Kulturë
Poezi nga Sinan Sadiku
E merkure, 14.12.2016, 07:56 PM
Sinan
SADIKU
PROFESORËT QË PËRTUAN TA
GJEJNË URTINË
Mësonin në libra të çalë
Përkthenin libra të çalë
Shkruanin libra të çalë
Kurrë s’e lexuan librin e jetës
Kurrë s’e dëgjuan gjyshin
Rrinin të qetë
në shtrojerën e tyre të ngrohtë
e tërë pasion
flitnin për lulet e jetës
Ecnin rrugëve të hapura
Shpëtuan pa ferrë në këmbë
e urtinë
s’u lodhën ta gjejnë
Qenë bërë yje
Vajzat s’ua bënin fjalën dy
e djemtë
ëndërronin të bëhen si ata
E shitën atë që (s) e patën
e neve na e falën naivitetin
Na pajisën me aftësi minore
e shpresa qiellore
Mësonin në libra të çalë
Përkthenin libra të çalë
Shkruanin libra të çalë
Dardanë, më 23.07.1996
GJYSHI THOSHTE
Mos u besoni librave
se ju gënjejnë!
Më thoshte gjysh im
derisa i tregoja përralla të bukura
e ëndrra të këndshme
për shekullin njëzet për njeriu për...
të mësuara në shkollë
të lexuara në libra
të trashë të hollë
Mos u besoni profesorëve,
se s’dinë për vete!
Pat ngulë këmbë njëherë tjetër gjyshi im
derisa ia përsëritja të njëjtat përralla
të njëjtat ëndrra
hiq pa përtim
me aq frymëzim
Mos u besoni librave!
Mos u besoni profesorëve!
Ende tingëllojnë fjalët e gjyshit
në veshët e mi
E atë kaherë e ka mbuluar
dheu i zi
Një ditë
Çelën lulet e pranvera nuk erdhi
Bryma bëri kërdi gjethet i zverdhi
Poeti filloi të qajë të dënesë
Njerëzit u bënë memecë mbetën pa shpresë
Erdhën ditë të zeza për fjalë e besë
Më pas
Korbat e zi qiellit tonë vijnë
Lotin e syve donë të na e pinë
Dikur vonë
m’u çelën sytë
Pashë një botë të ndytë
që pëllumba mbytë
Ku ta gjeja gjyshin
t’ia puthja sytë
Ndjesë t’i kërkoja
e ta dëgjoja
Dardanë, më 15.05.1996
MEDITIM ELEGJIK
U thye dega e njomë e pemës
Pipat me lule ranë nëpër tokë
Diku në ferrat e egra të jetës
Shpresat qiellore u bën copë-copë
Përsëri linden shpresa të njoma
Por ferrat e jetës mbetën se mbetën
Na therin në shpirt gjakun na e qesin
Me dhembje pikëllim e mbushin jetën
Dardanë, më 15.05.1996
Nga libri “Rrobat e engjëllit”, botuar më 1999