Kulturë
Sotir Athanasi: Gjenevasi për Kafen Rostand
E shtune, 10.12.2016, 02:00 PM
SOTIR ATHANASI
GJENEVASI PËR "KAFEN ROSTAND"
(Në vënd të tregimit )
Më kishin mbetur afërsisht dhjetë faqet e fundit të këtij libri me të cilin ndjehesha tejet i lidhur e madje po kaq i shkrirë në përmbajtjen e tij, kur vendosa t'a ndërpres për t'a vazhduar të nesërmen.
Përjetimet nuk është se më kishin lodhur, që t'i jepja të drejtë vetes për pakëz pushim. Përkundrazi. Ndofta duhet të pohoja se isha jashtëmase i freskët dhe po aq i 'ngopur' Ai që ka provuar qoftë edhe vetëm një herë urinë e kupton se, ato çaste reshtjeje, kishin të bënin me diçka tjetër. Mbase me lënien e 'ushqimit' edhe për të nesërmen.
Sa mirë do të qe po të ishte vetëm kështu. Njëmend që kisha vrapuar për të përpirë kapituj të tërë, si kalorësi që 'pushton' hapsira të pafundme për të mbërrijtur atje ku duhet të shpjerë lajmin e fitores, mbasi ka udhëtuar gjithë natën dhe..., "Mëngjesi..." duhet t'a gjejë patjetër në...,
"Kafe Rostand".
Kisha "gllabëruar" gjithçka lexoja por nuk ia falja vetes që s'kisha bërë , në mostjetër, një shkëputje të shkurtër te KUKULLA. Të paktën të qëndroja qoftë edhe për një përsiatje.
Aspak.
Isha mjaftuar vetëm me një r i l e x i m te thëniet e saj aq të çiltërta që nga shprehjet: "më ha shtëpia" e deri te përgjigja krejt naive kur i biri (domethënë Ismaili) e kishte pyetur fare 'açik':
"mama trego se si re në dashuri me babanë kur e pe nga dritarja".
Dhe përgjigja e saj:
- Pse dashuri ishte ajo?..
[Dhe mua më dukej atë çast sikur dëgjoja një zë femror po kaq adoleshente sa edhe i biri, këtij 'mistreci' të djallzuar].
"Dashuri tamam, thamë gati - gati në një gojë motra dhe unë.
Dashuri me shikim të parë, vazhdova unë. Kështu quhet, e kemi bërë edhe në mësim. Dantja me Beatriçen."
(i thotë 'mistreci' ynë).
O Zot! Dhe cila? KUKULLA!?!
Ajo sa e kishte parë nga dritarja.Madje, në krye të herës e ngatëroi me dikë tjetër dhe u pezmatua. Por kur u bind se fati i kishte rezervuar atë tjetrin:
{dhe ne do të thonim: të mirin të bukurin}, KUKULLA do të mbetej gjithë natën pa gjumë. Kjo ishte dashuria e saj, për të cilën një briskpavënur, a një aguridhe si Ismaili, do t'a krahasonte me Beatriçen,
(që t'i vijë turp e të turpërohet ai palo..., riosh me emërin ISMAIL!)
- do të thoshte mamaja ime, po të ishte gjallë, se duhet të qe vërsnike me..., KUKULLËN ).
Por, unë nuk u ula të shkruaj për këtë, ndonëse s'do të bëja aspak keq sikur edhe vetëm për naivitetin e KUKULLËS, do t'ia vlente të merrja penën. Veçse,
diç tjetër më la atë natë fare pa gjumë. Ngaqë edhe kur më zuri,
në mos më pështjelloi,
një trazirë e pakuptimtë më kaplloi.
Në të gdhirë më mbërtheu, madje tepër i rëndë për të parë e për t'u përplasur (tek udhëtoja në makinë) me një ndriçim të pazakontë, për të mos thënë me një diell. Hapa menjëherë sytë tejet i befasuar dhe çuditrisht aspak i trembur. Ngrihem dhe pasi u hedh një a dy grushte ujë syve, me një ngut të pazakontë, si hulumtuesi a shkencëtari kur hyn në laboratorin e tij, hapa menjëherë "Mëngjeset në Kafe Rostand".
Lexoj me një bindje tërësisht të sigurt deri në verbëri, se aty ishte burimi i DRITËS A DIELLITi të veçantë që m'u shfaq në ëndërr. Po e risjell për lexim me porosinë sa dashamirëse, aq edhe paralajmëruese, që të bëni kujdes:
Është plotësisht e pabesueshme, por tërësisht e vërtetë, se kemi të bëjmë me një motërzim të "Këngës së Urës së Qabesë"
Dhe le t'a citojmë në mënyrën si edhe e ka hedhur vetë autori (me siguri me një frymë. Kështu me të drejtë, mund të hamendësojë cilido nga ne bashkëkohësit e tij).
"A janë në borxh kombet e botës ndaj vajzave dhe grave të tyre? A është në detyrim të tillë kombi shqiptar, krijuesi i "Këngës së Urës së Qabesë"?
Ja motërzimi për ato vajza të sotme shqiptare, ato që në heshtje dhe pikëllim durojnë atë që meshkujve u qëllon më rrallë.
Mbeta moj vajza, kësaj ane
Në trotuar, në Itali.
Në Wester Union merni dollarët
Se unë vetë nuk do të vij.
Në pyettë nëna ç'fat më doli,
I thoni se një burrë kam marrë,
Im atë në pyettë, i tregoni
Se u martova me një varr.
Në pyettë shoku i shkollës, Bledi,
Nga klasa fqinje, "E treta B",
I thoni se një peng më mbeti,
Që nuk u putha dot me të.
Dhe autori do të vazhdojë më pas me..., "krushqit apo korbat që shkonin në dasëm a në varrim, e padurueshme zakonisht."
Në pyettë se ç'krushq i vanë
Policë belgë a italianë.
Më kujtohet dialogu midis një filozofi në lashtësi me një grafoman.
Ky i fundit e pyet të parin: me se po merresh?
I pari i përgjigjet:
- Kam dy javë që kam shkruar vetëm tre vargje.
- Çudi, - i përgjigjet grafomani,
- Unë në këto dy javë kam shkruar tre tragjedi.
Filozofi buzëqesh me qesëndi:
- Epo ato tragjeditë e tua, i përgjigjet filozofi, mund të jetojnë shumë shumë dy javë,
kurse këto vargjet e mia, unë i shkruaj që të jetojnë në shekuj.
"Kënga e Urës së Qabesë" a nuk ka disa shekuj që jeton dhe do të jetojë? Po ky motërzim i saj, miqt e mi, thomëni, a nuk do të jetojë në shekuj?
"MBETA MOJ VAJZA KËSAJ ANE,
NË TROTUAR NË ITALI...."
Mos plas moj zemër nga dhimbja. Duro si dhe ne, që mbetem pa ATDHE.
SOTIR ATHANASI,
Shkruar në: Gjenevë,
Janar 2015,
Dërguar për botim nga: Athina:
9, Dhjetor, 2016!