E premte, 04.10.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Njeriu që sfidon moshën

E diele, 06.11.2016, 10:26 AM


NJERIU QE SFIDON MOSHËN

PROFESOR FADIL KEPI, SPECIALISTI I NJOHUR I LEGJISLACIONIT SHQIPTAR

“Të shkruash për njeriun që e meriton është mirënjohje” V. Hygo

NGA FRAN GJOKA

Në një sentencë thuhet: “Pak rëndësi ka se nga vijnë diamantet, por sa kohë ata vezullojnë.” Kjo do t’i shkonte për shtat njërit nga njohësit më në zë të legjislacionit shqiptar, z. Fadil Kepi, i cili u lind në fshatin Prezë afër Tiranës 75 vjet më parë. Në fshatin e lindjes mbaroi shkollën 7 vjeçare dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pas mbarimit të Universitetit të Tiranës ka punuar në disa institucione e qendra pune me drejtues të njohur e të aftë, nga të cilët ka përfituar dhe është formuar si intelektual i zoti. Kështu, në shtator të vitit 1963, nisur nga rezultatet, u emërua asistent pedagog i statistikës në Fakultetin e Ekonomisë, ku jepnin mësim profesorët e nderuar Hekuran Mara, Vladimir Misja, Aristotel Pano, Fiqiri Sheri, autorë tekstesh e më vonë akademikë, ndërsa pas pak kohësh emrohet specialist në Drejtorinë Ekonomike të Ministrisë së Arsimit, Kulturës e Sporteve, ku punoi për rreth 10 vjet, duke kryer edhe detyrën si pedagog i jashtëm në fakultet. Ky fat e shoqëroi edhe në Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve, duke filluar nga Ministri i aftë, dinamik, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, Thoma Deliana, zëvendësit e tij të urtët dhe të mençurit Kadri Baboçi e Bedri Dedja, specialisti e komentatori i parë i futbollit tonë, Anton Mazreku, trajneri  i suksesshëm i ekipit kombëtar, Zyber Konçi, etj., nga të cilët Fadili thotë se ka përfituar shumë nga përvoja e tyre, stili dhe metoda e punës, ku ka punuar mbi 8 vjet.

Meqenëse në ministri kishte filluar punë direkt pas përfundimit të mësimeve në Fakultet, sipas rregullave, specialisti i ri duhej të qarkullonte, për këtë arsye e emërojnë Drejtor të Bazës së Furnizimit për Arsimin, Kulturën dhe Sportin në qytetin e Durrësit, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të arsimit, kulturës dhe sportit, që tashmë i donte shpirtërisht. Por në vitet 1978-1988, transferohet përsëri dhe emërohet Drejtor i Institutit të Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve në Ministrinë e Financave, ku punon me ministër financierin e aftë e të njerëzishëm, Niko Gjyzari, më të cilin dha kontributin e tij për rritjen e ndjenjës së kursimit dhe depozitimin e mjeteve monetare në banka, në të cilat kishte siguri, ruhej me ligj sekreti i shumave, falë punës së tij të kualifikuar, për herë të parë u bë e mundur që lekët, pavarësisht se depozitoheshin në një rreth, në raste nevojash, mund t`i tërhiqje në të 26 rrethet e Republikës.

Detyra qe kryente kërkonte angazhim dhe njohje nga masa, prandaj u bë i domosdoshëm bashkëpunimi me median. Paraqitet tek Radio Tirana, ku pritet mjaft mirë. Në saj të bashkëpunimit me Radio Tiranën, me gazetarët e talentuar, si: Agron Çobani, Alfons Gurashi, Lulzim Vejsiu etj., bënin emisione të shpeshta edhe për domosdoshmërinë e sigurimit të jetës gjatë udhëtimeve me tren, autobus, shtëpive private, bagëtive dhe kulturave bujqësore në ish kooperativat bujqësore për mbrojtjen e tyre nga faktorët atmosferikë të paparashikuara, si përmbytjet, zjarret, rrufetë, breshëri, rrëshqitja e tokës, shtrëngatat, etj. Në vitet 1988 deri 1996, përsëri e qarkullojnë me detyrë Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore të rrethit të Tiranës, ku fatmirësisht prapë kishte lidhje me sigurimet e organet e medias së shkruar dhe elektronike dhe përsëri me një bashkëpunim në një stad më të lartë me Radio-Televizionin Shqiptar, si një profesionist i vërtetë, tani për t`u shpjeguar shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, përmbajtjen e ligjit të sigurimeve shoqërore, që ishte miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, më 01. 10. 1993, i cili pati shumë ndryshime me ligjin e mëparshëm, për kushtet dhe dokumentet që duheshin plotësuar për të përfituar pensione në Shqipëri edhe atyre që ishin në emigracion. Në vitet 1991, si rrjedhojë e ndryshimeve demokratike, shumë qendra pune, si minierat, kombinatet e tekstileve, SMT, ish kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore, etj., u mbyllën dhe duheshin pritur e sqaruar hallexhinjtë brenda e jashtë orarit për daljen në pension të plotë ose të pjesshëm, duke e vrarë mendjen ditë e natë që të sigurohej dokumentacioni i nevojshëm që asnjë të mos mbetej pa pension dhe përsëri këtu, specialistit të njohur i erdhi në ndihmë media e shkruar dhe elektronike, gazetari i mirënjohur i Radio Tiranës, Pirro Ruvina, me të cilin Prof. Fadili ka zhvilluar mbi 2 mijë emisione në Radiotelevizionin Shqiptar, TV Shkodër, Pogradec, Lushnjë, Kavajë, etj. dhe të gjithë televizionet e Tiranës, pa u lodhur, me një gatishmëri të admirueshme kohore dhe profesionale. Këtu duhen vënë në dukje edhe ndihma e pakursyer me anë të intervistave direkte të drejtuara nga zv/drejtoresha e Përgjithshme e Televizionit Shqiptar, Antoneta Malaj dhe gazetari i kompletuar i TVSH, Bajram Hoxha. Për problemet e pensioneve vazhdimisht ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë pothuaj në të gjitha gazetat, por duhet veçuar këtu revista “Mësuesi”, me të cilën është bashkëpunëtor prej 45 vjetësh dhe gazetën “Telegraf”, me të palodhurin dhe dashamirësin e pensionistëve, drejtorin  Engjëll Musai.

Prof. Fadil Kepi na bën me dije se aktualisht popullsi prezente në vendin tonë ka rreth 2,9 milionë banorë dhe 1,5 milionë janë në emigracion dhe nga këto ka rreth 600 mijë pensionistë, nga të cilët rreth ose mesatarisht çdo familje ka një pensionist dhe nga numri i përgjithshëm rreth 60 mijë janë pensione familjare për fëmijë që u kanë vdekur prindërit dhe 50 mijë invalidë të plotë e të pjesshëm. Çdo vit dalin në pension 16-18 mijë vetë, përfshi dhe emigrantët. Balzaku ka thënë: “Atë që duhet të dimë më shumë dhe të njohim më pak, janë ligjet”. Kjo sentencë e ka detyruar profesorin që, moralisht, mbështetur në legjislacionin e sigurimeve shoqërore në fuqi dhe përvojën e fituar si drejtues e zbatues i ligjit të pensioneve, të sqarojë në media dhe të shkruajë libra për t`u ardhur në ndihmë konkretisht shtresës së nderuar të pensionistëve, të cilët hasin problemet të shumta për saktësimin e viteve të punës në ato qendra pune që ata kanë punuar.

Prof. Fadilin edhe sot e kësaj dite e shqetëson fakti se nga mosnjohja me themel e legjislacionit, nga angazhimi i dobët dhe paaftësia e disa punonjësve, ka shumë sorollatje subjektive, që sjellin pakënaqësi, strese tek klientët, ulin padrejtësisht nivelin ekonomik të 60 e 65 vjeçarëve e të familjeve të tyre, të cilët një pjesë të pensionit e përdorin për barna mjekësore. Përmbledhja e fundit e “Legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore”, botuar në vitin 2010, ka 610 faqe, ndërsa fjala “pension” ka 7 germa pra, mesatarisht një germe i takon 88 faqe shpjegime! A nuk janë shumë? Më tej prof. Fadili sqaron se të marrësh pension të plotë duhet të kesh 35 vjet punë të siguruara, kur nga statistikat e gjendjes civile mosha mesatare e gëzimit të pensionit është 25 vjet ose 10 vjet më pak dhe prapë të sorollatesh derë më derë për të drejtën tënde, kjo nuk mund të tolerohet. Këtu nuk dua të mohoj aspak punën që bëhet nga kolegët e mi të sigurimeve shoqërore, sidomos në drejtim të informatizimit të veprimeve, përballimit të punës voluminoze për rritjet e pensioneve që po bëhet, por duhet theksuar se ka mjaft mangësi në kuptimin e zbatimin e ligjit, vonesa në caktimin e pensioneve tej afateve të vendosura nga Këshilli Administrativ i ISSH etj., të cilat i lexojmë në gazeta, i shohim në televizione e në dyert e gjykatave si dhe të Avokatit të Popullit etj.

Pikërisht këto e kanë detyruar prof. Fadilin t’i evidentojë këto mangësi, t`i analizojë e t’u japë përgjigje në median e shkruar e elektronike dhe të botojë deti tani 4 libra me karakter praktik për pensionet, mesatarisht me 150 faqe dhe në librin e fundit, me formatin e xhepit, me 100 faqe. Mbasi punoi rreth 7 vjet si Drejtor i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, në maj të vitit 1996, kur ishte 55 vjeç, fitoi si deputet i Partisë Demokratike me rezultatin 68% në zonën e Prezës, vendin ku ka lindur dhe është rritur, legjislaturë, e cila, për arsyet që dihen, zgjati rreth 14 muaj deri në  fund të korrikut 1997, mbasi u bënë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe Profesori nuk e pati parë të arsyeshme të rikandidonte.

Pas lënies së mandatit qe ftuar nga ish Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Mustafa Kërçuku të jetë pjesë e stafit të tij, me detyrën e Kryespecialistit për problemet e legjislacionit,  ku punoi rreth 3 vjet, pasi Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademiku Ylli Popa e këshilloi të konkurronte për detyrën e Shefit të Sektorit të Përgjithshëm në atë institucion, ku dha kontributin e tij deri në moshën 68 vjeçare. Tani është 75 vjeç, prind dhe gjysh nga vajza e djali  të dy të arsimuar e të suksesshëm në punë. Ai vazhdon të jetë studiues i rregullt, e gjen në Bibliotekën Kombëtare, ku studion jo vetëm ndryshimet në legjislacionin shqiptar, por dhe më gjerë. Çdo vit, me kërkesën e fakulteteve të ndryshme të vendit, udhëheq tema diplome të studentëve për problemet sociale, dëgjon me vëmendje mendimet e tyre për përsosjen e mëtejshme të legjislacionit dhe zgjidhjen e problemeve sociale, duke kërkuar më të mirën krahasuar me vendet e tjera më të zhvilluara perendimore. Prof.Fadil Kepi e njeh mirë dhe relaksin aktiv.Që në rininë e tij të hershme e ka patur shtëpinë në një mjedis të gjelber natyror,në Prezën e bukur malore,ku bënte e bën dhe sot shetitje të këndshme e ç´lodhëse që i dhurojnë kënaqësinë e freskinë e nevojshme.Shpesh ngjitet dhe në kalanë e Prezës. Pra,ai zgjedh shpesh relaksimin edhe në gjirin e natyrës,që vlerësohet si pushimi më i mirë i tij .Njerëzit e mëdhenj kanë gjetur gjithnjë forma relaksi interesante për të mbushur pushimet e vogla . Ai ,në sistemin e punës së tij, e ruan më kujdes të madh raportin talent – punë ,sepse udhëhiqet nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu.Kjo siç dihet ka shumë rëndësi ,ndaj Fadil Kepi mbetet një vizionar i talentuar dhe një studiues i palodhur ,që mbështet fort në trashëgiminë historike e kulturore të së kaluarës së Prezës ,jeton aktivisht kohën e tij dhe punon për të lënë një kontribut të suksesshëm në mbarë opinionin shqiptar e më gjërë. Si njeri me karakter të fortë,është optimist edhe pse mosha bën të vetën , nuk lejon të zhytet në pesimizëm , ka besim tek forca e tij e mendimit dhe e veprimit pozitiv,që e bën Fadil Kepin të palodhur në shërbim të njerëzve në nevojë.Këtu kujtojmë shpesh këshillën e tij:”Shpresa tek e mira ka selametin”. Pra, ai ka rritur shumë vlerat e sistemit të punës të këtij studiusi të financës me shpirt të pastër dhe me devotshmëri të lartë shkencore.

-Kënaqem kur udhëtoj nëpër Shqipëri, - thotë profesori, -sepse shoh ndryshime të vazhdueshme, shtëpi, shkolla e qendra shëndetësore të reja me ujë e energji elektrike, që me liberalizimin e vizave jemi afruar shumë me fëmijët emigrantë, që numri i automjeteve, celularëve, pajisjeve elektronike, etj., sipas censusit të fundit të popullsisë është shtuar shumë në krahasim me regjistrimet e mëparshme. Një gjë është bindëse, që ne jetojmë më mirë se prindërit tanë dhe fëmijët tanë do të jetojnë më mirë se ne dhe ky është suksesi i zhvillimit spiral të shoqërisë. Falë edukatës së prindërve të tij, Fadili është mësuar të punojë që në moshë të vogël, por dhe në shkollë e konvikte ku ka kaluar 8 vjet, mësues e edukatorë e kanë mësuar të jetë i zoti i vetes, të pastronin mjediset ku mësonin e jetonin, të gatuanin e hekurosnin. Prandaj mundohet të jetë korrekt profesori me motrën, vëllezërit, farefisin, shoqërinë e komshinjtë, por gjithnjë duke parë me kujdes edhe ndonjë gabim apo mangësi në jetën tij të përditshme me bindjen se për sa kohë të jetojë duhet ta korrigjojë veten.

Nuk e harron kurrë vendlindjen e tij të dashur, njerëzit e saj të mrekullueshëm, Njësinë vendore të Prezës, e cila bën pjesë në Bashkinë e Tiranës, ka rreth 7. 000 banorë dhe përbëhet prej 7  fshatrash: Preza Kala, Gjec-Kodër, Fushë – Preza, Ahmetaqi, Palaqi, Ndërmejtas dhe Bregu i Shkozës. -Kryesisht janë banorë  autokton të fshatit,-thotë profesori,- por edhe një pjesë të ardhur nga rrethe e shtete të tjera, përfshi këtu dhe gjermanë, italianë, etj. Regjistrimi më i hershëm i popullsisë banuese në Prezë njihet viti 1703, ku pati pasur rreth 900 banorë. Është e përmendur për kalanë e saj, që sipas historianit italian Biemmi, më 26 janar 1445, është bërë  dasma e martesës së motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës, me Muzakë Topinë nga Petrela. Nusja nga Kalaja e Krujës, dhëndëri nga Kalaja e Petrelës ndërsa dasma u bë atje, në Kalanë e Prezës. Rast i vetëm në historinë e Shqipërisë dhe asaj botërore. Skënderbeu e pati zgjedhur Kalanë e Prezës për dasmën e të motrës jo vetëm për bukurinë natyrore të  saj, por meqenëse ishte kohë lufte, në radhë të parë për besën e bujarinë e prezgjanëve. Janë të shumta aktivitetet që organizohen edhe sot në këtë kala madhështore. Në vitin 2008, në këtë Kala, nga Televizioni Shqiptar është zhvilluar konkursi “Mis Shqipëria”, nga regjisori i mirënjohur Petri Bozo.

Sipas dokumenteve, shkolla e parë shqipe në Prezë është hapur në vitin 1914 dhe mësuesi i parë i saj pati qenë Qazim Domi nga Shijaku. Aktualisht ka kopsht fëmijësh, disa shkolla 9 vjeçare, një shkollë të mesme, e cila mban emrin e ish drejtorit të shkollës në vitet 1937-1941 dhe Qendrën shëndetësore. Në këtë shkollë kanë mësuar Akademiku Bajram Preza dhe Profesor Zyhdi Dervishi dhe të tjerë bij të Prezës, që kanë përfaqësuar zonën në Kuvendin e Shqipërisë.  Mijëra nxënës, shumë nga të cilët kanë vazhduar studimet brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera, diplomuar në profesione të ndryshme, punojnë këtu dhe në vende të tjera.

-Para vitit 1914,-na thotë profesori,-në Prezë ka patur shkollë fetare, që ndryshe quhej “mejtep”, ku mësohej edhe gjuha turke. Prifti, arkeologu, shkrimtari i nderuar me titullin “Nder i Kombit”, At Shtjefën Gjeçovi, lindur në fshatin Kryezi të Pukës, mbasi e ka vizituar Prezën, në librin e tij “Besë dhe Dashni”, në vitin 1902, para 114 vjetësh, ka shkruar: “Preza ose Tirana e vogël, ta përtërinë jetën, rreshtat e pemëve dhe bukuria e natyrës t’i merr mentë e të verbon nga sytë. Në Prezë sheh gjithnur pemësh, bimësh dhe lulesh”. Këngëtarja e re, Olta Boka, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, vajza e këngëtarit Reshit Boka, është mbesë nga fisi i nderuar prezgjan Mesiti. Artisti prezgjan, Veli Caka, i cili i bie disa veglave muzikore, ka marrë pjesë në disa festivale folklorike të Gjirokastrës dhe është nderuar me çmime bashkë me Abdyl Kepin. Sipas Historianëve, Marin Barleti dhe Fan Noli, në qytezën e Prezës ka jetuar fisi i Parthinëve. Më vonë e ka marrë emrin Mazakene, ndërsa në regjistrimin e parë të popullsisë dhe pasurisë që është bërë nga Turqit në vitet 1431-1432, Preza figuron me emrin “Presa”. Puna dhe aktiviteti human i prof. Fadil Kepit ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e masës së gjerë, por edhe të krijuesve popullorë. Ja si e shpreh në vargje punën dhe aktivitetin e tij në gazetën “Telegraf”  gazetari i njohur Kristo Mërtiri: “Kjo kumurije e lalës,/ Zërin ku e gjeti,/ Ja fali në Prezë,/ Vetë Fadil Kepi./ Tek ky burrë i mençur,/ Me themele Preze,/ Falen hallexhinjtë,/ Marrin rreze shprese,/ Falen gazetarët,/ Me një barrë shkollë,/ Kurrë nuk thotë, “U lodha”,/Se është mendjehollë...”. Profesori human, njerëzori, i papërsëritëshmi, Fadil Kepi, tani mbush 75 vjeç, por është ende i ri, i fortë, gjithnjë në shërbim të njerëzve në nevojë, megjithëse do të ishte dinjitoze nga organet shtetërore që të shoqërohej ky 75 vjetor me një dekoratë vlerësuese për gjithë punën dhe zellin e këtij njeriu të talentuar në fushën e legjislacionit,duke i dhënë çmimin e lartë “Qytetar Nderi i Prezës” dhe nga Presidenti i Republikës  “Mjeshtër i Madh i Punës”. Shpresojmë...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora