E shtune, 27.04.2024, 05:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Ibrahim Kadriu - Teatri Kosovë

E hene, 14.11.2016, 08:39 PM


Ibrahim Kadriu dhe vepra e tij poetike “Teatri Kosovë”...

Ibahim Kadriu: “Teatri Kosovë”, Botoi Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë, 2016

Nga Tefik Selimi

Po të kishin shkruar me dhjetra e më tepër studiues e publicistë për veprën e Ibrahim Kadriut, besoj, shkrimi i autorit në fjalë do të jetë më i ndryshëm se i të tjerëve. E para se, Ibra, tash shkrimtar, ka qenë arsimtar i autorit të shënimit në fjalë. E dyta se, kur e ka pyetur se a ka vepra që nuk ia vlen të lexohen, ai i  pati thënë se, secila vepër e ka vlerën e saj. Prandaj, s’ka me artin. Arti është “gjuhë” që flet dhe nuk ka eshtra, por eshtra thyen. Hyn kudo. E, poeti sheh dhe bëhet vëzhgues i botës.

Edhe Antun Shimiqi, poet, në poezinë e tij “Poetët”, ka shtuar: “Poetët janë çudi në botë, ata ecin mbi tokë e sytë e tyre, të mëdhenj e  të heshtur, rriten pranë gjërave”. Kësaj filozofie poetike i shkon përdorësh  Ibrahim Kadriut, krijuesit më energjik të kësaj kohe. Me një angazhim të tillë, të pa ndërprerë me dekada, ky autor gjer më tani, ka botuar mbi 60 vepra nga të gjitha zhanret letrare. Ka shkruar poezi, proza të gjata, drama, skenarë, novela, eseistikë, komedi, seriale për tv, tekste humoristike, mahi, tekste shkollore, monografi etj.

Për këtë bagazh veprash letrare, profesori i Universitetit dhe studiuesi Dr. Mahmut Hysa, ka shkruar vazhdimisht veprën e tij, duke i publikuar ato në dy vëllime (Polifonia e tekstit letrar – polifonia në romanet e Ibrahim Kadriut). Ai (M. Hysa, tash i ndjerë) në një rast ka shtuar: “Ibrahim Kadriu mbetet një figurë e madhe e letërsisë bashkëkohore, e kulturës bashkëkohore, e gazetarisë bashkëkohore dhe pse jo edhe e  studimeve monografike me tipologji më bashkëkohore”. Studimet e dr. Mahmut Hysës  i kisha shtytje, që të merrem jo me zhanrin romanor të këtij autori, meqë kam bindjen se për këtë zhanër në mënyrën më autoritative  është angazhuar profesori i ndjerë, por për poezinë e Ibrahim Kadriut, për krijimet e fundit poetike të përmblerdhura në librin që u botua këto ditë me titull “Teatri Kosovë”. Është kjo një vepër e veçantë, me shprehje të veçanta metaforike, që mund të vlerësohet si një ndër veprat poetike më të avancuara të viteve të funmdit.

Në këtë vepër autori zbërthen filozofinë e jetës që na rrethon, duke vënë në peshojë kontradiktat jetësore, mbase edhe politike të cilat, si peshë e hidhur, na e ngatërron ditën. “Teatri Kosovë”, është titulli i veprës. Një simbolikë fort domethënëse për ambientin që na rrethon me të gjitha plagët. Vetë titulli flet shumë, një teatër me skenë të hapur, me regjisorë të huaj, me publikun që veç duartrokitë... Aty ( në Teatër) luajnë aktorët apo populli. Paraqitet një situatë jo statike, por vepruese. Më qartë, ka zhvillime jete me dhembje e trishtime. Edhe  dr. Fatmir Terziu, studiues, në parathënien e kësaj vepre poetike, thotë se, “Teatri Kosovë ka traditë shekujsh. Ky teatër është absurd, me “Me skenë të adaptuar”, ama “gjithëherë i vizituar”... Madje, ditëve të fundit i transfuar në një kënd tjetër amoraliteti politik, që ashtu si do ta qasnin mediat kosovare “të futur në Byfe”. Pse jo?

Ndjej arsyen të them se, kur ia kam kërkuar autorit veprën, ma tha (si autor) një si porosi: “Lexoje kujdesshëm. Aty ka aktorë. Secili ka “hijeshinë” e vet. Flasin. Bërtarsin. Shajnë. Ama shajnë ... Në “Teatri Kosovë”, më tha, dalin fjalët bajate, ama bajate etj. Pra, është një tekst poetik, i cili “rrëfen” ngjarje, kohë, momente, vite, por edhe qaste dramatike. ..” Vërtetë, pas leximit, u binda se  në “Teatrin Kosovë” ka zhvillime. Fjalët dalin plot pezm. Dalin vrullshëm. Këta “aktorë” shtyhen, ngritin dorën, gishtin, bërtasin, lotojnë, vrapojnë, por edhe urrejnë njëri-tjerin. Në “Teatrin Kosovë” ka karrika, banga, dritare, ulëse, por aty ka edhe shishe uji, molotovi, gaz lotësjellës. Ky është teatër modern. Teatër i vërtetë i jetës. Në të gazetari ynë gjen tema për intervista të lloj-llojshme. Flasin gojën flakë. Ky teatër ka skenë akustike. Ka dhjetë pamje. Pamja e parë është me këngë trimërie. Pasojnë skenat dramash e tragjedishë. Gjithnjë i vizituar me skenë të adaptuar. Ka regjisorë aktualiteti. Në “Teatrin Kosovë” gjithnjë ka spektatorë. Këta i rrëmben një gjumë i thellë. Pasojnë ëndrrat. Ëndrra të kënaqësive. Nuk dëshirojnë të zgjohen, sepse loja e aktrimit vazhdon.  Te Pamja e dytë  krejt janë të mençur, heronj, sundimtarë, regjisorë, aktorë e kurvarë, të cilët i janë të kthyer më shpinë njëri-tjetrit. Janë krejt pushtetarë. Ka duartrokitje,  mandej kuptojmë se Beketi do ta varë vetën, pikërisht pse i është marrë tema  e futur në “Teatrin Kosovë”. Në Pamjen e tretë bëhet fjalë për gjetjen e frymëzimit, njerëzit me shpresa të humbura, njerëzit që pëlqenin arratinë e shpirtit, por ka njerëz humbje durimesh. Këtu fillon drama e gatshme për dramaturgë të mëdhenj. Kuptojmë gjithashtu se Eskili, në mënyrë metaforike, ka nxjerrë biletat për aeroplanin që do të aterojë në Sllatinë, në aeroportin e Prishtinës, për huazim të termave. Mandej, autori i veprës shton se, në “Teatrin Kosovë” është krejt e mundshsme: shaj sa të duash, qaj me lot, postaj, qesh ose vdis duke qeshur, pëshurr në rrugë ndaç bëje edhe atë punë, sepse je i padukshëm. Ndërkaq, në Pamjen e katërt flitet për kuptimin e fjalës ngopje dhe fjalorëve ua lënë për shpjegim, fjalët hajni korrupsion... Te Pamja e pestë, “rrëfehet” loja e luajtur që ka mbajtur gjallë kërshërinë e spektatorëve, të kënaqur me skenën e “Teatit Kosovë”. Te Pamja e gjashtë, zhvillohet drama e fuqishme, e dizajnuar për shtatë palë qejfe të aktorëve. Pamja e shtatë, duket e ngarkuar me virusin për zënien e karrigeve të famëshme. Pamjë e tetë, shtohet se vetëm varret janë reale, rreziten. Në Pamjen e nëntë, i luten zotit të ndalet koha për hatër të tyre dhe te Pamjen e dhjetë shihet se, “Teatri Kosovë” vuan për publikun e munguar e gati të harruar, sepse “do të bënin vetëvrasje për përbaltjen e parimeve flijuese, ti shikoni listat e pjesëmarrësve në front e për punë poshtëruese...”

Më tutje pamjeve ndeshemi me përkushtimet poetike në vazhdim, në poezi të cilat në frymën e ciklit fillimtar, bëhen kurora të përditshmërisë, të veseve dhe etjeve të njeriut bashkëkohës, por duke mos lënë anësh reflekset që na shoqërojnë nga e kaluara.Në këtë frymë vjen me poezinë “Ikja e ëndrrave. I duket se “ëndrrat ikën nga gjumi shumë i gjatë” sepse “forcat e panë duke i mbajtur frerët në dorë, i hipën popullit mbi shpinë dhe – u bënë horë...”f(37). Pra, poeti sheh një realitet që nuk përballohet, sepse “në emër të popullit u ngritën figura e kështjella...” populli po e vuan këtë amulli jete, por “uria urinë  e mban gjallë, nxit etje për milionë, Kosova e shtron sofrën në ethe vetëm për patronë”(f.38). Andaj, poeti i zhgënjyer nga ky realitet jete, ngre zërin e protestës nga brenda dhe, shton: /“Eu, sa shpejt humbëm gjithë kuptimet e idealeve!/ Tashmë u mor vesh cilët dhe pse dolën maleve./.(f.38). Këto janë reflektime të poetit, të cilat artikulohen si “ëndrra”, ndërkaq realiteti është aty.  Në poezinë “Maratonë e gjuhës shqipe”, që gjithashtu lartëson vëllimin, poeti ngre zërin për bastardhimin e gjuhës nga disa shqipfolës. Ai shton se nga ajo kohë e lashtë, kur populli nuk kishte ku të mbështetej për të pasur një alfabet, dolën njerëz që krijuan alfabetin shqip, ku “Manastiri historik prej ku – ia rriti famën vetit, Gjuha shqipe u ngulit dhe s’mbeti duke bredhur” (f.42). Pra, si shton poeti “arriti atje ku duhej me shtërngim dore u bë normë, hapi i rëndësishëm u bë – për Bashkim Kombëtar. Dhe, më e keqja e disa shqipfolësve është se, “pas gjithë kësaj maratone, dalin të tillë që i prinë valles, reagues e të përgjumurve për ta varrosur Kongresin”(f.42).

Në këtë vazhdë, shkrimtari ynë, Ibrahim Kadriu, në veprën “Teatri Kosovë” ka bërë fjalë për disa figura atdhetare shqiptare. Ai në poezinë “Ç’faj bëre, o trim” të  cilën poezi ia kushton atdhetarit shqiptar, Hasan Prishtinës, sikur e ndjen dhembjen se ky trim e “shkriu krejt pasurinë për bashkimin e njerëzve të ndarë keq, në të zezën tokë që e copëtuar mbeti”(f.43).

Ky trim kosovar, arriti gjer në “Shkup i vetmuar me kërkesën për ngritjen e flamurit mbi urë, por ëndrra nuk t’u  realizua, e armët që i solle me vapor në bregdet s’ti lanë të derdhnin flakë për atdheun”. E, ti sot, shton poeti, “në bronz je mbështjellë” e sa e sa rebelë analfabetë të shikojnë, “e për bashkim kërkojmë ndihmën e fatit” (f.43). Poezi I. Kadriu i ka kushtuar poetit gjakovar, Din  Mehmetit. Tek ky poet, autori sikur ka gjetur mbështjetje tek metaforat e tij, i cili, siç shton I. Kadriu, - “rebel i përjetshëm përballë jetës” sepse, “në adresë të oborri tim e lë për të ma bërë çastin e lumtur, Dino Komandant i rryer i gjuhës poetike”. Autori shton, - pragut të nënës – kurrë si ike” (f.48). Tek poezia “Elegji për mikun”, poeti, Ibrahim Kadriu e përkujton mikun më të mirë të jetës së tij, dr. Mahmud Hysën. Mahmudi ishte një studiues i paepur, një studiues i zellshëm i letërsisë shqipe i cili autorin e përcillte hap pas hapi. Në përkushtimin poetik kushtuar mikut të tij I. Kadriu shton se, “më kanë mbetur shtrirë duart dhe fjalët s’arrijnë të prekin, e zëri i shurdhër bën homazhe sheshit” (f.49).

Ibrahim Kadriu, poezi i ka kushtuar Radovan Zogoviqit, i cili shkroi për këngët e Ali Binakut, për kohën kur shqiptarëve u merrnin tokën e shtëpitë kolonët. Poezi i ka kushtuar dhe poetit e shkrimtarit tonë, Teki Dërvishit. Autori e pati shok T. Dervishin, i cili, si gjimnazist kishte provuar ikjen matanë kurifit për Shqipëri. Ai (Tekiu) zihet dhe dënohet tre vjet burg, që i mbajti në Goli Otok. Ky ishte poet fatkeq, i cili qe i maltretuar gjer në fund nga regjimi i kaluar.

Në kaptinën “Rreth meje i nemitur”, autori ka një poezi me  titull “Parlamenti”. Autori shton katër vargje, si: “Të shoqëruar nga skleroza/ të rrëmbyer nga nenvoza/ Flakin të sharat sa më keq/ Byryten n’foltore si tereq...(f. 65). Mandej, pason poezia tjetër e kësaj vepre me titull “Çka po ndodh”, në të cilën autori shton se “asgjë s’marrë vesh, asgjë... gjymtimi i brezave me ecje patericash/ ia gërvishin shtetit muret për të ndalë në shesh/ Hajni e korrupsion me dekret”. E, autori, shton: “Aristotelit i ka rënë damlla nga sikleti/ nuk ka mundur të tregojë mirë si bëhet shteti”(f.67). Tek poezia “Ecje e ngecje” poeti I. Kadriu, shton se, edhe në Kuvend ka humor, “e shkrimtarët nuk shkruajnë më komedi/ u janë vjedhur idetë/, sepse “kohën e kanë të zënë me  dhimbje/ për njerëz që tredhin miza... ku presin viza” (f.74). Po ashtu, poeti “rrëfen” në vargje realitetin tonë kosovar. Te poezia “Një ditë e zakonshme”, poeti i referohet të sotmesh, kësaj kohe me treg të hapur. E poeti shton: “Me treg të hapur ku mund të sigurohen/ diploma universitare fales/ Punime shkencore false/ vendime kushtetuese false/ lista veteranësh false/ barna shëruese false/ etiketa ushqimore false/ deklarime doganore false/ fatyra rryme false/ leje ndërtimi false/ biznese false/ kontrata false/ përndjekje false/ burgje false/ institucione false/ premtime false/ ide falses etj.

Kah fundi i kësaj vepre, autori e thotë një varg se, “do të ngjall poemën e Migjenit” e “pres ndoshta të bëhet mirë” (f.122). E, Ramadan Musliu, Ndërsa, në një vend ka shtuar se, në poezinë e I. Kadriut “ngrihet atdhedashuria dhe aspekti intencional, prirje që shfaqen në synimin autorial që të jetë mënyrë permanente e angazhaur rreth çështjeve vitale të kombit”(f.125). Pra, në theks është estetizmi i referencacve të realitetit ku ky poet e ka vendin e vete të pazëvendësueshëm”(f.129). Pra, Ibrahim Kadriu, jo vetëm me këtë vepër, por dhe me shumë të tjera, është treguar një artist i madh i fjalës së shkruar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora