Kulturë
Selimi: Tematikë e larmishme nga jeta e autorit
E diele, 27.11.2016, 12:33 PM
Një
vepër poetike me tematikë të larmishme nga jeta e autorit...
Nga Tefik Selimi
Ditë më parë, Muharrem Kosumi, krijues nga Tygjeci, komuna e Kamenicës, botoi veprën poetike me titull “Vegime poeti nga Tygjeci”. Kjo është vepra e tretë e këtij krijuesi, i cili, poezinë e ka si vokacion shpirtëror.
Kjo vepër poetike i ka 131 poezi dhe 30 krijime të tjera, të cilat autori i ka titulluar: “Cikli i barcoletave të Nasradin Hoxhës”. Vepra në fjalë e autorit ka në brendësinë e saj poezi më të ndryshme, të cilat tema ua ka kushtuar popullit të tij, tokës, Plakës Nicë, një personazh nga romani i I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, poezi për Rilindasit, për Gjer Elez Alinë, për Kullën e Tygjecit, për frikën e historianëve tanë, Vatikanin, për dashurinë për para, për librin, për poetët e mëdhenj, për atdhetarin tonë - Adem Jasharin, për kurbetin, për Darvinin, për mitin e motit, për femrën, për mitin e dashurisë, për sëmundjen poetike, për kombin, për Fehmi Lladrovcin etj.
Në pasthënien e kësaj vepre të shkruar nga Albulenë M. Kosumi, shtohet se, autori në fjalë “ na afron te vendlindja e poetit. Zatën, unë i kam lexuar punimet tjera poetike dhe nga anë, kudo që të jetë poeti, , na qytet, në bjeshkë, zemra i digjet si eshktë për Tygjecin. Por, ai (poeti) ka përfshirë atdheun si tërësi konceptuale”. Mandej ajo shton se, autori M. Kosumi, krijues, “ aq është i përkushtuar ndaj fshatit sa që po ta kishte mundësinë do të thtoshte: “Aty kanë lindur Homer e Virxhil, aty kanë lindur Hektor e Akil, aty lindur ka Leka dhe Kasandra, me një fjalë, të bëhet se kur del maje asaj rrafshlarteje të duket si e sheh e i njeh edhe personalitetet qe kanë jetuar dhe shkuar para më se 2000-3000 vjete”.
Pra, nga ky vend, poeti sikur i ka ftuar Gjergj Elez Alinë, rilindasit tanë e të tjerë, të cilët, siç vërehet, i ka pyetur për “dertet” apo hallet e atdheut. Kjo të përkujton muzën e Çajupit, Olimpin, ku poeti “bisedon” për atdheun e tij, Shqipërinë, ky vend i shenjtë i shqiptarëve. Këtu shihet qartë nga poezia se poeti ndjen frikë nga shpërndarja e popullit shqiptar nëpër botë. Mandej, te poezia “Frika e historianëve”, autori i veprës jo vetën ironizon, por edhe ndjehet zemërplasur ku ju drejtohet historianëve tanë, të cilët nuk merren me historinë tonë që ta ndriçojnë ashtu si do të duhej të ishte.
Autorja e pasthënies së veprës në fjalë, Albulena M. Kosumi, ka shtuar se, gjuha e folur, “ tek plani dhe programi shkollor, ku aspak nuk kanë interesim për gjuhë e drejtshkrim. Këtë çështje autori e zë në diskutim, për faktin se, edhe ai, si punëtor i arsimit, çështjen e gjuhës amtare e llogarit si vlerë të rëndësishme, ku secili këtë vlerë duhet ta respektojë dhe ta nderojë duke folur e shkruar ashtu sipas normës së gjuhës letrare që kërkohet.
Në përgjithësi, tek vepra e autorit Muharrem Kosumi vërejmë si motive: atdheu si tërësi gjeografike, kombi – si tërësi sociologjike, Gjuha, shkollimi dhe harmonia njerëzore. Tek motivi patriotik i gjejmë elementet e shprehjes poetike si, gjuhë, atdhe, që janë elemente mallëngjyese e herë - herë ironike.
Poeti i kushton poezi heroit të kombit, Adem Jasharit, i cili, në lufën e fundit flijoi familjen për lirinë e shtrenjtë. Heroin, Adem Jasharin, poeti e krahason me Skënderbeun trim shqiptar. Poeti shton: “Bëre luftë me një ushtri/ Si Skënderbeu me Turqi”! (f.86). Po ashtu, në veprën e M. Kosumit gjejmë poezi që i kushtohet botës femërore, të cilat, krah për krah me meshkujt, luftuan për lirinë e vendit. Bie fjala, Antigonën dhe Xhevën, autori i krahason me Nora Kelmendin, me Tringa Smajlin, me Shota Galicën etj. Vepra në fjalë ngërthen në vete edhe poezi më të ndryshme, të cilat “rrëfejnë” ngjarje dhe kohë nëpër të cilat ka kaluar populli ynë.
Si përfundim të shtojmë edhe këtë se, vepra ka disa lëshime, për faktin se të gjitha poezië e autorit janë pa i vërejtur nga një “specialist’ i gjuhës, i cili do t’i herrte nga pak si në përmbajtjen e tyre, ashtu edhe në formën e shkrimit, të cilat poezi dalin herë të gjata si formë e poemës, por dhe si një “këndim” që (gati) çdo poezi ka në fund pikën çuditëse(!). Nuk di pse?!
Një shembull: poezia me titull: “Poezi kushtuar atyre të cilët ka 2 vjet që më pyesin se çka është STËRKOPILI...! Ky nuk është varg e as titull poetik. Do të ishte mirë të jetë titulli “Stërkopili!” e jo fjali e gjatë. Përkundrazi, në veprën në fjalë ka poezi që ia vlen jo vetëm të lexohen, por edhe të admirohen. Veprën e botoi Shtyp-Shkronja - Pika 5/A, në Gjilan, 2016.