Editorial
Perparim Kabo: Një letër për Migjenin!
E marte, 26.08.2008, 06:59 PM
Një letër për Migjenin!
Migjeni
Nga Perparim Kabo
Eh sa bukur do të ishte o bashkombësat e mij, sikur sot Migjeni ynë të ishte gati një shekullor e ti vinte rradha ta përcillnim edhe ne disidentin tonë si bënë rusët para ndoca ditësh me Solzhenicinin. U mbushën 70 vjet që nga 26 gushti i 1938-s kur mbylli sytë djaloshi vigan Millosh Gjergj Nikolla. Vetëm 27 vite jetë por prej asaj mendjeje brilante rrodhën vargje dhe proza poetike që e bëjnë atë edhe sot e kësaj dite pa moshë kohore. Ai është dhe do të jetë gjithkohori i pashterueshëm, Migjeni ynë unikal i barabartë me vetën dhe që vlen si masë dhe njësi për të kualifikuar të tjerët. Ai erdhi në jetë më 1911 një vit para ngritjes së flamurit të pavarësisë kombëtare. Fundi i sundimit osman po sillte në kufijtë e tokës arbnore lukunitë e qenëve shovenë që rridhnin jargë histerie nacionaliste. Malësorët e veriut në besë dhe fe të katolicizmit, vriteshin e priteshin aq sa donin ti shpërngulnin e ti shkëmbenin me muhaxhirë mysliman të Bosnjës.Po ajo që ndodhi 2 vite më vonë më 1913 me shqiptarët e Çamërisë që u shkulën dhe u shpunë në Azinë e Vogël për t'u këmbyer me grek të Smirnës.
He Millosh djali, ike nga kjo botë e padrejtë, "bota skamnore" si e quan t'i në mënyrë brilante me një gjetje poetike, ku sundonte vaji skamnor, plagët skamnore, "ku shqiponja me krah të thyem" dukej si një "pëllumb i gjorë", ku valviteshin flamujt e melankonisë,…"dhe askush s'mund të thotë, se këtu rron, një popull që ndërton diçka të re", ike një vit para se Lufta e Dytë Botërore e nisur edhe në sulmin ndaj Abisinisë, të vinte më 7 prill 1939 në atdheun tonë.( Koincidencë sigurisht, por Milloshi mbylli sytë një të premte gushti, Jezusi shkoj në kryq një të premte prilli ekzaktësisht më datë 7-të të atij muaji)
E në 27 vitet jetë të Millosh Gjergj Nikollës ndodhën lufta e parë Botrore dhe Konferenca e Paqes, u zhvillua Kongresi i Lushnjës dhe lindi Lidhja e Kombeve, u provuan republika, shteti presidencial dhe ai mbretëror. Më 1922 , në shtator u zhvillua edhe një kongres kishtar në Berat ku u themelua autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare.
Atje shkoi si delegat edhe Gjergj Nikolla i ati i Milloshit, si përfaqësues i komunitetit, pasi ai zgjidhej edhe si epitrop në kishën orthodokse bazuar në cilësitë e tij të vyera. Dhe atdheu ishte gjithçka për këtë familje me rrënjë nga Reka e Dibrës së madhe, me të parë të tyren Nikolla Dibrani (e jo si thotë ndonjë e marrë apo e lënë, se ai, Migjeni nuk është shqiptar ndaj Teatrit të dramës në Shkodër t'i hiqet emri i tij).
Jo moj e paditur, Milloshi ynë me deje dhe gjak shqiptar lindi në Shkodër më 13 tetor 1911 në "mëhallën e fretërve, në shtëpinë e tyre përball kishës që u prish në 1940 që të zgjerohej rruga dhe sheshi përpara kishës së Françeskanëve"). Millosh djali, si u ndjeve atëherë më 28 nëntor të 1937 në 25 vjetorin e pavarësisë kombëtare kur komisioni i festimit me përfaqësues nga të gjitha krahinat të pati edhe ty në përbërje sepse Puka e Iballa të shpunë si delegat. Do të ketë qenë një ndjenjë e rrallë! Një poet si ty i jepte bukuri dhe kuptim të veçantë asaj ngjarjeje. Tani prej 17 shkurtit të 2008 edhe Kosovën, Dardhëninë e hershme të "krishterën e orëve të para" (kështu e konsideroi Papa Benedikti i 16 kur i fali Presidentit të Kosovës zotit Sejdiu stilografin për të firmosur dekleratën e pavarësisë) e kemi të pavarur Millosh.
U dëgjua më në fund edhe psallma e hershme e Shën Palit që vjen nga ligjërimet në Kodrat e Durrësit, atje te ai kep bregdetar që u quajt prej atij momenti Kepi i Pallës (ku lëshohej zëri, palla, thotë George von Hahn-i), u dëgjua e vlerësua dhe kontributi i Konstandinit të madh që themeloi Kishën dhe Konstandinopojën.Si thoshin Frashëllinjtë e shquar Millosh, Konstandini ynë).
Por atje në Durrës ku t'i more anijen për në Itali me dëshirën dhe shpresën për t'u kuruar, fort gjëra kanë ndodhur për mire, por dhe do gjëra për keq. Kepin e Shën Palit, tani e quajmë Bishti i Pallës. Arkiologët së fundi (ka edhe vasha arkiologe bile të mrekullueshme Millosh) kanë zbuluar gjurmë të një qytetërimi tejet të hershëm gati 10.000 vjeçar, por ata/ato janë të trembur, sepse jo që nuk ka një objekt memorial për Shën Palin, nuk ka muzeum apo objekt kulti, por ato mrekulli të lashtësisë sonë që shkojnë deri në pellazgji, rrezikohen!
Sot mendohet jo për energjinë e shpirtit dhe ekzistencës, për vlerat e identitetit dhe trashëgimisë, si kontribute në themel të civilizimit europian, por për kontributet e energjisë djegëse, si nafta dhe gazi.
Ti them këto fjalë Ty Millosh Gjergj Nikolla sepse studiove Teologji dhe e njohe këtë dije kozmogonike në thellësi edhe nëpërmjet një informacioni historik e shkencor, pa çka që s'pranove të vijoje studimet e larta në këtë fushë. "Nga Podgorica po ai dajë që i pati nxjerrë bursën për në Seminar, përpiqet tani, ndoshta pa e pyetur fare nipin,t'i sigurojë bursë për në Fakultetin Teologjik të Oksfordit me anë të Kishës Autoqefale Shqiptare, megjithëse ai e dinte që më parë se Milloshi nuk dëshironte të bëhej prift"( Migjeni Vepra botimi shqip faqe xiv).
Ai shpirt ishte gatuar e blatuar për të tjera rrëfenja për ato njerëzoret, ndaj poeti bënte çdo ditë 14 km rrugë me biçikletë që e merrte me qira për të shkuar në Vrakë e për të dhënë mësim, pa çka se fillimisht nuk e pritën mire (e gjithë kjo një sajesë provokative e konsullatës serbe në Shkodër, sepse ishte koha që arsimi ynë u bë shtetëror dhe laik) dhe rroga i vinte një herë në 5 muaj, ndërsa shëndeti po i vinte ligsht.
Ti e le Shkodrën për Pukën dhe atje e ngjeve penën për t'u shëndruar nga Millosh në Migjen. Kultura e gjërë që vinte nga zotërimi dhe përdorimi i gjuhëve të huaja si sërbisht, latinisht, greqisht, rusisht, frëngjisht, e ndihmuan që Rrëfenjat e Shën Augustinit, Vëllezërit Karamazovë të Dostojevskit, Të mjerët e Viktor Hygo-s, t'i lexonte në origjinal. Muzika ishte një tjetër anë e atij shpirti të bukur e delikat. Ai këndonte më një zë tenori të parë përsosmërisht. Kënga e tij e preferuar ka qenë "Vjeçerni zvon"(Zëri i natës) të cilën e këndonte në rusisht dhe kërkonte ta shoqëronin edhe të motrat.
"Këndonte me andje edhe "Serenatën e Shubertit".Ndjente gëzim të madh kur dëgjonte këngë korale. Korin rus e admironte dhe shprehte mendimin për ndjenjat që i ngjallnin"(kujtime të së motrës,po aty faqe xiv). Por këngë e tij e shpirtit ishte;"Nën hie t'hënës rije".Tek kënga ai gjente një kënaqësi të thellë shpirtërore. Frekuentonte kinemanë rregullisht njihte aktorët, regjizorët dhe i komentonte filmat deri në detaje.Të preferuarit e tij ishin Çarli Çaplin, Greta Garbo dhe Jeanette Mac Donald.
Ja përse ai shpirt njerëzor qe oqean në përjetime, ajo mendje ishte e thellë si fundi i detit në mendimi, ajo zemër ishte e dhimsur me të gjithë koloritin e ndjenjave, ai vizionar rroku universin shqiptar në të gjithë dimensionet! Tek poezia "Kanga e Fundit" ka vetëm dy vargje.(poeti llazar Siliqi mendonte se është një poezi e pa përfunduar)
Përditë shoh qartë e më qartë
Dhe vuej thellë e më thellë.
Mendoj se edhe këto pak fjalë mjaftojnë. Migjeni e kishte kuptuar se kalvari ynë do të ishte i gjatë sepse horizonti ishte i mbyllur, ndaj vuajtja do shkonte thellë e më thellë. E gjithë kjo nuk qe thjesht dëshpërim! Ishte një analizë kapilare që ai i bëri antropologjisë shqiptare dhe antropomjerimit tonë të skajshëm si varfëri njerëzore, si prapambetje kulturore, si injorancë e drejtimit të shtetit, si sisteme të munguara të civilizimit. Eh Migjen, si e shpjegon atë dilemë të trumcakut kur sheh që nuk është bilbil dhe filloi të arsyetoi pse është kështu.
"E na, njerzit e këtij skaji të Dheut, për një milion vjet mund t'arrijmë që mos t'ia kemi zili njerëzve që na rrethojnë(si trumcaku që ia kish zili bylbylit).Një million vjet-afat i bukur….Si ju duket?- Jo,jo nuk asht shum. ç'janë një milion vjet para eternitas…"(Migjeni Vepra faqe 195).
E kjo kohë mund të shkurtohej duke kënduar këngët e pakëndueme dhe me to ti hapej udhë në politikë Republikanizmit, në jetën shoqërore barazisë sociale, në antropologji lartësimit të njeriut.
Migjeni ndoshta është i pari si një Senek i kohëve të reja kushtron:
"Të lindet njeriu" që do të thotë; i pajisur me dashuri njerëzore, i drejtuar me ide të përparuara, I frymëzuar me ideal bujar!
"Të lindet një njeri
i madh si madhni
….për një agim të lum e të drejtë kombtar.
Ai si askush në mënyrë therëse kërkoi zgjim të vulleneteve të ndrydhuna dhe si nëpërmjet një udhëtimi dantesk nuk ndalet si rilindasit tek pragu i Skendërbeut për frymëzim dhe zgjim kombëtar.
Ai shkon më thellë në historinë kombëtare duke kërkuar nyjëzimin atje ku filli i progresit ishte këputur tragjikisht nga historia.
…turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhe zbritni
-ndosht' aty keni për të gjetë fillin e një hymni
që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,
ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.
Migjeni është disident i përkortë në politikë në art! Në vlerësimin e religjionit dhe në peisazhin njerëzor të mjerimit.
"Arti, shkruante ai, është një nga format e ndërgjegjes shoqërore dhe, si i tillë, ai është i lidhur në mënyrë organike me fushën politike të ndërgjegjes shoqërore".
"Sistemi monakal, i mirë në fillim të qytetërimit, i dobishëm për të frenuar brutalitetin e klerit, është i dëmshëm në kohën e pjekurisë së popullit"
"Të lidhësh me mend infinitin e lartë (zotin) me infinitin e ulët(shpirtin) kjo quhet lutje.Kemi një detyrë: të punojmë në shpirtin e njeriut…të flakim absurditetin,…të shërojmë fenë,t'i heqim religjionit bestytninë,të spastrojmë zotin prej krimbave".
"Të prodhohet pasuria e të ndahet"…"përparimi është jeta e vazhdueshme e popullit", por e gjithë kjo jashtë dhe larg çdo dhune.
Ja si kumton Milloshi:"…pas një vrasjeje politike, edhe pas një vrasje çlirimtare,…brerja e ndërgjegjes se keni vrarë një njeri, ia kalon gëzimit se keni shërbyer racës njerëzore"(citimet marr nga vepra Migjeni, faqet,203,204,205.)
Vepra e Migjenit në poezi dhe në prozë ka në qendër njeriun dhe nevojën e ribërjes së tij duke e nxjerr nga mjerimi dhe gjithë derivatet e tij; si varfëria, lypësia, urija, alkolizmi, prostitucioni, hipokrizia, mëshira fallco, pafuqia e reagimit, dhe tek e fundit vdekja!
Njeriu i tij është ai jetësori, malësori/rja, i papuni, i ri me hovin djaloshar, gruaja(femra), njeriu i kultit, tregëtari, mësuesi, nxënësi i shkollës, cubi, xhandari,…etj. Por kryemuza e tij është e drejta e parë JETA! Ai ka shqetësimin fundamental se bota pakësohet sa herë vdes një njeri dhe e drejta e jetës është e para e drejtë humane e demokratike. Eh Migjen pendë arti e ke piku novelëzën Në Kishë kur thue:( nuk e di pse fjalët gegënisht më vijnë vetiu PK);
"Po si do të jetoj unë,?...këtë kurr s'ma the. E unë, pra, due të jetoj!".
Kuptimi mbi ekzistencën tek Migjeni është simbioza njeriu dhe dinjiteti njerëzor ,raporte këto që luajnë çdo çast në bursën e fatit, ku ajo ç'ka ulej në vlerë ishte dinjiteti në të dy skajet; edhe tek të varfërit edhe tek të pasurit. Ndaj derrat vidhnin fytyrën e Sokratit të vuajtur dhe Sokratët hiqeshin sikur kishin dhjamë nga i derrit dhe ishin ngi duke fituar trupin e tij. Kuotat e kësaj burse të dhimbshme ishin: Recital i Malësorit(trashëgimtar i vuejtjtes dhe i durimit, që thotë;"kur kam për t'u qesh?Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?)
Lagja e Varfun (ja gravura njerëzore; "dritë, jetë, gjallësi-askund, vetëm errësin e skam).Varfëria sundon si një natë e gjatë pa fund që nuk dëshiron të vijë një ditë e re sepse s'ka ç'pret të nesërmen!
Varfëria e ka bërë gruan si një "Melodi e këputun" sepse ajo keqpërdoret seksualisht në shkëmbim të monedhës që duhet të përballoj mjerimin.Vajza e re është një tjetër pendul dhimbjeje në bursën e fatit të të mjerëve. Dhe ajo shëndrohet në murgeshë duke kënduar një "Kang(a) Skandaloze".
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç'fat do të kishte?
Por edhe nga lutjet e saj, ende si zbardhi drita.
….Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.
Por sot o sfidant i hipokrizisë e martir emancipimit, o poet i dhimbjes, O MIGJENI YNË, vajzat malsore ende na i marrin për Manastiret e Europës sepse në perëndim "çikat e tyne nuk po duen me shkue në at'udhë fati"!
Të admiroj Migjen për atë fisnikëri dhe respekt që i fal gruas, femrës, trupit, hireve dhe ndjenjave të saj, qoftë ajo malësore që klith a don qymyr zotni, qoftë ajo një vashë anonime,a e mbajtur e tillë në hijeshin e intimitetit njerëzor ende të pa rëfyer.
E quan hyjnore atë ç'ka ajo dhuron dhe vet perëndisë i lypesh të këndoj për të, por ajo që më ka mbetur thellë në ndërgjegje, është ngjyrimi poetik që i bën atij mazoizmi kolektiv që e poshtëron femrën duke e (keq)përdorur, ndaj Ti klith: "O grue, që të ndesha në ditën e fatkobit tem"(ky termi fatkob më duket një mrekulli ndjenje dhe stilistike aq të vyera këto fjalë si perla të leksikut unikal migjenian).
Me dhimbjen, aspak krenare do të thoja Millosh, se edhe sot pas 70 viteve që Ti udhëton ne detrat e eterit, Kola i "Bukën tonë të përditshme falna sot", më mirë me thënë Kolët që kthehen jo më nga kryqyteti ku e shpuri Zotni Filipi, por nga kur vijnë nga kryeqytet e kurbetit, atje ku i presin fëmijët(Lili i sëmunë)"vazhdojnë të shikojnë përtokë vrimën ndër drrasa! Ajo ishte dhe ka mbetur një vrimë interesante, vetëm me një dallim, se tani ajo nuk është më e tillë, është shëndruar në një pusë social, ku çdo ditë viktimat humbin jo vetëm në dinjitet por e paguajnë edhe me jetën e tyre!
U përpoqe të çelishin arkapiat dhe vajzat e gratë të hiqnin atë perçe injorance Migjeni Ynë! Por sot Oso Bakalli dhe gjithë shpura e tij do të ishin të gëzuem e do të kishin hedh valle e do të bënin potere sepse ka dalë urdhni me u mbulue krye e kambë. Arkapiat jonë vu në kyç e po vriten për nji gardh Migjen vllai!
Ka filluar riislamizmi, riorthodoksizmi, rikatolicizmi, sa që nuk dihet se ku jemi e si jemi në raport me zotin. Një vajza 12 vjeçe bash në Tiranë, doli e tha, nuk shkoj në shkollë më mire, por perçen nuk e heq! Ka dhe ma zi sepse shumë Luke e kanë sot trupin si "toka që nuk prodhon", ndaj më ndje të bëj një korektim e të them se "Historia e njenës nga ato" duhet të lexohet sot "Historia e shumë prej tyne"
Eh sa bukur do të ishte o bashkombësat e mij, sikur sot Migjeni ynë të ishte gati një shekullor e ti vinte rradha ta përcillnim edhe ne disidentin tonë si bënë rusët para ndoca ditësh me Solzhenicinin, e të thërisnim edhe ne me krenari, Shqipëria, Shqipëria, për Nobelsitin tonë MIGJENI, mjeshtri i "Arkipelagut të Mjerimit"! Le të kishte qenë dheu ynë i pari që ta priste dhe jo të shkonte fillimisht në dhe të huaj ku u tret për 18 vjet deri në vitin 1956, kur eshtrat u kthyen në atdhe. Por sot nuk e dimë ku është ai varr dhe muzeu i ngritur për të nuk është më!
E shoh orën e xhepit që ke mbajtur poet, në një fotografi, ka mbetur në orën 2 pa 20 minuta. E shoh me respekt e veneracion edhe stilografin tend, por nuk e di ku ndodhen sot.
Varri yt në Tore Pelice ishte i thjeshtë por vazot me lule të bardha që shoh në foto, tregojnë se ishte bërë kujdes!
Re në gjumë atë ditë gushti dhe nuk u zgjove më për ne! Por ka edhe më keq! Ne kemi rrënë në gjumë së gjalli dhe nuk duam të të kujtojmë! Revistat duhet të jenë ideale!(Tregimi i shkurtër i Migjenit"Program i një reviste") dhe ndërsa "Paria e shtetit X nuk dinte/dinë ç'të bajë dhe si ta vendosi çashtjen e krizës…"(marrë nga Novela mbi krizë).
Stili i tij ishte njeriu dhe në përmbajtje edhe në formë.Si i thoshte Migjeni mikut të tij Filip Ndocaj qysh në 1936-n."Neve nuk na duhen kryevepra botnore, na duhen shkrimtarë që të dinë me pasqyrue realitetin që jetojnë, që e shohin jetën pa perde, pa temianë, pa frikë."…Stilistat do të lindin ma vonë, nga këta me përpjekje".(Migjeni vepra faqe xx). E vigan i fjalës poetike, sot kemi "stilista" të stinës parodike politike, kemi bejtexhi të retorikës boshe, kemi dhe llafazanë të arithmetikës së parasë!
Migjeni jetoj shkurt si jetoj Moxarti sepse tek këta njerëz shpejtësia e lëvizjes është si udhëtim në epoka, gjithë kjo se ata nuk kanë frikë as nga sfidat as nga vdekja.
Migjeni jetoi për të krijuar dhe krijoi për të realizuar idealet e tij.
Ai udhëhiqej nga maksima;"Atë që e bëja pa dëshirën time, më shumë e vuaja se sa e bëja…. Ose ka të keqe, nga e cila kemi frikë, ose vetë frika është e keqja"(Shën Augustini,Rrëfenjat faqe 153, 155, botimi shqip, shtëpia botuese Plejad).
Migjeni ai që u ngrit mbi frikën vjen edhe sot si disidenti kundër padrejtësisë njerëzore. Me mendimet e tij, vetëm me kumtet e tij shekujt mund të vijnë të rinj dhe ne mund të quhemi bijë të tyre!
Merr Millosh Gjergj Nikolla Ikona e poezisë shqipe.
Dërgon Përparim Kabo, një shqiptar që nuk e haron Migjenin!