E diele, 04.05.2025, 09:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Marian: Poeti i ëndrrave të zgjuara

E shtune, 26.11.2016, 07:34 PM


POETI I ËNDRRAVE TË ZGJUARA

(Dibran Demaku, Gjeografia e shpirtit. Përktheu B. Ymeri. Amanda Edit, Bukuresht 2016)

Nga Daniel Marian

Arti poetik është një koncept me një karakter normativ, specific për estetikën që regjistron një ansambël rregullash e normash lidhur me “lindjen” e poezisë, duke respektuar teknikën e letërsisë. Dibran Demaku vjen para nesh me një gamë poemash të shkurta e të denja si frymëzim për piktorët: “buzëmbrëmje e purpurtë shtatori/ e lerë me ngjyra në rreze dielli/ ëndërr e hershme flatra mori/ një ylber në një cep qielli” (Pejsazh). Apo: “kur ndahen rrugët e jetës/ në ishullin e Itakës apo të Kretës/ ëndrra i shembet të vërtetës// kur ndahen rrugët e jetës/ të gjithë i kthehen vetëvetes/ merimanga end penjt’e rrjetës” (Rrugët e jetës)

Përmes strukturës së saj, vepra në fjalë nuk u dedikohet vetëm artistëve, por edhe lexuesve të rëndomtë. Në një mënyrë autentike, duke u nisur nga mendimi e nga shpirti, poeti na e vërshon shpirtin me “Gjeografinë e shpirtit”, “duke mbyllur dyer dhe dritaret/ e ishullit tënd venitur nëpër stinë e vite/ anijes së shpresave iu dogjën faret/

nisur drejt tejë nëpër vite-dritë” (Nisur drejt teje).

Ndoshta mund të jetë një drithërimë drejt një rrëfimi për një vlerësim të veçantë të shpirtit njerëzor, në një vend të thellë e të plleshëm, siç është Kosova. Vepra respektive mund të kundrohet si një Luvër apo si një Versaj i tërë, me përfytyrime që shpërthejnë nga platforma e fjalëve, të rradhitura me elegancë, që nga fillimi, madje që nga kundrimi i ndjenjave të trazuara. Pjesa dërmuese e poemave përfaqësojnë fakte nga historia e kohës, e mendimit, e gjumit dhe ëndrrës: „nuk e di si e ke bërë gjumin/ vetëm unë s`kam fjetur fare/ duke e soditur lumin/ kam bërë rojë në dritare// nata derdhte qëtësi/ hënë e verdhë nga lartë vështronte/ në cep të rrugës një njeri/ yllin e vet polar peshonte... (Pagjumësi)

Gjeografisë së shpirtit nuk i mungon elementi erotik i ndjeshmërisë. Gjithmonë i trazuar, guxoj të them se poeti deshifrohet në intimitetin e pashmangshëm të relativitetit: “ora dy e gjysmë e natës/ ti fle gjumë s`të bëhet vonë/ pentagrameve të kantates/ elegji e ëndrrës sonë// ora katër e mëngjesit/ ti fle gjumë s`të bëhet vonë/ labirintheve të vesit/ tretur është ëndrra jonë” (Zgjuar). Kjo duket më shumë se një deklaratë dashurie, e mbështjellë me një parfum emocionesh. Dhe mu kjo mund të jetë stadi deklarativ i vetëdijësimit të ndarjes së mbarë botës së kuptuar nga të gjitha anët kardinale, e të prura në regjistrin personal.

Do të tentoja të them se fjala është për një „përkohshmëri”, kur kemi parasysh përmbajtjen dhe formulën e kohës në termine të përcaktuara. E nisa një ide këtu dhe dua ta shpjegoj: askund nuk mbetet jashtë nesh rekëtima e probabilitetit tonë. Mundësia e   sekondave që na shpien më tej ndërlidhen me kohën që nuk mund të matet, dhe në asnjë rast të kohës së shtrenjtë të poetit, që ka fat të jetë i lumtur, shpesh herë herët, por edhe po aq herë vonë: “çfarë të të them në këtë mëngjes/ të flas një fjalë apo të hesht/ një bebzë të syrit një pikë vesë/ dhe vjeshta që ka hyrë në mes” (Vjeshtë në mes).

Mirësjellja e shpirtit konsiston në mënyrën për të menduar gjëra të ndershme dhe delikate. Dibran Demaku nuk është vetëm poeti i ëndrrave dhe i kohës, por edhe i mendimeve, i meditimit. Dhurata më e madhe e hyjnive është mënyra për të mos menduar gabimisht. Mendimi është prona më e lartë, ndërsa “përshkrimi” mbështetet në rrëfimin e së vërtetës në konformitet me natyrën, duke e dëgjuar: “e bardhë si reshje e dëborës/ e ëmbël si buzqeshjë e metaforës/ e ëndërruar në shuplakë të dorës/ e mbetur peng në unazë të kurorës” (Ëndërrim).

Shqiptari i Gjermanisë vjen në gjuhën rumune me një projekt të veçantë, me plot imagjinatë dhe ndjeshmëri. Ai din ta gjejë shtegun e fjalëve që vijnë me sinqeritet deri te ti. Ai din ta nxjerrë në breg ëndrrën e zhytur në lumë, me një shpresë të ndezur për një dashuri të zjarrtë. “Gjeografia e shpirtit” është një vepër e rrumbullaktë, e pjekur dhe perfekte.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx