Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Te kjo prozë mund të flasim për poezinë
E shtune, 17.12.2016, 10:36 AM
Te kjo prozë mund të flasim për poezinë …
Shënime gjatë leximit të librit “Ndershmëria vetëm” të Faruk Myrtaj
Nga Timo Mërkuri
Leximi i tregimeve të librit “Ndershmëria vetëm” të Faruk Myrtaj, vetiu më kujtoi thënien e Italo Kalvine se… ”Poezia e vërtetë është gjithnjë prozë dhe proza është përherë poezi”. Atë ndjesi ngrohtësie që përjetoja gjatë leximit të këtyre tregimeve nuk e kisha ndjerë veçse në poezitë më të arira të poetëve të mëdhenj. Stili që pulsonte nga një resht në tjetrin më ngjasonte me rrahjet e një zemre të dashuruar dhe ritmika e jetës që shpalosej nëpër faqe, si hapja e mushkërive në një frymarje plot jetë.
Ndoshta nuk gabohem me këto metaforizime edhe për faktin se poezinë asnjëherë nuk e kam identifikuar me vargun. Për mua poezia nuk janë vargjet, qofshin ato të regullta apo të lira. Poezia për mua është ajo që gjallon dhe frymon brenda vargjeve. Ashtu siç është zemra dhe mushkëria e njeriut brenda brinjëve të dërasës së kraharorit. Brinjët e kafazit të kraharorit mund të jenë të forta, por nëqoftëse zemra brenda tyre ka probleme, probleme ka edhe vetë njeriu dhe jeta e tij. Ose në qoftëse mushkëritë brenda këtij kafazi kraharori janë të mushura me ujë, njeriu duhet të numërojë ditët që i kanë mbetur mbi këtë dhe.
Kështu ndodh edhe me poezinë. Poezia nuk janë vargjet, por ajo që gjallon e frymon brenda vargjeve. Ose në rastin tjetër, mbi vargje.
Mund të shkosh nën një pemë e të mrekullohesh nga një kor cicërimash. Ngre kokën dhe sheh se mbi degët e pemës janë ulur një tufë zogjsh këngëtarë, kënga e të cilëve të bën të mendosh se ato degë mbi të cilat ata janë ulur, janë thjeshtë tela violine, që krijojnë atë magji melodie. Besoj se , pas pak çastesh të gjithë biem dakort që ato degë nuk janë gjë tjetër, veçse disa degë të zakonëshme peme, mbi të cilat janë ulur zogjtë këngëtarë. Janë këta zogj orkestrantët e këtij koncerti që ne na vjen nga lart, si një frymë hyjnore dhe na mrekullon.
Poezia nuk është petalja e luleve. Poezia është ëndra që ajo mbart.
Në një lëndinë plot luleshqera, në adoloshencën tonë, mirnim një lule në dorë dhe fillonim t’i këpusnim petalet një nga një. Pas çdo petaleje që këpusnim pëshpërisnim ëndrën dhe shpresën tonë të dashurisë me fjalët “Më do”, “S’më do”. Në fakt, edhe hile bënim nga pak, se dihet që në dashuri lejohen hilerat. Llogarisnim shpejt e shpejt sa petale kishte luleshqera dhe bënim llogari që numëri tek binte te “Më do” dhe numëri çift binte te “S’më do”, nqse numërimi fillonte me “Më do”. Nqse llogaria e shpejtë nuk na dilte siç donim ne, atëherë e fillonim numërimin me “S’më do”. Bënim çmos që ajo , të cilës i dedikohej numërimi, të na donte. Na dridhej zemra se mos petalja e fundit na binte me fjalët “S’më do” dhe brohorisnim me vete, në heshtje dhe fshehtësi kur petalja e fundit na sillte shpresën se “Më do”.Sa të lumtur ishim kur fati i petaltë na dëshmonte dashurinë. Madje nuk donim ta vazhdonim më lojën mëdo-s’mëdo dhe nga ndroja se mos na “përmbysej” fati.
Si një luleshqerë e madhe petalushumë, në fakt pesëmbëdhjetë petalesh, është libri i Faruk Myrtaj “Ndershmëria vetëm”. Këputni petalet një nga një, domethënë lexoni tregimet, s’ka rëndësi nga do ta filloni. Të gjitha kanë aromë dashurie. Edhe “Midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit” edhe “Plakat e Nobelit” ju duan. Ju duan edhe “Mongolët që vijnë e vdesin në Amerikë” (kot hiqen si mongolë, ata janë bashkëqytetarët tanë që kanë emigruar) edhe “Mbreti i huaj”.Dyshoj se do ju duan “Vetëm për të ndershmit” dhe ju siguroj se ska vend për dashurinë tuaj te “Burgu i ri”.
Por mos u dëshpëroni miqtë e mi. Petalja e fundit, poema e mrekullueshme e Faruk Myrtaj “Kur njeriu rrëfen dashurinë e tij si të bletëve” e shkruar në dymbëdhjetë faqe proze, jo vetëm që pohon se ju do, por ju fton që të jetoni poetikisht dashurinë. E lexon dhe kupton se të shkruash kaqë poetikisht në prozë, duhet të shkruash vetëm me dashuri. Dhe që të shkruash me dashuri, duhet të dëgjosh fjalët e zemrës dhe jo të tregosh kafazin e kraharorit, të përjetosh këngën e zogjve dhe jo të admirosh degën ku ata qëndrojnë. E shihni që jinni me fat, miqtë e mi. Pikërisht petalja e fundit librit-lule ju dëshmon se Faruk Myrtaj ju do, ndaj shkruan për ju plot dashuri.
Mua personalisht, s’di pse duke lexuar këto tregime m’u kujtuan lulekëmbanat e fëmijërisë. I shikoja në lulishtet e qytetit tim, ashtu, si këmbana të përmbysura. Pistili që dilte jashtë tyre, tamam si gjuhëza e këmbanave, më krijonte bindjen se do fillonte të lëkundej, duke goditur faqet e petalta të luleve dhe do mbushte ajrin me tingëllimën e tyre ding-dong. Dhe unë prisja vërtet të dëgjoja tingullin e luleve-këmbanave. Shpesh herë edhe i godisja lehtazi me ndonjë thupër dhe afroja veshin me shpresë se tani do dëgjoja patjetër ding-dongun e tyre. Madje disa herë mu krijua bindja se e dëgjoja dhe fluturoja nga gëzimi.
Pikërisht kështu dëgjova sot muzikën e tregimeve të Faruk Myrtaj te ky libër me prozë, i cili në çdo faqe e në çdo resht frymonte poezi.
Kishte të drejtë arbëreshit Francesko Fuska kur shkruan ( në një shkrim për librin “Etja e gurëzuar” ) se: Jam i bindur se të shkruarit prozë nuk do të duhej të ndryshonte nga të shkruarit poezi…
Dëshmia qëndron para lexuesit te libri “Ndershmëria vetëm” i Faruk Myrtaj .