Kulturë
Qazim Shehu: Kopracja e padenjë
E diele, 04.12.2016, 12:44 PM
KOPRACJA
E PADENJË
QAZIM SHEHU
E kërkuam dhe përgjëruam lavdinë
Këtë kopracë të padenjë,
Hutohet, shkroftin ,ndrin
Si kali që do shijë lëmej
E këmbët i dridhen në dobësim.
Është gur i çmuar vërtet lavdia
Në pluhur të shekujve mbuluar,
A gur stërralli që nxjerr shkëndija
Eme onur egoje qëlluar,
Është bust me hije dështimi
Që vjedh jetën me qëllim,
E ç`është ajo, mos një gënjeshtër agimi
Që i vidhet natës kur ende nuk po gdhin?
Po ata që u shkelën mbi supe
Adhuruesve të pamenduar,ç`janë,
Kujtuan se e gjetën ,kujtuan
Se pranë gjithnjë e kanë,
Këtë korace pafund e anë...
LOJA E MBASDITES
Saç i mesditës gatuan
Bukën e mengjesit me brumë
Rrezesh ,që dhuruan,
Zgjime me shkulm.
Saç i mbasditës, kupolë ndjenje
Dorë e vënë mbi zemrën e ftohtë,
Puls dashurie i rrëmbyer,
Nga një fjalë që s`mund ta thotë...
Kur vjen mbrëmja, ikën saçi,
I ftohur në mungesë rrezesh të ikura,
Atëhere vemë dorën strehë balli,
Të shohim zemrat e uritura...
Me verën enjë qeshje të gramshkundur
Ta ngjërojnë bukën e mëngjesit,
Ky saç bukën na la të qullur,
Nuk e kavurdisi dot nga nge e pangeshme...
NË VETEN TIME..
Kur portë e mendjes nuk hapet
E mbyllur nga një spazmë idilike,
Dhe ndrojtja në bunkerë guacke,
Mallkon daljen e një teshtime,
E ndjej se më duhet të fsheh
Në brendësi të vetes kaq pamundësi,
Edhe një bukuri që më deh,
Në thellësi të vetes e ndry.
Më është bërë vetja skuta- skuta,
Kthesa dhe bërrylë të fshehtash,
Aq sa humb adresat e shënuara
Prej një pahu helmesh,
Që më ferementojnë pamundësitë
Dhe kërkojnë një zjerje e shpërthim,
Dhe kur të fshehta s`u çoj përditë,
Atëhere ngrihem, bëhem trim...
BASHKËFAT
Ti nuk je si të tjerat,më mirë se ato nuk je,
Ti je thjesht, ajo më e mira,
Në bashkëfatin tim,perlë që nuk ta gjeta
Në kishe shkëlqim apo shkëlqimi ish mashtrim.
Dhe erdhe të më gjesh me nge.
Gënjyer nga një rrenë e çastit,
Si një rreze dielli që e shtyn një re
Të përqafojë malet.
Mbulesë e gabimeve të mia,
Zbuluese e tyre me takt e pa takt,
Gjëmon gjaku i dashurive
Në damarin si për parainfarkt.
Putrat goditëse të viteve
E sjellin nganjëherë te ne kafshën,
Sa më tepër dashurisë i avitemi,
S`e bëjmë njeriun ,po fantazmën.
Dëshirat i ngritëm e ngurtësuam
Në një sjellje pa alternativë,
Menduam njëri tjetrin edhe kur munguam
Se unë të desha ty
Dhe ti mua, moj Divë...
FLOKËT
Ikën flokët dhe shkuan të gjejnë
Rrënjët e djalërisë që mbillet në kujtesë,
Dhe unë s`i bindem kësaj moshe,
Moshës së tanishme ia kërkoj flokët me pendesë.
Një paruke, ëndrrave tullace t`u vë,
Ca përfytyrimeve që s`më lënë të qetë,
Ndoshta edhe barit që shkilet me nge
Që jeshilon e më duket i thatë..
.
Shoh si ikin retë e pambukta
Dhe në maja thepash lënurin,
veten nga brinjët që u kruhen
Prej rrezesh që i mbushin...
Dhe zgjasin fijet nëpër kryet
E maleve dhe kreshtave,
Pastaj me to ngatërrojnë pyjet
Dhe mjekrat e thepave...
Nga to do marr ca fije
Të vë në kokën time të zbathur,
Ndoshta si shenjë djalërie
Që s`ka për të ardhur....
ZJARRI
Një shkëndijë lind një lot,
Një shkëndijë zjarrin lind,
Ky zjarr nuk ndizet kot,
Njëforcë e fshehtë e bind. .
Ç`forcë e shkundullon e ndez
Të ngrihet me gjuhë të frikshme
Së pari shkëndijën nxjerr
Si lajm i lemerisshëm.
Për të thënë se pas saj
Do vijë llava e shpërthimi,
Që do pushtojë skaj më skaj
Çfarë nis nga fillimi.
Veç ndodh,shkëndija shuhet
Sapo feks si një gënjeshtër
Atëhere zjarri ndruhet
Si reumatizmë në eshtër...
NË BRITMËN E HESHTUR TË AGIMIT
Në britmën e heshtur të agimit rrinë
Ata që jetës dy ditë falas nuk ia morën,
Një britmë lehone,një sy që nxin
Nga vlagë e heshtur e mëkatëve.
Në britmën e heshtur të agimit shkojnë
Ca zëra që nuk patën fat,
Veshët e caktuar t`i dëgjojnë
Dhe dielli që mori inat,
Ndaj thirri retë që ta mbulojnë.
Rrinë gjithnjë ata që agimin
E mbuluan me një napë mbrëmje të fishkur,
Nga lindi britma,mos dështimin,
E një lehone përcjell me zjarr të stërpikur?
Pastajn ë gji të ditës shuhet ngadalë,
Dita mbetet një shëruese e harresës,
Dhe lotët me ngushëllim i shkrin,
Bashkë me pahitjen e vesës..
KY DIELL
Ulur në prehër qiejsh të largët na gënjen
Sikur të ishte kaq afër,
Mbi tokën kurrizdalë ,ky diell.
Dhe e ndjejmë pranë si një mik që s`na lodh,
Pa i përfillur ngrohtësinë e ndjeshme,
Ai është e vetmja monedhë e artë
Prej të cilës jeta është e bleshme..
PENG
E kam peng pa një rreng,se fjalën nuk e thashë
Kur dashuria mbahej peng,nga një guxim i zbrazët,
Ky peng që djeg dhe shfaq hijen e tij,
I ngjan një plage që dhemb sa herë bie shi.
I ngjan një muzgu që bie me gunën e tij
Sado na mbulon,e ftohta e hijes drithmë na shtie.
Ai është një gur që rri varur mbi hapësirë të zemrës
Pritet të bjerë dhe s`bie.Koha shkon dhe sjell,
Gjithnjë hijen e tij, si një shtrat të prushtë
ku shtrihet trup i drobitur i dhembjes..
NË QIEJ KUJTIMESH TË FIKURA
Qiejt e kujtimeve u shplanë
Ranë aq shira ndjesish,
Qiejt veshën njëri tjetrin si cipa qepësh,
Dhe hidhësinë e tyre ia dhanë për kafshim diellit.
Mund të shndrroheshin në perde të verbra
Për të mos parë njëri tjetrin,
Po dielli lëshoi aq rreze
Sa perdet vrasëse t`i djegin...
KUFIJ ÇASTESH
U kallën kufijtë e çastit
Nga era e Jugës,
Po ku është zjarri?
Një puhizë që shkon gushës
Ma kujtoi aty pari.
Një petale në horizonte të bruztë
Ishte e jotja gjurmë.
Imazhe,telashe ,prurje,
Masë e zbrazje.
Ç`t`i numërosh kot.
Kur në këpucë varke,
Bredh këmbka jote.
Valë e rrjedhës
Prej Jugës ndizet.
TETOR
Fantazia është një grigjë që humb rrugën
Në tetorin që ec me data të shënuara.
Në një kalendar që rri mbi mur
Pa e parë kush.
E dua këtë muaj.Më ngjan pas tij
S`do vijë muaji tjetër.
Gjethet e pemëve marrin ngjyrën e monedhave
Që kërkojnë skonto te vjetër.
Po nuk dua datat e tij
Përveç Lumturimit të Nënë Terezës,
E për këtë më afrohet,më ndez aq fantazi,
Teksa aq hutime më ndizen.
Sa s`dua ta lë të ikë për në nëntor,
Me hijen e vet poshtë ditëve të vjeshtës,
Ndoshta më bindet dhe bindja ime dhemb,
Kur kujtoj marrëzinë e kohëndaljes së rrjedhës…
E PRESIN DHJETORIN
E presin dhjetorin të zhvishen pyjet
Si natë e ciknës kur zhvesh yjet.
Poterë e qiejve nget retë
Si qe të rëndë me peshë të lehtë.
Ditët dridhen,qielli ulet e ulet,
Afër tyre,sikur u thotë:
Për të mbajtur rrobet prej gjethesh
Çdo tentim është i kotë.
Dhe ato zhvishen ngadalë si gruaja
Që epshin e burrit s`e do,
Të sigurtë, të drithshëm në zhveshje,sa ajo
Befas ndodh përpak çaste të përkora.
Turbullohet qielli ,loti i tij lëshohet
Mbi shtroje të tokës me tërsëllimë e fortësi,
Duke parë si sakrifikohet
Ai që ka më shumë hijeshi…
PEZULLI
Tej dritares,gjithnjë tej
Është ajo,për të cilën dritarja
E hap një shteg.
Ja një re mbi unazë kodrash
Një gisht rruge mban peng.
Tej dritares tund e shkund,
Gërritjet hapësirë e tromaksur,
Nga pëlcitjet e gjakut të horizontit të therur.
Nga ethe të vjetra
Nga ethe të reja.
Dhe atje vidhet pagjumësia ime
Shprushitur në delir.
Tani do e mbyll atë, të mos ndjej,
Si dridhet nga dëshirat e mbuluar në re,
Hapësira…
Po dritare e gjitha më bëhet shtëpia…
SAJIM I SAJIMIT
Në këtë botë që sajo
Manekinë në vend të njerëzve,
Edhe unë veproj si ajo
T`i solla lulet prej letre..
Lulet që përkund era
Në një lëndinë të largët historie,
As pamjen s`na bien tek dera,
Aromat i thith në gji të vet era.
Sajim i sajimit na shpëton
Drejt rrjedhave të shpupluara këndellëse,
Ndjenja mbahet gjer diku, e spazmon,
Në klithma therëse…
NDËRTESA
Burrat të bukurën murosin
Se nuk e ngrenë dot ndërtesën
Me themele në shpirtin të femrës.
Kur valë e rrugës u fsheh,
Në hijeshin e trupit tënd,
Muret hapën buzët
Të të hurbnin, moj valë.
S`di pse të prapsova tutje
Mos ktheheshe në Rozafë.
Ndërtesa ime qe ngritur
E bardhë…
LËKUNDJE
Zemra përpëlitet
Në sizmikë të hollë fekton,
Me barrë vitesh mbi supe,
Me hone
Ku dot s`i lëshon.
Për hapat e pamundura dridhet
Për mendjen guximtare që s`e pyeti.
Sa një grusht mblidhet
Sa një dangë vetullsyri.
Sizmiologët që na gënjejnë
Për vatrat e ardhshme tërmetore
Veç dridhjet e saj nuk i gjejnë
I tremben si gjarprit
Në një xhumbël lulore…
UJËNISË…
Me fisnikërinë e dashurisë
Që ikën zjarr nëpër erë,
U nisa hapësirës së ujënisë
Si gjethe që nga era do të bjerë.
Këtu një imazh ,atje një rimë
E mora e vura në buzë,
Atje një fjalë,këtu një sqimë
Dhe tërkuzën e lumit
Me të cilën valët e tij lidha e çlidha.
Po uji s`më mbajti mëri
Në dejet e tij sa pinin hapësirat,
Dhe kur u shter m`u drejtua ai,
T`i ktheja fjalët
T`i ktheja rimat…
Dhe valët që ia rrëmbeva
Për varka dëshirash…
S`DUA TA BESOJ KËSHTU…
Nga syri i qiellit pikoi shiu,
Lot i tij s`duhej të ish,
Përderisa nën erëra ngriu,
Bredhin në skaj dhe një pishë.
Po çfarë ishte ky shi,
Një rrëkajë lotësh duhej të qe,
Ec e veri emrin e saj
Një shfryrje nga qindra re…
Ky shi që qan pa përmallim
Dhe derdhet rrëmbimit të verbër
Është shi a është trillim
I një urrejtje të tepërt?
S`dua ta besoj kështu,
Rënien e tij me rrëmbim,
Po si shtamba që mbushën krojeve
Nuset që i derdhën pastaj me trishtim,
Për të pritur të dashurit në vonim…
SHPIRT I TEPËRT
Njerëzit shpirtin e tepër hodhën në xhepat e grisur.
Ai qe shpirti i rrugës nga duhej nisur,
Rruga e nesërme për të parë njerëzit mirë,
Prova e dashurisë dhe dashuria si zjarr i arrirë,
Ai s`e afron të keqen, s`e afron ligësinë,
Shpirt i tepër ,larg shpirtit të ngopur,
Me të mirat e rrëmbyer nga të tjerët,
Shpirt i tepër,
në xhepat e grisur kur ranë monedhat që s`na duheshin,
Ku gjeti vend era dhe ngrica të hynte në trup,
Shpirt i tepërt, ardhë nga vetja jonë,
Shpirt i tepër i xhepave të grisur,
Para të cilit, cmira, inati, ndjehen të arratisur.
Shpirti i tepërt është forca,stërmundimi jonë,
Ai çast kur njeriu drejt Migjenit vrapon.