Editorial
Besi Bekteshi: Cilin krim dhe kriminel të komunizmit dënojmë ne??!
E diele, 14.09.2008, 08:00 PM
Cilin krim dhe kriminel të komunizmit dënojmë ne??!
Besi Bekteshi
Nga Besi Bekteshi
Nga shteti Çek vjen si me porosi për momentin kur politika e Tiranës rreket ti mbushë mendjen jo vetëm popullit,por edhe vetes se “do të dënojë krimet e komunizmit”, një nga shembujt më të qartë, se të tjerët e kanë seriozisht me krimet dhe kriminelët e diktaturës, kurse ne luajmë teatër dhe jemi vazhdimisht në një farsë. Vetëm tre ditë më përpara pikërisht me datën 10-të shtator një ish pjesëtare e gjyqeve të periudhës komuniste në ish Çekosllovaki në moshë 86-të vjeçare, është dënuar me 6-të vite burg për rolin e saj në një gjyq në të cilin është vendosur të ekzekutohej një politikane antikomuniste. Gjykata e Lartë çeke ka marrë vendim kundër Ludmilla Brozova-Palednovas, sepse kishte dhënë urdhër për ekzekutim në një gjyq të viteve 50-të, kundër Mllada Harakovës e cila u var me akuzën “tradhti dhe spiunazh”. Harakova kishte qenë ligjvënëse dhe një anti-fashiste e vendosur gjatë luftës së dytë botërore dhe mbas varjes së saj, ka pasur protesta dhe nga Albert Ajnshtajn. Gjyqi që dënoi edhe 9-të të tjerë, ishte një montaturë tipike komuniste dhe një farsë e madhe gjyqësore, por që me sa duket drejtësia dhe populli çek, nuk e kanë përtypur deri në kohën e sotme. Për ti krijuar kushte në pjesëmarrje të moshuarës 86-të vjeçare gjyqi i saj u krye në Pizen, qytet perëndimor dhe agjencive të lajmeve, dënuara tashmë 86-të vjeçare ju tha se: Detyra e ime ishte të bindesha urdhrave të eprorëve. Gjithsesi Gjykata e Lartë Çeke në vitin 2008-të arrin të dënojë për krimet e kryera në periudhën komuniste një ish prokurore të gjyqeve të asaj kohe. Gjykata çeke!!!? Një nga shtetet e qendrës së Evropës, nga më të qytetëruarit dhe të vuajturit nga komunizmi. Mjafton të përmendim “Pranverën e Pragës” sulmin sovjetik me tanke, të vdekurit dhe Jan Husin, por edhe ish komunistin Dubçek dhe na del shumë mirë në pasqyrë diferenca e madhe e komunistëve tanë, por edhe ish komunistëve tanë me këtë vend evropian me të gjitha tiparet dhe kriteret në ditët e sotme. Republika Çeke është një vend anëtar i NATO-s, është në Komunitetin Evropian dhe me një nivel jetese dhe të demokracisë, në afërsi të madhe me vendet e vërteta perëndimore. Mund të thuhet se për nga disiplina dhe rregulli njerëzor, është akoma më përpara se sa disa vende perëndimore dhe këtë e dinë të gjithë. Tani pa u zgjatur shumë me retorika të kota dhe fjalë boshe pa kuptim, shumë thjesht po shtroj një pyetje. Cilin kriminel, krim të diktaturës komuniste, kemi dënuar ne???! Cilin dhe kë? Gjykatat tona, partitë e famshme tonat si medemek ato të djathtat, por edhe të majtat kanë pasur njëherë kurajën të ndëshkojnë qoftë edhe një kriminel, sepse ka marrë vendime në gjyqe farsë të komunizmit. Jo, nuk e kanë bërë dhe tallen edhe sot e kësaj dite. Janë tulatur dhe janë “kënaqur” me fjalët e “detyrës” që ish kryeprokurorë dhe anëtarë të byrosë dhe gjyqtarë e ministra kriminelë të kuq, kanë deklaruar. Këtë gjë ka deklaruar edhe 86-të vjeçarja kriminele çeke, por Gjykata e Lartë e burrave dhe grave të qytetëruar të këtij vendi, ja afroi edhe qytetin e gjyqit sepse ishte e pa mundur, për ti dhënë një dënim të merituar edhe në fund të jetës. Ne nuk bëjmë asgjë tjetër, por shtrembërojmë demokracinë dhe këtë e bëjnë që nga kryetarët e partive kryesore dhe pastaj edhe të gjithë institucionet e vendit. Një emër të vetëm të krimit, dhe të kriminelëve me gjyq dhe aktvendim të tregonim se kë kemi dënuar, dhe së paku do të thoshim se po dënojmë “krimet e diktaturës”. Jo vetëm që nuk dënojnë krim dhe kriminel, por akoma më keq, po arrijnë paturpësisht ti integrojnë akoma më saktë dhe më mirë, se dikur në diktaturë. Në gjykata akoma ka “burra” që kanë dënuar njerëz dhe demokratët e socialistët i lejojnë të prosperojnë dhe të shesin mend. Në gjykata të larta dikur, por edhe tani ka prokurorë që kanë dënuar njerëz dhe përsëri ju merret mendimi dhe kërkohet suporti i tyre. Në parlament ka deputetë që kanë marrë pjesë në dënime të njerëzve dhe poetëve dhe askush nuk shqetësohet. Në institucione të larta të shtetit dhe ato të pavarura, ka akoma persona me një të kaluar super komuniste dhe të vërtetuar, por ka edhe në media dhe në vend me përfaqësim të lartë. Si ka mundësi ta hamë turpin me bukë në këtë mënyrë? Si ka mundësi që të flasim tani për tani për spiunët dhe të nisin një farsë tjetër parlamentare, kur kemi akoma njerëz që nuk kanë pasur nevojë të jenë spiunë, sepse kanë qenë ingranazhe të identifikuar dhe veprimtarë të regjur të diktaturës. Si për partinë demokratike dhe lidershipin e saj me në krye Sali Berishën dhe për lidershipin e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, duket sikur “kriminelët dhe krimet” e komunizmit janë një diçka demode. Dakort, se Berisha mbase ka edhe ndonjë vështirësi, sepse ingranazhin e atij sistemi e njeh më mirë dhe ndoshta e kupton se po filloi, i duhet pastaj të zgjatet në kohë dhe momente, por për Ramën që vetë nuk ka qenë pjesë e këtij ingranazhi, pse duhet të jetë demode ky qëllim. Nuk është për Çekinë dhe ne e konsiderojmë veten me modernë??! Jo, ne nuk duam ti dënojmë dhe pikë, sepse jemi mësuar të jetojmë pa u pastruar si shoqëri. Pa dhënë shembuj, qoftë edhe të pakët të dënimit të krimit dhe kriminelëve. Në këtë vend kanë vrarë pa gjyq, kanë vrarë me gjyqe farsë, kanë internuar me një firmë dhe me spiunllëqe banale, duke dalë edhe dëshmitarë të hapur, dhe nuk kemi dënuar asnjë!! Fatkeqësisht asgjë. Së paku të demonstronim edhe në botën perëndimore, se arrijmë të jemi koherentë dhe të sinqertë tani, kur pretendojmë të jemi pjesë e Evropës. Në këtë vend janë vrarë dhe dënuar apo depërtuar apo edhe larguar nga shtëpitë e tyre, jo vetëm antikomunistë, por edhe komunistë. Janë me mira. Si nuk ju vjen zor tani drejtuesve të parlamentit dhe brendësisë së këtij institucioni apo edhe komisioneve, për të vdekurit dhe internuarit, që patjetër kanë edhe në familjet e tyre të afërm dhe shumë të afërm. Jo vetëm te demokratët, por edhe të socialistët. Pra nuk duan ti hyjnë këtij pastrimi, sepse kërkojnë të mos pastrohet shoqëria. E pra kështu kurrë nuk do qetësohet politika dhe bjerë paqja, sepse nuk ka sesi të bëhet pa u dënuar krimineli dhe krimi.“Teatër Kukullash” me ligje dhe fjalime, nuk ka nevojë shoqëria dhe me një teatër të tillë të deritanishëm, ka vetëm humor të prishur dhe asgjë tjetër. Në fakt këtu dhe për dënimin e krimit komunist nuk po i bëhet nder vetëm të dënuarve dhe të persekutuarve dhe ky është vetëm një moment. Problemi është më i madh se sa kaq. Me dënimin e vërtetë të krimit dhe kriminelëve, i bëhet nder shoqërisë dhe fëmijëve, sepse vetëm kështu ato mund të jetojnë pa hijen e krimit mbi supe e cila ju vendoset edhe pse nuk kanë faj. A do të kryhet ky pastrim? Unë personalisht jam shumë skeptik. Por akoma më, se sa skeptik, jam me bindje se nuk duan ta bëjnë dhe kjo është një fatkeqësi e madhe kolektive. Ndoshta edhe pse për gjysmë sinqeritet, na duhet të ngremë një memorial të madh të krimeve dhe viktimave të komunizmit në Shqipëri. Së paku këtë. A do të bëjmë?? Nuk mund ta bëjmë, se nuk kemi dënuar asnjë kriminel. Jo nuk e ndërtojmë as këtë dhe kjo është e pafalshme.