E diele, 06.10.2024, 09:22 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Një rend tjetër

E shtune, 13.09.2008, 08:01 PM


Engjëll Koliqi
Një rend tjetër

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Historia jonë – mjerisht – ka pasur shumë kaptina të zymta të epokave të zeza. Një nga ato kaptina u mbyll në vitin 1999, duke i dhënë fund epokës më të zezë dhe më të përgjakshme mbi tokat dardane, asaj epoke që dirigjohej e shfrytëzohej nga serbianët, për t'i mbajtur gjallë në këtë pjesë të botës edhe intereset e mëdha me vula krimesh të Moskës zyrtare. U mbyll epoka e robërisë që prodhonte vetëm krime, deri në vdekje. U mbyll epoka e shfrytëzimeve mbi tokat tona. Në të njëjtën kohë u hap epoka e lirisë, që ne të na pranonte zotshpie në trojet tona. U hap epoka e vlerave të mirëfillta të paqes dhe të demokracisë. Megjithatë u dasht të kalojnë edhe gati nëntë vite të tjera, nën trysni të shumta ndërmjet hamendjeve, se duhet a nuk duhet vulosur shtetësinë e Kosovës. Plot ndeshje interesesh nërmjet dhe përrreth qendrave të arbitrazhit ndërkombëtar. Dikush thumbit – dikush patkoit, varësisht nga vallet e intereseve. Shpesh kemi qenë të detyruar të luajmë në ato valle interesesh, edhe me stilet më absurde që ne nuk na takojnë. Shpesh jemi detyruar që edhe shejtanin ta thërrasim dajë. Kështu na kanë kaluar gati nëntë vite të tjera, në një liri relative. Në njërën anë – sipërfaqësisht kemi qenë të lirë, kurse në anën tjetër – të nënshtruar para vendimeve, edhe absurde, të ndërkombëtarëve, nën umbrellën komanduese të quajtur UNMIK.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, të gjithë ne jemi përballur me njëmijenjë marifete unmikistane, deri në ato më absurdet. Sidomos drejtuesit e institucioneve tona shtetërore kanë qenë nën trysni të vazhdueshme, në procesin e definimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Nuk e kanë pasur lehtë nën trysnitë më absurde të qendrave të arbitrazhit ndërkombëtar, udhëkryqeve të intereseve, ndërmjet kompromiseve të imponuara, që mjerisht i janë përgjigjur edhe aspiratave më absurde të klikës moskovite dhe të aleancave ndërkombëtare të udhëhequra nga njëri ndër më të rrezikshmit e kësaj bote – njëherë president e tash kryeministër i Rusisë – Vladimir Putin. Sfidat e tij të njëpasnjëshme, shumë herë e kanë bllokuar procesin e definimit të statusit të Kosovës. Drejtuesit e institucioneve tona shtetërore, të përballur drejtëpërdrejtë dhe tërthorazi me këto sfida të rrezikshme, janë ndodhur të zënë ngushtë para akteve historike, me një përgjegjësi shumë të madhe – gjetjen e formulës më të përshtatshme dhe më pak të dhembshme, në vazhdën e kompromiseve të imponuara nga bashkësia ndërkombëtare, për të përmbyllur mirë e mbarë procesin e definimit të statusit të Kosovës.

Telashe të mëdha në këtë drejtim ka sjellur procesi i decentralizimit, që është kërkuar ndërmjet kompromiseve me serbët. Edhe sot ky proces vazhdon të na shkaktojë kokëdhembje dhe gjithnjë e më haptas dalin tendencat për gllabërimin e tokave tona, me porosi të ëndërrës së pashuar sllavoshoviniste. Në vazhdën e kompromiseve, gjatë procesit të bisedimeve dhe të marrëveshjeve me ndërkombëtarët, për definimin e statusit final të Kosovës, janë favorizuar tej mase ata që kanë bërë krime deri në gjenocid, mbi trojet tona dhe mbi popullin tonë, kurse populli i Kosovës është sjellë para aktit të kryer, në shumë çështje – përfundimisht të aprovuara nga arbitrazhi ndërkombëtar, me bekimin edhe të fuqive të mëdha, si ligje të prera dhe të plotëfuqishme, në të ashtruquajturën "Pako e Ahtisaarit". Vetëm e vetëm që nga bashkësia ndërkombëtare Kosova të vuloset si shtet, drejtuesit e institucioneve tona shtetërore janë detyruar ta pranojnë pakon e Ahtisaarit, që na ka shpjerë deri në atë pikë, sa të kemi një flamur pa simbolet tona kombëtare dhe njëfarë muzike pa tekst, që quhet "Hymni Kosovës".

Sidoqoftë, më 17 shkurt 2008, mbas bllokadave të njëpasnjëshme që Rusia na bëri në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kuvendi i Kosovës e rishpalli pavarësinë e këtij vendi dhe shteti ynë – Republika e Kosovës, shumë shpejt, u njoh nga 46 shtete. Ndër të parët na njohën shtetet më të fuqishme të botës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Zvicra, Belgjika, Austria, Japonia, Australia, Turqia, Kanadaja etj.

Fantazmat karpatiane vazhdojnë, me të gjitha format dhe me gjithë fuqinë që kanë, që ta pengojnë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në organizmat tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të kulturës, të artit dhe të sportit. Bijtë e krimit sllavo-ortodoksë (ruso-serbianë) edhe sot po shpenzojnë miliona dollarë dhe euro, në procesin e pafund të propagandës antishqiptare dhe antipaqësore, për t'i bindur aleatët e tyre dhe vendet e tjera, për zvarritjen e njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Për ta penguar këtë proces, makineria kriminele e Putinit, me urdhërat e Moskës zyrtare, nga Kremlini, kanë invaduar Gjeorgjinë, për t'ia marrë dy krahinat më të pasura dhe për të shkaktuar një krizë tjetër, që sipas tyre lë nën hije procesin e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Mbase pré e këtyre lojërave të rrezikshme të kryekriminelit Putin, janë edhe shumica e vendeve të pasura arabe, si dhe të fuqive të reja ekonomike botërore, siç janë: Brazili, India, Kina, Meksiko etj. Sidoqoftë, këto lojëra të rrezikshme të tyre, udhëkryqeve t'intereseve të fëlliqta, nuk do të kenë jetë të gjatë. Së shpejti, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës do e njohin shumica e vendeve të botës, sepse tashmë është një realitet i vulosur dhe pakthyeshëm prapa. Republika e Kosovës, së shpejti do të anëtarësohet në të gjitha organizmat ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tashmë, në realitetin e ri, kur UNMIK-ut i ka ardhur fundi dhe kur kemi në fuqi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ne duhet ndërruar kursin politik dhe dipomatik dhe duhet ta kemi një strategji afatgjatë, për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, që të mund të përballemi – me plot sukses – me të gjitha sfidat që na imponohen. Në kuadër të kësaj strategjie duhet të jemi shumë të kujdesshëm në barabarësinë e intereseve dhe të drejtave e përgjegjësive reciproke – si me fqinjtë, poashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Bashkësisë ndërkombëtare – të gjitha qendrave të arbitrazhit ndërkombëtar (në Bashkimin Europian, në NATO, në OSBE dhe në Organizatëne Kombeve të Bashkuara), krahas falënderimit për ndihmën e madhe që na kanë dhënë në gjetjen e lirisë dhe në kostituimin e shtetit tonë, duhet edhe t'u kërkojmë realizimin e të drejtave tona të natyrshme dhe të ligjshme, sipas normave të demokracisë e jo sipas kompromiseve me kriminelët, që na imponohen nga dita në ditë. Edhe intereset duhet të jenë reciproke, prandaj bashkësisë ndërkombëtare duhet t'i themi troç: Bëni ju dhe realizoni në Kosovë intereset tuaja strategjike dhe ekonomike, por vetëm nëse i keni parasysh edhe intereset tona dhe na ndihmoni t'i realizojmë ato plotësisht. Pra, gjithçka të jetë reciproke.

Është krejt normale që të zhvillojmë bisedime dhe të bëjmë marrëveshje edhe me vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë, që plot një shekull ka shkaktuar lumenj gjaku në trojet tona. Mirëpo, edhe për këtë duhet të vëjmë kushte, krejtësisht të natyrshme dhe të ligjshme. Me Serbinë mund të bisedojmë vetëm atëherë kur Beogradi zyrtar e njeh Republikën e Kosovës dhe kur të fillojnë funksionimin ambasadat – ajo e Kosovës në Beograd dhe ajo e Serbisë në Prishtinë. Si dy shtete sovrane mundemi dhe duhet të bisedojmë për të gjitha çështjet e hapura dhe të bëjmë marrëveshje, gjithnjë duke pasur parasysh të drejtat, përgjegjësitë dhe intereset reciproke. Mendoj se deri në ditën kur Serbisa e njeh Kosovën – shtet të pavarur, duhet ngrirë edhe procesin e decentralizimit, që në kuadër të pakos së Ahtisaarit parasheh themelimin e komunave të reja, në vendbanimet me dendësi më të madhe të popullatës serbiane. Arsyeja pse duhet vepruar kështu të lidhet me të drejtën e qindëramijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë. Përveç tri komunave të Kosovës Lindore, që sipas orekseve strategjike e kompromiseve politike, po quhet "Lugina e Preshevës", shqiptarë ka edhe në zonat tjera – anekënd Serbisë. Vetëm në qytetin e Beogradit sot jetojnë mbi 150 mijë shqiptarë, pa asnjë të drejtë kombëtare. Prandaj, mbasi që Serbia ta njohë Republiklën  e Kosovës, duhet filluar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura dhe nuk duhet lëshuar pe. Asnjë të drejtë serbëve në Kosovë më shumë se shqiptarëve në Serbi! Si mund të kërkohen privilegje absurde për serbët në Kosovë, kur mbi 150 mijë shqiptarë në Beograd nuk kanë asnjë klasë, ku mund të shkollohen në gjuhën amtare?! Nëqoftëse Serbia nuk e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës, as ne të mos e njohim pasaportën e Serbisë dhe asnjë qytetar serb të mos lejohet të kalojë kufirin e Kosovës me aso pasaportash. Asnjë automjet të mos lejohet me targa serbiane, me shenja të qyteteve të Kosovës (PR, KM, GL, UR, PZ, PE, DJ) dhe me policë të sigurimeve nga Serbia. Urgjentisht t'i marrin tri pikat kufitare në veri të Mitrovicës Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, nën mbrojtjen e KFOR-it dhe assesi me përzierje të UNMIK-ut. Të mos lejohet importimi i mallërave nga Serbia, nëse në dokumente të transportit nuk e ka të shkruar destinacionin – Republika e Kosovës dhe nëse nuk lejohet eksportimi i mallërave tona në Serbi, me mbishkrimin "Made in Kosova". Të mos lejohet valimi i flamujve të Serbisë në territorin e Kosovës, nëse nuk lejohet valimi i flamujve të Republikës së Kosovës brenda territorit të Serbisë, aty ku jetojnë shqiptarët – përfshirë edhe Beogradin.

Si përfundim – ka ardhur koha ta bëjmë dhe ta mbajmë një rend tjetër, një kurs të ri strategjik dhe politik, përballë të gjitha palëve, por sa më parë dhe më qartë - sidomos përballë Serbisë. Të bëhemi si kryepoeti ynë – i ndjeri Azem Shkreli dhe të brohorasim zëshëm: - Koha jonë nuk guxon të kohosh pa ne! Nëse nuk jemi aktivë dhe nuk e bëjmë rendin e ri, siç u tha më lartë, druaj se koha jonë kohon pa ne dhe stagnojmë duarthatë e mbesim të trullosur udhëkryqeve t'intereseve. Drejtuesit e institucioneve tona shtetërore nuk mund të veprojnë pa ne, prandaj le t'u ndihmojmë atyre – secili me vemrpimtarinë tonë të përditshme dhe me të gjitha fuqitë tona – le ta bëjmë dhe le ta zbatojmë bashkë rendin e ri, në kuadër të një strategjie të mirëfilltë kombëtare, për zhvillimin dhe forcimin e shtetit tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora