Kulturë
Sejdi Berisha: E hoqa shqiponjën nga flamuri
E enjte, 24.11.2016, 10:12 PM
Në
prag të 28-Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar
Sejdi BERISHA:
E HOQA SHQIPONJËN NGA FLAMURI...!
Shikoja flamurin
Si valonte mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave
Edhe ngjyrën e kuqe
E nxora nga pëlhurë e flamurit
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Kush e di se kah
Shprushte gjakun e njeriut
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Në te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë
I ndrydhur nga ethe gjaku thashë:
Po sa shumë janë të lidhur
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Po kush mund të bëjë mëkat
Nëse këto dy madhështi përpiqet t’i ndajë
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë janë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat...