E shtune, 27.04.2024, 06:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Fiqri Shahinllari: Jetë në një libër

E diele, 13.11.2016, 10:00 AM


JETË NË NJË LIBËR

Nga Fiqri Shahinllari

Kështu e ka titulluar  librin e tij sa familjar aq edhe biografik Hasan Halili. Pasi përfundova leximin e librit “Jetë në një libër" të mikut tim Hasan u binda se atë ç'ka "thotë" titulli  që unë e quaj vitrinë të veprës  e gjeta edhe në "magazinë", pra në brendesi të librit. I shkrojta një mesazh të gjaté autorit duke shprehur mendimin tim dhe  e urova për punën e bërë. I shpreha dëshirën, gjithashtu, qe të shkruaja dicka në shtyp për këtë libër. Ai dhe redaktori I librit, miku im edhe ky, Jani Gusho për të cilin Hasani më shkruante  se "Jani ka një rol jo të vogël në botimin e librit"  të dy, pra,  nuk ishin entuziastë për propozimin tim pasi i ndruhen faktit se, duke qënë libër familjar e biografik e, si të thuash më tepër "një biografi pune, me konsiderata për ngjarje e njerëz me të cilët Hasani ka bashkëpunuar e për zhvillime të ndryshme",  ndoshta,  lexuesit do të keqkuptohen sikur unë(F.Sh) e teproj në vlerësimet e mia. Nuk jam dakord me merakun e miqve të mi. Unë besoj se një libër i tillë shërben jo për lavde për autorin por si mësim, si model se si duhet të sillet në shoqëri e në punë një punonjës dinjitoz i shtetit. Sot, me teper se kurrë punonjesit tanë të administratës, sidomos ata qe marin rrogë nga shteti, pra që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë,  kane nevojë jo për llafe pa bukë e bereqet por për modele specialistësh e shtetarësh që i shërbejne pupullit e Atdheut me përkushtim. Ja kjo është arësyeja qe unë po shkruaj këto shënime për librin në fjalë, duke marë, më në fund, edhe pëlqimin e miqve të mi "për të vepruar si ta shikoj të arësyeshme.."

1.- Unë e njoh autorin e librit qe kur qemë bashkëstudentë ne Institutin Shtetëror të Bujqesisë, sot Universiteti Bujqësor, e deri  në staturat e larta të detyrave shtetërore apo si politikan deri në postin e Ministrit. Ai nuk ka grada shkencore, të tilla ka punën e sjelljen, ka rezultatet mbresëlënëse në të 16 vëndet e punës ku ai ka dhënë dijen e përvojën e tij. Nëse do të kishte ndonjë institucion që për njerëz të tillë si Hasan Halili të kërkonte mendim për titull të përshtatëshëm, unë do të propozoja titullin "shkencor": JETËSOR, pra Hasanin do ta quaja jo profesor Hasani por Jetësor Hasani! Sepse ai gjatë jetës e veprimtarisë së tij, i tillë ka qënë dhe është, jetësor me vartësit e tij por edhe me familjarët, shokët e miqtë. Dhe kjo sjellje mendoj që i është injektuar duke u mëkuar me   qumështin e gjirit të nënës së vet sic tregohet në një  foto nëna e tij me Hasanin dy muajsh në krah, e nga mësimet e urta të babait të vet; të dy rrritur jetimë. Në genet e Hasan Halilit nuk gjen vesin, nuk sheh mëndemadhësinë.  Sepse megalomania të con në rrugë të gabuara. Thonë se Pirrua i Epirit, ky epiriot  Mollis pra ky Cam që sipas Plutarkut nuk fliste greqisht por  një gjuhë të vecantë,  përvecse ishte trim i cartur shfaqte ndonjëherë edhe mendjemadhësi, duke mos e dëgjuar në ndonjë rast këshilltarin e tij besnik e të mëncëm Kinëan. Mbase ky do të ketë qënë edhe shkaku i vrasjes së tij me tullë në kokë nga një grua në qytetin Argos..

2.-Kur flas për Hasanin,nuk flas kot. Përfundimin e nxjerr jo vetëm  nga njohja që kam me të por edhe nga leximi I librit prej 431 faqesh. Kur shikon fotot që ilustrojne faqet e veprës dikush mund të thotë se teksti nuk do të jetë shumë I gjatë por ata qe meren me lexime e shkrime do ta "përkthejnë" ndryshe këtë konstatim sepse do të marin parasysh faktin se një fotografi flet më mirë e më shumë se sa mijra fjalë. Me që Hasani "më mori për dore" e më futi në brendësi të faqeve të veprës së tij, unë tashmë jam në vorbull të këtij libri, të kësaj KRONIKE-HISTORI me stërgjyshër dhe gjyshër, me halle e derte fisi e familjare, me gëzime e hidhërime, thurur gërshetë, me të përpjeta e tatëpjeta ashtu sic është jeta kudo. Më tërhoqi emri   i lagjes  ku Hasani ka lindur. Quhet DUKXHAM! Po e them që në fillim duke iu drejtuar miqësisht Hasanit. I dashur Hasan, sic të premtova unë e lexova librin ngadalë e jo në tre hunj një purtekë, sic thotë populli. Më rrëmbeu historia e fisit, e Dukatit, e krahinës. Cfarë historie! Flitet për Dukatin, për fisin e fiset dhe ja tek ke përpara një copë territori shqiptar. Shtoje pak më shumë atë Dukatin tënd të dashur dhe ja në tepsi ke një nga krahinat e lavdishme të Vlorës ne shekuj. Pa shumëfishoje atë copë territori  i nderuari miku im  dhe na ke vënë  në pëllëmbë të dorës hartën e Shqipërise dhe jehonën e bubullimave  të largëta  e të afërta të historisë së saj. Përshkrimi i luftrave, përpjekjet për një jetë dinjitoze të fiseve të Dukatit e për të gjetur origjinën e herëshme tregon se ti ke bërë një punë hulumtuese, serioze, tepër të lodhëshme për këtë libër me vlerë jo vetëm për fisin e familjen tënde.

3.- Në libër sheh autorin në moshë e ndjesi të ngatërruara e të trazuara që im atë, ndjesë pastë,do t'i quante ndjenja të "nakatosura" Aty gjen Hasanin djalë të vogël, adoleshent, më moshën e rinisë e burrë;  ndjek si lexues Hasanin nip, vëlla, bashkëshort, baba. xhaxha, dajo dhe..gjysh! O Hasan vëllai, po të lexon Fiqiri gjyshi e po te kupton mirë se edhe ti je tashmë gjysh i korruptuar. Nese deri tani kolera me emrin korrupsion nuk të ka fshikur e kapur dot kudo ku ke punuar, ta dish se fëmijët e fëmijeve ta gjetën marifetin, të"korruptuan" me dashurinë që të falin fare hapur, acik..Në udhën e jetës që rrëfen aq sinqerisht për familjaret e tu e për fisin e afërt që prindërit e tu  e shtuan duke filluar  në vitin 1933 kur u martuan  e deri sot  qe janë bërë 66 frymë me genet e tyre(prinderve), pra historinë e cdo pjestari të familjes dhe te fisit të afërt, lexuesit do ta shikojnë vetë  në libër por unë picërrova sytë tek shkruan për Niaziun, nipin tënd që me sa duket e ke rritur vetë dhe je kujdesur për të. Ai qoftë mirë atje në Angli. Edhe unë ruaj kujtime të mira pasi kam punuar dikur me të në një projekt ujitjeje. Më bën përshtypje se nëna jote e mirë, si të gjitha nënat, këndoi në dasmën e nipit të vet, Niaziut. Fjalë gjysheje, fjalë flori. Po edhe në vdekjen e të shoqit, babait tënd të ndjerë ajo qau sic i kishte hije gruas labe. Si  i sajonte ato vargje vaji xhanëm?! Ajo dhe babai jot ishin nga ajo rracë dinjitoze njerëzore që me veprimet e tyre bëjnë më të mirën e mundëshme. Dhe bijtë e bijat e tyre kanë një model kanë një shëmbull si busull  në orintimin e jetës ...Ata martuan në të njëjtën ditë dy djem. Mua më ka bërë përshtypje ky fakt jo i zakonëshëm..

4. Lexoj librin dhe me duket se edhe unë jam aty brenda. Sepse me kujton shokët tanë të përbashkët. Lexoj për Jani Gushon që është i gatshëm e hazerxhevap për të ndihmuar miq e shokë jo vetem tani por edhe me pare kur ka patur dicka në dorë e ndjehem krenar për të. Shikoj në foto Veli Hoxhën, Ago Nezhën, Patriot Cobajn, Aleksandër Fllokon, Ismail Bekën, Idris Xhomarën e shumë te tjerë  e cmallem me ta. Po edhe me shokët e Institutit të lartë Shteteror të Bujqësisë si  Adem Salillarin, Teki Gegollin, Jazo Troqen e sa e sa emra të tjerë që po t'i radhis të gjithë më duhet një regjistër. Pale kur lexoj emrat e pedagogëve, më duket se jam në klase e dëgjoj filozofi nga Hulusi Hako, gjeodezi nga Alaudin Frashëri, matematike nga Xhevdet Harbuli të  cilin e kam personazh në tregimin tim të botuar me titull: "Profesori I matematikës", astronomi nga Temo Mandili, Drita Stafën, Remzie Dvoranin, pa më kujton guzhinën me Resmijen e plot të tjerë. Cudi sa nostalgji paska njeriu për kohën e rinisë, për jetën studentore! Emrat e drejtorëve e specialistëve të Ministrisë së bujqësisë, te kooperativave Bujqësore e fermave, të institutive  shkencore të vendit qe nese do t'i përmend me dashuri e respekt aty, bëhet një listë tjeter e gjatë. M'i ke sjelle para syve duke biseduar me ta apo duke i intervistuar. Te falenderoj Hasan se ma cove lart zhivën shpirtërore duke përmendur shokë e miq që  ke bashkëpunuar të  cilët i  njoh edhe unë në punën specifike që bëja në shtyp. Por lexoj në tekst e po shikoj në foto Nesti Zoin. E kam patur parasysh Nestin në një nga tregimet e mia dhe e kam marë si personazh me emër tjetër, sigurisht. Nesti vinte shpesh nga Fieri ne mbledhjet qe organizonim ne ne Tirane ku kishte edhe specialiste të huaj. Nga mënyra si fliste e debatonte Nesti të impononte respekt, kishte mencuri e dinjitet në diskutimet e tij shpesh të shoqëruara me batuta e shaka të kripura. Kur  dëgjoja Nestin unë qeshja, qeshja shqip.  Kjo shprehja "qeshja shqip" sapo më kujtoi inversin e saj. "Qaj shqip", titull i një libri me poezi nga Riza Braholli, nip në fshatin tim e tani mësues letërsie në një shkolle profesionale në Tiranë. Në vitet e para të Demokracisë  u bë promovimi i librit të Rizait. Ceremoninë e drejtonte i ndjeri dhe i mirënjohuri poeti lirik Koci Petriti. Isha i ftuar edhe unë aty. Gjatë rrugës për te vëndi ku do promovohej libri takova te ndjerin Hysni Milloshi, poetin e spikatur shqiptar.E ftova edhe atë ne promovim. Dikush kur pa Hysniun thartoi turinjtë. Por këtë thartim e ëmbëlsoi vete Koci Petriti i cili e ftoi Hysniun ne tavolinen e diskutuesve kryesorë. Koci ishte demokrat dhe dekan i fakultetit te Gjuhë - Letersise, Hysniu komunist e kryetar i asaj Partie. M'u bë qejfi jashtëzakonisht shumë kur pashë se si arti e letersia kapërxejne gardhe ndarëse ideologjike dhe i bën njerëzit ta shikojnë njëritjetrin në sy e me zemer ne dorë. U zgjata paksa në këtë pasazh sepse kam parasysh sjelljen e Hasan Halilit ministër,  me birin e Myslim Pezës, Partizan Peza që ishte punonjës në arshivën e  ministrisë së Bujqësisë. Partizani i tha një herë me frike ministrit se ai(Partizani) nuk votonte per partinë demokratike të ministrit Hasan. Priste Partizani i sinqertë  ndonje përgjigje bubulluese, të rreptë apo pushim nga puna prej ministrit por mori prej tij vetëm një buzeqeshje e lavdërim për sinqeritetin e punonjësit të tij të devotshëm në detyrë.

5.- Ka ca fakte që lexuesin e mbërthejnë dhe nuk e lëshojnë deri sa ai të ngopet me domethënien e tyre, me filozofine e rrethanave të jetës. Sapo tregova rrastin e Partizan Pezës me ministrin Hasan Halili dhe s'ka pse e zgjas më tej por nuk mund te rri pa përmendur edhe ca raste te tjera qe flasin për karakterin njerëzor të autorit të librit si politikan po edhe si specialist i spikatur ne fushën e bujqësisë.. Partizan Pezës ai i dha hakun, e cmoi,  e vlerësoi për punën e sinqeritetin. Mirepo në punë, në zbatimin e rregullave dhe të ligjit ai nuk leshon as një capirok, qofsh mik, qofsh shok, qofsh kushdoqofsh . Arif Mullai ,rahmet pastë, ishte një specialist I zoti. Si student I dhjetave në mësime.. Kur shkoja me shërbim nga gazeta ku punoja e kisha takuar kaq e kaq herë në Shtikë të Kolonjës si ekonomist e më vonë në komitetin Ekzekutiv të rrethit. Në ministri të Bujqësisë kur erdhi me transferim, në fillim la përshtypje të mira në punë. Mirëpo kjo qerrata pije alkoolike mer në qafë burra edhe me të zotë se Arifi e ca më tutje se ai. Arifi u rëndua nga pija dhe për këtë shkak rrezikonte të bëheshin gabme të njëpasnjëshme. Hasani e kishte shok klase ne Institut, e kishte specialist të mire, njiheshin fare mire me njeri tjetrin por ama  puna është punë, shoqëria shoqëri... Hasanit duket se "i dhemb" fakti I largimit të Arifit nga puna në Ministri por nuk kishte nga ia mbante edhe pse e kishte shok..

Një fakt tjetër që më la mbresa është ai kur Hasani bisedonte atje në Levan të Fierit ku punonte, me vjehrrin e Kristaq Prencit shokut tonë të përbashkët. Vjehrri i Kristaqit  kërkonte të dinte dicka më shumë për atë dukatasin të cilit, shumë vite më parë, policia shkoi për të kontrolluar nëse kishte fshehur gjëkundi armë. Vjehrri I Kristaqit kishte qënë polic në atë kohë dhe ishte pjestar i skuadrës që shkuan në Dukat për kontroll, Hasani për arësye që meren vesh kollaj nuk I tregoi të vërtetën që ajo shtepi qe ata policë kishin kontrolluar kishte qënë shtëpia e babait të tij, pra e Hasanit. Për  Kristaqin dhe vjehrrin e tij kurioziteti mbeti enigmë..

E lashë për në fund faktin tjetër që më kënaqi pa masë, atë  që tregon për dinjitetin e Hasanit si teknik, si specialist i një fushe qe nga natyra nuk pyet shumë për politikë por për përbërjen e tokës, për nevojën e ujitjes, për farat e mikromjedisin e ku ta di une për cfarë tjetër.Fjala është për takimin në Mallakastër me kryeministrin e rreptë të asaj kohe, Mehmet Shehun. Hasani gjatë bisedës me kryeministrin kishte qendruar fort në argumente shkencore agronomike po edhe në atë ekonomike dhe nuk lëshonte pe sadoqë i madhi i Qeverisë bënte pyetje ndoshta edhe për ta zhbiruar më shumë në dije djaloshin specialist dukatas. Hasani nuk e thote ne libër se kryeministri mbeti I kënaqur nga biseda por unë e mar me mënd një gjë të tillë.  Mehmet Shehu I kishte qejf diskutimet e argumentuara teknike të cdo fushe. Ishte ky shkaku qe ai kishte respekt të madh edhe për Akademik Mentor Përmetin edhe pse ky i fundit nuk i vinte pas volles Kryeministrit por e kundërshtonte me baza shkencore për probleme të ndryshme ne mbledhje apo gjetke kur I kërkohej mendim Mentorit. Nuk po zgjatem më tej. Besoj se lexuesi i librit do të më japë të drejtë.

6.-Është e pamundur të "flasësh" në një shkrim gjith përjetimin që ti bën nga leximi I një libri jo të vogël, të themi. Dhe unë po mundohem të gjej një shkak për t'i dhënë fund këtij shkrimi. Mirepo ja, si thoni ju, a mund të largohem pa thënë dicka për Hasan Halilin jo vetëm si specialist e drejtues i ekonomive bujqësore, si shef bujqesie, e mandej si deputet por sidomoa si ministër i Bujqesise apo si Prefekt i Vlorës? Përmendja e emrave në politike si Namik Dokle, Zydi Pepa, Petrit Kalakula, Ibrahim Baci, Rexhep Uka, Idris Xhomara e të tjerë e ngjarjet e shtjelluara lidhur me ta  më tërhoqën si magnet se të gjithë i njoh e kam bashkëpunuar me ta për shkrime në gazetë. Ka shumë faqe nga jeta e puna e Hasanit si deputet e ministër po edhe si prefekt i Vlorës. Sado të mundohem të shkruaj përmbledhtas nuk mund të paraqes atë c'ka shkruan autori me shumë realizëm. Por një konkluzion mund ta shkruaj. Të jesh ministër bujqësie do të thotë të ndryshosh metodë pune e të kesh kënvështrim më të gjërë. Hasani si ministër nuk shihte vetëm hallet e një komuniteti fshati apo rrethi por pika e vështrimit të tij ishte ngritur lart e shikonte më gjere e më thellë për hallet e trazuara të bujqësisë e fshatarësisë shqiptare në një kohë tjeter, në kohën e tranzicionit demokratik nga ekonomia e centralizuar ne ekonomine e trgut, ne ekonomine kapitaliste. Një fjalë goje kjo po ec e provoje në praktikë të kam rixha!! Kur je   në krye, sipër detyrave e punëve, vetëm atëhere e shikon se si zjen kazani i shoqërisë në sektorë të ndryshëm të jetës. Një pasdite tetori 2016 Zoti Rexhep Uka ish minister i bujqesise dhe miku im me ftoi në fermën e tij duke më porositur të merja  me vete cilin të doja. Do të porosiste taxinë të na merte. Të nesërmen do të nisesha ne Amerikë. Nuk shkuam me taxi sepse ne momentin kur me ftoi Rexhepi une isha ne nje lokal ku po pinim kafe me miqte e mi Nuri Dragoi  tashme historian dhe me ekonomistin Koco Broka. Nuriu ka makine dhe me te shkuam tek ferma me permasat e një ferme kapitaliste për ta patur zili. I kujtova Profesor Dr. Rexhepit një flalë te tij, vite më parë, kur kryeministër ishte Pandei Majko i ndodhur në takimin me disa ish ministra të bujqësise, pra i kujtova prof Rexhepit se ai tha në atë takim pak a shumë kështu: " Kur isha pedagog dhe jepja mësim mbrojtjen e bimeve, kujtoja se shkenca  bujqësore  rrotullohej vetem tek ceshtja e mbrojtjes se bimeve. Kur u bëra ministër e pashë se sa kumuri më godisnin me sqep në tëmthat e kokës.."

Kërkoj ndjesë e ma bëni hallall të nderuar miq e kolegë se u mora kohë në leximin e kësaj përsiatje për librin e mikut tonë  Hasan Halili.  Të kënaqur do të jini, u siguroj për këtë, nese u bie rasti  të lexoni librin mbresëlënës me titull sinjifikativ: " "Jetë në një libër"

U paça,Fiqri  Shahinllari



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora