Kulturë
Sherafedin Kadriu: Strukturim imazhesh
E diele, 31.12.2017, 11:19 AM
Strukturim imazhesh
(Rreth përmbledhjes poetike të Mehmetali Rexhepit, "Hirësi e flluskuar", botoi Shtëpia botuese " Sogjetime", Gjilan, 2017)
Nga Sherafedin KADRIU
Secila vepër artistike ka diçka tërheqëse për individualitet e saja strukturore, stilistike, gjuhësore, tematike, etj. Veçantitë e tilla së bashku me ideshmërinë pozitive që përshkon vëllimin poetik të Mehmetali Rexhepit, Hirësi e flluskuar (nëntor 2017) përkufizojnë mjeshtërinë artistike të autorit në aspektin teorik, ndërsa në aspektin përmbajtjesor e estetik sjellin një tip poezie të postmodernës, ku vlerësimi e rivlerësimi i takon ironisë. Udha e shpërfaqjes riprodhuese të botës sonë nuk është poetika e zakonshme, përkundër vepra e Mehmetali Rexhepit sikur ndërtohet mbi riprodhimin, edhe kur është krijim artistik, edhe kur është analizë e një vepre tjetër-ese letrare.
Ky është individualiteti i veprës së këtij autori, është stili dhe mënyra e ndërtimit. Prandaj, poezia e veprës “Hirësi e flluskuar” nuk mund të interpretohet ndryshe, pos me materialin gjuhësor e stilistik të saj, për shkak se Mehmetali Rexhepi ka krijuar një stil të karakterizuar për shpalosjen e emocionit, duke e veshur atë me konceptin filozofik autorial. Vetë inspirimi i ndërdyjë ndërmjet konceptit filozofik dhe shprehjes artistike - ndjenjë, ligjëron kontekstin lirik të sforcuar si amalgamë me ndihmën e figurave artistike. Ky ndërtim-trajtim i ndjenjës bashkë me konceptin po për ndjenjën, shpërfaq intertekstin e ndërtuar nga aluzioni. Në këtë ndërthurje të qëllimshme, përsiatjet për akëcilat tema nga z. Rexhepi, në kuluaret e kritikës letrare interpretohen si hermetike. Ç’është e vërteta, vlerësimet e tilla i referohen edhe një mungese të emocionit në varg. Përtej formës dhe përmbajtjes, emocioni në këto poezi shtrihet në tërësinë poetike, ashtu siç shtrihet metafora në tërë krijimin artistik. Edhe antonimia nuk përfaqësohet nga shembujt shkollorë e mirë e keqe. Edhe ajo ka një përhapje përtej strukturës së një poezie, -përtej një njëmendësie të kërkuar me ngulm, përtej një tradite, të cilën autori nuk është se e kundërshton, por ai ka zgjedhur një udhë ecjeje ndryshe, edhe sot jo e rëndomtë për kritikën dhe lexuesit.
Duket se motiv kryesor z. Rexhepi ka ende atdhedashurinë, të shkallëzuar në nën motive, prej të cilëve ndonjëri mund të dalë edhe motiv në vete. Mitologjia antike, mesjeta e arbrit, mesjeta e vonë shqiptare, proceset e sotme politike në raport me Kosovën a Kosova në raport me to, vlera e djeshme dhe e sotme etj., herë të sforcuara, e herë prekur shkarazi, e shpalosin psikologjinë individuale dhe popullore, ndonjëherë të ngjizur, e herë tjetër në ecje paralele, me ndonjë përballje jo krejt rastësore.
Antika ka shpjerë Mehmetaliun në log burrash për t’ia kujtuar Homerit a Omirit se Odiseja sqimatar (!), dikur kishte plis të bardhë në kokë, e në e mohoftë me gojën e tij, atëherë argumenti do t’ia përplasë përpara vazon e British Museum. Le të bëhet copë-copë. Nuk do ta presim që pak para se “të vdesë” të shpalojë identitet!
Jo njëherë, thirrjet për frymën mesjetare arbërore të Mehmetali Rexhepit janë jehona që gjallojnë se ndryshe, vazhdimisht “kali mitik i çeliktë i Llazarit me katër drapërinjtë ia korr pamjet e syve”, për gjenerata me radhë, ndihmuar edhe nga “shkallët e euro-dinakërisë”. Po prandaj, në poezinë kushtuar Don Mikel Tarabulluzit, antiteza e shoqëruar me ironinë është një shpërthim trishtues, pse “në Muzeun e Gjergjit/ndodh shurdhëri e kambanës, ndërsa në Stubëll kambana kumbon/ deri te “Martirët e Karadakut”/për lutjet shqip të mëngjesit. Sa e vështirë, kësaj here të përkufizosh idenë, nëse autori ndjen për të parën e shpërfytyruar mu në qendër, apo krenohet me të dytën diku në skaje të lëkurës së rrjepur, të cilën nuk e qep dot për t’ia veshur anatomisë.
Për një jetë njeriu sa e sa përpjekje, pa fund, me gjilpërë në dorë, e harta shqepet ende pa nisur mirë. Megjithatë, dikush s’u ndalë edhe kur iu këput peri, se besoi, dikush s’u luhat, se drejt peshoi. I tillë qe Adem Demaçi që ecte lartësive me kokë në tokë. Jo i përmbysur, siç do të donin disa ta interpretonin, por i kthjellët e vertikal me një shikim që s’fiket tej mjegullnajës sonë, se vetëm nga lartësitë sheh tej mjegullës, se vetëm me kokën te toka dhe populli prej nga je dalë, pranohesh për ideator e prijës njëkohësisht. Vetëm të këtillët si Demaçi, qysh me kohë e kanë shpall udhë-rrëfim superegon e tyre si ndërgjegje vetëkritike. Bile, edhe atëherë kur ”në çdo labirint/i fiket nga një dritë”, edhe atëherë kur dykëmbësh e zvarranikë ia sillnin saçin mbi krye, Demaçi nuk foli për të tillët. I dinjitetshëm. Po, bashkëveprimtarët e tij, si Mehmetaliu e ndonjë tjetër, nuk e kapërcyen detin kur bëhej fjalë për Bacën, nuk heshtën për të, nëse heshtën për vete: “thuaj e mos shuaj/si të dogj tambli yt/e po i fryn kosit...” Të tilla kohë qenë.
Kohë kur vuajtjet i shijoje e gëzimet i vuaje; vdekjen e këndoje/ e jetës i thoshe jo; vdisje vertikalisht e vdekjen se përgjëroje; jetoje njëherë e dy herë nuk vdisje, as fatin s’e vajtoje (Tetë këshilla të mikut Rexhë Mala). Këshilla të ndjekura më mirë se askush nga Adem Jashari, të cilit: “shtëpinë dhe gjoksin ia shponin predhat, kur rrapi e pylli u dogj, por nuk u dogj as hija e shtrirjes tij shekullore/as hijeshia e trishtuar.” E natyrshme që në ato ditë e net të gjata e vite të stërzgjatura, pritja e nënave sa çelte, venitej. Kurdo, në verat me ethte të vapës, në dimra me krahnezë e ngrica, bijtë e bijat ishin kodër brenge e tyre (Tej mitesh).
Mehmetali Rexhepi ka pëlqyer mënyrën e tij të krijimit artistik, në vend që të këndojë për figurat, ai ndërton mbi imazhin e tyre, në vend që të flasë për proceset, ai sërish ndërton po mbi imazhe procesesh, në vend që të shpërfaqë ndjenja, ai ndërton mbi imazhet ndjenja. Ka diçka të përbashkët me poetin tjetër gjilanas Beqir Musliun, sidomos për sa i përket ngrehinës me labirinte kastile të errësuara edhe ashtu vështirë për të hyrë e për të dalë njëkohësisht në ta e nga ta. Se ka pësuar një ndikim deri në adhurim e thotë vetë Mehmetaliu:
në gurrën e kohës
i gjeta sytë tu
ishin sytë e mi
pashë dritëzën
farfuriste
në qiellin tënd
horizontin tim
(Hirësia e Tij Purpuri)
Secili autor ndjek ndjenjën e tij për të bukurën. Mehmetali Rexhepi të bukurën e gjen aty ku të tjerët shohin ngatërrimin e ndërdyjë, aty ku të tjerët ndjejnë hurbën e mëkatit, aty ku të tjerët nxijnë ngjyrat e ditës.
Nuk ka se si portretizohet më çiltër imazhi i figurës së poetit karadakli, Zejnullah Halilit:
ia dhashë dorën e shtrirë të erës
Zejnës së Halilit
erë-ëndja pëshpëriti jam Zefi i Maleve të Zeza
Nuk është laramani, as tjetërsim, as zhgënjim. Është bota e Zejnës ndërmjet hoxhës e priftit, si vëllezër të tij. I ndarë nga jeta e vdekjes urbane, ashtu siç e deshi shpatin me atë lugun buzë një gurre, aty pushon teksa frymon me avuj me barin. Një dorë dheu për mirësinë e tij, për pengun e lirisë së grabitur të Maleve të Zeza. Atje, në Karadakun e Zejnës, burrat janë zgjuar herët nga Shën Gjergji me degët e njoma e të lagura në ujë hithrash. Më tutje, tri kodra më në perëndim,
Mirko Gashi i jep
shkëlqim dritës kur bubullimat rrëshqasin joneve të zjarrit. I zgjuar në kohë,
dikush thërret: O Zot mos na gjuaj me gurë, se sonte po recitohet Fishta!
Këto figura a imazhet e tyre janë
brumos në trajtë Krishti. Të gjitha kanë “thithë qumështin engjëllor/nga
çerdhja e shqipes.” E kush më mirë, e kush më dhimbshëm, e kush më me dashuri i
ushqeu bonjakët e Kalkutës, se ajo që kishte një emër Gonxhe e një mbiemër
Bojaxhiu. Ai engjëll tokësor që iu rikthye oborrit të engjëjve hyjnorë si Shën.
Një trinom shënjues: Gonxhe - Nënë - Shën. Në paqe pranë Zotit!
Një poezi e
strukturuar me rrjedhë ritmike, siç është vetë dhembja që s’pran, është ajo që
i është përkushtuar studentes Valmira R. Myrtaj, në përvjetorin e amshimit. Kjo
është poezia që flet ndryshe nga të tjerat. Dhembja njerëzore e Atit e Mëmës
për bijën e tyre hirplote del nga intimja e ndërtuar me prozopenë. Pasjeta e
Valmirës flet me prindërit. Sikur nuk ikën dot. Atit i drejtohet: nuk do më
shohësh përmes ngjyrash që ua derdhe syve, ndërsa Mëmën e udhëzon: “vijo ta
shkruash romanin e urtisë e mes kopertinash/t`i kesh faqet e mia të bardha me
pika çapkënesh/ ikonën time gozhduar në zemrën Tënde”. Pas mandatës nuk ka
rrugë tjetër, pos të vështrojmë të nemitur. Bashkë me të tre: Atin, Mëmën dhe
Bijën, ndjen edhe rrëfimtari lirik që s’gjen shprehje ngushëllimi tjetër, pos
të vërtetës thënë troç:
Zot o Zot
qenkam më i fortë se guri
kur u mbështeta për muri.
(Hire të djegshme)
***
Të gjitha poezitë e këtij vëllimi kanë strukturë mono-kolone, me një ritëm paksa të ngadalshëm, ani pse nuk përshkohen nga asindeti dhe shenjat e pikësimit. Mos përdorimi i shenjave të pikësimit nuk paraqet ndonjë problem gjatë leximit logjik, sepse kompensimi bëhet nëpërmjet thyerjes së vargjeve, ndonjëherë edhe thyerje vetëm teknike, që mund të evitohej nga autori me pakëz përkushtim. Për shkak të gjatësisë së poezive, ato janë ndarë me yllthe, sikur të jenë ndarë në kapituj, por që ndarjet e tilla nuk paraqesin ndonjë shkëputje lirike, frenim mendimi a modifikim imazhi.
Në aspektin gjuhësor ka një trajtë-shkrimi të qëllimshëm të fjalëve kompozita, ndonjëherë edhe plotësimi, zgjerimi a kundërshtimi i semës nëpërmjet parashtesave të ndërkallura në paranteza, është përvojë e sprovuar qysh në vëllimin e parë poetik “Frymë e fërguar mynxyrave”, të botuar në Prishtinë, më 1997. Poezitë kanë gjithashtu një “gramatikë” të pasur kohësh e mënyrash të foljeve, ndërkohë që saktësia e tyre nga vargu në varg është tipike për shkencat ekzakte. Gjuha e shkruar është standardja, po Rexhepi është i vetëdijshëm për zhvillimin e saj: gjuha ndjek rrugën e vet të zhvillimit, pa pyetur gjuhëtarët, prandaj ka mbështetur në raste ndryshimet e reja në fushën e gramatikës. Kështu, të tashmen e habitores nuk e ndërton nga pjesorja e shkurtuar dhe folja ndihmëse, por nga tema e së tashmes dhe folja ndihmëse, p.sh.: shpoka në vend të shpuaka etj.
Në këtë vazhdë përvoje duhet parë edhe shfaqjen e fjalëve “të fjetura” në Fjalorin e Shqipes, për çfarë ndonjëherë detyrohesh që ta konsultosh semantikën e tyre. Një punë e vyer që mund të përligjet me thënien e Holger Pedersenit “Edhe gjërat e ditura mund të marrin një dukje të re kur thuhen për njerëz të rinj.”
Dhe krejt në fund, do të shtonim se Mehmetali Rexhepi i ka sjellë botës poetike gjilanase, dhe jo vetëm, një trajtë ndryshe krijimi artistik, të përafërt me esenë letrare që e kultivon ai.
Post Scriptum:
Ky vështrim u lexua më 18 nëntor 2017, me rastin e vlerësimit të portretit letrar të Mehmetali Rexhepit, në kuadër të Manifestimit " Vjeshta letrare e Gjilanit."