E hene, 29.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kristaq Turtulli - Ati dhe Fati

E premte, 23.12.2016, 11:27 AM


FATI, RASTËSIA DHE DOMOSDOSHMËRIA NË ROMANIN

“ATI DHE FATI “ TË SHKRIMTARIT KRISTAQ TURTULLI

Esse nga Prof.dr. Resmi Osmani

Këtë fundviti, opusit të krijimeve të veta, që s’janë të pakta, shkrimtari Kristaq Turtulli i shtoi romanin e ri “Ati dhe Fati”.E thënë që në krye të herës, nga mënyra sesi është konceptuar, arkitektura e ndërtimit dhe thurjes , fabula përmbajtësore, parashtrimi i ideve,stili dhe arti i të shkruarit, realizmi, thurur edhe me elemente të surealizmit, bëjnë që romani të ngërthejë  vlera dhe risi të romanit modern bashkëkohor.

E veçanta e romanit, është trajtimi i ndikimit në jetën njerëzore të faktorëve jashtpersonalë, që s’varen prej tij: fatit, rastësisë dhe domosdoshmerisë, të mirës dhe të keqes. Po ç’është fati, e thëna? Një kategori metafizike, që gjykohet si i pavarur, jashtë nesh por që përcakton disa ngjarje anësore apo  thelbësore të jetës vetjake të individit, bashkësive dhe nga një herë edhe të popujve apo vendeve!Në pamundësi të spjegimit të atyre ngjarjeve dhe rrjedhimeve, që janë një mister i thellë, i pakuptueshëm e i pa depërtueshëm,  shprehja më e zakonshme është: ky ishte fati, kështu qe e thënë!Urimi më i zakonshëm para çdo fillimi është “Paç fat”.  Në aspektin vetiak, duket sikur fati është pjesë e AND-së, ndaj të cilit dhe rrjedhimeve të tij individi nuk shmanget dot. Populli me urtësinë e tij, gjith këtë e ka përmbledhur në një sentencë sa fataliste aq edhe filozofike: “Kur do, do; kur s’do, s’do! ” Këtë  e ka ilustruar me fabulën e samarxhiut që kishte depozituar florinjtë në samar, sesi i humbet ato dhe sesi i rikthehen. Këtë fabul, autori e ka bërë subjekt dhe objekt të romanit të vet, me personazhin e Fredo Samarxhiut.

Në katrahurën e ngjarjeve, shfaqen herë sheshit e herë të fshehura rastësia dhe domosdoshmëria, që janë dy kategori filozofike për të spjeguar ndodhitë dhe ngjarjet, qofshin ato vetiake qofshin të përpjestimeve më të mëdha, shpesh edhe universale. Rastësia, shpesh në roman shfaqet e mpleksur me fatin, me kohën e ndodhjes së ngjarjeve, por jo me patjetër e ndërlidhur me domosdoshmërinë, shpesh ngjarje të rastit, nuk janë të domosdoshme që të ndodhin, por ndodhin sepse:”kur do, do, kur s’do, s’do!. Domosdoshmëria  lidhet më së shumti me faktorë të tjerë,përcaktues, të ligjësive me natyrë fizike, apo zhvillimeve shoqërore e natyrore.Sido qoftë ajo shfaqet në zhvillimin e ngjarjeve dhe fatin e personazheve. Të trija këtëo kategori, mbartin në orbitën e tyre të mirën dhe të keqen, fund e krye në roman, me ndikim të thellë në jetën plot peripeci të personazhit qendror të romanit.Ato i pështjellojnë jetën dhe e  rrëmbejnë në gjeratoren e tyre, herë për mirë por më së shumti për keq. Në këtë sfond, si pjesë e ngjarjeve, shfaqet njeriu, sa i vogël e i pafuqishëm në rrethanat e ngjarjeve, por aq i madh dhe i pathyeshëm, me qëndresën në luftën e tij egzistenciale herë i mundur e herë fitimtar.

Vendi, hapsira dhe koha në roman mbeten disi të mjegullta e të pa përcaktuara.Koha i përket së shkuarës. Zgjedhja e autorit është e thjeshtë: ajo është e njohyra, e ditura, e besueshme, që ka një histori. Ky sfond i asaj kohe, i le mundësi të paraqisë dhe shprehë atë që është substanciale në shtjellimin e subjektit. E tashmja është ende episodike, e ardhmja e pa parashikuar.Por, pavarësisht nga kjo zgjidhje, për autorin rëndësi parësore ka personazhi dhe fati i tij, mjafton që në sfondin e tyre ngjarjet të duken të qënësishme, të vërteta e të besueshme. Lexuesi hamendëson se: Qyteza është një fshat mëlor diku në Shqipërinë Juglindore, se ngjarjet zhvillohen në dhjetvjeçarin e parë e të dytë të shekullit të kaluar, se vendi fqinj mund të jetë Greqia etj. Shtrirja në hapsirë, në fillim fshati, pastaj vendi fqinj në luftë, e më pas deti dhe sterea e tokës afrikane, saharaja dhe toka faronike egjiptiane, i jep mundësi autorit për një prozë të larmishme për nga peisazhi, dukuritë natyrore, etnografia, zakonet, ku Fredo Samarxhiu, është një hershe hero dhe viktimë e fatit dhe rastësive të “Dosë” dhe “S’dosë”.

Po kush është Fredo samarxhiu? Nje njeri i thjeshtë, i mbetur fillikat,qëe shkon jetën në një zgëq që është punishtja e tij e samarpunuesit.Ai s’ka as dëshira dhe as interesa të tjera në jetë. Por ai trashëgon një pasuri në monedha të arta. As në dyshek, as në qyp të groposura, por në një samar të vjetër e të ronitur. Ai është shpresa dhe ëndrra e së ardhmes së tij, të cilën as ai vetë nuk e di sesi do të jetë. Atë e martojnë. E pranon gruan si  një nevojë, se shtëpia e do dorën e gruas. Dhe jeta rrjedh monotone, por një ditë ndodh ndryshimi i madh dhe romani mer tjetër rrjedhë. Atyre u lind një vajzë, e bukur si drita, me sy të kaltër. Fredua-baba, e përjeton thellësisht këtë lumturi, që është i vetmi gëzim dhe dashuri e tij, si një dritë në errësirën e jetës së varfër. Ajo është lumturia por edhe fillesa e fatkeqësive: gjeli çukit me sqep syrin e vajzës! Ajo humbet dritën e syrit. Për Fredon përmbyset bota. Nis aventura tragjike e babait që kutriset deri në vetmohim për shëriimin e vajzës.Fredua di pak gjëra nga jeta, por ndjenja e atësisë te ai është e plotë, e thellë, shpirtërore, pjesë e unit dhe shpirtit të tij. Ai I përjeton dëshpërimisht vuajtjet e së bijës dhe  është I gatshëm për vetsakrifikim, por Atit i kundervihet Fati dhe rastësitë e prapësitë, “Doja “ dhe “S’doja”, që krijojnë vorbullën e ngjarjeve: keqësimi i syrit të vajzës, lufta në vendin fqinj,humbja dhe rigjetja e florinjve ,sulmi i piratëve në det,mbytja e anijes dhe rihumbja e florinjve stuhia në shkretëtirë, sulmi i beduinëve, vjedhja nga keqbërësit e copës së fildishit etj. etj. dhe gjithë këto vijnë si befasi që e mbajnë të gjallë kërshërinë e lexuesit për të pritshmen, për atë që do të ndodhë. Ati nuk thyhet, atë se mposht fati i keq. Ai e realizon qëllimin që ishte ëndrra e tij: Siguron syrin e fildishtë për Ritën, vajzën e dashur, për ta bërë atë sërish të bukur e të lumtur, paçka se gjithë kjo kuturisje stërmunduese, i ronit shëndetin dhe e plak dhe thinj para kohe.

Në aspektin kompozicional, romani ngërthen disa pjesë, por që autori nuk i ndan por i paraqet në  linjë drejtvizore: pjesa e parë, me elementë surealistë, ku paraqiten personazhet. Autori, rrëfen me një prozë të qetë për njerëzit dhe mjedisin, deri në lindjen e vajzës.  Ndodhja e fatkeqësisë, këtu autori për ti dhënë prozës dramacitet ndrron stil. Kalon në një prozë dinamike, impulsive me fjali të shkurtëra, me ritëm të brendshëm tronditës dhe emocional, në përshtatje me ngjarjet dhe lexuesi e ndjek me tronditje dhe keqardhje fatin e personazhit dhe vajzës së tij fatkeqe. Lundrimi në det dhe peripecitë, jane një tjetër pjesë e dhënë me vërtetësi dhe realizëm, dhe së fundi, mbrritja dhe aventura egjiptiane.

Tërë romanin e përshkon si një fill i kuq dashuria atërore, është kjo dashuri që i jep Fredos forcë për të përballuar fatin dhe rastin e keq e për të arritur qëllimin, që do t’i rikthejë së bijës lumturinë.

E tëra kjo, është dhënë si një metaforë e luftës së njeriut me fatin, e së mirës me të keqen, se njeriun mund ta mposhtësh, ta asgjësosh, por se deyron dot të dorzohet, dhe se më në fund ai triumfon.

Jam i mendimit se romani “Ati dhe Fati” është një arritje e re e shkrimtarit  Kriistaq Turtulli, që do të mirëpritet nga lexuesi dhe gjej rastin ta uroj.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora