E shtune, 27.07.2024, 02:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Rruhuni nga poetët

E shtune, 24.12.2016, 08:11 AM


Kadri Tarelli shkruan:

RUHUNI NGA POETËT, ATA JANË DASHORË TË ZJARRTË!

Meditim rreth librit “SHPRESAT KANË FTOHTË”, të poetit Vaso Papaj

Këto fjalë: “Rruhuni nga poetët, ata janë dashorë të zjarrtë!”, për t’i vënë në krye të këtij shkrimi, i kam grabit nga poeti durrsak Bardhyl Agasi, thënë në një kuvend libri organizuar në Durrës, kushtuar librit me poezi: “Shpresat kanë ftohtë”, të shkrimtarit dhe poetit durrsak Vaso Papaj. E zgjodha këtë titull, sepse më pëlqeu, por më së shumti për të thënë, se në libër ka shumë prush, zjarr e flakë dashurie, për të ngrohur pak dridhjen dhe të ftohtin e poetit tonë, të ndjeshëm për të sotmen dhe të nesërmen. Meditim e dhimbje, shprehur nëpër vargje, në një ditë të qullët prag dimri: “Shi vjeshte e mbyti mëngjesin,/ e degdisi diellin diku… “Shi mbi gjethet e arta,/ që kanë ngritur flamurin e bardhë të dorëzimt…/ Shi mbi shpresat që kanë ftohtë,/ e dridhen veshur vetëm me lot”. Vargje migjeniane, për të shtyrë larg mërzitjen, lëndimin, trishtimin, hutimin, plogështinë, më tej mërmërimën dhe memecërinë: ... E ne mbetemi/ muzikantë të një orkestre/që prodhon vetëm heshtje….”

Me këto vargje proteste, edhe të tjera më të ashpra në poezi të shpërndara në libër, poeti ynë Vaso, flet dhe godet, nuk hesht por thërret, ai vajton dhe nuk qesh, nuk mbulon por çvesh, nuk ledhaton por shigjeton, ai gdhend nuk vizaton, nuk fërkon por operon, për të shkulur farën e të keqes që kaplon, trup e shpirt, vend e komb.

Titulli i librit, që mbërthen shikimin e parë, është paksa i ftohtë për lexuesin e dashuruar me letërsisë dhe poezisë. Dikush, mbase me të drejtë mund të pyesë: Pse poeti ka zgjedhur këtë varg, që ngjason me qiellin e plumbtë të mesjanarit apo shkurtit, kur shumica e poezive të librit i drejtohet dashurisë?! Eh! Tjerrim fjalë për biseda tavoline. Ç’ e duam përgjigjen kur e dimë se është njësoj sikur të pyesim kompozitorin për notat që ve në pentagram, apo piktorin për ngjyrat në telajo. E qënsishme dhe e dobishme është të bashkojmë ndjesitë që burojnë sëbrendëshmi, me gjykimin dhe mendimin që lind vetiu. Kështu mund të shijojmë artin e fjalës, forcën, bukurinë dhe magjinë e vargut poetik, që shumë na ngroh, aqsa na përvëlon dhe herë pas here na ftoh, për të na sjellë në vete. Si të gjithë poetët, edhe Vladimir Masallov bërtet që ta dëgjojnë edhe perënditë në qiell dhe ne njerëzit në tokë: “Poet, t’u bë detyrë e vërteta/ misioni yt fisnik/ le të drejtojnë njëqind shigjeta/shkruaj mos ki frik”….. dhe më tej: “Të heq kapelen miku im poet/ për ty kam nderim/ E vërteta është buka jonë/ vetë ti je pagëzimi im”.

Në disa poezi në libër, vihet re se poeti ynë është i ndjeshëm ndaj dukurive të trishta, të hidhura e të shëmtuara, që pikojnë e rrjedhin lotin, thajnë shpirtin dhe ndezin zemërimin, ndaj e ngre  zërin e protestës për t’u dëgjuar, mbase më fort se të gjithë poetët së bashku. Këtu ka të drejtë të jetë krah për krah me filozofin Niçe, kur thotë: “Është e vështirë të jetosh mes njerëzve, pasi është e vështirë të heshtësh”.

Vazhdimi më tej në këtë hulli trishtimi, do ta cungojë kënaqësinë e lexuesit që kërkon dritë, urtësi, mirësi dhe ngohtësi, të cilën e gjen me tepri në shumicën e poezive kushtuar ndjenjës hyjnore, dashurisë. Në të vërtet, secili në fund të këndimit të librit, nuk e ka të vështirë të kuptojë, se poezitë mund t’i ndajë në dy grupe, më së shumti për dashurinë dhe një pjesë kushtuar shqetësimeve, dukurive e halleve, me të cilat na cfilitet shpirti kur i hasim në çdo cep të ditës apo natës.

Gjykoni vetë vargjet e siqerta të dala nga thellësia e ndjesive njerëzore të poetit: Beso! Beso në dashurinë time,/ beso në një mik të vërtetë…. Atëherë do t’i njohësh ti ndjenjat e mia/ Ato që s’i zverdhi dot vjeshta…. Me këto vargje të gdhenura në poezinë “Beso”, Vaso Papj hap fletët e trëndafilit të dashurisë, për të vazhduar më tej me plot gonxhe të tilla: “Nëse do të isha njëzet vjeç, do t’isha përvëluar…/ E po të kisha të dyzetat/ si diell do të t’puthja mbi kuriz./ Po ja që i kam mbyllur gjashtëdhjetë,/ Ndaj mos ki frikë, kurrë s’do të t’ bezdis..”, Poeti, aty për aty, shpejt sikur harrohet dhe “dizet” përsëri, njëlloj si prrushi nën hi, dhe me ethet e korrikut, thotë: “E gjithë bukuria dhe gëzimi yt, qënien ma bën të dridhet…”. A nuk mjaftojnë këto pak vargje për të kuptuar dhe bindur veten dhe të tjerët në shenjtërinë e dashurisë, e cila nuk paska moshë? Vallë çfarë i le mangur një djali të ri, poeti ynë i moshuar kur këndon me këto vargje:

Puthmë moj, kufijtë t’i shqisim!

Botën ta përzemë nga vetja.

Trupat tanë me zjarr t’i ngjisim,

E kështu le të vijë dhe vdekja.

Kur lexojmë vargjet më poshtë, të bukura për tekst kënge, besoj do të jemi bashkë në një mendje: Poet i dashur mbushur me rini, që shpërthen e të mban edhe në pleqëri, çdo djalë ta ka zili, betohet në perëndi, dhe digjet e bëhet hi, për dashuri:

“Në ëndrrën tënde piva,

Shijova, e shijë fala.

Në buzën tënde mbiva

Furinë e erës ndala”.

Po nuk besuat në këto që thëm, këndoni poezinë “Tango” dhe do të bindeni:

…Qënkam si ty, nuk paskam moshë

Rëmbemë pra tango!

Qiejve të iki si djalosh.

Poetit të dashuruar Vaso Papaj, i admiruar nga të gjitha moshat, sidomos nga thinjoshët sevdallinj që kujtojnë “prapësitë” e rinisë, i shkojn më së miri fjalët e arta të XH. Bokaçio: “Kush gëzon rini në pleqëri, gëzon një privilegj të rrallë”. Besoj se këtë “thesar” të çmuar të jetës e duam dhe e lakmojmë të gjithë.

Për çdo njërin nga ne, pa vështirës për t’i kënduar dshurisë, në këtë libër do të gjejë vargje me frymëzim të pazakontë, që veç poeti Vaso ka mundur t’ i kapë në fluturimin qiellor:

“Në qiellin e prehërit tim, edhe sonte si yll ti më fli.

Botës t’i premtoj, se veç me shpresa do ta gdhend.

Dhimbjen ma harro, lërma në vetmi!....

Tani që nata po qëndis me puthje trupin tend”.

Nuk është gjë e re kur po them, se lexuesi me lehtësi e kupton se, në vrrullin dhe flakët e dashurisë, poeti zbraz edhe mjaltin dhe kripën e filozofisë. Kështu ai e rëmben nektarin e vargut lasgushian, duke i dhënë fjalës më shumë forcë, mendim, bindje, guxim dhe liri në hapsira universale. Ju nxis të shijoni dhe gjykoni vetë mbi këto vargje:

Të dashurohesh me dashurinë,

do të thotë: të duash lrinë, që ndriçon njerinë”….

…… “Se të dashurohesh me dashurinë,

do të thotë: të lumturohesh dhe të lumturosh”.

Çdo fjalë apo mendim i shtyrë më tej, në të tjera faqe dhe poezi të librit, kam përshtypjen se e zbeh kërshërinë e të lexuarit dhe kënaqësinë e të zbuluarit të “Margaritarëve”, që poeti ka gjetur e gdhendur me kujdes mjeshtri dhe durim skllavi, për të na i dhuruar me delikatesë artisti.

Besoj se në këto vargje magjike: “Të shoh ty,/ anoj çadrën…/ le të lagemi tërësisht, gjer brenda në sy”, të gjetura në poezinë “Shi vjeshte”, është ndezur poeti, autori fjalëve në kryeshkrim, që tha ato fjalë magjike të thëna ndryshe nga sa kemi dëgjuar apo lexuar më pare, Pikërisht në këtë poezi, ku ndryshe nga vargjet që citova në fillim, ka shumë optimizëm për jetën, dashuri e guxim hyjnor, që le shteg për admirim për fjalën, për gjetjen dhe për thellësinë e ndjenjave shpërthyese, që gjejnë qetësi aty, ku lindin e prehen, veç brenda në sy.

Në të gjitha poezitë që kam mundut të lëçis nëpër librat e poetit tonë të shumënjohur, apo nëpër portalet e internetit ku është i pranishëm, vë re se kanë një stil të këndëshëm, të pahuazuar apo të kopjuar. Ai në shumicën e herës, i shmanget vargut klasik me metrikë të rreptë, duke këmbyer vargun e shkurtër me të gjatë. Vaso është vetvetja në formë dhe në përmbajtje, i kuptueshëm dhe i thellë në gjykim, sepse ka shumë mendim, muzikalitet, harmoni, ndjenjë dhe me tepri, fisnikëri.

Duke i uruar poetit Vaso Papaj, shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të bukur, e përshëndes me thirrjen që vjen nga shekujt:

“Popuj dëgjojeni poetin!

Dëgjojeni ëndërrimtarin e shenjtë!”. V. Hygo

Kadri Tarelli

Durrës më 14. 12. 2016.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora