Rrotëllokumi i botës sonë nuk kishte lëvizur dot nga skena. Me të mbaruar kënga – pa një pa dy – kërceu nga këndi i errësuar dhe doli në dritë. Kësaj radhe nuk na "qetësonte" sikur para kësaj kënge, as nuk premtoi gjë, por iu fut historisë nëpër labirinthet e përrallave dhe të miteve. Seç na doli Rrotëllokumi ynë, më i madhi i kësaj bote – denbabaden patriot e faktor i historisë sonë, bile edhe tradicionalisht - me gjyshër e stërgjyshër. Ata personazhet, që kënga i nxorri si protagonistë të parë nëpër luftërat mesjetare, sipas tij, paskan qenë gjyshërit dhe stërgjyshërit e Rrotëllokumit vetë. Kështu ai na shpalosi tradita të gjata patriotike e luftarake të farës së tyre – nëpër shekuj. N'ato çaste kur ai po këndonte lavdi për luftëra e merita të gjyshërve e stërgjyshërve të tij, m'u kujtua një komshi yni i moçëm – Demë Kovaçi, i cili thoshte: "Kush s'e lavdëron veten, iu djegtë cerga zotnijo" dhe vetëmeveti thashë: - Mbase Rrotëllokumi po e bën këtë që të mos i digjet cerga?! Heheheheeee! Sidoqoftë, ai edhe nuk u largua shumë nga realiteti ynë. Bëri atë që shumëkush e bën këndej rreth nesh – duke marrë për vete dhe për familjen e fisin e tij, të gjitha meritat historike.

Ende pa e mbaruar fjalimin e tij përrallor mbi merita të gjyshërstërgjyshërve, Rrotëllokumi i botës sonë, në seknë filloi ekzekutimi i një kënge tjetër, që sikur dy të parat – poashtu kapi e shoshiti luftëra. Luftërat e kësaj kënge tashmë i takonin historisë së re. Ishin luftërat ballkanike dhe skena të të dy luftërave botërore mbi trojet tona.

3. Mbase në një këmbë kishtre qëndruar Rrotëllokumi i botës sonë, gjatë interpretimit të kësaj kënge, që si duket ia kishte mbushur mirë bateritë. Me të përfunduar kënga, mori mikrofonin dhe – mbasi u përkul disa herë, në shenjë përshëndetjeje për ne të pranishmit, filloi me rrëfimet e veta nëpër histori, duke thënë: "Shoqe e shokë – pleq e të rinj – të gjithë ju zonja e zotërinj! Kjo këngë më bën të flas shumë, por nuk po e zgjas, që të mos ju lodhi tepër. Dëgjuat përshkrimin e luftërave të historisë së re? Po! Më shihni mua? Po! Ja pra, unë vetë – Rrotëllokum Rroçkodelli, isha drejtues dhe protagonist i parë n'ato luftëra – edhe kundër shkijeve, edhe kundër fashistave. He he he heee... Eu eu eu euuu, po t'i kishit parë ju luftërat ballkanike. Unë isha fare i ri dhe im at më merrte të luftoj. Më besoni, sa shkije e grekër kam prerë e kam vrarë unë vetë – ja ky trim me fletë, që ua kaloja të gjithë komandantëve! Heu shka o bir shkine i thoja, dhe – shkrrap ia preja kokën! Eu eu eu euuu, në luftën e dytë botërore kam vrarë shumë gjermanë e italianë. Shumë fashista i kam vrarë unë. Më besoni – ky Rrotëllokumi vetë – kam vrarë edhe shumë ballista, unë partizani me yll në ballë. I kam pasë punët shumë mirë me Shokun Enver dhe me Shokun Tito. Po unë kam  qenë luftëtar i famshëm bre!"

Sikur ia ngulfati tregimet Rrotëllokum Partizanit, kënga e re që i dedikohej rezistencës bashkëkohëse të popullit tonë dhe luftës së gjithëmbarshme çlirimtare. Megjithëse nuk ishte edhe shumë e gjatë, si këngët e para, kjo këngë na solli më shumë ngjarje konkrete, duke shpalosur mirë e mirë historinë tonë të re – faqe për faqe. Mbase na dukej më tërheqëse, edhe për faktin se kjo këngë na solli shumë ngjarje që ne vetë i kishim përjetuar, për faktin se kjo këngë u fut brenda qenies sonë – siç thotë populli – na u fut nën lëkurë. Edhe muzika e saj ishte më e gjallë dhe më ritmike. Ishte një këngë e përcjellë nga një orkestër e plotë, që mbushte sallën me jehona kumbuese, që dukej se depërtonin kudo nëpër botë, madje në mbarë gjithësinë.

4. Siç dinte vetëm ai – Rrotëllokum Rroçkodelli, pa pritur të mbarojë mirë kënga e të shuhen jehonat e përfundimit të saj, sërisht u gjet në mes të skenës, në rrethin e ndritur të reflektorit. Rrotëllokumi ynë, tash kishte ndërruar i tëri. Filloi të na e mbush mendjen se "qysh i ri ka kundërshtuar komunizmin dhe internacionalen sllavokomuniste, që ia kishte shitur interesat tona kombëtare aleancës famëkeqe sllavo-orthodokse". Tashmë ai na tregonte si "ka luftuar dhe ka vrarë shumë shkije". Thoshte se ka ngritur në ajër shumë stacione të policisë së shkijeve. E ç'nuk tha Rrotëllokumi – luftëtar i të gjitha luftërave, që kishte luftuar në të gjitha anët?! Heheheheeee!

Tashmë Rrotëllokum Rroçkodelli e tepronte shumë, tejpërtej të gjithë kufinjve të realitetit dhe jashtë të gjitha rregullave morale dhe civilizuese. Të gjithë ata që nuk kanë menduar e që nuk kanë vepruar si ai dhe shokët e tij, i quajti armiq e tradhtarë. Të gjithë ata që nuk ishin rrjeshtuar në të bërat e grupacionit të tij, i quajti titistë e tradhtarë – Rrotëllokum Partizani, i cili pak më parë na tha se i kishte pasur punët shumë mirë me Shokun Enver e me Shokun Tito, me të dy ata që kishin bërë shtiblerjen e Kosovës sonë. Tashmë e teproi shumë dhe u bë i paduerueshëm, sa që të gjithë të pranishmit filluan t'i fishkëllojnë dhe t'i bërtasin, si me aullima ujqësh – auu-auuu-auuuu-auuuuuuuuuuuuu...!

Në këto rrethana, tashmë dëshpruese, nuk i mbeti tjetër, dhe Rrotëllokum Ditëziu iku nga skena, në drejtim të panjohur. Nuk e di nëse do të jetë i kërkuar, apo i harruar.

Derisa mendoja se ç'do të ndodh me Rrotëllokum Ditëziun, që mbas gënjeshtërave serike, vetë i hoqi të gjitha maskat, ia krisi sërish muzika. Tashmë, me kumbime të mirëfillta të muzikës shqiptare, në skenë u hap vallja e madhe – një valle e kënduar, që ftonte për bashkim rreth interesit të përbashkët kombëtar dhe rreth vlerave të mirëfillta, që kombit tonë do t'ia rikthejnë identitetin e mirëfilltë dhe origjinalitetin tradicional, në familjen e madhe europiane. Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora