E merkure, 11.12.2024, 12:11 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Heshtja e dhimbshme

E enjte, 24.07.2008, 06:59 PM


Nënë Tereza
Heshtja e dhimbshme

Nga Ndue Ukaj

Çdo komb i civilizuar, ashtu sikurse çdo shoqëri e konsoliduar, e cila di t'i admiroj, t'i jetoj dhe mbi të gjitha i çmoj vlerat e mirëfillta, do të mburrej në një rast të tillë, kur ndonjë personalitet i caktuar i përkatësisë së tyre, do të arrinte që nga një gazetë reprezentative në Britani të Madhe, të shpallej si personi më influencues dhe inspirues i të gjitha kohërave. Këtë do ta bënin suedezët, italianët, francezët, gjermanët, fqinjët tanë, etj.  Megjithatë kjo nuk ndodh me ne shqiptarët, çuditërisht. Dhe kjo është e krejtësisht e pashpjegueshme.

Britaniket e duan Gonxhen tonë, Nënën Terezë. Ata e vlerësojnë atë si personi më influencues dhe inspirues i të gjitha kohërave. Ajo arrin të triumfoj mbi dhjetëra personalitet e mëdha të botës. Gazeta britanik "Daily Telegraph" realizoj një sondazh me 90 personalitete botërore për të gjetur kështu personalitetin i cili është më influencues dhe inspirues me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Nelson Mandelës. Dhe këtu triumfon Nënë Tereza. Janë 90 personalitet që mbesin prapa madhështisë së personalitetit të saj, në mesin e të cilëve: Mahatma Gandhi, Martin Luther King,  Sir Winston Churchill, Albert Einstein, etj. Është kjo një listë me personalitet që ngërthejnë vlera të jashtëzakonshme për njerëzimin mbarë. Gonxhe Bojaxhiu inspiron botën. Pikërisht për këtë dimension vazhdon të admirohet përjetësisht vepra e saj gjigante.

 "Nëna Terezë ishte një murgeshë romano-katolike, e cila është e lindur në Shqipëri dhe ua dedikoi jetën të varfërve në Indi"-shkruan gazeta në fjalë me ketë rast. Ky lajm shoqërohet me një jehonë të madhe në botë. Ndërkaq, ndodh e kundërta, pikërisht në atdheun e saj, aty ku do të duhej të kishte publicitet të merituar. Lajmi kalon në zgrip të jetës shqiptare. Mediat e heshtin në mënyrën më banale, pse jo edhe më jo profesionale. Nëpër gazeta i  gjendet një çikë hapësirë, pa analiza dhe komente të duhura, ndërkaq për mediat elektronike s'ka fare rëndësi. Ky turpi s'do koment. Ngazëllimi pas të këqijave mposhtë lajmet pozitive. Kjo le të kuptohet se prirja ndaj fenomeneve destruktive ka shkallmuar deri në ekstrem shpirtin shqiptar. Jetojmë duke përdhosur vlerat dhe vetveten. Prandaj rropatemi në tranzicion të stërlodhshëm, duke numëruar regjistrin e pafundmë të mungesave, të cilat për botën e civilizuar janë absurde. Dhe e gjithë kjo ndodh sepse nuk respektojmë vetveten, vlerat tona, identitetin tonë, në fund të fundit dinjitetin tonë.

Nëna Terezë tejkaloj gjitha mundësitë njerëzore, duke hyrë pavdekësisht në panteonin e vlerave me sublime që ka dhënë bota në dymijëvjeçarin tonë. Ajo mbetet një vlerë sublime për gjithë njerëzimin, duke flakur dallimet e gjithfarshme dhe duke ndërtuar filozofojnë e saj, qytetërimin e saj, që është qytetërim i dashurisë. Dashuria e saj ndërtoj një kështjellë të pamposhtur, ngase ajo shpiku filozofinë më të veçantë, nga e cila vazhdon të magjepset njerëzimi përtej dallimeve ideologjike, kombëtare e fetare. E madhja Nëna Terezë thoshte: "Në vend që të ankohesh për errësirën, më mirë ndiz një qiri". Dhe ajo e bëri këtë përgjatë gjithë jetës së saj, ndezi nga një qiri çdo kund në botë, ujiti thatësirat e shumta me dashuri, zbutu shpirtrat njerëzor në çdo cep të botës me urtësinë Hyjnore. Ishte një murgeshë e madhe dhe një shqiptare e madhe. Ajo nuk ka nevojë për ne, përkundrazi ne kemi aq shumë nevojë për të, për pulsin e saj dhe filozofinë e saj, për madhështinë e saj që të inspiroj jetën tonë.

 Ne vazhdojmë të heshtim kundruall personaliteti të saj të madhërishëm, që na bënë të ndihemi krenar. Prandaj e kuptoj drojën e shkrimtarit Faruk Myrtaj, kur shkruan se "kam drojtje se endè nuk bëhemi gjithësisht) bashkë për të qenë pasues të thelbit të Saj".

Të prirur nga mbrapshtitë dhe idetë e marra, heshtim fenomene të përmasave botërore dhe në të kundërtën ngarendim pas lajmeve që kanë për emërtues të përbashkët krimin, degradimet shoqërore, stagnimet etj. Është për keqardhje fakti se mediat tona të shumta, nuk arrijnë t'i japin një prezantim më të denjë një lajmi kaq të rëndësishëm, që me përmasën dhe rëndësinë, tejkalon shumëfish lajmet dhe kronikat çoroditëse që ngufasin mediat tona, sikundër edhe jetën tonë. Dëgjojmë dhe lexojmë shpeshherë me aq pompozitet nga mediat tona, për krime nga emigrantët shqiptar nëpër botë, ta zëmë në Britani. Ndërsa tani e heshtin një lajm kaq pozitiv, kaq të çmuar. "Nënë Tereza është shpallur ikona më inspiruese dhe më e dashur e të gjitha kohërave në botë"-shkruan me mburrje shkrimtari dhe gazetari Fatmir Terziu. Por kjo tumirje kaq ngazëlluese nga Terziu heshtet nga dhjetëra media tjera. Kjo është për keqardhje, që s'do koment.

Nëna Terezë edhe njëherë u harrua nga bashkëkombësit e saj dhe kjo është një përdhosje e përtej një turpi të zakonshëm apo gafi mediatik.

Shoqëria shqiptare e çoroditur, nuk ka fuqinë të mposhtë kronikat e zaza dhe të priret nga sublimja, nga vlerat e jashtëzakonshme, ato që do të duhej të na udhëhiqnin në të ardhmen. Kombi ynë i tkurrur, me dvarrje shekullore ka aq shumë nevojë për dashuri. Dhe pikërisht ky lajm do të duhej të na motivonim për më shumë dashuri për vetën dhe atdheun tonë të shkallmuar, drejt një të ardhme më të ndritshme.

Shtiremi e përbehemi se duam Amerikën, Europën, predikojmë çdo ditë për vlerat euro-atlantike, ndërsa përdhosim vlerat dhe figurat tona me sublime. Ky është një soj i vetëmashtrimit më absurd.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora