E shtune, 27.04.2024, 11:27 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Për korrupcion jemi fajtorë të gjithë

E premte, 19.09.2008, 10:00 PM


Engjëll Koliqi
Engjëll Koliqi
Për korrupcion jemi fajtorë të gjithë

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Korrupcioni. Kjo sëmundje e vjetër, e rëndë, ngjitëse dhe shumë e rrezikshme, që po shkatërron popuj të tërë. Korrupcioni – kjo sëmundje e rrezikshme, tashmë me përmasa masovike ka përfshirë botën tonë – në të gjitha horizontet e mes-horizontet. Kjo sëmundje, tashpërtash e pashërueshme, shumë popujve e shumë vendeve ua ka infektuar ekonominë dhe shoqërinë, kështuqë gjithnjë e më tepër po e pengon zhvillimin e përgjithshëm të popujve dhe të vendeve – anekënd botës. Nuk ka dyshim, tashmë po e shohim të gjithë – virusi i rrezikshëm i korrupcionit këto ditë ka shkaktuar tërmete të fuqishme nëpër bursat – anekënd botës, kështuqë nga paniku i "dridhjeve" të fundit – gjithandej e gjithëkëndej – në Amerikë, në Europë e në Azi, çdo ditë po "digjen" qindëra miliardë (bilionë) dollarë e euro. Unë jam i bindur se në përhapjen e shpejtë të këtij virusi, që po i dridhë përnjëherësh tregjet financiare, anekënd botës, ka ndikuar shumë edhe globalizmi, që një elitë e ngushtë kapitalistësh a kanë trilluar dhe sajuar dhe – pa kuptuar mirë se ç'është - shumica absolute e popujve e kanë "përqafuar" dhe i kanë apllauduar.

Që të mos lodhemi shumë me gajle dhe me probleme të të tjerëve – të huajat, le të ndalemi dhe ta shohim këtë sëmundje të rrezikshme, në mesin tonë. Le të shohim dhe le të mundohemi, të gjithë bashkë, t'i shpëtojmë kësaj sëmundjeje të rëndë dhe të rrezikshme, që ka rjepur deri në palcë shpinën dhe kurrizin e kombit tonë. Korrupcioni – si zgjebë (zhugë) e rrezikshme, mjerisht, ka hyrë në çdo pore të lëkurës sonë. Për një tender – njëmijenjë korrupcione e mijëra të korruptuar. Për rregullim dokumentesh – njëqindenjë korrupcione e qindëra të korruptuar. Për ngritje në karrierën politike e për të marrë pushtet – njëmijenjë korrupcione e mijëra të korruptuar. Për një shitblerje të pronës shoqërore – njëmijenjë korrupcione e mijëra të korruptuar. Për punësim të një njeriu, apo për regjistrim të një nxënësi a studenti – njëqindenjë korrupcione e qindëra të korruptuar. Pra – mjerisht – për çdo gjë dhe kudo në shoqëri korrupcioni nuk ka të ndalur dhe të korruptuarit janë shumë – gjithnjë e më shumë –tepër e gjithnjë e më tepër.

Rregullisht, në qeveri dhe në të gjitha elitat lokale të institucioneve shtetërore flitet shumë për korrupcionin, zgjidhen komisione të caktuara "për ta luftuar" korrupcionin, ftohen njerëzit (qytetarët) që ta denoncojnë dhe ta pengojnë korrupcionin, bëhen betime se "do ta çrrënjosin" korrupcionin... Të gjithë bërtasim kundër korrupcionit, por që të gjithë – në një mënyrë a në tjetrën – jemi të zhytur në korrupcion dhe që të gjithë, në një masë, jemi të përlyer.

Kurrëfarë udhëheqje, as kurrëfarë qeverie nuk mund ta luftojë, as ta zhdukë korrupcionin, nëse nuk inkuadrohemi dhe nuk angazhohemi shumë seriozisht dhe maksimalisht të gjithë në këtë akcion – shumë të vlefshëm dhe të nevojshëm për shoqërinë. Dhe, për korrupcion, nuk mund t'i akuzojmë vetëm qeveritarët dhe drejtuesit e institucioneve lokale shtetërore. As zyrtarët e nëpunësit nuk janë të vetmit aktorë të kësaj sëmundjeje, por që të gjithë jemi aktorë dhe pacientë të pafat të korrupcionit. Për të qenë të liruar nga kjo sëmundje, patjetër që duhet një angazhim i përgjithshëm – i të gjithë qytetarëve dhe pushtetarëve, që nga baza lokale e deri në zyrat qeveritare. Por, jo vetëm kaq. Le ta përkujtojmë një shprehje të bukur popullore, që gjithnjë është e pranishme – si te ne, poashtu edhe ndër kombe tjera: "Më mirë është të parandalojmë, se sa të shërojmë". Duke u nisur nga kjo, del edhe konstatimi i bazuar dhe i bindshëm, se të gjithë jemi fajtorë për korrupcionin dhe të gjithë – secili në mënyrën e vet – të zhytur në te dhe të përlyer. Prandaj, pa angazhimin shumë serioz dhe këmbëngulës të të gjithëve, kjo sëmundje e rrezikshme që keq ka kapluar dhe pllakosur shoqërinë shqiptare, jo vetëm që nuk shërohet e nuk çrrënjoset, por përhapet edhe më shumë dhe gjithnjë e më tepër na shkakton viktima – ruana Zot, mund të na shpjerë deri në shfarosje. Jo që po dua t'i mbroj qeveritë tona, as pushtetarët, por e vërteta është kjo. Nëse ne nuk duam korrupcion, ata nuk kanë me kënd të korruptohen. Dhe për këtë, mund të marrim mijëra shembuj. Me rastin e shpalljes së tenderëve, për kryerje të punëve, në projektet qeveritare dhe në ato që shpallen nga pushtetet lokale, jemi ne ata që ua "imponojmë" korrupcionin pushtetarëve. Shkojnë drejtuesit e ndërmarrjeve dhe u ofrojnë para pushtetarëve, madje edhe më shumë se gjysmën e fitimeve. Jo vetëm kaq, por e keqja më e madhe është se për ta "kompensuar" shumën me të cilën i ka korruptuar pushtetarët, për marrjen e tenderit, ndërmarrja nuk e përmbush kualitetin e nevojshëm, gjatë kryerjes së punëve dhe kështu dalin probleme të tjera dhe harxhohen edhe mjete financiare shtesë, nga buxheti i shtetit. Nëse asnjë pronar ndërmarrjeje nuk u ofron pushtetarëve mjete korruptuese, atëherë ata janë të detyruar që tenderin t'ia japin ndërmarrjes që i plotëson kushtet më së miri dhe kështu puna shkon në rregull. Nëse ndërmarrja i kryen punët mirë, atëherë do të mungojnë vërejtjet dhe shkaqet që shpiejnë kah imponimi i korrupcionit. Nëse dikush nga pushtetarët, për rregullimin e dokumentacionit përkatës dhe për dhënien e lejeve të punës e të veprimit për një projekt, në një veprimtari të caktuar, kërkon t'i jepet ryshfet (do të korruptohet, respektivisht nxitë korrupcion) dhe palët nuk ia përmbushin këtë kërkesë të tij, ai në mos sot – nesër, patjetër se do e rregullojë dhe do e lëshojë dokumentacionin e duhur. Pra, as në këtë pikë, askush nuk mund të korruptohet vetë – pa pjesëmarrjen e palës tjetër, që nënkupton qytetarët, apo thënë troç – popullin. Nëse të njëjtën formulë e përdorim edhe me rastin e rregullimit të dokumentacionit personal, me rastin e punësimit, të regjistrimit të nxënësve në shkolla profesionale dhe të studentëve nëpër universitete, me rastin e shitblejres së pronave shoqërore dhe në raste të tjera, atëherë asnjë nga pushtetarët – as zyrtarë, as nëpunës, nuk mund të korruptohen. Pra, fajtorë kryesorë për korrupcion jemi ne qytetarët, sepse po të mos u jepnim ne, ata nuk kanë se si të korruptohen.

Si përfundim – ne qytetarët jemi ata që "e zhvillojmë" korrupcionin dhe vetëm ne mund ta luftojmë dhe ta zhdukim, deri në çrrënjosje. Meqë pa ne asnjë nga pushtetarët, as nëpunësit nuk mund të korruptohen, atëherë nuk kemi të drejtë t'i akuzojmë ata për korrupcion. Përkundrazi, për këtë dukuri të zezë, respektivisht sëmundje të rëndë dhe ngjitëse, ne duhet të mbajmë përgjegjësi të madhe. Do të thosha se përgjegjësia jonë duhet të jetë edhe juridike, që nënkupton nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e të gjithë atyre që ndihmojnë korrupcionin, respektivisht, që drejtëpërdrejtë "kontribuojnë" në zhvillimin e tij, duke u dhënë ryshfete nëpunësve, zyrtarëve e përgjithësisht pushtetarëve. Pra – le ta kontrollojmë e le ta frenojmë vetëveten tonë dhe korrupcioni zhduket vetëvetiu. Vetë ne duhet të bëhemi mjekë për shërimin e kësaj sëmundjeje, deri në çrrënjosje. Kështu mund të jetojmë të qetë dhe të mos e kemi më kompleksin e kësaj sëmundjeje. Kështu shoqëria jonë do të zhvillohet si një shoqëri e shëndetshme dhe e fortë dhe pushtetarët do të shpëtonin nga akuzat mbi korrupcionin, as që nuk do të kenë më nevojë të formojnë komisione as skuadra për luftë kundër korrupcionit. Prandaj, ju lutem bashkëkombas të mi – kudo që jeni – në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e gjetiu – lirohuni nga ky mëkat sakrilegj, virusi i të cilit quhet korrupcion. Lirohuni nga kjo sëmundje e rrezikshme. Mos i korruptoni pushtetarët, as mos i akuzoni ata për korrupcion. Le ta akuzojmë dhe le ta ndalojmë vetëveten, në këtë drejtim. Vendosmërisht – më mirë ta parandalojmë se sa ta shërojmë këtë sëmundje të rrezikshme!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora